Nga Jugu në Veri, blerje masive votash dhe kërcënime qytetarëve

Një skenar i mirëorganizuar shitblerjeje vote dhe tjetërsim i vullnetit të qytetarëve përmes kërcënimeve me largim nga puna nga njerëzit e Ramës dhe Metës udhëhoqi frymën e gjithë fushatës teksa u intentifikua në orët e fundit, në prag të 25 qershorit. Duke nisur nga dita e premte dhe e shtunë e gjatë gjithë ditës së votimit, grupe të mirëcaktuara nga bandat e Ramës bënë çdo përpjekje për të intimiduar votuesit, duke u ofruar tufa parash e nga ana tjetër, duke i kërcënuar me bukën e gojës, shkarkimin nga puna. Shpërndarja masive e parave u identifikua gjatë orëve të natës dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve më 25 qershor. Në këto zgjedhje të gjitha asetet shtetërore u vendosën në funksion të fushatës së Ramës. Policia, e cila do të duhej të ishte në krye të detyrës për garantimin e procesit zgjedhor, pas thirrjes së Ramës për të punuar për fitoren e së majtës, nisi të dilte për të kërkuar vota për PS, duke minuar tërësisht procesin. Nisma “Za Lart”, e cila publikon raste të denoncimeve të qytetarëve në lidhje me fushatën zgjedhore, si dhe monitoron respektimin e Kodit Zgjedhor mbi fushatën ka publikuar të dhëna me fakte se si qytetarët po kërcënohen për tjetërsimin e votës. Gjithashtu, me fakte konkrete denoncohen rastet kur drejtorë të PS apo LSI në administratën publike janë angazhuar në krah të kandidatëve për deputetë, duke bërë fushatë e duke kërkuar votën për subjektet përkatëse politike. Për ata që nuk pranuan të shisnin votën, u aplikua mbledhja e kartave të identitetit, me qëllim uljen e pjesëmarrjes së votuesve të kundërshtarit në zgjedhje. Kjo praktikë u bë e njohur në zgjedhjet e Dibrës, por u aplikua dhe nga Safet Gjici në Kamëz në zgjedhjet lokale, një metodë që duket se tashmë ka vendosur ta aplikojë në Kukës, ku është vënë i dyti në listë. Në rast se votimi për PS-në paguhet 10 mijë lekë të reja, dorëzimi i një karte tek të dërguarit e saj kushton 50 euro ose diku tek 6500 lekë. Madje, kjo mënyrë është parë si më efikase, pasi paratë paguhen në bazë të numrit të kartave që dorëzon. Natyrisht, jo çdokush mund t’i dorëzojë ato. Ata që i dorëzojnë janë evidentuar më parë si votues të së djathtës, të cilët gjenden në vështirësi ekonomike, për të paguar faturat e energjisë ose janë familje me shumë anëtarë. Kriteri tjetër duhet të jetë që personit që i dorëzohet karta duhet të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Personit apo personave në fjalë, u hiqet viza nga lista zgjedhore që kanë sipas zonave të dërguarit e Ramës dhe në këtë mënyrë bëhet një përllogaritje e përafërt e atyre që do të dalin në votime. Kushti është që në listat përfundimtare personi nuk duhet të rezultojë se ka votuar fjala vjen me pasaportë dhe kjo verifikohet lehtësisht jo vetëm nga persona që lihen enkas para qendrave të votimit dhe që njohin personat, por dhe nga komisionerët e PS në çdo qendër. Pas mbarimit të votimeve dhe sigurisë se, personi që ka dorëzuar nuk ka votuar, atëherë karta apo dokumenti i identifikimit i dorëzohen sërish të zotit.

Vlorë, qytetari denoncon se është votuar në emër të tij

Probleme në qendrën e votimit 4489 në rajonin katër në Vlorë. Shtetasi Fatmir Sulejmani denoncon se është votuar në emër të tij. Votimi sipas qytetarit është kryer në orët e para të nisjes së procesit të votimit, ndërsa ai vetë është paraqitur me kartë identiteti, po nuk është lejuar të votojë. Për rastin në fjalë, qytetari ka denoncuar aktin edhe në polici, ndërsa e ka cilësuar një akt shumë të rëndë, votimin e kryer në emër të tij. I pranishëm edhe kandidati i LSI në Vlorë, Shezai Rrokaj, i cili veç rastit në fjalë ka denoncuar dhe raste të tjera, kryesisht në zonat rurale, aty ku sipas tij ka patur presione dhe shitblerje votash.

