Nga Namir Lapardhaja/ Alkimia e takimit të tekstit me lexuesin

(Shënime për librin “Letër Dylqinjës” të Agim Baçit)

“Kush nuk ka lexuar, në moshën 70-vjeçare ka jetuar vetëm një jetë, atë të tijën, ndërsa kush lexon ka jetuar 5 mijë vjet…” Kjo thënie e Umberto Eco-s i përshtatet më së miri Agim Baçit si lexues model i letërsisë. I njohur më së shumti si gazetar dhe kritik letrar, ai njëkohësisht është poet, tregimtar dhe novelist. Është autor i studimit “Përse e sollën Doruntinën?”, një përsiatje antropologjike dhe sociologjike mbi veprat “Prilli i thyer” dhe “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë.

Ndërtuar në trajtë epistolari, “Letër Dylqinjës” i tejkalon kufijtë kanonikë të përkufizimit zhanror. Ky tekst është një bashkëbisedim intim me vetveten, një qasje origjinale që ngre pyetje ekzistenciale dhe orvatet të orientojë disa shtigje përgjigjesh, pa synuar shterimin e tyre. Si kirurgu që njeh mjeshtërisht trupin e njeriut, vepra anatomike e Baçit rreket të na zbërthejë mekanizmat ndërveprues letrar, duke u futur thellë në vetëdijen, psikologjinë dhe sociologjinë e personazhit.

Marrëdhënia që krijon me personazhet e letrave të tij është intime, gjë që tregon për një njohje të hershme dhe të afërt mes tyre. – “E nderuara dhe shumë e respektuara e Tobozës, planet i ndjenjave dhe i mendjes së kalorësit të famshëm të Mançës, Dylqinjë!” – i drejtohet autori në letrën e parë Dylqinjës së Tobozës, duke i rrëfyer më tej në formë pyetjeje arsyet dhe guximin e madh në shkrimin e kësaj letre: “Si ndihet një femër kur e duan aq shumë sa ju do juve Don Kishoti?” Ndërsa letra i drejtohet Dylqinjës, për “çudi”, përgjigjja i vjen prej Don Kishotit, i cili i xhelozuar është gati ta ftojë në duel, mirëpo është këshilla e ftohtë e Sanço Pançës që i ndryshon mendje. “Unë kam arritur të kuptojë se Krijuesi i kësaj bote ka mbajtur nga të gjitha krijimet e tij dy fshehtësi, – vjen përgjigjja filozofike e tij, – atë të Vdekjes dhe atë të Dashurisë: e të dyja me kushtin e vetëm që me të parën të mësohesh për ta zhvlerësuar, ndërsa të dytën ta kërkosh për ta shijuar”.

Pas këtij letërkëmbimi të parë, mes tyre fillon një bashkëbisedim i gjatë, i hapur, i lirë, i natyrshëm dhe miqësor, ku pyetje të mençura kanë hak përgjigje të urta.

Po aq i gjetur është bashkëbisedimi me madamë Bovarinë, gruan që Floberi krijoi si pikëpyetje mbi botën. Kurioziteti i autorit arrin kulmin në disa çështje thellësisht intime: raporti i saj me Sharlin, çfarë e tërhoqi tek Leone dhe Rudolfi dhe, nëse i erdhi para syve fytyra e Bertës, kur ajo piu helmin vdekjeprurës. – “…Ajo që më ndodhi me Sharlin dhe të tjerët, – përgjigjet zonja Bovari, – ishte me e fortë se unë. Nuk isha e përgatitur t’u jepja përgjigje shumë gjërave përballë pasionit tim… Dhe për gratë është e rëndësishme ajo e përtejmja, e pamundura – pikërisht ajo duhet të qëndrojë në sytë e burrit…”

Në letrën drejtuar Brutit, pyetja është më therëse se përgjigjja, kurse i pyeturi më i sinqertë se pyetësi. – “…Si mundët vallë ta tradhëtonit Çezarin?” – pyet Baçi dhe Bruti i projeksionit shekspirian, autor i kamës së zgjatur në trupin e Perandorit Çezar, përgjigjet: “…Duhet të vendosja se cili duhet të isha – dhe në vend të anonimatit zgjodha tradhëtinë”.

Në të gjitha letrat e këtij libri, autori e vendos veten në raport me personazhin, veprën apo veçanësinë e pyetjes në një marrëdhënie të atillë për t’i dhënë konotacion të universales çështjes së trajtuar. Lexuesi e kupton se pyetjet e ngritura në këtë libër janë edhe të tijat, ndaj kureshtja për të marrë përgjigjet është po aq grishëse sa befasia e pyetjeve.

