Nuk ka favoritë!

Cesc Fabregas parashikon një ndeshje shumë të vështirë me Italinë në 1/8 e Europianit. Sipas mesfshuroit të Chelseat, La Roja duhet të tregohet shumë e vëmendshme nëse nuk dëshiron të bëjë hapa fals. “Të ndeshesh me Italinë është gjithmonë e vështirë, sepse ata janë një skuadër me shumë përvojë. Është një takim ku nuk mund të flitet për favoritë, pasi të dyja skuadrat do të futen në fushë si të barabarta”, u shpreh Fabregas.
Më tej, mesfushori i Chelsea foli dhe për trajnerin e tij të ardhshëm tek Blutë e Londrës, Antonio Conte, aktualisht në krye të të kaltërve. 29-vjeçari rezervoi fjalët më të mira për trajnerin italian, me të cilin zbuloi se ka patur një bisedë private. “Është një trajner, i cili ka mentalitet fituesi dhe personalisht jam shumë i lumtur që sezonin e ardhshëm në Premier League do të kem mundësi të punoj më të. Kam pasur një bisedë private më të dhe më ka shprehur se çfarë dëshiron ai të bëjë tek Chelsea dhe jam i sigurt se nën drejtimin e tij skuadra do të arrijë rezultatet e duhura”, përfundoi Fabregas.
Vetëm pak orë nga supersfida përballë Spanjën, në 1/8 e Kampionatit Europian, Italia merr një lajm të keq. Antonio Candreva nuk është rikuperuar në kohë nga dëmtimi dhe do të mungojë në duelin, që do të luhet të hënën e ardhshme në Paris. Lajmi u konfirmua nga Federata Italiane e Futbollit. Në duelin me eliminim direkt, Antonio Conte detyrohet të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të përfaqësues. Edhe pse mesfushori i Lazios është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të grupit, gjendja e tij nuk është më e mira.
Shqetësimi në muskujt e kofshës nuk e lejon Candreva-n që të japë maksimumin në fushë dhe kjo e bën thuajse të pamundur aktivizimin e tij ndaj “Furisë së Kuqe”. Mungesa e Antonio Candreva-s është shqetësuese për Italinë, sepse në atë që është cilësuar skuadra me nivelin teknik më të dobët të viteve të fundit tek të kaltërit, lojtari ofronte zgjidhje alternative për lojën sulmuese, me inkursione ose harkime për sulmuesit.
Për ta zëvendësuar, stafi teknik i Italisë po shqyrton disa hipoteza. Sipas gjasave, titullar mund të luajë Florenzi: nëse romanisti do të aktivizohet në krahun e djathtë, balancat taktike në fushë do të garantoheshin nga Darmian ose De Sciglio nga e majta. Candreva vazhdon të punojë me shokët e ekipit, por dëmtimi e shqetëson. Supersfida Itali-Spanjë do të ketë një protagonist më pak.

Exit mobile version