Politika në Shqipëri është bërë streha më e sigurt e figurave të dyshimta që riciklohen nga një parti në tjetrën, duke vërtetuar që në këtë vend asgjë nuk ka ndryshuar. Rasti më simbolik i kësaj hipokrizie politike është padyshim Elvis Roshi, ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, dikur i përkëdheluri i Edi Ramës dhe sot i mirëpritur nga Sali Berisha.
Deri pak vite më parë, Roshi ishte imazhi i “rilindjes” së Ramës, i promovuar si model i figurave “jopolitike” dhe “popullore”. Megjithatë, rekordet e tij kriminale e detyruan Ramën ta largojë pas presionit ndërkombëtar, sidomos nga Ambasada Amerikane, duke vënë në lëvizje procesin e dekriminalizimit.
Ironia politike shqiptare arrin kulmin kur e njëjta figurë, që PD-ja e përdorte si simbolin më të fortë të lidhjes së Ramës me krimin, kalon sot në kampin e saj. Berisha, i cili dikur nuk linte fjalë pa thënë për të denoncuar lidhjet kriminale të Roshit dhe Ramës, tashmë e pranon me krahë hapur.
Angazhimi i Elvis Roshit me Partinë Demokratike nuk është vetëm një episod i izoluar, por pasqyron një sistem politik ku figurat e inkriminuara përdoren dhe ri-përdoren sipas interesave të momentit. Kjo lojë e pisët ka vetëm një fitues: status quo-në kriminale dhe politike, e cila e mban peng Shqipërinë prej dekadash.
Në një situatë ku morali politik është shndërruar në një farsë dhe standardet janë thjesht një përrallë, qytetarëve u mbetet vetëm të dëshpërohen, ndërsa “Roshët” e radhës lëvizin lirshëm, duke iu zgërdhirë në fytyrë demokracisë shqiptare.
Është momenti të kuptohet se ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë pa një pastrim rrënjësor të klasës politike. Përndryshe, status quo-ja kriminale do të mbetet “padronja” e vetme e politikës shqiptare, duke e lënë vendin në një rreth vicioz të riciklimit të krimit dhe korrupsionit.