Nxënësit e gjimnazeve nën presion për notën, dalin në takimet e Ramës

Presionin për pjesëmarrje në atë takim e ka denoncuar disa ditë më parë dhe  deputetja e opozitës Jorida Tabaku, pas disa sms-ve të shkëmbyera me një gjimnazist të Tiranës, në ditën kur Rama bëri takim me ata në Tiranë. Maturanti tregon se drejtoresha e shkollës u ka bërë të ditur se, ata që do të shkojnë në mitingun e Edi Ramës, do ta bëjnë pushim ditën pasardhëse, por ata që nuk shkojnë do të jenë të detyruar të qëndrojnë në mësim. Pra, ditën e sotme të gjithë nxënësit që kanë paraqitur forcën para Edi Ramës do të jenë pushim shkolle, ndërsa ata që kanë refuzuar do të vazhdojnë mësimin. Pjesë e presionit ka qenë dhe administrata e shkollave. Ja se çfarë shkruan Jorida Tabaku në statusin e saj në Facebook: “Ndërkohë që paska filluar fushata elektorale, ku një ish-ministër ofendon këdo që nuk është me PS si injorant, e një ministre kërkon ndryshimin (ia kërkon Ramës këtë), nxënësit e shkollave të mesme janë detyruar të shkojnë në takim dhe kush shkon në takim ka pushim nesër. Një denoncim që më erdhi nga një gjimnazist i Tiranës! Çdo gjë në funksion të pushtetit dhe shkollat, nxënësit e mësuesit! Fatkeqësi me regji qendrore”. Këto janë shkollat për të cilat ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, krenohet dhe thotë se, “ka ikur koha kur përdoreshin nga partitë”? Një gjë është e sigurt, tani gjimnazet janë kthyer në reparte partie dhe kjo bëhet hapur dhe në mes të ditës. Ky është njeriu që garanton përditë se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Duket se me Tiranën, Rama përsëriti dhe një herë atë çka bërë me Fierin. Drejtorët e shkollave urdhëruan të ndërpresin mësimin ose ta bëjnë me orë të shkurtuara me qëllim që pjesëmarrja të ishte sa më e madhe. Nxënës shkollash nuk u vunë re vetëm në takimin e Apolonisë, por dhe në takimet e stisura dhe me skenar të parapërgatitur që Rama ka zhvilluar me shpërndarjen e tapive. Burime nga Qarku Fier shprehen se dhe në këtë proces, ai është treguar selektiv, duke u përpjekur të nxjerrë para kamerave vetëm personat që njihen si militantë të PS-së, të cilët kanë përfituar me listë nga ky proces.

Exit mobile version