Nishani homazhe në Memoralian e Pentagonit

Presidenti, Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi një vizitë të posaçme homazhi në Memorialin e Pentagonit, pikërisht në vendin ku vazhdimisht nderohen dhe përkujtohen 184 viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 dhe familjet e tyre për sakrificën që bënë dikur në mënyrë që liria të vazhdojë të triumfojë. Kreu i Shtetit shqiptar, në krye të delegacionit zyrtar, u prit dhe u shoqërua në Pentagon nga Ndihmës Asistenti i Sekretarit të Mbrojtjes, DR. Michael Carpenter, i cili mbulon edhe bashkëpunimin ushtarak dypalësh mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Pasi vendosi një kurorë me lule në Memorialin e Pentagonit “Për nder të burrave dhe grave që humbën jetën më 11 shtator 2001 duke u sakrifikuar për liri”, Presidenti Nishani vizitoi edhe kapelën përkujtimore të 184 viktimave dhe shprehu respektin duke lënë një shënim prekës në Librin e Ngushëllimeve. Gjithashtu Nishani ishte i Ftuari i Nderit në Sesionin e Presidentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington D. C. Fillimisht Kreu i Shtetit shqiptar u prit nga Gjenerali Major Frederick Padilla, Presidenti i UKM (NDU) si dhe nga udhëheqësit e tjerë të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit e mendimit strategjik dhe përgatitjes ushtarake, me të cilët zhvilloi një takim duke shkëmbyer mendime dhe ide. Ndërsa më pas Presidenti Nishani nënshkroi Librin e Miqve dhe u prezantua në Sallën Lincoln për të mbajtur ligjëratën e Tij me temë: “Integrimi i Shqipërisë në NATO: Një ndër dy arritjet me rëndësi gjeostrategjike në historinë kombëtare që shërben si faktor kontribuues vendimtar për paqen, stabilitetin demokratik dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”.

Exit mobile version