Ortakët e Balilit në Sacra Corona Unita dhe mbrojtja nga qeveria

Dy vëllezërit shqiptarë nga Saranda, Dhimitër e Xhevahir Poti, të arrestuar në muajin maj në Belgjikë ishin drejtuesit e organizatës së trafikut ndërkombëtar të drogës, e cila një ditë më parë u shkatërrua nga operacioni “Ring New” i Policisë Financiare italiane të qytetit të Breshias.
Nga ky operacion u arrestuan 99 persona, e 196 persona të tjerë u vunë nën hetim. Ky informacion u bë publik nga koloneli i policisë së Breshias, Michele Esposito, i cili për mediat italiane ka theksuar rëndësinë e koordinimit gjyqësor të agjensisë europiane Eurojust në realizimin e suksesit të këtij operacioni.
“Me anë të hetimeve, shprehet ai, synuam të identifikojmë nivelin e shitjes me shumicë të drogës, fakt që na çoi në zbulimin e organizatës ndërkombëtare greko-shqiptare në trafikun e drogës. Mundëm të zbulojmë strukturën e kësaj organizate e lidhjet e saj me organizatat kriminale italiane të mafias Ndragheta, Kamorra e Sakra Corona Unita. Trafikantët shqiptarë bashkëpunonin me mafiat më të fuqishme italiane”.
Sipas investiguesve italianë organizata e dy vëllezërve shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, kishte mbështetje logjistike nga mafiet italiane gjatë operacioneve të tregtimit të drogës, duke e shpërndarë në territor sipas influencës së çdo familjeje mafioze.
Marijuana kultivohej në Shqipëri e me rrugë detare mbërrinte në jug të Italisë në rajonin e Pulias dhe në Portin e Krotones në Kalabri, duke u kontrolluar nga grupet kriminale pulieze e kalabreze.
Tregtimi i drogës në rajonin e Kampanjës kryhej nga mafia Kamorra.
Ndërsa kokaina mbërrinte në Spanjë nga Amerika Latine, më pas transportohej në Belgjikë ku organizata e trafikantëve shqiptarë kishin bazën e tyre logjistike.
Me anë të një shoqërie transporti, kokaina transportohej në Itali e trafikohej në qytetet e Milanos e Breshias.
Dy vellezërit shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, kishin në zotërim të tyre shoqërinë e tansportit të hapur në Bullgari  “Friends Trans LTD” me punonjës me kombësi greke, e cila ishte e aftë të shërbente transportin e drogës dhe për llogari të palëve të treta.
Me anë të kësaj shoqërie transporti, droga hynte në Itali me anë të mauneve me fruta, perime e prodhimeve deti.
Më pas, me anë të furgonave shpërndahej në të gjithë territorin italian për llogari të 3 mafieve kryesore italiane.
Emrat e dy vëllezërve shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, janë lakuar disa herë nga mediat shqiptare për lidhjen e tyre me ish-Drejtorin e Transportit Rrugor të Sarandës, Klement Balili.

Kush janë vëllezërit Poti

Vëllezërit shqiptarë Dhimitër Poti dhe Xhevahir Poti janë arrestuar të martën në Belgjikë si pjesë drejtuese e organizatës ndërkombëtare të drogës të “Escobarit të Ballkanit”, goditur së fundi në Greqi.
Dy vëllezërit Poti janë nën hetim dhe nga policia e Prokuroria shqiptare prej 2015 ku në nëntor drejtësia greke kërkoi informacion për firmën CHIM PORD në pronësi të Dhimitër Potit.
4 transferta të dyshimta drejt Greqisë në afro 1 milion euro habitën policinë greke, e cila kërkoi informacion për firmën, administratorin e saj dhe gjendjen gjyqësorë.
Në Belgjikë vëllezërit Poti janë prangosur në kushtet e flagrancës me 100 kg cannabis dhe afro 20 mijë euro bëjnë me dije burime për “Report Tv”.
Por kjo nuk është akuza e vetme ndaj tyre, pasi dyshohet se nën kryesimin e Dhimitër Potit që shihni në këtë foto grupi i tyre kish krijuar kompani fiktive transporti me qendër në Bullgari dhe filial në Greqi e Belgjikë.