E njëjta njohje e plotë, thellësi leximi, sintetizim kuptimësie dhe interpretimi, reflektohet në letrën drejtuar Çiçikovit, mbledhësit të frymëve të vdekura, i cili në ndonjë çast të jetës së tij ka menduar se mund të mos i kishte hyrë aventurës së tij, nëse nuk do t’i kishte humbur rublat që kishte mbledhur si nëpunës dogane; Sara Mandit, gruas që jetoi për dashuri; Galli Xhimsonit, simpatikut të përbotshëm; Shvejkut, që shkakton buzagazin e duhur, që ka humbur kureshtjen për të qenë serioz dhe që prezantohet si idiot për të pasur mundësinë që të njohë njerëzit me fytyrën e tyre të vërtetë; Tolstoit për Ana Kareninën se përse i rezervoi atë fat, ngase nuk mund të ndëshkojmë dikë për shkak të dashurisë, dhe përgjigjja e tij se gjithçka është brenda imagjinatës dhe “imagjinatën e një gruaje mund ta mundin vetëm dy gjëra: burri dhe vdekja. I pari mund të bëhet ndalesë në emër të jetës. E dyta është fundi i së paarritshmes në këtë botë që njohim”; Portretit të dashurisë, Zhuljetës dhe Romeos, mrekullisë së të gjitha historisë së dashurive; Tom Sojerit, të riut të përbotshëm, i cili të bën të kuptosh fëmijërinë dhe fëmijët e tu dhe të mëson se gabimi në kohën e duhur është suksesi i njeriut dhe të dish kur është kjo kohë në mënyrë që të kesh mundësinë të të falin; Odisesë, të zgjuarit të Homerit, të cilit duket sikur i kërkon llogari teksa e pyet se përse udhëtimi i mahnitshëm i kthimit tek dashuria, Penelopa, është errësuar gjithnjë nga historia e Helenës; Stefan Cvajgut, që ka bërë përmes fjalëve të jetë njëkohësisht etje dhe ujë; Kontit të Monte Kristos me hakmarrjen në formë dembele të hidhërimit; Uriah Hipit, që i kërkon t’i përgjigjet se si mundet të mbahet me frymë kur e gjithë jeta e tij është përulja; Alioshës që i kërkon burimin e qetësisë dhe përgjigjen e tij se “njeriu është kudo, por na duhen sytë për t’i parë, na duhet dashuri për t’i lexuar fytyrat e tyre dhe të rrokim prej tyre atë që i bën të mirë, që i largon nga epshi dhe lakmia”; Milan Kunderës, pyetja drejtuar të cilit: “…A mund të jetë humori pjesë e protestës, e disidencës?”, ka për qëllim Ludovikun, personazhin kryesor të “Shakasë”, që detyrohet të jetë viktimë e humorit së tij, merr si përgjigje mes rreshtave: “…Njerëzit kanë nevojë t’u japin fytyrë ndjesive të tyre… Është një gjest, që herë shkon i pafiksuar e herë trondit, edhe pse është thjesht një lëvizje gjetheje pas një puhize. Duhet të mendojmë për pasionin, për lirinë, për revoltën tonë…”

Të tetëmbëdhjetë letrat e këtij libri janë një ngasje e jashtëzakonshme për një lexim të tjetërfartë të letërsisë. Janë një galeri pyetjesh jetike dhe përgjigjesh ekzistenciale që burojnë nga njohja e thellë e letërsisë së përbotshme, ku janë fshirë kufijtë kohorë dhe hapësinorë mes autorit dhe personazheve, ku letërsia merr kuptim vetëm nëse u jep përgjigje pyetjeve jetësore që ne si lexues mund të ngrejmë.

“Letër Dylqinjës” është një këndvështrim i munguar, ku befasia gërshetohet me urtësinë, kureshtja me mençurinë dhe origjinaliteti me bukurinë estetike. Teksa mbyll faqen e fundit të librit, e kupton dhe ndjen të nevojshme për ta rihapur sërish librin nga e para, për ta rilexuar dhe për të gjetur në të mesazhe të thella që nuk arrite t’i gjeje më parë.

Libri u vjen në ndihmë nxënësve dhe mësuesve, studentëve dhe studiuesve, pedagogëve dhe kritikëve, si një alternativë e vyer për ta lexuar ndryshe letërsinë dhe për të shkuar nëpërmjet saj atje ku nuk shkojnë dot, për të folur me atë që nuk kanë mundësi të flasin dhe për të takuar personazhe që nuk do të kishin kurrë mundësi për t’i takuar në përditshmëri.

Me “Letër Dylqinjës”, Agim Baçi na ka treguar se leximi i shumtë i letërsisë nuk të bën as më të mençur as më të zgjuar, por është aftësia individuale ajo që mund ta shndërrojë nektarin e tubuar në mjaltë të ëmbël.

Exit mobile version