LSI denoncon me foto shpërndarje parash në Durrës

LSI denoncon nëpërmjet fotove rastin e një përfaqësuesi të PS-së që sipas saj po shpërndan lekë për të votuar këtë forcë politike. Sipas LSI, ai është shtetasi Agron Sulejmani, votues tek qendra e votimit në Shkollën e Muzikës, por edhe kandidati i PS-së për deputet Ledion Lako.

Shkodër PD denoncon shitblerje votash

Kryetari i PD në Shkodër, Ramiz Çobaj denoncon shitblerjen e votës tek qendrat e votimit tek Shkolla Industriale, por edhe në Velipojë. Çobaj tha se buburrecat që blejnë vota janë të shumtë dhe policia e ka të vështirë që t’i identifikojë të gjithë, por i bëri thirrje që të ndalohet veprimtaria e paligjshme e tyre.

PD denoncon në polici një individ që u kishte mbledhur familjarisht kartat një familje rome

Në Policinë e Elbasanit është denoncuar qytetari A.J nga drejtuesi i fushatës së PD Edmond Spaho, sepse u kishte mbledhur kartat e identitetit një familje rome për t’i privuar ata nga votimi. Spaho deklaroi se i ka kërkuar policisë që të zbulojë të vërtetën.
Ditët e fundit kemi pas njoftime verbale për tentativa shpërndarje parash në këmbim të votës. Njerëzit tanë janë në gatishmëri të mbledhin prova kur konstatojnë individë që mbledhin vota në këmbim të parave, sidomos Cërrik.

Blerje vote në Elbasan

Elbasan-Në QV “Kopshi Nr.9”, Lagja “11 Nëntori”. Drejtori i Doganës Elbasan, Maringlen Kume dyshohet se është duke shpërndarë para në favor të LSI.

Blerje votash në Gjergjan

Në Thanë, Njësia Administrative Gjergjan në një shtëpi 2 katëshe pranë qendrave të votimit po shpërndahen para votuesve në favor të LSI nga ish-kryetarja e Komunës Gjergjan dhe ish-drejtuese e Njësisë Administrative. Gjithashtu në këto 2 qendra mbështetësit e LSI bëjnë presion votuesve në favor të LSI.

Blerje votash gjatë orëve të natës

Në Njësinë Administrative Ana e Malit Shkodër, eksponentë të Partisë Socialiste kanë blerë votat gjatë orëve të natës

Denoncim për blerje votash në Krujë

Specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës filluan proçedimin penal në ngarkim të shtetasit: B.K. 30 vjeç, banues në Krujë. Më datë 24.06.2017, në fshatin Zezë, Krujë, pas një konflikti midis disa simpatizantëve të dy subjekteve politike, për motivin se shtetasi B. K., po shpërndante vlera monetare tek persona të ndryshëm, anëtarë të komisioneve, vëzhguese të subjekteve politike që aderon. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasit të mësipërm, iu gjet dhe sekuestrua shuma prej 400.000 lekë (të reja). Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit: R. Rr. 23 vjeç, banues në Krujë. R.Rr. dyshohet se në bashkëpunimim me dy shtetas të tjerë, të paidentifikuar, kanë kanosur me fjalë, goditur me grushta dhe kërcënuar me armë zjarri, shtetasin B.K. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale: Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” në ngarkim të shtetasit B.K., parashikuar në nenin 328 të Kodit Penal.

Policia nuk shoqëron kutitë e votimit në Durrës

Policia nuk shoqëron kutitë e votimit në Durrës, përkatësisht 4 qendra votimi në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” dhe 2 qendra votimi në shkollën “Demokracia” janë në pritje të policisë për t’i shoqëruar prej më shumë se 2 orësh.

Exit mobile version