Një tjetër libër për Vilsonin dhe Gencin…

Nga Rexhep POLISI

Botimi i një libri përbën një gëzim të veçantë për çdo lexues, mirëpo kur bëhet fjalë për botimin e një libri për dy poetët martirë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, ky gëzim është i shumëfishtë.

Këtë ndjesi përjotova kur mora në duar librin ”Poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në shtypin shqiptar”, përgatitur për botim nga vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi.

Libri ka në përbërjen e tij dy ese të shkrimtarit Ismail Kadare si dhe shkrime dhe poezi kushtuar dy poetëve martirë që janë botuar në shtypin shqiptar nga autorë të ndryshëm.

Kadare shkruan ndër të tjera se, pushkatimi i Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, ka shënuar një rekord të ri në hierarqinë e zezë të së keqes në këtë planet. Këtë rekord të turpit e ka arritur, për fat të keq, Shqipëria komuniste.

Në letërpërgjigjen dërguar vëllait të Vilsonit, Bedri Blloshmi, Kadare shkruan se, “bashkë me dramën që ka goditur familjen e fisin tuaj, dramë që pati si akt të fundit pushkatimin e dy poetëve martirë, vëllait tuaj Vilson Blloshmi dhe kushëririt tuaj Genc Leka, letra e juaj ngre disa nga çështjet themelore të moralitetit jo vetëm të kulturës e letërsisë shqiptare, po të krejt epokës.

Vite më parë, nëpërmjet historianit Uran Butka, jam njohur me dosjen e dhimbshme të dy poetëve martirë, Blloshmi dhe Leka. Që nga ajo kohë, siç mund të jeni në dijeni, shumë herë, e në mënyrë të përsëritur, në libra, shkrime e intervista, përpara publikut shqiptar e ndërkombëtar, kam folur për këtë tragjedi. E bashkë me të kam ngritur çështjen e arkivave sekrete, duke kërkuar hapjen e tyre pa asnjë kusht”.

Mirëpo deri më sot asnjë nga xhelatët dhe persekutorët e dy poetëve martirë nuk ka shkuar para drejtësisë. Jo vetëm kaq, por shkrimtarja Diana Çuli që bëri ekspertizën e poezive që i dërgoi ish-Sigurimi i Shtetit dhe që çuan në pushaktim poetin Genc Leka është propozuar për të qënë anëtare e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit Publik shqiptar.

Sot xhelatët dhe persekutorët e regjimit komunist apo oficerët e ish-Sigurimit të Shtetit emërohen në poste të rëndësishme në zyrat shterërore, ndonëse duhet të ishin para drejtësisë për krimet makabre që kanë kryer.

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Për këtë arsye ata u burgosën, torturuan dhe u pushkatuan nga regjimi komunist.

Fisi Blloshmi dhe Leka në Bërzeshtë të Librazhdit ishin fis patriotësh për më shumë se 100 vjet. Ata kontribuuan për arsimin, si patriotë dhe atdhetarë, që nga patrioti Hajdar Blloshmi dhe deri te poetët e pushkatuar Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Sot në fshatin e largët mbetet vetëm kulla e Blloshmëve. Në fshatin, ku lindën patriotë dhe atje ku ngrit shkolla e parë shqipe, para asaj të Korçës, nuk ka asnjë muze që t’ia transmetojë historinë brezave.

Genc Leka lindi më 1941, ishte 36 vjeç kur u ekzekutua vitin 1977. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.

Vilson Blloshmi lindi më 1948, ishte 29 vjeç kur u ekzekutua në vitin 1977. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.

Çështja e trajtimit të dy poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. U implikuan 39 persona. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, përfshi trajtimin e ekspertizave letrare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.

Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi, i dënuari i tretë i këtij procesi, vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vendpushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar.

Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim.

U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr urdhërekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977. Nga kërkimet e bëra, nuk është arritur të gjendet procesverbali i fjalës së fundit të poetëve.

Bedri Blloshmi ka një meritë të veçantë sepse me përkushtimin e tij ka arritur që të mbledhë dhe të publikojë krijimet e dy poetëve të pushkatuar si dhe të gjithë krijimtarinë dhe veprimtarinë e tyre të çmuar.

Libri ”Poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në shtypin shqiptar” pasqyron një pjesë të shkrimeve dhe krijimeve të publikuara kushtuar dy poetëve martirë, por besoj se ka ende shumë për të shkruajtur për ta…

VILSON BLLOSHMIT

Rexhep Polisi

Unë s’kam qenë në Sahara,
As në ëndrra s’e kam parë.
Saharaja njerëz ha,
Saharaja, tokë e tharë…

Unë s’kam qenë në Sahara,
As Vilsoni nuk pat shkuar,
Veç, kur shkroi vargjet për të,
Fundin kurrë s’e kish menduar.

Çdo vargu plumba i lëshuan,
Poetit që ndanë nga kjo jetë.
Mu në zemër e qëlluan,
Saharaja, ç’ferr i nxehtë!

Do të shkoj në Sahara,
Shpejt a vonë, do të shkoj.
Në më djegtë zjarri i saj,
Atë zjarr do përvëloj…

VilsonBlloshmi GencLeka1a

Exit mobile version