“Sa kushton një fëmijë?” është një pyetje e rëndësishme për çdo prind të ri, sidomos në një kohë kur kostot e jetesës janë në rritje. Shpenzimet e lidhura me shtatzëninë dhe rritjen e një fëmije përfshijnë një gamë të gjerë faktorësh, nga kujdesi prenatal dhe lindja, deri te nevojat e përditshme pas lindjes. Në total, këto shpenzime mund të arrijnë mesatarisht 450 mijë lekë, vetëm gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës…
Të rritësh një fëmijë sot është bërë më e kushtueshme se kurrë. Çmimet në rritje për mallrat dhe shërbimet po krijojnë sfida të reja për familjet, duke filluar nga nevojat bazë si ushqimi për fëmijë dhe pelenat, e deri te faturat e spitalit, që shpesh mbeten një barrë e rëndë financiare.
Për këtë arsye, është thelbësore që prindërit e ardhshëm të kenë një pasqyrë realiste të shpenzimeve që i presin.
Lajmi i mirë? Foshnjat nuk kanë nevojë për shumë gjëra luksi. Artikujt thelbësorë, si një karrocë për të lëvizur apo një krevat i përshtatshëm, janë të domosdoshëm, por lista nuk është aq e gjatë sa mund të mendohet.
Megjithatë, kostot e përsëritura si kujdesi për fëmijën mund të ndryshojnë ndjeshëm, në varësi të vendndodhjes dhe nevojave specifike të familjes.
Rritja e një të vogli nuk përfshin vetëm emocionet e bukura dhe kujtimet e paharrueshme, por edhe një ndikim të ndjeshëm në buxhetin familjar. Ky realitet kërkon planifikim të kujdesshëm financiar për të përballuar koston e artikujve bazë, por gjithashtu për të bërë zgjedhje të mençura ekonomike.
Gjatë pesë viteve të fundit, çmimet për produktet e fëmijëve janë rritur ndjeshëm. Nga pelenat dhe ushqimet e deri te produktet kozmetike apo veshjet, zgjedhjet janë bërë më të shumta, por edhe më të shtrenjta.
Produktet që blejmë për bebet janë thuajse të gjitha produkte importi. Por edhe për fëmijët në parashkollor apo ata që ndjekin arsimin 9-vjeçar, produktet bazë për ta: veshjet, ushqimet, këpucët janë produkte të importuara dhe prodhime vendase.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024, inflacioni arriti në 2.2%, por shumica e grupeve të shportës së mallrave u rritën mbi këtë nivel. Rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024 e kishin zarzavatet (6.2%), kondicionerët (5.4%), akomodimi në hotele (5.2%).
Gjithashtu, rritje mbi mesataren kishin edhe veshjet për fëmijë (5.1%), mallra dhe shërbime shtëpie (4.8%). Të dhëna të detajuara tregojnë se rritje mbi inflacionin mesatar kanë shënuar kryesisht ushqimet dhe mallrat për shtëpinë. Të gjitha mallrat dhe shërbimet që kanë lidhje me shtëpinë, të tilla si elektroshtëpiake, tapiceri, mobilie janë rritur mbi 2.5 deri në 4%.
Kostot variojnë nga disa faktorë:
- Si arrihet shtatzënia:
Procesi i ngjizjes është hapi i parë drejt shtatzënisë dhe mund të ndikojë dukshëm në kostot totale, në varësi të metodës së zgjedhur ose e nevojshme për çiftin.
-Ngjizja natyrale:
Ngjizja natyrale është procesi më i zakonshëm dhe shpesh nuk shoqërohet me kosto financiare direkte. Megjithatë, kërkon shëndet të mirë riprodhues të çiftit dhe kohë për të arritur shtatzëninë.
Për shumë çifte, mund të jetë një proces i shpejtë, por për disa të tjerë, mund të zgjasë më shumë se sa pritej, duke sjellë shqetësime dhe nevojën për konsulta mjekësore. Konsultimet fillestare për kontrollin e fertilitetit, edhe pse minimale në krahasim me opsionet e tjera, mund të shtojnë shpenzime të paparashikuara për testime për të dyja gjinitë.
-Fekondimi In Vitro (IVF):
IVF është një nga metodat më të njohura dhe më të përdorura për çiftet që hasin vështirësi. Ky proces është kompleks dhe përfshin disa hapa mjekësorë.
Në Shqipëri, kostoja mesatare për një cikël IVF është rreth 2000 euro, por kjo shumë mund të rritet ndjeshëm nëse nevojiten trajtime shtesë, si përdorimi i donatorëve, analizat gjenetike të embrioneve përpara implantimit, apo trajtime të tjera ndihmëse për të përmirësuar suksesin e procesit.
Në praktikë, në spitalet shtetërore ende nuk ka nisur praktikimi falas i IVF-ve, një projekt i nisur më herët.
- Faktorët që ndikojnë në koston e IVF:
-Mosha e gruas: Gratë mbi moshën 35 vjeç shpesh kërkojnë më shumë medikamente ose cikle të përsëritura, duke rritur ndjeshëm koston.
-Gjendja e përgjithshme shëndetësore: Probleme si sindroma e vezoreve policistike (PCOS), endometrioza, apo sëmundje të tjera mund të kërkojnë trajtime paraprake për të përmirësuar shanset e suksesit.
-Numri i cikleve: Mesatarisht, një grua mund të ketë nevojë për më shumë se një cikël IVF për të arritur një shtatzëni të suksesshme, duke shumëfishuar shpenzimet totale.
Ndërkohë, përveç kostove mjekësore, çiftet shpesh përballen me ndikime emocionale dhe stres, të cilat mund të ndikojnë jo vetëm në shëndetin e tyre, por edhe në vendimet e mëtejshme mbi trajtimet.
Kjo bën që ngjizja, natyrale apo artificiale, të jetë një proces që kërkon jo vetëm burime financiare, por edhe mbështetje të plotë psikologjike dhe emocionale.