Një KED i kapur nuk mund të ndërtojë Gjykatën Kushtetuese

Çlirim GJATA

Njoftimi dërguar KED mbi tërheqjen e kandidaturës time për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Anëtarë të KED;

Sapo u njoftova nga ju me e-mail, që brënda dt.10 të këtij muaji duhet të paraqitem për, siç shpreheni ju, procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës time për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën unë kam shprehur interes.

Është e vërtetë se kam shprehur interes për kandidim për në institucionin në fjalë, por ka diçka një vit apo e gjysëm më parë, që e kam bërë këtë paraqitje kandidimi, aq sa e kisha harruar se jam kandidat për në Gjykatën Kushtetuese.

Dhe po të mos më kishit dërguar e-mail nuk do të ndodhte asgjë sepse, nuk do të isha kujtuar dhe do ma kishit kursyer këtë shkrim. Madje nuk e di nëse kandidatët e tjerë janë kujtuar të gjithë, ose të paktën uroj që ndonjëri të mos ketë arritur pensionin, apo larg qoftë… .

Prandaj si fillim po ju deklaroj se e tërheq këtë kandidaturë, apo shprehje innteresi, pra e thënë qartë e shkurt, që të mos mbetet ndonjë asgjë për interpretim nuk jam më kandidat për postin në fjalë.

Kjo për disa shkaqe, ku e para po jo shumë e qenësishme është ajo e efektit kohë. Nuk mund presësh kaq shumë derisa të shqyrtohet kandidatura për të konkuruar diku qoftë kjo edhe Gjykata Kushtetuese, sepse kur e paraqita këtë kanditaturë kisha të tjera shpresa dhe pikëpamje mbi institucionet e drejtësisë. Por duke qënë se koha provon gjithshka edhe shpresat edhe pikpamjet e mia ndryshuan, sidomos me ato çfarë ndodhën me reformën në drejtësi.

E kuptoj që këto vonesa janë pasojat e kësaj reforme dhe e pranoj mospërgjegjsinë tuaj si anëtarë të KED në rrethanat në fjalë. Meqë ra fjala çfarë institucioni kushtetues është ky që ndryshohet njëherë në vit? A ka diku në Europë institucione të tilla kushtetuese? Megjithatë, as kjo nuk ju takon juve!

Tërhiqem nga kandidimi për disa arsye. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm i sistemit check and balance në Kushtetutë. Dy herë në historinë e Europës ka ndodhur të mbyllet Gjykata Kushtetuese. Ajo në Austri në 1938 nga Hitleri dhe hera e dytë në Shqipëri në vitin 2018 dhe çfarë paradoksi, për shkak të reformës në drejtësi.

Mungesa e sajë për kaq kohë e vë qeverinë në kushtet e qeverisjes së një grushti shteti, pasi askush nuk mund të mbrohet nga qeveria. Dhe qëllimi i qeverisë sot është të kapë këtë gjykatë nëpërmjet rrethanave, manovrave dhe shërbimeve edhe të institucionit të KED.

Prandaj procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, më duket një hipokrizi në plot kuptimin e fjalës.

Nga nëntë anëtarë ky institucion ka shtatë, pasi dy janë shkarkuar nga vetingu. Nga këta bie në sy kryetari ad-hoc i KED-së, Z.DVORANI anëtar i Gjykatës së Lartë, të cilit i ka mbaruar mandati për vete dhe jo pak, por ka pesë vjet pa mandat në Gjykatën e Lartë. Si mund të kem besim te ky person, i cili qëndron në detyrë për pesë vjet me sot me nesër, sa të vijë tjetri ta zëvëndësojë? Çfarë përgjegjsie mban, kur sapo të zëvëndësohet shkon në punë të tijë dhe nuk jep llogari askund? E pra nga Gjykata e Lartë mund të caktohej një tjetër brënda mandatit dhe me përgjegjsi të plotë(sot që po flasim janë edhe dy anëtarë të GJ.L. brënda mandatit).

Kush më garanton se Z.DVORANI nuk pret benefite nga qeveria për këto shërbime. Ndonjëri mund të thotë ndërgjegja e tij, por atë le ta mbajë ai-ndonjëri. Sikur vetingu të ishte sado pak profesional dhe të merrte në shqyrtim vetëm disa vendime civile të këtij gjyqtari do flisnim ndryshe.

