Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka akuzoi dje mënyrën shtazarake se si u arrestuan dhe u shoqëruan në polici protestuesit, ku mes tyre ndodhej edhe ish-deputeti demokrat, Ndriçim Babasi. “Ne kemi edhe pamjet filmike, se si janë rrëmbyer nga njerëz me maska, se nuk mund të jetë policia ajo që rrëmben qytetarët nëpër klube. Janë rrëmbyer dhe janë sjellë në polici mes tyre edhe ish-deputeti Babasi. Momentalisht janë në Drejtorinë e Policisë. Janë marrë në mënyrë shtazarake. Kreu i PD-së është këtu, jemi të paktën 10 deputetë, duam të dimë gjendjen e tyre shëndetësore. Me ç’të drejtë janë ndaluar, kur protesta është e drejtë e qytetarëve. Këtu duhet të ishte Edi Rama, Erion Veliaj. Na thonë prisni drejtorin, i cili është fshehur s’e di se ku. Nuk ka pse të presim drejtorin, duam të shohim të shoqëruarit, sipas ligjit. Jemi bllokuar, aty kanë nxjerrë forca speciale për të penguar deputetët. Duam t’i shohim sepse sipas informacioneve tona janë keqtrajtuar dhe ne kemi detyrën të interesohemi për ta. Ne do të hyjmë, përndryshe këtu do të mblidhet gjithë PD-ja dhe pastaj të hidhen përpjetë”, deklaroi Paloka. Më herët po në një deklaratë për mediat, Paloka tha se sot Shqipëria është para dëshmisë së një shteti inekzistent, të një shteti të padrejtësisë, i cili dënon, burgos, të pafajshëm që s’kanë të paguajnë energjinë elektrike, që duan të rregullojnë pullazin e shtëpisë, por ndërkohë vë me qindra forca policie në mbrojtje të atyre që po e shkelin ligjin hapur dhe përditë. “Duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët shqiptarë dhe këta policë që janë këtu, detyrimin e kanë përballë Kushtetutës dhe Kushtetuta u thotë qartazi se edhe policia, edhe polici më i thjeshtë dhe jo vetëm shefat e tyre duhet të zbatojnë ligjin dhe jo urdhrat e paligjshëm, përndryshe do të përgjigjen një më një, kokë më kokë për shkeljet e ligjit, atëherë kur ligji të vendoset”, tha ai. Paloka tha se ky është akti më skandaloz që tregon se si shteti shkel ligjin me vetëdije të plotë dhe dhunon qytetarët e tij. “Sot e them edhe një herë, jemi para faktit që tregon se këtu nuk ka shtet, ka një shtet të padrejtësisë, i cili dhunon qytetarët e tij në të gjitha format. Me një Kryeministër, i cili urdhëron dhunimin e qytetarëve të thjeshtë dhe mbron me shtet dhe me polici oligarkinë kriminale që po drejton sot këtë vend. Ky është vetëm një shembull, e dëgjuat të gjithë kryetarin e Bashkisë kur tha se, këtu nuk do të hidhet asnjë metër beton, nuk do të pritet asnjë pemë, shihni sot se ç’po ndodh. Është rrethuar dhe po mbrohet betoni i Edi Ramës. Ndërkohë, që Kryeministri i pari, kryetari i Bashkisë i dyti, duhej të ishin sot përpara Prokurorisë për këtë shkelje të rëndë. Askush nuk përgjigjet për shkeljen e ligjit, kur këtë e bën Edi Rama dhe Erion Veliaj, përkundrazi vihet represioni shtetëror kundër qytetarëve, të cilët kërkojnë të mbrojnë të drejtat e tyre”, tha Paloka. Ai rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të PD ndaj të drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. “Edhe një herë i them këtyre policëve, të cilët janë aty në mbrojtje të krimit dhe nuk janë në mbrojtje të ligjit, sot janë në mbrojtje të atyre që po shkelin ligjin dhe do të përgjigjen një më një ata që japin urdhër edhe këta vetë. Qytetarët kërkojnë të drejtën e tyre dhe nuk mund t’i ndalojë askush. Ne jemi këtu në mbështetje të shoqërisë civile, qytetarëve, që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe absolutisht do të jemi në çdo rast, jo vetëm si deputetë të Partisë Demokratike, si opozitë, në mbështetje të çdo akti që mbron interesat e qytetarëve. Ata që dalin kundër interesave, të jeni të bindur që në mos sot nesër do të mbajnë përgjegjësi, një më një”, u shpreh kreu i Grupit parlamentar demokrat Paloka. Ai theksoi se protesta vazhdon të jetë e shoqërisë civile dhe PD do ta mbështesë. “Ne nuk kemi skenar. Ne nuk shesim çdo akt që ata e quajnë të arsyeshme dhe logjike, por e rëndësishme është që jemi në krahun e ligjit, ata që keni përballë janë në mbrojtje të shkeljes së ligjit”, tha ndër të tjera Paloka.
Kryesore
Continue to the category“Bashkia Lezhë me vetëm 1 çerdhe për fëmijët”, Alfrida Marku: Do...
Kryetarja e degës së Demokratëve Euroatlantikë në Lezhë, Alfrida Marku, ka ngritur shqetësimin mbi mungesën e kapacitetit për akomodimin e fëmijëve në çerdhet publike...