Nis fushata me fondet buxhetore, në një ditë tenderohen 8 milionë euro investime

Në vite të zakonshme në muajin janar shpenzimet buxhetore përqendrohen vetëm në pagesat e emergjencës për spitalet dhe qendrat sociale, rrogat dhe pensionet, teksa fondet e investimeve zakonisht s’postohen në gjashtëmujorin e dytë. Por 2017 duket se do të bëjë përjashtimin nga kjo rutinë si çdo vit tjetër buxhetor që ka zgjedhje. Vetëm në një buletin të prokurimit publik u nxorën për tenderime punë publike me vlerë 1,06 miliardë lekë (8 milionë euro). Kjo praktikë nuk ishte e zakontë për prokurimet e janarit referuar historikut të viteve të shkuara.
Nga fondi 1 miliardësh që u hodh për tenderim vetëm në buletinin numër 4 të prokurimeve publike 336 milionë lekë janë investime të OSHEE për linjën e re 20 kilovolt në Bashkinë e Fushë-Krujës. Fondi tjetër shpërndahet për ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve dhe sistemeve të ujitjes në qytete të tilla si Skrapari, Puka, Shijaku, Gramshi, Ura Vajgurore etj.
Ajo që bie në sy është se në 18 tenderët e investimeve kanë afat kryesor për përfundimin e punimeve vetëm 3-4 muaj. Tenderët janë planifikuar të finalizohen në javën e parë të shkurtit, ndërsa punimet sipas afateve të vëna në secilin nga tenderët pritet të përfundojnë në fillim të qershorit. Gjithsesi qeveria vitin e kaluar ka miratuar një ligj “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”, i cili i kufizon përdorimin e buxhetit për qëllime elektorale.
Ligji përcakton se, në vitet buxhetore, gjatë të cilave mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ekzekutimi i deficitit buxhetor të qeverisjes së përgjithshme, përveç rasteve të jashtëzakonshme, të parashikuara, bëhet me përcaktim të posaçme. Sipas këtyre përcaktimeve ekzekutimi i deficitit deri në fund të tremujorit të parë të vitit buxhetor elektoral nuk mund të jetë më i lartë se 30 për qind e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor.
Ekzekutimi i deficitit deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit buxhetor elektoral nuk mund të jetë më i lartë se 55 për qind e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor.

Artikulli paraprakEnrik Sulejmani, i larguari me precedentë penalë gradohet në koordinator në PS
Artikulli tjetërKukan: Zgjedhjet kusht për hapjen e negociatave