E pra mendoj se Kushtetuta ka parashikuar, që anëtarët e KED-së duhet të kenë përgjegjsinë e plotë të asaj çfarë bëjnë, sepse po krijojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo bordin qeveritar të kullimit, megjithse siç duken bathët drejt asaj po shkon.

Po me madat të mbyllur prej një viti nga Gjykata Kushtetuese e që qëndron në detyrë sa të zëvëndësohet është edhe relatorja e kandidaturës time(që për dreq më kujtoi me e-mail)Zj.TUSHA. Personalisht ndaj një respekt të veqantë për këtë zonjë që ka kaq vite që shërben në organet e drejtësisë dhe si e vetmja në gjithë Gjykatën Kushtetuese që kaloi vetingun.

Dhe me hipokrizinë më të madhe Parlamenti nuk miratoi dekretin e Presidentit për emrimin e Zj.Tusha në krye të KLSH-së. E pra kjo zonjë mund të largohej në punë të sajë, pasi nuk mori benefite, por qëndron aty vetëm për shkak se nga Gjykata Kushtetuese nuk ka mbetur askush tjetër. Nuk kam ndonjë njohje kushedi çfarë me Zj.Tusha, por ndershmërisht do ti sugjeroja të tërhiqej nga ai vënd, sa pa u bërë pis kot tani në fund.

Një anëtare tjetër aty në KED, me sa jam në dijeni, është edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Zj.MARKU. O zot çfarë institucioni: dy anëtarëve ju ka mbaruar mandati, tjetra është e përkohshme, dy i ka rrëzuar vetingu. Pa folur për tre të tjerë që presin vetingun. Ata që bënë këtë kushtetutë paskan patur humor të madh.

E si mund të gjykohem nga kjo Prokurore, anëtare aty. E zgjedhur në shkelje të Kushtetutës, politikisht, vetëm me 69 vota nga mazhoranca parlamentare dhe në shkelje të rënda në detyrën e sajë të re, me veprime në kundërshtim me ligjet e vetë reformës në drejtësi, do të përzgjedhë kandidtaturat për Gjykatën Kushtetuese. Pa folur për konfliktin e interesit, që kjo gjykatë e dalë prej saj, potencialisht do të gjykojë vendimet e sajë.

Pa folur për rekordet në c.v. e sajë, që nuk tregojnë asgjë. Askush nuk mund të paraqesë as arritjen më të vogël profesionale çfarë ka bërë kjo zonjë, që të mëritojë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm? E për pasojë edhe atë të anëtares së KED ku edhe për këtu nuk kishte mbetur asnjë kanditaturë në Prok. e Përgj. dhe u caktua pa short.

Si mund të ndërtojë Gjykatën Kushtetuese kjo prokurore, qe shkatërroi Prok. e Krimeve të Rënda dhe bllokoi hetimin e dosjeve mbi krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me politikën në trafikun e narkotikëve dhe blerjen e votave? Jooo, unë nuk mund të vij aty.

Ndërsa anëtarët që presin vetingun, pa dashur ti fyej, më duken në një pozitë shumë qesharake. Si mund tja bëjnë fjalën dy qeverisë dhe Kryeministrit, pikërisht gjyqtarët dhe prokurorët që presin vetingun? Atyre ju ka rënë fati, që me këtë rast ta blejnë këtë të fundit.

A nuk ka mjaft raste ku gjyqtarë dhe prokurorë shkelin ligjin në interes të qeverisë vetëm nga frika e vetingut? E pra unë di plot të tilla ku gjyqtarët jo thjeshtë ligjin, po shkelin deri dhe mbi jetën e qytetarëve për ti shërbyer politikës dhe shpëtuar nga vetingu. Kjo është garancia e anëtarëve të KED që nuk kanë kaluar vetingun.

Institucioni juaj sa kushtetues, aq edhe një vjeçar, lë shumë për të dëshiruar, aq sa sinqerisht më vjen turp të më shohin aty me ju. E sa për ta mbyllur me këtë pikë, nuk mund të mos përmend një fjali për raportin e Kryeministrit tonë me ju, dhënë së fundi nga Drejtori i VOA Elez BIBERAJ:“Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave…”. Kjo quhet diplomaci e drejtëpërdrejtë amerikane.

