Një ditë pasi Zelensky konfirmoi takime të reja me SHBA-të për luftën me Rusinë, Moska kryen sulme masive ndaj infrastrukturës energjitike të Ukrainës

Forcat ruse kanë vënë në shënjestër infrastrukturën e energjisë dhe gazit të Ukrainës në një sulm “masiv” me raketa dhe dron, tha ministri ukrainas i energjisë.

 

German Galushchenko tha në Facebook: “Edhe një herë, infrastruktura e energjisë dhe gazit në rajone të ndryshme të Ukrainës është vënë nën zjarr masiv me raketa dhe dron”.

Ai shtoi: “Kudo që është e mundur, ekipet e shpëtimit dhe inxhinierët energjitikë po punojnë për eliminimin e pasojave. Po merren të gjitha masat e nevojshme për të stabilizuar furnizimin me energji dhe gaz.”

Objektet e prodhimit të gazit natyror në firmën shtetërore të naftës dhe gazit Naftogaz u dëmtuan, tha kompania në një deklaratë.

“Fatmirësisht nuk ka pasur viktima”, thuhet në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Kujtojmë se ditën e djeshme, u mbajt një samit urgjent në Bruksel nga 27 vende të BE-së, për të diskutuar lidhur me vendosjen e paqes në Ukrainë dhe menaxhimin e diplomacisë ndërkombëtare, pasi Trump ndaloi ndihmat ushtarake për Ukrainën.

Pas samitit me vendet evropiane që u mbajt të enjten, Zelensky tha se bashkëpunimi me SHBA-në do të bëhet për të arritur një paqe të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Ai e konfirmoi takimin e palës ukrainase me atë amerikane gjatë javës së ardhshme në Arabinë Saudite.

“Ekipi im do të qëndrojë në Arabinë Saudite për të punuar me partnerët amerikanë”, u shpreh ai.

“Të hënën e ardhshme, kam planifikuar një vizitë në Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës. Pas kësaj, ekipi im do të qëndrojë në Arabinë Saudite për të punuar me partnerët tanë amerikanë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.

Artikulli paraprakSHBA dhe BE paralajmërojnë kundër veprimeve të udhëheqjes së Republikës Serbe në Bosnjë
Artikulli tjetërUrimi i veçantë i Bashës për “7 Marsin”, poston foton me mësuesen e tij kujdestare: Shoqëria jonë u ka një borxh të madh arsimtarëve, meritojnë paga më të larta dhe kushte më të mira