Shumica në Parlament pritet që të miratojë sot ligjin për importin e plehrave të rrëzuar tre vjet më parë nga Rama ditën e parë që mblodhi qeverinë e re. Vendimi vjen pas tre vitesh bllokimi të industrisë së riciklimit që i ka kushtuar jo pak dëme kësaj industrie, por në të njëjtën kohë ligji është fytyra e vërtetë e një qeverie imorale përpara qytetarëve, të cilëve u premtoi se do të ndalonte importin e plehrave dhe sot miraton ligjin për lejimin e tyre. Çuditërisht në të njëjtën linjë me këtë qendrin të qeverisë janë sot edhe shumë prej ambjentalistëve që protestonin dje kundër këtij vendimi. Kjo është një dëshmi tjetër e keqpërdorimit politik që i bëhet të ashtuquajturve “ambjentalistë” që janë vetëm marionetat në duart e Ramës. Nëse industria e riciklimit duhet të nisë punë, atëhere ajo duhet të nisë nga riciklimi i këtyre plehrave të shoqërisë.
Vendimi
Më 22 shtator të 2013, Rama mori 3 vendime; zëvendësimi i fotografisë së Bujar Nishanit me atë të Ismail Qemalit, miratimin e Kodit Etik dhe ndalimin e importit të plehrave.
Pika 1 në vendimin për importin e plehrave u formulua e qartë dhe e prerë.
“Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”.
Nuk u la asnjë hapësirë për interpretim, sepse kur ishte në opozitë, Rama u pozicionua qartësisht kundër importit të plehrave. Në opozitë, ai mbrojti fort idenë se importi i plehrave dëmton turizmin dhe ishte i pakontrollueshëm në një vend si Shqipëria.
Madje në fjalimin e tetorit në Parlament në 2013, Rama foli edhe për paratë e pista të mafias që përfitohen nga ky biznes.
“Ka vetëm një arsye që mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria dhe vendeve të tilla që nuk kanë standarde të larta për kontrollin e tyre. Arsyeja është shumë e thjeshtë, paratë e pista që përfitohen nga ky biznes”, u shpreh kryeministri.
Qasja sot është krejt tjetër. Qeveria ka përgatitur projektligjin e ri, që zhbën ligjin e miratuar 3 vjet më parë me pompozitet, nga e njëjta mazhorancë. Madje, gazeta “Shekulli” shkruajti se projektligji u diskutua me dyer të mbyllura në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Në fshehtësi dhe duke mbajtur larg mediat, u tha se ka pasur një konsultë me ambjentalistët.
Në mbledhje, i njëjti deputet që dikur rebelohej dhe përbetohej për dëmet që i vinin Shqipërisë nga importi i plehrave, Besnik Bare, tani propozon se çfarë plehrash duhen importuar nga jashtë.
Sipas tij duhen importuar “mbetjet jo të rrezikshme të ngurta të listës së gjelbër”.
Eduart Shalsi, një deputet tjetër socialist që ka marrë përsipër të mbrojë projektligjin sqaron çfarë lloj mbetjesh janë këto.
“Po cilët janë lëndët e para dytësore? Tani BE-ja është duke diskutuar për plastikën dhe granulën, kanoçet e shtypura, copat e drurit të prera dhe shishet plastike të ndara. Këto janë lënda e parë dytësore”, shpjegoi Eduart Shalsi.
Ata që protestonin dje, sot në kor pro plehrave
Gavrosh Zela: Unë jam pro këtij projektligji, por kam dy sugjerime. Jam në favor të këtij projektligji, sepse ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës, që fatkeqësisht u rrudhën para tre vjetësh, dhe ndikojnë në qarkullimin e kapitalit. Do sugjeroja një ndryshim të Nenit 48 për të bërë dallimin nga ato që importojnë mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Gjithashtu edhe gjobat duhet të jenë në nivelin e 500 apo 1 milion lekëve, me qëllim që edhe ta mbajmë nën kontroll këtë industri, por edhe ta ndëshkojmë kur duhet. Pse jam pro importit. Të gjithë ne e kemi të qartë që ky është rasti që ekonomia lidhet me mjedisin dhe njëkohësisht ky është rasti për të ruajtur dhe pastruar mjedisin. Kjo është e vetmja mënyrë. Po nuk qe njeri i interesuar ta ruajë mjedisin, kjo nuk funksionon. Kjo industri kontribuon në qarkullimin e kapitalit. Rrit eksportin, sepse, duke përzgjedhur dhe përpunuar ato mbetje që nuk janë të rrezikshme mund të prodhosh për eksport. Dhe e fundit, ky ligj kontribuon në ruajtjen e burimeve natyrore. Në Bashkimin Evropian ka shumë politika për ruajtjen natyrore. Në të vërtetë nuk ka mbetje, por ka burime natyrore të shndërruara nga një formë në një tjetër. Në këtë rast nuk quhen mbetje, por të marra nga natyra.
Edlir Vokopola, përfaqësues i Institutit të Kërkimeve Urbane: Edhe më parë, por edhe tani jam pro importit të lëndës së parë dytësore për industrinë e riciklimit. Në të gjitha rastet industria e riciklimit ka qenë dhe mbetet një industri miqësore me mjedisin ose siç quhet ndryshe industria e gjelbër. Dhe kufizimi i kësaj industrie ndikon në përkeqësimin e cilësisë së mjedisit. Doja të përmendja këtu disa nga ndikimet pozitive që sjell kjo industri; përfitimet nga kursimi i energjisë elektrike, shfrytëzimi i burimeve natyrore, zvogëlohet emetimi i gazrave serrë. Në aspektin mjedisor kjo industri duhet mbështetur. Sa i përket aspektit ekonomik, këtu ka ekspertë që mund të flasin më mirë dhe konkretisht se çfarë mund të sjellë kjo industri. Dëgjojmë shpesh pyetje se pse këto impiante janë ndërtuar për të punuar me kapacitet të madh apo të vogël? Përmasat e këtyre impianteve nuk mund të jenë sipas dëshirës së një aktivisti apo gazetari, pasi ndërtimi i tyre bëhet në bazë të nevojave përpunuese. Do të propozoja që ligji të specifikojë që ndalohet importi i mbetjeve për qëllime djegieje. Do sugjeroja që të rishikohej ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, sepse ka shumë mangësi në aspektin e menaxhimit të kësaj industrie.
Xhemal Mato: Nuk kemi qenë me idenë radikale që ndalohet plotësisht ky ligj. Ne edhe atëherë kur ligji u soll për herë të parë, kemi kërkuar që të forcohet kontrolli në dogana. Doganat tona ishin pak të besueshme, sot mbase nuk kanë ndryshuar, por gatishmëria për ta risjellë këtë ligj ndryshe është për t’u vlerësuar, sepse industria e riciklimit është një pasuri e madhe për vendin tonë. Në lidhje me ligjin do thosha që të specifikohet që nuk lejohet importimi i mbetjeve për djegie, sepse tashmë kanë filluar të punojnë inseleratorët në Shqipëri. Dhe nesër do dalin prapë me të njëjtin pretendim se mbetjet e Shqipërisë nuk na mjaftojnë dhe do importojmë nga jashtë që të djegim edhe mbetjet e huaja, sepse kemi një fabrikë shumë të madhe për prodhimin e energjisë. Ndaj them që kjo duhet të mos lejohet. Në lidhje me gjobat duket pak qesharake, se si për mbetjet e rrezikshme dhe mbetjet jo të rrezikshme gjoba është njësoj.