Pas Ajetit e Gjimshitit, dëmtohet dhe Abrashi

Tre të dëmtuar, dy prej të cilëve titullarë. Fundjava që sapo kaloi ka bërë me dhembje koke trajnerin e kombëtares Kristian Panuçi, vetëm dy javë përpara ndeshjeve me Spanjën dhe Italinë, që mbyllin kualifikueset e Botërorit 2018.
Më i fundit në listë është Amir Abrashi. Mesfushori luajti vetëm 28 minuta në ndeshjen ku Freiburgu u mund 4-0 në fushën e Bayer Leverkusen. 27-vjeçari doli duke çaluar nga fusha me ndihmën e mjekëve të ekipit, ndërsa diagnoza flet për një tërheqje muskulore.
Për momentin është ende shpejt të flitet për gradën e dëmtimit. Koha e rikuperimit të Abrashit do të kuptohet vetëm pas kryerjes së vizitave të specializuara nga klubi i Bundesligës gjermane.
Vetëm pak orë më parë Panuçi u shqetësua për një tjetër titullar, Arlind Ajeti. Në minutën e 63-të të ndeshjes ku Krotone humbi përballë Interit, mbrojtësi u largua nga fusha i dëmtuar. Deri në ato momente kuqeziu ishte pika më e fortë e murit të Krotones, duke neutralizuar kapitenin zikaltër, Mauro Ikardi.
I dëmtuar në qendër të mbrojtjes është edhe Berat Gjimshiti, i cili po kryen terapi për një dëmtim, i cili e la jashtë ndeshjes së Beneventos me Napolin.
Shqetësimi për kombëtaren është se për të tre lojtarët nuk dihet ende periudha e saktë e rikuperimit dhe koha shtrëngon. Shqipëria do të luajë më 6 tetor në transfertë me Spanjën, ndërsa më 9 tetor kuqezinjtë do të mbyllin Grupin G kualifikues në “Loro Boriçi” përballë Italisë.

Exit mobile version