Nga Bato Kosova
Që prej të premtes së javës së kaluar, në Tiranë ka shpërthyer një sulm ndaj Zelenskyt për takimin e tij të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump. Më e çuditshmja është se ata që e sulmojnë Zelenskyn për mungesë respekti ndaj Trump, janë berishistët e Tiranës.
Në studio televizive, berishistët i kujtojnë Zelenskyt, se vetëm Amerika është forca që mund ta shpëtojë. Pa Amerikën, ata janë të mbaruar. E vetmja forcë mbi tokë që mund t’i shpëtojë është Amerika. Është krim i rëndë t’i kthesh fjalën Amerikës dhe të bësh gabime të tilla…
Janë të njëjtit njerëz që deri dje kërkonin kundërvënie ndaj Amerikës, që na mbushnin mendjen se Amerika nuk ka vlerë. Na thoshin që votuesit janë më të rëndësishëm se Amerika, apo edhe shprehja qesharake “S’ta sjell Amerika në pushtet, nuk votojnë amerikanët këtu”.
Pas ndryshimit 180 gradë të qasjes së berishistëve politikë dhe mediatik për rolin e SHBA në skenën shqiptare, menjëherë në mend të vjen Lulzim Basha. Zyrtarët amerikanë i shkuan në zyrë dhe i thanë të distancohet nga Sali Berisha, i shpallur non grata. “Largoje nga partia, nga parlamenti, etj, përndryshe nuk do të kesh marrëdhënie me Amerikën”. Dhe kur Basha mori vendimin, SHBA përmes përfaqësuesve të saj, u shpreh se do të ishin në krah të PD, si në fillim të viteve ’90, e që mezi prisnin të festonin fitoren e saj në zgjedhje. Po të njëjtën gjë i tha Trump së fundmi Zelenskyt: “Prano marrëveshjen tonë dhe jo vetëm mos e kundërshto, por thuaj dhe faleminderit”.
Në rastin e Lulzim Bashës, që bëhej fjalë për një 80-vjeçar që jo vetëm që nuk i sillte dobi PD-së, por ishte një barrë për të, Basha duhej t’i thoshte Amerikës: “Mes teje dhe Berishës, zgjedh Berishën”. Ndërsa Zelensky, i cili po mundohej që të ruante shtetin e tij dhe integritetin territorial të vendit të tij, ishte gabim që kërkoi garancitë e SHBA-së.
Pra për berishistët, është më i rëndësishëm fati i Berishës sesa marrëdhënia e PD-së me SHBA-në!
Por sot, duket se retorika e tyre ka ndryshuar krejtësisht. E gjithë shpresa e tyre është te SHBA. Çdo ditë sajojnë histori për t’u mbushur mendjen qytetarëve se Amerika i do dhe do t’i mbështesë ata dhe vetëm ata. Pra tani, Amerika si me magji na u shndërua në jetike dhe shumë të rëndësishme për Berishën dhe ardhjen e tij në pushtet.
Në kohën e Bashës, Amerika u trajtua si Rusia dhe meqenëse kishte shpallur Berishën të padëshiruar për korrupsion e të tjera, atëherë po sulmonte ekzistencën tonë. Atëherë berishistët u bënë sovranistë të thekur, sot as në tualet nuk shkojnë dot pa imagjinuar se a kanë leje nga Amerika. Qesharakë dhe pa dinjitet, që i konsiderojnë njerëzit si dele./Alfapress.al