Papa Françesku: Nderuam viktimat e regjimit të egër në Shqipëri

Emrat e martirëve shqiptarë, që u lumnuan të shtunën në Katedralen e Shën Shtjefnit, u shqiptuan përsëri të dielën, para turmës shumëkombëshe, mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, për t’u lutur me Papën, i cili sapo kishte përfunduar Meshën e Jubileut të të burgosurve, duke kërkuar për ta një akt zemërbutësie.
“Dje, në Shkodër, në Shqipëri, u shpallën të lum tridhjetë e tetë martirë: dy ipeshkvij, shumë priftërinj e rregulltarë, një seminarist e disa laikë, viktima të persekutimit të egër të regjimit ateist, që sundoi gjatë në këtë vend në shekullin e kaluar. Ata parapëlqyen burgun, torturat e, së fundi edhe vdekjen, për t’i qëndruar besnikë Krishtit e kishës. Shembulli i tyre na ndihmoftë ta gjejmë, në Zotin, forcën që të mbështet në çaste të vështira e që të frymëzon sjellje mirësie, faljeje, paqeje”, tha Papa Françesku.
Vatikani i ka kushtuar një rëndësi mjaft të madhe ceremonisë së lumturimit të 38 martirëve të kishës në Shqipëri. Papa Françesku u prit në vizitën e tij në Tiranë me fotot e këtyre martirëve. Ato paralajmëruan ceremoninë e së shtunës të lumturimit. Ndërsa në Vatikan i është kushtuar një rëndësi mjaft e madhe kësaj ceremonie në Tiranë ndodhi e kundërta. Kreu i qeverisë e bojkotoi ceremoninë e lumturimit të 38 martirëve, një gjest tipik i një pinjolli të atij regjimi që i persekutoi klerikët, që i vari, pushkatoi, burgosi dhe internoi ata. Si të mos mjaftohej me bojkotimin e ceremonisë, Rama urdhëroi edhe censurimin e saj nga televizionet e tjera, duke i ndërprerë sinjalin e televizonit publik.

Exit mobile version