Shkodër, terrorizon kalimtarët me sëpatë në dorë

I armatosur me një sëpatë në dorë një qytetar ka terrorizuar për minuta të tëra banorët e lagjes “Xhabije” në Shkodër. Pamjet e fiksuara nga një kamera dhe të publikuara në rrjetet sociale dëshmojnë qartazi se si personi godet me sëpatë një pemë të re buzë rrugës dhe asnjë nga banorët e lagjes nuk guxon që t’i afrohet për ta frenuar për shkak të frikës dhe kërcënimit të agresorit se do të kishin të njëjtin fat me pemën.
Gjatë gjithë kohës, i riu rreth të 30-tave ka komunikuar me banorët me një ton të ashpër, duke thënë se është viktimë e një padrejtësie të bërë nga shteti, inat që kishte menduar t’ia faturonte pemës. Ajo që i ka habitur edhe më shumë banorët e lagjes “Xhabije” ishin fjalët e agresorit që ankohej se shteti i kishte bërë një padrejtësi, ndaj dhe donte të priste pemën.
Kjo skenë e pazakontë ka vijuar për më shumë se 20 minuta, ndërsa agresori i pemës nuk i është përgjigjur as thirrjeve të policisë që ka mbërritur në vendngjarje pas sinjalizimit të banorëve.
Situata është qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së agjentëve të policisë, që kanë arritur të neutralizojnë personin duke i marrë sëpatën nga dora. Tepër prekëse ka qenë edhe tentativa e qytetarëve shkodranë për të shpëtuar pemën e dëmtuar, duke e fashuar atë me mjete rrethanore.

Exit mobile version