Pas më shumë se 4 viteve ndjekje dhe hetim nga Anti-mafia italiane, më në fund sot në orën 15:00 do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Katanias për grupin e “Habilajve”, i përbërë nga 14 të akuzuar, mes të cilëve 3 shqiptarë kurse të tjerët janë nënshtetas italianë, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas mediave italiane në këtë seancë të parë do të bëhet vetëm prezantimi nominal i të akuzuarëve. Mësohet se drejtuesi i trupës gjykuese të seancës së sotme, pas kësaj do të japë dorëheqjen dhe procesi në vazhdim do të udhëhiqet nga një gjyqtar tjetër.
Ndërkohe të mërkurën në mbrëmje përfundoi marrja në pyetje e Moisi Habilajt nga prokurorët shqiptarë, të cilët shkuan në një burg në periferi te Katanias ku qëndrojnë prej disa muajsh, Moisi Habilaj dhe Meridian Sulaj, ndërkohë që Nazer Seitaj ndodhet në një burg tjetër në Romë.
Marrja në pyetje në burg është bërë për llogari të hetimeve, që po bëhen në Shqipëri ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri për lidhjet e tij me grupin “Habilaj”.
Në disa përgjime të zbardhura eskluzivisht nga Meridioneës, trafikantët përmendnin dhe emrin e ish-ministrit Tahiri.
Një lidhje të cilës i shtohet dhe një automjet i përdorur nga banda për lëvizjet dhe që ishte në emër të Tahirit. Por ky i fundit këmbëngul se automjetin ia ka shitur në të zezë kushëririt të tij Habilaj. Prokurorët shqiptarë do të marrin në pyetje të enjten dhe Maridian Sulaj e Nazer Seiti.
Ky i fundit u ekstradua në Itali mes shumë polemikash pasi u arrestua nga policia shqiptare në Vlorë. 41-vjeçari ishte objektiv akuzash dhe polemikash pasi në Shqipëri ishte publikuar lajmi, që më pas u përgënjeshtrua, se po bashkëpunonte me hetuesit e Prokurorisë së Katanias.