Pavarësisht interesimit të shumë klubeve europiane, në fund të merkatos Armando Sadiku vendosi të qëndronte te Zyrihu, që këtë sezon luan në Challenge League, kategorinë e dytë zvicerane. Që pas rikthimit te skuadra që zotëron kartonin e tij, Armando Sadiku, e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë aventurë të dytë me Zyrihun, duke realizuar 4 gola në 7 ndeshjet e para të kampionatit. Gjatë verës u fol shumë se presidenti i klubit zviceran, Ancillo Canepa, për ta lënë të lirë bomberin e kombëtares shqiptare, kërkonte plot 9 milionë euro, por ky i fundit në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka zbuluar çdo të vërtetë në lidhje me Sadikun, duke mohuar aludimet e mediave.
“Ne nuk dëshironim që Sadiku të largohej. Ka patur interesim nga klube të tjera për të, por jo oferta konkrete. Zyrihu ka kërkuar 9 milionë euro për kartonin e Sadikut? Mesa di unë një shifër e tillë nga ana e klubit tonë nuk është pëmendur asnjëherë, deklaroi numri 1 i Zyrihut. Më tej Canepa vlerësoi Sadikun, duke e cilësuar 25-vjeçarin shqiptar një profesionist të vërtetë. “Duhet të shikonit sesi e festoi golin e fundit që realizoi me Zyrihun. Ai është një profesionist i shkëlqyer dhe stërvitet gjithmonë mirë, duke shënuar rregullisht, dëshira e tij për të luajtur jashtë Zvicrës është e kuptueshme, shtoi më tej presidenti i Zyrihut. Gallatasaray, Rizespori dhe Sampdoria ishin disa nga klubet që u interesuan për Armando Sadikun, i cili përveç se në kategorinë e dytë zvicerane këtë sezon do të jetë i impenjuar edhe në fazën e grupeve te Europa League me Zyrihun.
Ndërkohë, formacioni më i mirë i javës së 7 të Super Ligës së Zvicrës, i publikuar nga “Blick”, nuk mund të mos kishte pjesë të tij dy futbollistë me origjinë shqiptare, që shkëlqyen këtë fundjavë në fushën e lojës. Megjithatë, këta nuk janë nga futbollistët me origjinë shqiptare që veshin fanellën e kombëtares kuqezi.
Bëhet fjalë për mesfushorin e Lozanës, Benjamin Kololli, i cili ishte një nga të grumbulluarit në listën e parë historike të Kosovës për debutimin ndaj Finlandës, dhe për sulmuesin e Luganos, Ezgjan Alioski, i cili shënoi golin e vetëm të Maqedonisë në “Loro Boriçi” përballë kombëtares shqiptare. Kololli shënoi 2 gola në ekstremet e ndeshjes që Lozana fitoi 5-0 ndaj Vaduzit në shtëpi. Ai gjeti rrjetën e parë dhe të fundit të takimit, në minutën e parë dhe në minutën e dytë të shtesës.
Ndërkohë Alioski shënoi golin e parë të Luganos në fitoren 0-2 në transfertën e St. Gallen. Ai gjeti rrjetën në minutën e 6 të takimit. Ndërkohë, futbollistët shqiptarë të kombëtares kuqezi që luajnë në Zvicër, Xhaka i Bazelit dhe Hyka i Lucernës, nuk u paraqitën në nivelet për të arritur një vend në formacionin e javës.