Nisin mbjelljet massive të drogës në Krujë. “Qytetari dixhital denoncon: Mbjelljet masive të drogës në Krujë si bashkëpunim i pushtetarëve, banditëve dhe çunave të krimit që pasurohen bashkërisht me drogën që mbjellin”, shkruan ish-Kryeministri Berisha në Facebook. Më tej Berisha shkruan se, qytetari informon gjithashtu se për zonën ku po mbillet malli është vënë garanci prej 1,5 milionë euro.
Ish-kryeministri Berisha ka publikuar të plotë mesazhin e qytetarit për skandalin e mbjelljes së drogës nga trafikantët në bashkëpunim me pushtetarët. “Mirë mbrëma respekte, katër fadroma të mëdha kanë ardhur në Malësinë e Krujës te ish-Komuna Noje të Krujës për hapjen e terreneve për mbjelljen e hashashit. Kurse për hapjen e gropave janë kontaktuar fadromistë nga Fushë-Kruja ku marrin 30 mijë lekë për një gropë dhe si kapar 5 milionë lekë të vjetra në dorë, kurse punëtorët marrin 30 mijë lekë në ditë.
Flitet që për zonën ku do të mbillet hashashi është dhënë garanci 1.5 milionë euro. Kurse për Komunën ish-Nikël është dhënë garanci dhe në fshatrat Zezë, Verion, Greps, Bura, Mukje, Kurcaj vazhdon puna për hapjen e gropave. Njerëzit mblidhen në lokalet e rrugës e paguajnë garancitë në euro. Kurse njerëzit e dyshimtë që lëvizin në ato zona ndalohen e pyeten kush je, ku shkon, etj., ai polic që hap gojën transferohet në Kalimash, Tepelenë, Korçë etj.
Për mbjelljen e hashashit garancia është e plotë nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunimin me ish-dhe kontigjentin kriminal. Kjo situatë është edhe në fshatrat Thumanë, Derven, Gramez. Këto zona ngjajnë me fshatrat kolumbiane ku përveç manisë për të përfituar lekë ka dhe frikë se ai që nuk paguan kërcënohet me burg ose me gjoba të tmerrshme nga sekserët që kontrollojnë zonën dhe japin garanci”, shkruan qytetari nga Kruja.
Në Bashkinë e Krujës, kryetari Artur Bushi, i njohur për të kaluarën e tij të errët të lidhur ngushtë me trafikun e drogës në Itali, vend ku edhe është dënuar, i ka hapur shtegun trafikantëve dhe njerëzve të tij për të mbjellë masivisht kanabis. Mbjellja me kanabis në fshatrat e Krujës bëhet nga njerëzit e Bushit me bekimin e Ramës. Bandat e trafikut po e zhvillojnë lirshëm aktivitetet e tyre kriminale të mbjelljes dhe trafikut të drogës, duke patur mbështetjen e pushtetit në çdo hap të tyre.
Një ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi një lajm ku denoncohej shefi i komisariatit të policisë së Vlorës i cili ka disa parcela me kanabis. Shefi i komisariatit të policisë së Vlorës po hap toka për të mbjellë kanabis. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha në një mesazh të ardhur në adresë të tij nga një qytetar. “Shqipëria kanabiste po mbillet! Qytetari dixhital denoncon: Arat e kanabisit të shefit të komisariatit të Vlorës në fshatin Romës!”, shkruan Berisha në Facebook.
Z. Berisha. Në fshatin Romës të Vlorës në vendin e quajtur Trubull, shefi komisariatit Behar Caka po hap toka duke prishur pyllin për të kultivuar kanabis. Në këtë aksion ka futur përsëri Artur Dobicin. Me respekt një polic”, i shkruan qytetari Berishës.