Ditën e sotme studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë organizuar një takim ku kanë diskutuar lidhur me ecurinë e protestës, në mbrojtje të territorit të tyre, që preken nga ndërtimi i një shkolle 9-vjeçare nga ana e Bashkisë së Tiranës.
Dekani Maksim Meço e ka quajtur një prerje në besë veprimin e Bashkisë së Tiranës, duke i kujtuar Erion Veliajt dhe faktin se vetëm një vit më parë mbillte vetë pemë në fidanishte.
Dekani i fajkultetit ekonomik në UBT në fjalën e tij me tone të forta tha se në mbledhjen në rektorat ishte hedhur ideja që protesta të mbyllej, me shpresën se qeveria dhe Bashkia mund të bënin ndonjë lëshim.
“Pashë një rrethim si skenë krimi, pyeta çfarë do bëhet? Dhe më thanë shkollë, si mor do bëhet shkollë, ne aty mbollëm pemë me kryebashkiakun?! Ne jemi të prerë në besë, nuk ka gjë më të ulët se prerja në besë.
Me çfarë fytyre ai do të presë sot pemën që mbolli vetë? Me çfarë të drejte ai njeri do e shkulë sot pemën, pse bëri tendera nga 50-60 mijë lekë për të blerë pemë. Kush qenka ky mo burrë, aq i fuqishëm sa të mos na informojë ne me atë që do ndodh?
Unë këtu po flas si Maksi, nëse jemi 300 Petrita shumë mirë, nëse jemi 1 dhe 2 për turp e paçim. Ne e humbën davanë, unë nuk e di sesi mund të vazhdojmë negociatat me atë njeri dhe me kryeministrin, që i kanë pasur para të gjitha letrat.
Në mbledhjen që patëm në rektorat ishte që të pranohej vendimi për ndërtimin e shkollës, dhe ne të prisnim mbase atyre iu mbushet mendja dhe na japin diçka, unë isha i mendimit që ne duhet tiu pyesim ju, se unë nuk kam të drejtë që të nxjer studentët në protestë. Debatet në strukturat lart thonë që ne nuk e përballojmë dot protestën”, u shpreh Meço.
Meço këmbënguli se asnjë vendim nuk mund të merret në mënyrë të njëanshme nga ana e rektoratit pa u konsultuar me studentët. Dekani këmbënguli se qeveria mund ti ndërpresë fondet këtij Universiteti, e megjithatë rezistenca mund dhe duhet të vijojë.
‘’Mund të na ndërpresin fondet edhe për 3 muaj”, u shpreh Meço, ndërsa pati batuta nga salla: Do të mbetemi pa fiq.
Pedagogu Gjok Vuksani u shpreh se e vetmja armë që kanë në dorë ata është protesta.
‘’Iu bëj thirrje të gjithë kolegëve që ne të protestojmë çdo ditë, duke mos e lënë mësimin, do dy orë në ditë duhet të protestojmë, ne jemi në shtëpinë tonë, jemi në territorin tonë.
Do mbahet mend se kush ka qenë rektor kur u cënua territori i UBT-së, mos të fshihen pas gishtit, po minimalisht të mos na pengojnë në mbrojtjen që ne po bëjmë”, u shpreh Vuksani.