Nuk është faji i Europës, por korrupsioni i Ramës!

Nga Bujar NISHANI

Takimi i rradhës së Këshillit të Stabilizim Asociimit midis BE dhe Shqipërisë në Bruksel është gjithmonë një moment i rëndësishëm lidhur me prespektivën evropiane të Shqipërisë.

Ndërsa mesazhet e djeshme të Përfaqësuesit të Lartë, Borrell dhe Komisionerit për Zgjerim, Várhelyi, ishin të qarta, “pika mbi (i)” dhe të adresuara, qëndrimet e Edi Ramës ishin turpëruese, për të gjithë ne.

Përtej ndërhyrjeve krejt pavend dhe të pasjellshme, në përgjigjet e pyetjeve që i takonin autoriteteve të Brukselit, krejtësisht i papranueshëm ishte qëndrimi i përsëritur i KM të Shqipërisë gjatë deklaratave për shtyp, fokusuar tërësisht tek sulmi, stigmatizimi dhe insinuatat e paqytetëruara, ndaj Bashkimit Evropian në lidhje me shpërndarjen e vaksinave.

Takimi kishte fokus; udhërrëfyesin, arritjet, mangësitë dhe detyrat në proçesin e Integrimit Evropian për Shqipërinë dhe jo se sa vaksina duhet të na kishte dërguar Brukseli neve.

Nuk ka asnjë dyshim që proçesi i vaksinimit dhe veçanërisht shpërndarja e vaksinave është një proçes shqetësimi global, gati kaotik herë pas here.

Kjo ka arsyet e saja!

Por përdorimi i këtij momenti të vështirë për të gjithë nga ana e KM të Shqipërisë për të injektuar perceptim negativ dhe ndjeshmëri jo miqësore tek publiku shqiptar ndaj familjes evropiane, është i papranueshëm, i dëmshëm, fyes dhe kundër interesave tona kombëtare.

Dje ishte rasti që KM i Shqipërisë të përmendte qindra projekte dhe mbi 1 miliard euro financime nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë në 30 vitet e fundit, që nga ndërtimi i institucioneve, tek ekonomia, bujqësia, infrastruktura etj.

Përkundër kësaj, ai tentoi të injektoi përsëri tek publiku shqiptar të ashtuquajturën “mospërfillje”, “injorim” e “braktisje” evropiane ndaj shqiptarëve dhe Ballkanit në tërësi.

Platforma spekultative për ta projektuar dështimin tek partnerët evropian është djallëzore për momentin por e rrezikshme për interesin kombëtar në kontekstin strategjik të shqiptarëve.

Nuk është faji i evropianëve për varfërinë e madhe që ka kapluar shqiptarët, për asgjesimin e institucioneve të pavarura, demokratike e ligjore, për korrupsionin skandaloz në çdo qelizë të shtetit, për inkriminimin e politikës dhe pushtetit, për spitalet skandaloze, shkollat e kopshtet për faqe të zezë, rrugët që shemben veç 6 muaj pasi kanë gllabëruar miljona euro, etj.!

Nuk është faji i Evropës për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi e veçanërisht të rinisë dhe trurit.

Për të kuptuar dështimin dhe përgjegjësinë e kësaj qeverie në jetën e shqiptarëve le të shohim realitetin në një prej çështjeve më fondamentale në vend, që lidhet me punësimin, ekonominë, zhvillimin dhe prespektivën e shoqërisë tonë.

Në një prej studimeve më serioze evropiane, tregohet se Shqipëria është vendi më i fundit në rajon përsa i përket pregatitjes digitale për punësimin, ekonominë dhe kompetencat profesionale të shoqërisë në tërësi.

Shiheni studimin e mëposhtëm  dhe do të kuptojmë mirë se fasada dhe propaganda e gënjeshtërt, na ka mbyllur jo vetëm realitetin e hidhur që kemi në të vërtetë por tregon se ku e ka katandisur qeverisja e rilindsave këtë vend.

Ky studim i mëposhtëm, është një prej qindra rasteve dhe provave që tregojnë se fajin nuk e ka Evropa dhe partnerët tanë strategjik por paaftësia, korrupsioni, përlyerja, inkriminimi, pengmarrja, e një qeverisje katastrofale në Shqipëri që duhet larguar sa më parë!

1 3

Exit mobile version