Ngjela: Këto janë dy arsyet pse Fatos Nanon e kishin frikë Berisha dhe Pashko

Në 11 shkurt 1991, Spartak Ngjela do të takohej me jetën e tij, në ditën e parë në liri. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, një botim i shtëpisë botuese “UET Press” është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin t’i japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.

______________________________

Ishte një kohë që, pasi kishte çuar në faliment tërësor Partinë e Punës, sistemin komunist hoxhian në Shqipëri, dhe vetë Ramiz Alinë si President që ishte, nuk e kishte siguruar ende mundësinë që shqiptarët të mund të drejtoheshin intelektualisht dhe pa frymën e ligësisë dhe të urrejtjes që i kishte përshkuar, të paktën në 45 vjet.

Në këtë kohë kishin filluar të përplaseshin në Shqipëri të gjitha konfliktet e brendshme. Ishte konflikti midis të persekutuarve dhe persekutuesve që sigurisht qëndronte në rendin e ditës; ishte konflikti midis intelektualizmit dhe dëshirës së shfrenuar të injorancës që kërkonte të dominonte me çdo kusht dhe pa e ditur se cilat interesa po mbronte; por ishte edhe konflikti midis fluksit intelektual; të Partisë Demokratike, dhe të Ramiz Alisë dhe Sali Berishës. Këta të dy, pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, sikur ishin distancuar disi, por unë e shihja nga afër që sërish Berisha ishte i trembur nga ndonjë shpërthim i mundshëm i Alisë, sidomos tani që në krye të qeverisë ishte Fatos Nano.

Nanon në këtë kohë e kishte frikë edhe Pashko, edhe Berisha, por për arsye të ndryshme. Pashko i ndruhej kulturës së tij dhe aftësisë që ai ia njihte nga afër; kurse Sali Berisha e kishte shumë frikë Fatos Nanon për tri arsye: e para sepse kishte marrë për të drejtuar partinë më të madhe të vendit, e dyta se ai ishte shumë më pranë Ramiz Alisë, dhe, e treta, se e ndiente që ishte më perëndimor, më qytetar dhe e dinte se në kontakt me europianët do të pranohej më shpejt sesa ai. Berisha në këtë kohë e dinte defektin e tij antiqytetërim, të cilin e kishte në formimin e vet. Midis këtyre tri arsyeve kishte edhe një arsye të brendshme psikologjike, që vinte nga frika dhe nga pakënaqësia, që Berisha duhet të këtë ndierë së brendshmi në lidhje me parapëlqimin e Nanos për në postin e partisë klasike të regjimit shqiptar, dhe brenda formimit të vet psikik këtë duhet ta ketë parë si një tradhti që po i bëhej atij, sepse Ramizi i binte që ta kishte dëbuar me kast nga partia e tij.

Të gjitha këto e bënin gjendjen disi të turbullt, por gjithsesi, në këtë çast, lamë pa përmendur atë ndjenjën e madhe për eskeipizëm, që i kishte pushtuar të gjithë shqiptarët, dhe që e bënte gjendjen edhe më të vështirë për nga konfliktet që thashë, sepse ajo kohë kishte në vetvete një karakter intencional specifik: ishte ndjenja për t’u larguar nga Shqipëria që po pushtonte për ditë e më shumë mendjen e shqiptarëve. Në fakt kjo kishte qenë për 40 vjet një gjendje e fshehur në mendjen e të gjitha brezave të rinj që kishin kaluar me radhë atëherë në Shqipëri, por kurrë nuk kishte qenë kaq masive.

