Basha: Shqipëria në udhëkryq, zgjedhjet e rrezikuara nga krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha denoncoi dje para Zv.ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, Aleksandër Arvizu si dhe ambasadorit Donald Lu situatën dramatike që po kalon vendi.
Droga, dekriminalizimi, korrupsioni dhe zgjedhjet ishin në qendër të këtij takimi, ku Basha kërkoi nga dy ambasadorët amerikanë, reagim të fuqishëm publik e politik.
“Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor, ndaj është koha për një reagim të fuqishëm publik dhe politik kundër këtij rreziku të qartë dhe të madh ndaj investimit të përbashkët për Shqipërinë demokratike, stabile dhe euroatlantike” theksoi Basha gjatë takimit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha ndau me bashkëbiseduesit shqetësimin për rritjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës me shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Partnerët kanë bllokuar deri tani në kufijtë e tyre sasi rekord droge të ardhura nga Shqipëria. Transporti i drogës po kryhet nga toka, ajri dhe deti, tha Basha, duke sjellë në vëmendje trafikun me skafe dhe me avion.
Basha njohu Zv.ndihmëssekretarit amerikan Arvizu me rastet më të fundit që dëshmojnë trafikun masiv të drogës që ka pushtuar gjithë vendin, lidhjen e strukturave të policisë me trafikun, blerjen  e votave në Dibër etj.
“Rasti i fundit, ku për t’i shërbyer trafikut të drogës ishte ndërtuar edhe një pistë ajrore, tregon se trafiku me avion është një mënyrë e preferuar nga trafikantët. Kjo shtrirje masive dhe në sasi e kultivimit të kanabisit, lehtësitë e kalimit të saj nga territori i Shqipërisë do të ishin të pamundura, pa bashkëpunimin dhe mbrojtjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve politikë të saj. Rast flagrant është së fundmi dhe ndalimi me kokainë i vëllait të shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, ndërsa ai vetë është nën akuzë për mbrojtjen e parcelave me hashash në Dibër. Zgjedhjet në Dibër, janë shembull i impaktit të drogës në zgjedhje. Rreziku që sjell me vete droga është kriminalizimi i shoqërisë, ekonomisë dhe politikës” u shpreh Basha gjatë takimit.
Lideri i opozitës theksoi se kthimi i Shqipërisë në hambar droge është pasojë direkte e kriminalizimit të politikës dhe administratës. Edi Rama promovoi në poste kyçe në administratë dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit, i cili nuk po zbatohet. Siç u pa dhe në zgjedhjet e Dibrës, këta persona po angazhohen në procese elektorale dhe po mbrohen nga Kryeministri për t’i përdorur në zgjedhjet e 2017 duke sjellë disa shembuj si rasti i Elvis Rroshit, Artur Bushit, Artur Bardhit, të cilët vazhdojnë të mbajnë postin e kryebashkiakut në thyerje të dispozitave të ligjit të dekriminalizimit apo Armando Prengës dhe Arben Ndokës.
Një tjetër shqetësim që Basha ndau me zyrtarët e lartë amerikanë ishte korrupsioni i paprecedent në 25 vite demokraci. Koncesione dhe tendera që jepen pa garë dhe në fondet limit duke injoruar ofertat më të ulëta, me përfitues vetëm një grusht njerëzish të lidhur miqësisht dhe politikisht me Edi Ramën.
Dibra është shembulli i qartë se cili është rreziku që u vjen zgjedhjeve, nga droga, krimi dhe paratë e korrupsionit. Reforma, theksoi Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik, i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës. Shumë të rëndësishme e konsideroi kryetari i Partisë Demokratike çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit, si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.

A.Shahini

Exit mobile version