Një botë në kaos, ka urgjentisht nevojë për një OKB të reformuar

Asgjë tjetër nuk mund të kishte ofruar një sfond më të keq për çeljen e punimeve të Asamblesë së 79-të të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë, sesa lajmi i fillimit të fushatës së gjerë të bombardimeve nga Izraeli kundër Hezbollahut, milicisë libaneze të lidhur me Iranin.

Fotot por dhe pamjet televizive nga transmetimet e drejtpërdrejta, treguan predhat dhe raketat izraelite që binin mbi Libanin jugor. Në vetëm 24 orët e para, këto sulme vranë më shumë se 500 njerëz dhe plagosën qindra të tjerë. Ky zhvillim, nënkupton se rreziku i një lufte gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme mund t’i shtohet listës së gjatë të konflikteve, fatkeqësive dhe sfidave të tjera që po shpalosen në planetin tonë.

Nga ana tjetër, kjo ngjarje dëshmon ndoshta se rendi ndërkombëtar ka rënë tashmë, dhe se organizata si OKB-ja po duken gjithnjë e më të tepërta, teksa besimi midis fuqive të mëdha ka rënë në nivelin më të ulët historik. Sot po jetojmë në një botë akoma më të përçarë, e ndarë midis vendeve perëndimore dhe aleatëve të tyre në njërën anë, dhe nga ana tjetër Rusisë së bashku me shumë vende të tjera, përfshirë Kinën.

Sigurisht, të gjithë diplomatët po punojnë gjatë gjithë kohës në Nju Jork, në përpjekje për të de-përshkallëzuar këtë dhe konflikte të tjera. Por me sa duket, OKB-ja është përfshirë në përçarjen globale, ndaj ka pak ose aspak ndikim, qoftë mbi Izraelin apo Hezbollahun.

Mbetet e paqartë se çfarë mund të arrihet për të qetësuar situatën në Liban, sepse përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim në Gaza, të cilin Izraeli e ka bombarduar pa mëshirë që nga tetori i vitit të kaluar, kanë dështuar gjatë 11 muajve të fundit.

Gjatë dy dekadave të fundit, është bërë e qartë se pavarësisht punës vendimtare të disa prej agjencive të saj, OKB-ja si organizatë po bëhet e parëndësishme për shkak të dështimit të saj për të orkestruar, projektuar dhe madje imponuar paqen. Hera e fundit që bota u bë bashkë për të zgjidhur një krizë, ishte ndoshta kriza financiare e vitit 2008.

Dhe ato përpjekje u drejtuan kryesisht nga G20, të ndihmuara nga disa agjenci të OKB-së dhe grupime të tjera. Ishin dy kriza kryesore të mëvonshme, të cilat në mënyrë indirekte mbollën “farat” e mosmarrëveshjes brenda rendit ndërkombëtar.

E para, revolucioni libian kundër Muammar Gaddafit në vitin 2011, dhe rezoluta pasuese e OKB-së që autorizoi përdorimin e forcës për të mbrojtur civilët. Ajo shqetësoi fuqitë kryesore, konkretisht Rusinë, e cila i pa sulmet ajrore perëndimore si katalizatorin që çoi në rënien e regjimit të Gaddafit.

Dhe e dyta, paaftësia e OKB-së dhe fuqive globale për të ngritur një front të bashkuar kundër regjimit sirian në të njëjtën periudhë, edhe pas përdorimit të dukshëm të armëve kimike dhe jo konvencionale kundër popullit të tij. Kjo ishte një katastrofë tjetër, që mund të ketë çuar në gërryerjen e mëtejshme të besimit në organizatë.

Deklarata e fortë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, që këtë javë paralajmëroi se mosndëshkimi, pabarazia dhe pasiguria po krijojnë një “botë të paqëndrueshme”, do të kalojnë pa dyshim pa u vënë re nga shtetet dhe njerëzit.

Ndarjet e thelluara gjeopolitike, luftërat pa fund, ndryshimet klimatike, kërcënimet bërthamore dhe fusha e parregulluar në të cilën zhvillohet teknologjia, vazhdojnë ta shtyjnë njerëzimin drejt “të paimagjinueshmes, si një fuçi baruti që rrezikon të përfshijë gjithë botën”, shtoi Guterres.

