Zbardhen detaje të reja për dëshminë e biznesmenit Ylvi Beqja ndaj Emiliano Shullazit dhe bandës së tij. Prokuroria, në fashikujt e saj të hetimit ndaj grupit të Emiliano Shullazit, ka administruar si provë edhe dëshminë e noteres para së cilës është firmosur kontrata e dhurimit të 30% të hotel “Vollgës”, nga biznesmeni Ylvi Beqja. Noterja ka treguar me detaje momentin, kur Emiliano Shullazi, sëbashku me 15 djem të tjerë, rreth orës 09:00 të darkës kishte shkuar të merrte çertifikatën e pronësisë, e cila kishte dalë nga Hipoteka. Ajo ka treguar edhe kur janë nënshkruar kontratat mes Shullazit dhe Ylvi Beqajt.
Disa makina kishin shkuar atë ditë përpara zyrës së saj dhe në to ishin rreth 15 persona. Sipas saj, në kohën kur janë nënshkruar kontratat, qepeni i zyrës së saj është ulur deri në momentin kur është përfunduar puna dhe prona kaloi në emër të Shullazit. Noterja ka sqaruar se për çdo veprim të sajin ka njoftuar Ylvi Beqajn, por biznesmeni mësohet t’i ketë thënë se nuk ka çfarë të bëjë.
Ndërsa në dëshminë e tij, vetë biznesmeni ka pranuar se është kërcënuar me një armë në bark nga Shullazi në kohën kur ishte në zyrën e noteres. Pas këtij momenti, ai u detyrua t’i jepte Shullazit 30% të ish-hotelit dhe 550 mijë euro, të cilat i kishte fituar nga shitja e një të tretës së hotelit, familjes Kodra.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Beqja me cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë Arabe Saudi Brothers ka treguar se, pas arrestimit të Shullazit është ndjerë i lehtësuar, por kjo i ka zgjatur vetëm pak ditë, pasi ka konstatuar se ishte në vëzhgim thuajse 24 orë nga njerëzit e Shullazit. Në deklarime, ai ka thënë se çdo ditë konstatonte poshtë pallatit makina të ndryshme me personat që i kishte parë kur takohej me Shullazin, të cilët e vëzhgonin dhe ndiqnin nga lëvizte. Në mesin e këtyre personave që e vëzhgonin, Beqja ka thënë se ishte edhe nipi i Shullazit, i arrestuari i pak ditëve më parë, Endrit Zela dhe shoku i tij, Endrit Qyqja. Ai ka rrëfyer edhe një episod të bisedës mes tyre poshtë pallatit, ku Beqja banonte me familjen.
“Më mori në telefon Endrit Qyqja dhe kërkoi ta takoja. Unë i thashë jam në shtëpi dhe më thanë të zbrisja te rrugica ngjitur e pallatit. Kur dola aty, erdhën me një “Benz” të ri dhe më zunë rrugën. Brenda ishin Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Dolën nga makina dhe më thanë që mos të flas poshtë e lartë. I kërkova t’i thonë Emiljano Shullazit, që të më japë 700 mijë euro që të heq dorë nga prona, ish-hotel “Vollga”, se më ka bllokuar Prokuroria. Ata më thanë, “jo ore, atë pronë do ta gëzojë vetëm Mili, ta ka thënë edhe vetë. Nëse ke ndonjë problem tjetër, më tha, e zgjidhim se ne hedhim në tokë edhe më të mirin”.
Ky takim, sipas Beqjas, e ka bindur që të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar me detaje kalvarin e proceseve gjyqësore, njohjen me Shullazin, gjobat që i ka paguar atij apo edhe kalimin e pronës nën kërcënimin e armës.
R.POLISI