Si u zbulua organizata e vëllezërve Poti

Zyrtarët më të lartë të policisë italiane dhe prokurorët kanë folur për një nga operacionet më të mëdha të zhvilluara në Itali. Bëhet fjalë për operacionin “Unaza e Re”, që u zhvillua nga Policia e Brescia e që përfundoi me arrestimin e 99 personave.
Komandanti Giuseppe Arbore tha se edhe karteli i Medellin do e kishte zili, mënyrën e organizimit. Sipas tij, dy vëllezërit shqiptarë Dhimitër dhe Xhevahir Poti ishin kokat e trafikut të drogës në gjithë Evropën.
Sipas mediave italiane gjatë gjithë hetimeve janë bllokuar rreth 5 ton drogë: 117 kilogramë kokainë, 4,629 kilogramë marijuanë, 90 kilogramë hashash dhe 850 gram heroinë.
Kanë qenë agjentët e fshehtë që u futën në organizatën mafioze, si dhe përgjimet, ato që zbuluan gjithë mënyrën se si funksiononte.
Në hetime ka marrë pjesë edhe inteligjenca italiane, si dhe disa polici të vendeve evropiane. Hetimet u shtrinë në Spanjë, Greqi, Holandë, Belgjikë dhe Bullgari.
Vendi kryesor i drogës, sidomos marijuanës ishte Shqipëria. Ngarkesat vinin në Bari nga deti, në bordin e anijeve të mëdha të peshkimit apo gomone, me mbështetjen e grupeve të lidhura me Sacra Corona Unita dhe Ndrageta.
Kokaina dhe hashashi vinte nga Spanja dhe Holanda, brenda kamionëve të ngarkuar me peshk, perime apo fruta, në pronësi të kompanive të transportit të krijuara në mënyrë të veçantë në Greqi, Belgjikë dhe Bullgaria.
Droga mbërrinte në destinacion dhe më pas shpërndahej në pikat e shitjes me pakicë në katër grupe kriminale: në Napoli, në Romë, Fermo dhe Brescia. Megjithatë kryeprokurori Tommaso Buonanno ka paralajmëruar se shumë të tjerë janë ende në arrati dhe se do të ketë arrestime të reja.

Si transportohet droga nga Shqipëria në Itali

Pas dy viteve hetime, Guardia di Finanza italiane ka mbyllur operacionin “Ring New”, që ka çuar në arrestimin e 99 personave (15 të fundit u vunë në pranga gjatë natës në Breshia, Napoli dhe jashtë Italisë) dhe janë sekuestruar rreth 5 ton drogë të llojeve të ndryshme dhe të mira materiale me vlerë që i kalojnë një milion euro (automjete luksoze, anije, kamionë dhe 500.000 euro KESH).
Efektivët kanë goditur 5 organizata kriminale me shtrirje ndërkombëtare që furnizonin me drogë brigjet shqiptare. Siç raportojnë mediat italiane, një peshë kryesore zinte një grup shqiptarësh që kishte kontakte me organizatat mafioze famëkeqe me rrënjë në Itali si, Ndrangheta, Camorra dhe Sacra Corona Unita.
Gjithsej, 196 persona janë në hetim.
Hetimet filluan falë koordinimit gjyqësor të Eurojust, dhe përveç Italisë janë zhvilluar edhe në Belgjikë e Greqi. Në kuadër të këtyre hetimeve, në këto shtete janë kryer arrestime dhe sekuestrime të rëndësishme. Sasitë e kokainës dhe hashashit udhëtonin me kamionë të ndryshëm në pronësi të një shoqërie, që kishte ndërtuar shoqëri transporti enkas për këtë aktivitet në Belgjikë, Greqi dhe Bullgari.
Droga transportohej edhe në kamionë që niseshin nga Spanja dhe Holanda, e fshehur nën sasi të madha peshku, frutash dhe perimesh.
Marijuana, e kultivuar në Shqipëri, arrinte Jugun e Italisë me motoskafë ose peshkarexha të mëdha, për t’u transportuar më pas në zona të tjera të Italisë me anë të rulotëve ose mjeteve të rënda që transportonin perime.

Exit mobile version