E dija që kjo gjendje ishte shpërthyese dhe e prisja me ditë që të shpërthente, sepse përditë dëgjoja fjalë se mund të hapeshin ambasadat, në një kohë kur ai nuk kishte qenë një moment force, por vetëm një moment politik ndërkombëtar për t’i bërë presion regjimit komunist intransigjent të Tiranës. Në ato çaste, politika perëndimore e akorduar e kishte goditur hoxhizmin në pikën e tij më të dobët: te largimi nga Shqipëria politikisht, si shpërthim kundër demagogjisë. Kurse tani kjo rrugë kishte vdekur, por njeriu i thjeshtë nuk mund ta kuptonte dot, ai ishte mësuar me mite, dhe mite po kërkonte. Shqiptarët kishin krijuar në mendje ambasadat për shpëtim, sepse nuk shihnin rrugë tjetër. Por, pikërisht në këtë kohë, nga fundi i muajit shkurt, kur gjithkush po mendonte sesi të rrëzohej Partia e Punës nga pushteti, shpërtheu gjendja në portin e Vlorës. Vlonjatët treguan edhe një herë që do t’i prinin situatave të çdo lloj lufte dhe të çdo lloj rreziku: ata, me mijëra iu drejtuan portit dhe morën vaporët që ishin ankoruar atje për të shkuar në Itali. Hipën nëpër dy ose tre vaporë, i mbushën ata plot e përplot dhe me forcë i drejtuan drejt brigjeve të Italisë. Ky lajm nuk më shokoi, por e mendova me njëfarë optimizmi se shqiptarët e gjetën zgjidhjen: do të ikin me mijëra nga Shqipëria. U takova me Pashkon dhe me Imamin ato ditë edhe me Eduard Selamin dhe iu thashë se tani shqiptarët e gjetën zgjidhjen e tyre, pa pasur nevojën e politikës suaj: ata iu drejtuan vetë Perëndimit, do të pranohen atje si refugjatë dhe menjëherë do të fillojë në Shqipëri një fenomen i ri financiar. Por Imami dhe Eduard Selami, sikur nuk e donin, kurse Pashkoja e kapi këtë, ndonëse e dallova që thellë – thellë as ai nuk e donte.

Nuk di përse ishte aq skeptik, por, siç duket, për atë që kam thënë edhe më lart: atij i kishte ardhur oreksi përpara sesa t’i dilnin dhëmbët. I thashë se kot ngulte këmbë, sepse ai ende nuk kishte asnjë skemë për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, prandaj, spontaniteti është në fakt krijim që vetë shoqëria bën për të siguruar mbijetesën. “Edhe bursat kështu funksionojnë”, i thashë, dhe sikur e binda. Sepse kjo në fakt ishte një lloj burse e re: shqiptarët po i jepnin mundësi Shqipërisë që të eksportonte punë në Perëndim. E ndieja që kështu do të ishte dhe isha i sigurt. Ekonomia moderne na kishte thënë që edhe puna është vlerë që eksportohet njëlloj si mallrat, nëse je një shtet i aftë për ta kuptuar. Në këtë rast shteti ishte krejt i paaftë, sepse Ramiz Alia këtë duhej ta kishte bërë pa i ardhur kriza, menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Kurse shqiptarët e bënë vetë. Kjo në fakt kishte hapur fenomenin më jetësor të mbijetesës shqiptare në Ballkan. Por pas dy ditësh shpërtheu gjendja e ngjashme me atë të Vlorës edhe në Durrës.

Kjo tani ishte gjigante, sepse ishte me dhjetëra herë më e madhe sesa ajo e Vlorës. Në Durrës po derdheshin të gjithë. Të parët ishin durrsakët, qytetarët e Durrësit të cilët ishin më realistë edhe sesa tiranasit për rrezikun që mund t’u vinte nga aventura e një politike shqiptare që nuk po dinte të plazmohej për kompromise dhe për reforma reale. Të gjithë e kishin kuptuar se asgjë nuk ishte e sinqertë, dhe, duke qenë e tillë, dhe duke e pasur përvojën e mbylljes së kufijve, shqiptarët u lëshuan drejt Perëndimit. Shqiptarët me këtë gjest, treguan që ishin vërtetësish perëndimorë.

Exit mobile version