Sulmuesi i Genoas, Pietro Pellegri vetëm 16 vjeç, hyn në historinë e Serisë A si lojtari më i ri në moshë që shënon një dygolësh në këtë kampionat. Në sfidën Genoa-Lazio djaloshi tregoi gjithë stofin e tij prej talenti të mirëfilltë. Me një fytyrë adoleshenti, por fizik prej sulmuesi të formuar Pellegri nuk është bërë pre e sofizmave të tilla si është shumë i ri për t’u lançuar, por është hedhur në aksion nga tekniku Juric.
Golin e parë në kampionat Pellegri e pati shënuar më 28 majin e shkuar në “Olimpico” përballë Romës, pikërisht ditën kur Francesco Totti i dha lamtumirën futbollit të luajtur. Të shumtë janë ata që e lidhin atë gol me fatin e përcaktuar prej një ylli të Pellegrit, si një stafetë e dorëzuar drejt suksesit. Tre muaj më pas shifrat e këtij djaloshi janë impresionuese, në 131 minuta të luajtura ka shënuar plot 3 herë dhe tashmë me Lapadulën e dëmtuar, Juric mund t’i krijojë më shumë hapësirë.
Jehona që shoqëron emrin e Pellegrit duket se po rritet, me shumë tifozë që tashmë po ngrenë pyetjen nëse Italia ka gjetur Mbapenë e saj. Krahasimi nuk është i tepruar duke qenë se në moshën e 16-vjeçarit edhe francezi Mbape kishte luajtur disa minuta në Ligën 1 me Monakon. Milani e ka nuhatur këtë talent dhe me një lëvizje të shpejtë në orët e fundit të merkatos ka hedhur themelet e marrëveshjes për transferimin e tij në muajin janar. Njëkohësisht skuadra të tjera të mëdha italiane po tregohen vigjilente karshi talentit Pellegri, ndërkohë që është Juric ai do të shfrytëzojë aktualisht shërbimet e tij.
16-vjeçari tregoi se e pret një ardhme e ndritur duke i shënuar dy gola portierit të kombëtares shqiptare, Thomas Strakoshës. Por, këto gola nuk ishin të mjaftueshëm për Genoan, që humbi 3:2 nga Lazio. “Ëndrra më është bërë realitet. Është diçka që kam ëndërruar që kur isha fëmijë. Ishte mbrëmje shumë e rëndësishme për mua dhe babain tim. Babai është gjithçka për mua, më përcjell në të ftohtë e në shi. Ai është njeriu që më mban në rrugën e duhur në futboll, ndërsa nëna kujdeset që unë të studioj”, shtoi 16-vjeçari.
Babai i talentit italian nuk është përmbajtur, duke shpërthyer në lot për golat e djalit të tij që shihet si një ndër sulmuesit më me perspektivë në Evropë.
Fiton Lazio e Thomas Strakoshës që ishte vendimtar në suksesin 3-2 në fushën e Genoas, bardhekaltërit kaluan të parët në avantazh me Bastios në minutën e 13 dhe mbyllën pjesën e parë në avantazh, por në të dytën Genoa barazoi me Pellegrinin me Strakoshën që u mashtrua nga një devijim i Rady, Lazio kaloi sërish përpara me Imobilen që iu desh vetëm të shtynë topin në rrjetë pas asistit të Lukaku, por Pellegri solli sërish ekuilibrin në minutën e 73. Më pas Genoa ishte shumë pranë golit, por ishin reflekset e Strakoshës ato që shpëtuan Lazion që më pas arriti të gjente golin e fitores me Imobilen që kompletoi dygolëshin e tij personal pas një gabimi të bujshëm të ishit Gentileti pas të cilit depërtoi në zonë për të mposhtur Perin.