OMONIA denoncon masakrën Rama me ndërtimet në Himarë

Dega e OMONIA-s dhe e PBDNJ-së Himarë denoncojnë në mënyrë të përsëritur padrejtësitë ndaj komunitetit helen në Himarë. Me mospërfillje, pa etikë dhe profesionalizëm është provokuar përsëri ky komunitet. Shqetësimi është paraqitur për të disatën herë në datë 16.06.2016 prej 5 të rinjve, të cilët përfaqësonin studion, e cila ka fituar tenderin e rikualifikimit urban të qendrës së qytetit të Himarës. “Në shtator të vitit 2015, PBDNJ dhe organizata OMONIA i është drejtuar Kryeministrit Edi Rama me një shkresë ku theksonte se studime të tilla nuk kanë asnjë qëllim tjetër, përveç se shkatërrimin e biznesit të komunitetit tonë dhe ndryshimin demografik të tij. Konkretisht investimi në fjalë çrrënjosi përfundimisht dhe pa dëmshpërblim shtatë bizneset e familjeve: Kristo Beno, Mihal Guma, Marika Beno, Edmond Beno, Jorgo Gjoka, Mihal Gjicali, Fotaq Gjicali, kështu këto familje janë shpërngulur nga Himara. Zgjerimi i papranueshëm mbi plazhin, duke zënë një pjesë të madhe të rërës përmes betonizimit nxorën jashtë tregut mbi 40 biznese të përhershme të Spilesë. Ndërkohë, në paraqitjen e lotit të dytë të investimit për rikonfirmimin e qendrës folën se si do të çrrënjosin edhe 12 familje të tjera, të cilat banojnë në godinat e tyre 250-vjeçare. Familjet janë: Andrea Konomi, Jani Konomi, Kasjani Gjini (Konomi), Ila Neranxi, Paksino Neranxi, Periklo Neranxi, Manol Zoto, Andon Milo, Aleksandra Milo, Zaho Kacelano, Sokrat Milo etj.”, thuhet në reagim. Gjithashtu, bëhet e ditur se njëkohësisht me ndërtimet e parashikuara mendohet të zaptohet ambienti sportiv dhe oborri funksional i shkollës 9-vjeçare, ndërtesa e kopshtit, Qendra Shëndetësore, shkolla fillore dhe grupit të pallateve do t’u merren ambientet kreative. “Ne dëshirojmë të theksojmë se pas këtyre studimeve amatoreske fshihet vetëm një qëllim, dëmtimi dhe çrrënjosja e komunitetit helen të Himarës dhe ndryshimi demografik i saj. I bëjmë thirrje Edi Ramës të marrë masa të menjëhershme për frenimin e veprimeve, të cilat penalizojnë nga pikëpamja urbane komunitetin tonë. Të rifillojë nga e para diskutimi për studimin në fjalë, duke marrë masat për hipotekimin e pronarëve të zonës që do të kryhet studimi. Njëkohësisht kërkojmë ndërhyrjen e organizmave ndërkombëtare, të cilat mbështesin Shqipërinë, të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre për sa u lejohet pranë qeverisë shqiptare, në mënyrë që të frenohen veprime, të cilat nuk janë në mbarëvajtje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe në vlerësim të vlerave kulturore dhe të mjedisit”, thuhet në deklaratë.

Exit mobile version