Një tjetër “Paulo Dibala” te Juventusi

Duke marrë shkas nga zërat e përcjellë nga shtypi spanjoll, Juventusi duket se ka mbyllur një marrëveshje tjetër në Argjentinë. Bardhezinjtë mendohet të kenë kërkuar në akademinë e Boka Zhuniors për të siguruar një tjetër talent pas Rodrigo Bentakur, i ardhur në shkëmbim të Karlos Tevez gjatë merkatos së kaluar.
Fakundo Kolidio, i lindur në vitin 2000, i njohur edhe në vendlindje me nofkën “La Joja” (ka të njëjtin pseudonim si të Paulo Dibalës).
I thirrur më parë nga kombëtaret U-15 dhe U-17, duke shënuar edhe një dygolësh ndaj Perusë, Kolidios do t’i kishte skaduar kontrata në vitin 2019 dhe zërat e sjellë gjithmonë nga mediat argjentinase kanë marrë konfirmimin nga shtypi anglez, që ka konfirmuar se Juvja e ka mbyllur marrëveshjen.
9 milionë euro që do të paguhen me dy këste: gjysma e parë menjëherë me marrjen e lojtarit, e dyta në momentin që ai do të bëjë debutimin në Serinë A.
Shifra këto rekord për një 17-vjeçar që ende nuk ka luajtur me skuadrën e parë të Boka Zhuniors. Në këtë mënyrë, bardhezinjtë po mendojnë edhe për skuadrën e së ardhmes, pasi pak kohë më parë nënshkruan me talentin Patrik Shik dhe drejtuesit po punojnë gjatë këtyre ditëve për të rinovuar edhe kontratën e Moise Kin.

Artikulli paraprakEuropa në merkato
Artikulli tjetërInteri, 60 milionë euro për dy 16-vjeçarë