Nga podiumi në skenë, si e shndërroi PS politikën në argëtim

Nga Anjeza Xhaferaj

Fushata elektorale e Partisë Socialiste (PS) u shpalos si një film për familje me skenar perfekt — një zhanër që, siç duket, rezonon thellësisht me votuesit. Por pas buzëqeshjeve dhe koreografisë, u shfaq një spektakël shqetësues, ku propaganda u shndërrua në argëtim të pastër dhe politika në spektakël ‘par excellence’. PS tregoi se në politikë, nuk është gjithmonë e nevojshme të shpikësh rrotën nga e para. Receta është e thjeshtë: këngë, valle, buzëqeshje dhe shtrëngime duarsh për të shfaqur me njerëzit një afërsi që rreket të duket e vërtetë, por që nuk është. Ashtu si dikur, kur udhëheqja e partisë ulej “gju më gju me popullin” edhe kësaj here, armata e PS rendi të gjente popullin e përdellyer për të shtrënguar duart. Shtrëngimet e duarve nuk kanë munguar asnjëherë, por kësaj here, megjithatë, mund të thuhet se ata e shndërruan fushatën në një cirk të mirëfilltë — ose më saktë, në një amfiteatër romak, ku qëllimi nuk ishte debati i ideve, por kënaqësia momentale e publikut.

“Bukë dhe cirk” (“Pane et circenses”), formula e lashtë romake për të qetësuar masat, u ri-soll në një mënyrë të re në arenën politike shqiptare. Kandidatët e PS braktisën solemnitetin e podiumeve dhe u futën në skenë si gladiatorë të zbutur, gati për të ofruar një varg të pafund shfaqjesh për argëtimin e publikut. Një ditë një valle (herë e tropojës, e herë e Kukësit, ditën tjetër një seancë gatimi, pastaj një portret i ëmbël familjar — publiku duartrokiste pa shumë pyetje. Deputetët dukeshin gjithmonë të uritur, duke kaluar nga një pjatë tradicionale në tjetrën (diku japrak e diku pispili apo byrek), duke shijuar çdo kafshatë para kamerave. Politika u shkri pa mundim me spektaklin, duke lënë pak hapësirë për debat të thelluar, për përballje idesh, për programe dhe platforma serioze. Paralelisht, fotot familjare u kthyen në një shfaqje të kalkuluar: paraqitja e kandidatëve si njerëz të ngrohtë, si gjithë të tjerët, fshihte pas butësisë shtëpiake realitetin e pushtetit dhe përgjegjësive të paadresuara.

Duke ndërtuar një narrativë të lumturisë së padëmshme, socialistët penguan me qëllim përballjen politike. Është e vështirë të kundërshtosh një valle, një këngë ose një darkë të ndarë pa u dukur i hidhur ose i bezdisshëm. Në këtë fabrikim të gëzuar, zërat e opozitës tingëllonin si një zhurmë e padëshiruar, që binte në kontrast të fortë me buzëqeshjet e organizuara dhe sharmin e partisë. Ndërsa fushata mbështetej në spektakël, ajo shmangu çdo ballafaqim me çështjet e vërteta që rëndojnë mbi jetën e qytetarëve.

Megjithatë, si çdo shfaqje, edhe kjo përfundoi. Vallet kanë mbaruar. Vaktet janë ngrënë. Fotot familjare janë publikuar. Skena është bosh, ndërsa publiku kthehet në përditshmërinë e problemeve të pashfaqura në fushatë. Tani, me amfiteatrin e ftohtë dhe spektatorët të ulur përsëri përballë sfidave reale, mbetet pyetja: kur muzika ndalon, çfarë mbetet pas? Në fund të fundit, rrëfimi i PS i pozicionoi ata si protagonistë të një tregimi të ndjeshëm dhe optimist – një “familje e ëmbël” që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian. Por, midis tërheqjes së një filmi me fund të lumtur dhe të vërtetave më të ashpra të jetës politike, votuesit duhet të pyesin: a mjafton spektakli për të ndërtuar të ardhmen?/liberale.al

Exit mobile version