Izraeli nuk është Spanja, një kundërshtar gjithsesi i vështirë, por ndaj të cilit duhet fituar për të arritur objektivin minimal që është vendi i 3 në Grupin G. Në përballjen e 12 nëntorit kuqezinjtë vijnë në një formë të shkëlqyer me futbollistët tanë që janë ndër më të mirët tek skuadrat me të cilat aktivizohen. Në konferencën për shtyp, trajneri Giani de Biasi tregon recetën se si duhet përgatitur ky 90 minutësh përpara publikut që pret fitoren.
“Izraeli është një skuadër e fortë dhe me kualitet. Kush nuk e njeh futbollin dhe mendon se do të fitojmë me lehtësi gabon. Ata kanë një ekip të mirë, lojtarë që luajnë tek Hapoel Bir Sheva që fitoi ndaj Interit në Milano. Ne do të tentojmë fitoren. Sigurisht që respekti ndaj kundërshtarit është një element kyç për të përgatitur sfidën. Nëse shkon me sigurinë se do ta mposhtësh atëherë e gjen veten të mundur, njësoj si Davidi ndaj Goliasit”, u shpreh De Biasi.
Sigurisht më pas vëmendja është vendosur tek lista, lojtarët e grumbulluar, por edhe të rinjtë premtues që mund të jenë pjesë e skuadrës në të ardhmen. “Që kur kam ardhur këtu objektivi ynë ishte të sillnim futbollistë të rinj nga jashtë. Arritja në Europian tregon se kemi bërë një punë të mirë në të gjitha aspektet. Pastaj gjithçka është çështje zgjedhjeje, ngjyra e kuqe apo blu. Për mua është e rëndësishme grupi dhe jo individët. Ajo që më shqetëson nuk është fryma në skuadër, por ambienti, që mendon se jemi më të mirët. Duhet të jemi bashkë edhe në vështirësi dhe të mos lejojmë që euforia të na dëmtojë”, vijoi trajneri.
De Biasi nuk e sheh të pamundur kualifikimin, por këshillon që futbollistët të jenë të bashkuar si një grup i vetëm që ka një qëllim, aq më shumë në momente vështirësie. “Ëndrrat e bëjnë jetën e një njeriu më të bukur, nëse nuk do të ishin ato jeta e njeriut do të bëhej e zymtë, por nëse futbollistët do të japin maksimumin edhe në momentet e vështira, nëse do të bashkohemi si një grup dhe një forcë e vetme, diçka do të arrijmë”, tha ai në konferencën e djeshme për shtyp, ku shpalli edhe listën e futbollistëve të grumbulluar për sfidën e së shtunës.
E si për të na mbushur mendjen që edhe ai beson tek kjo ëndërr, trajneri i kuqezinjve shtoi se realizimi i saj është arsyeja pse ka vendosur të qëndrojë në krye të skuadrës. “Lojtarët janë mësuar me shijen e fitores dhe humbjeve, më shumë më shqetëson ambienti përreth, se mendojmë që jemi më të mirët në botë pas Europianit. E rëndësishme është që të bashkohemi të gjithë në momente të vështira. Bëmë një mrekulli, arritëm të dalim të dytët nga grupi për eliminatoret e Europianit, shpresojmë në një tjetër mrekulli, ndryshe nuk do të rrija në drejtimin e skuadrës”, përfundoi trajneri i kombëtares tonë.