Oligarku i Ramës tek Teatri! Lidhja e firmës daneze BIG me Kryeministrin

Fusha shpk do të jetë ndërtuesi i godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe përfituesi i tokës publike për të ndërtuar godina të larta tregtare në zonën midis teatrit dhe ndërtesës Eurocol dhe Infosoft.
Është pikërisht Fusha shpk klienti formal që ka porositur projektin e godinës tek firma Bjarke Ingels Group (BIG) si dhe të projektimit të godinave të larta tregtare që do të ndërtohen ngjitur me godinën e teatrit.
Ky fakt është zbuluar nga vetë arkitekti danez Bjarke Ingels në një intervistë për revistën spanjolle Metalocus.
Në këtë intervistë si dhe në faqen në Facebook të BIG, Ingels përveç se zbulon se kush është porositësi i projektit, ka zbuluar edhe te dhënë të re- sipas tij – detyra e projektimit është fituar me anë të një konkursi ndërkombëtar.
Ky pohim i arkitektit danez është i pavërtet – as qeveria dhe as bashkia nuk kanë zhvilluar asnjëherë ndonjë konkurs ndërkombëtar apo kombëtar për këtë ndërtim. Zgjedhja e BIG është zgjedhje direkte pa procedurë prokurorimi, me shumë gjasa, e Kryeministrit Rama.
Shembull i këtij pohimi është fakti se qeveria nuk ka bërë asnjëherë publike specifikimet e detyrës së projektimit. Madje, akoma me keq, kryebashkiaku Erion Veliaj, në një dalje të tij të para disa javëve në Opinion, të TV Klan u përpoq ta shiste projektin si ofertë të pakërkuar nga “një kompani private”.

Një formulë gati identike në çdo element është ndjekur edhe me projektin e stadiumit të ri futbollit Arena Kombëtare që po ndërtohet mbi tokën që dikur zinte Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa. Kompania Albstar shpk u caktua të financojë dhe ndërtoje stadiumin duke e shpërblyer me tjetërsimin e tokës dhe mjediseve publike në favor të saj. Si në rastin e teatrit, ishte Kryeministri Rama që caktoi arkitektin që duhet të “zgjidhte” ndërtuesi, firmën Archea Associati të Marco Casamontit, një klient i hershëm i Kryeministrit në kohën kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës.
Informacioni i zbuluar nga Bjarke Ingels për revistën spanjolle nxjerr në dritë një të vërtetë edhe më problematike: Edi Rama është shteti dhe ligji. I gjithë projekti i ndërtimit të godinës së teatrit dhe ndërtesave tregtare rreth tij është konceptuar, përgatitur, vendosur në mënyrë arbitrare, jashtëligjore dhe jashtë institucionale nga Edi Rama.
Në shkelje të ligjit dhe standardeve të qeverisjes, Kryeministri Rama ka rënë dakord me kompaninë Fusha shpk për të gjithë formulën dhe mënyrën se si do të ngrihen ndërtesat, si do të ndahet toka dhe objektet e ndërtuara, për çfarë do të shërbejnë, çfarë projekti arkitekutoror do të ketë dhe si mund të ndahen fitimet.

Në të gjithë këtë sipërmarrje ka patur vetëm një autoritet: Edi Rama, i cili ka bërë rolin e Kryeministrit, Ministrit të Kulturës, Ministrit të Financave, Kryebashkiakut të Tiranës, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), Kuvendit të Shqipërisë, arkitektit, projektuesit, juristit, dhe çdo institucioni e zyrtari tjetër shtetërore në fushën e zhvillimit urban.
Tani, të gjitha këto institucione shtetërore, qëndrore dhe lokale, janë përfshirë në një fushatë të gjërë fallsifikimesh dhe manipulimi publik për të sajuar procedura dhe procese në dukje formale për të ligjëruar vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryeministrit Rama. Ky proces fallsifikimi dhe manipulimi do të arrijë deri në atë pikë, sikurse e paralajmëroi vetë Kryeministri pak javë më parë, Kuvendi i Shqipërisë do të hartojë një ligj të veçantë për t’i dhënë forcën ligjore zgjedhjes klienteliste dhe personale të Kryeministrit Rama.
Ky është fundi i shtetit ligjor dhe çdo koncepti të qeverisjes. Funksioni i ligjit në çdo demokraci është të kufizojë sjelljen e qeverisë dhe të çdo lloj pushteti, por nën qeverisjen e Edi Ramës ligji dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe ligjvënëse, janë kthyer thjesht në instrumenta për të zbatuar vullnetin personal dhe vendim-marrjen private të Kryeministrit.

Zbulimi nga BIG nxjerr në pah edhe një fakt tjetër: hipokrizinë dhe sjellen mashtruse të figurave më të larta qeverisës. Me rradhë, Edi Rama, Erion Veliaj, Mirela Kumbaro dhe dhjetra funksionarë të tjerë të lartë qeveritarë kanë dalë në publik duke mashtruar haptazi qytetarët, duke u pëprjekur të shesin një vendim arbitrar dhe privat të Edi Ramës si një vendim gjoja institucional të analizuar, vlerësuar dhe ndërmarrë në mënyrë legjitime.
Në fakt, edhe aq pak informim sa është bërë deri më sot nga qeveria për këtë projekt u bë nën trysninë e opinionit publik, pas nxjerrjes së këtij skandali në publik nga Exit.al dhe Lapsi.al, pasuar nga media të tjera.
Nën këtë trysni publike, Kryeministri Rama dhe arkitektit Ingels u detyruan ta paraqesin projektin në një takim me sindikatën e artistëve.
Lidhja e firmës daneze BIG me Kryeministrin Rama
BIG fitoi një konkurs të vitit 2002 të organizuar nga Bashkia Tiranë për ndërtimin e një muzeu ndërfetar në qendër të Tiranës dhe u pagua prej bashksië me rreth €45 mijë.
Që në atë kohë, Edi Rama krijoi lidhje me Bjarke Ingels dhe tani ka vendosur të kontraktojë atë për projektimin e godinës së teatrit dhe ndërtesave private përqark saj. Firma Fusha shpk është thjesht ndërtuesi që do të zbatojë projektin, por gjasat janë që të gjitha kërkesat dhe specifikimet për detyrën e projektimit janë bërë direkt nga Kryeministri Rama.
“Exit.al”

Exit mobile version