Por nuk është vetëm lufta e Izraelit për të dëbuar Hamasin nga Gaza dhe pasojat e saj, ato që po kërcënojnë sot paqen dhe stabilitetin. Në të është përfshirë “Boshti i rezistencës”, i mbështetur nga Irani në Liban, Irak, Jemen dhe Siri, që po shënjestrën Izraelin dhe mbështetur Hamasin.

Huthët në Jemen kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq pa u ndëshkuar, ndërsa bota ka dështuar sërish të ofrojë një parandalim të unifikuar për të ndihmuar në sigurimin e zinxhirëve të furnizimit dhe tregtisë botërore. Nga ana tjetër, vazhdon konflikti në Sudan, që ishte në krye të agjendës së OKB-së të vitit të kaluar, krahas luftës së Ukrainës, e cila nuk duket se ka ndonjë fund në horizont.

Dhe kjo është vetëm një pjesë e historisë së zakonshme, me të cilën merren delegatët në këtë takim vjetor, pasi vazhdojnë të rriten nevojat globale humanitare, teksa zvogëlohen fondet për t’i trajtuar ato, gjë që do të thotë se rreth 2 miliardë njerëz jetojnë në zonat e prekura nga konfliktet.

Shumë prej tyre vendosin të kërkojnë një jetë më të mirë si refugjatë apo emigrantë në vende më të qëndrueshme, ku shpesh shndërrohen në një barrë dhe rrezikojnë të nxisin destabilitet si rezultat i fluksit të madh të tyre. Edhe “Samiti i së Ardhmes”, mbajtur para mbledhjes vjetore

të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që supozohej të ofronte njëfarë shprese, nuk ishte detyrues dhe i mungoi shtysa për të bërë bashkim kombet për të trajtuar sfidat e shekulli XXI-të si ndryshimet klimatike, Inteligjenca Artificiale, barazia dhe të drejtat e grave.

Ashtu si shumë nisma të tjera, projekti i tij ka të ngjarë të mbetet dokument i radhës i depozituar në arkivat e OKB-së. Megjithatë, ka ende shpresë. Ndërsa bota vazhdon të ecë drejt përplasjeve më të mëdha dhe më shumë konflikteve si të ishte një tren pa frena, nuk është e paarsyeshme të kërkohet një samit apo një takim që të marrë në shqyrtim thelbin e Kartës së OKB-së.

Ky dokument u miratua në konferencën e San Franciskos në vitin 1945. Por ndoshta ka ardhur koha të analizohet nëse ato themele, që i shërbyen shumë njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore, janë ende aktuale. Në kohën kur u themelua gati 80 vjet më parë, ndryshimi i motos nga “forca bën të drejtën” në “e drejta bën forcën” nga presidenti amerikan Harry Truman, u përfshi në Kartën e OKB-së.

Por parime të tilla fisnike, nuk po shfaqen më në një botë të përçarë midis forcave të saj ultra-liberale dhe despotike, dhe teksa ka një rikthim të qartë tek motoja “forca bën të drejtën” si narrativa dominuese. Nëse OKB-ja, multilateralizmi dhe diplomacia do të ketë një histori të re suksesi si një forcë për të mirën, udhëheqësit botërorë duhet të ripërtërijnë besimin e tyre tek organizata si një mjet për të siguruar paqen, dhe jo thjesht të flasin për të.

Shumica e 8 miliardë banorëve të botës, ka të ngjarë të bien dakord me idenë që ne jemi dëshmitarë të rënies më të keqe të rendit dhe qeverisjes botërore që nga krijimi i sistemit shtetëror modern. OKB-ja ka qenë për pjesën më të madhe të 8 dekadave, një banak bisedash për fuqitë konkurruese.

Për të shmangur konfliktet globale dhe pasojat e tyre katastrofike, nevojitet një organizëm botëror efektiv për të promovuar paqen dhe prosperitetin. OKB-ja aktuale tejet e plakur, mund të ripërtërihet vetëm nëse superfuqitë do të arrijnë në një përfundim të tillë./“Arab News”

Exit mobile version