Por ta lëmë KED dhe vazhdojmë më tej. A ja vlen që edhe sikur të marrësh “përzgjedhjen” nga KED të kalosh në votim në parlament? E në çfarë parlamenti? Nuk po flas për faktin se kemi një parlament në kushte antikushtetutshmërie, pasi nuk ka më 140 deputetë, sa ja kërkon Kushtetuta. As për kriminalizimin, as për skandalet, apo mungesën e çdo lloj debati dhe votimin në rresht. Gjithsesi të mos kalojmë në politikë. Por do të konstatoj dy momente shumë sinjifikativë të nivelit të këtij parlamenti.

Personalisht kam një karrierë profesionale ku po veçoj shërbim tim si gjyqtar, kryetar gjykate, gjyqtar apeli, këshilltar në Gjykatën e Lartë e deri kryetar i KQZ. Pa folur për përvojën si pedagog i së drejtës që nga viti `95 dhe doktor i shkencave prej 20 vitesh(të tjerat janë në c.v. time).

Le të shohim cilësinë e parlamentit ku i përzgjedhuri do të votohet. Aty ka deputetë, bie fjala, që nga policë janë bërë deputetë. E respektoj profesionin e nderuar të punonjësit të policisë shqiptare, por nuk mund të pranohet që një polic, thjeshtë për faktin se është deputet, të vendosë nëse një doktor i shkencave në jurisprudencë do të emërohet anëtarë i Gjykatës Kushtetuese apo jo.

Duhet të ishte e kundërta. Në komisionet e ngritjes në detyrë të policëve duhet të ketë juristë dhe mundësisht doktor shkencash në jurisprudencë, që të kontrollojë nivelin e njohjes ligjore nga ana e tyre. Në Shqipëri gjërat janë përmbys.

Në parlament ka deputetë që kanë kryer shkollë, thjeshtë për kamionistë dhe e kanë paraqitur si shkollë të lartë, e zbuluar kjo nga një emision investigativ televiziv shumë serioz(top story i tch). Pra kamionistët deputetë do të vendosin nëse doktori i shkencave në jurisprudencë do të behet anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ose jo.

E kështu me radhë mund të vazhdojmë përsëri, por po kufizohem vetëm me këto të dyja. Thonë se i ka zgjedhur populli. Cili popull do zgjidhte një kamionist dhe jo një profesor për deputet?? Ata i ka vënë aty kryetari i tyre dhe paratë me të cilat janë blerë votat.

Anëtarë të KED

Në këto kushte, si e mendoni produktin që do të dalë në ndërtimin e Gjykatës së re Kushtetuese, qoftë për pozicionin ku ndodheni ju, qoftë për nivelin ku ndodhet ai parlament, që vetëm parlament nuk është?

Në këtë shkrim nuk po paragjykoj punën tuaj as edhe për vehte. Nuk po tërhiqem për faktin se mendoj që nuk përzigjem atje te ju. Absolutisht nuk është kjo, përkundrazi po të vija atje edhe mund të fitoj. Problemi është i të tjera përmasave. Ju mund të ndërtoni një Gjtykatë nga pikpamja formalo ligjore, por nuk do të mbartë asnjë besim te qytetarët. Kjo për faktin se, ju vetë qoftë si institucion qoftë si anëtarë, nuk gëzoni kurrfarë besimi te publiku. Dhe besimi në publik është më kryesori në demokraci.

Me këto shërbime që mund të bëhen, mund blihet vetingu, mund të blihen postet e larta, pasi morali është në mërgim, por emrin dhe personalitetin nuk e blen dot me asgjë. Atë e kanë në dorë të tjerët. E çfarë duhet një Gjykatë Kushtetuese e dalë në këto kushte.

Në fund të fundit edhe ju vetë jeni produkt i një reforme eksperimtale në drejtësi,
e pashoqe deri më tani në ndonjë vënd demokratik, ose jo i tillë; e realizuar nga faktorë pa kurrëfarë lidhjeje me doktrinën kushtetuese; pa asnjë garanci që nuk do të dështojë si shumë të tjera me parë.

Si përfundim, do ishte shumë më keq se sot pa gjykatë, ndërtimi nga ju i një Gjykate Kushtetuese të kapur nga Kryeministri. Ndaj paraqes edhe njëherë tërheqjen time nga kandidatura. S`ka nevojë për përgjigje për njoftimin në fjalë, por ju lutem më ktheni dosjen me dokumentat e mia në adresën që ju kam shënuar.

Exit mobile version