OSBE/ODHIR rrëzojnë në Bruksel zgjedhjet

Për OSBE/ODIHR zgjedhjet nuk e kanë kaluar testin dhe ato janë manipuluar mbi kufirin e pranuar prej 3%, gjë për të cilën misioni ka vënë në dijeni dhe europarlamentarët. ABC NEWS ka arritur të zbardhë debatet mes deputetëve në lidhje me hapjen e negociatave. Për OSBE/ODIHR kjo që ka ndodhur në Shqipëri është e papranueshme dhe për këtë arsye i gjithë procesi duhet rrëzuar, pasi është vënë re deformim të vullnetit të zgjedhësve. Por për Parlamentin Europian procesi duhet parë në kontekstin politik. Nga ana e tij eurodeputeti Kukan është shprehur me rezerva në lidhje me detyrimet e qeverisë shqiptare në lidhje me depolitizimin e administratës. Sipas tij, rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk u zbatuan. Në fakt OSBE në raportin paraprak të saj u shpreh qartë se në të paktën 5% të të gjithë zonave zgjedhore vullneti i zgjedhësve u deformua për shkak të blerjeve të votës. Në fakt, shifra e paraqitur nga OSBE/ODIHR është shumë më e vogël se ajo çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por e mjaftueshme për të rrëzuar zgjedhjet në këtë vend. Për standardet perëndimore, në rast se vihet re një deformim i standardit të zgjedhjeve që kalon masën 3%, atëherë zgjedhjet konsiderohen të manipuluara, dhe të papranueshme. Kaq do të mjaftonte që komuniteti ndërkombëtar të mos i pranonte këto zgjedhje si të lira dhe të ndershme. Manipulimi zgjedhor shihet qartë se ka ndodhur në një masë të konsiderueshme, kur vihet re dhe kurba e ngjitjes së votave nga ana e PS-së, por dhe partive të tjera aleate me të. Me pak fjalë duhet thënë se ky proces mund të quhet i rrëzuar. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR renditi një numër të lartë parregullsish dhe shkeljesh të standardeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të së dielës, me akuza që rëndojnë mbi të gjitha palët politike pjesëmarrëse në zgjedhje, si dhe me kritika për median dhe për transmetimin e materialeve të prodhuara nga partitë politike dhe të servirura si “lajme” të pavarura. Raporti, i publikuar së fundmi në faqen e internetit të OSBE, vëren se në të paktën 5 për qind të vrojtimeve të saj rastisi votim për persona të tjerë dhe moskontroll të rregullt të lyerjes së gishtit apo moslyerje të gishtit, si dhe faktin se rreth 5 për qind e firmave të hedhura në listat me emrat e votuesve dukej se qenë hedhur nga e njëjta dorë. Sekreti i votës u raportua si me probleme në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi, ku mjediset janë të vogla dhe prania e vëzhguesve partiakë, shpesh të paautorizuar qe shumë e lartë dhe shumë pranë kutive të votimit, duke ekspozuar zgjedhjen e votuesve. Prania e lartë e militantëve partiakë pranë qendrave të votimit, si dhe mundësia e ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit nga këto militantë qe një shqetësim tjetër, siç qe edhe keqpërdorimi i burimeve të sektorit publik. Raporti vëren se zbatimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të miratuar së fundmi, duket se kishte për synim interesin partiak më shumë se sa zbatimin e paanshëm të ligjit dhe sundimin e ligjit.

Debati në Parlamentin Europian për zgjedhjet në Shqipëri

Klaus Buchner, eurodeputet: OSBE vëzhgoi se nga pikëpamja teknike rrezikohej kufiri i përcaktuar prej 3% dhe se vëzhguesit kishin konstatuar parregullsi në disa zona votimi dhe për këtë i gjithë procesi mund të binte poshtë. Ndërkohë, ne pamë që zgjedhjet u zhvilluan normalisht.
Christian Dan Preda, eurodeputet: Të gjitha forcat politike u gabuan në parashikime. Rama që dyshonte se nuk do kishte shumicën e duhur për të qeverisur, e arriti këtë shumicë. Basha mendonte se Partia Demokratike ishte krah për krah me atë socialiste, ndërkohë që rezultati tregoi që kishte një diferencë të rëndësishme midis tyre dhe cunami i anonçuar nga Meta nuk ndodhi. Fakti që nuk pati kontestim apo bllokim, tregon që ka një rikthim të normalitetit demokratik në Shqipëri. Tani duhen vijuar reformat, por shpresojmë në hapjen e negociatave të anëtarësimit, pasi tashmë nuk ka kuptim që kjo të shtyhet sërish.
Eduard Kukan, eurodeputet: Duhet theksuar, se rekomandimet e OSBE/ODIHR për procesin zgjedhor e kryesisht për depolitizimin e administratës zgjedhore nuk janë zbatuar. Këto rekomandime duhen zbatuar në kohën e duhur para zgjedhjeve të ardhshme. Tashmë është detyrë e të gjitha partive politike që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në Parlamentin e ri. Qeveria e re duhet të ecë përpara me reformat e integrimit veçanërisht me zbatimin e reformës së gjyqësorit dhe procesit të Vettingut. Gjatë diskutimit, eurodeputetët janë shprehur, se Bashkimi Europian duhet të angazhohet më shumë në procesin e integrimit me vendet e Ballkanit për të zhbërë perceptimin e krijuar në vendet e Ballkanit, që procesi i anëtarësimit është ngrirë dhe perspektiva e anëtarësimit mund të marrë me vite të tëra.

Raporti në PE: Shitblerja e votave minoi zgjedhjet

Misioni i OSBE/ODIHR njohu fenomenin e blerjes së votës si problemin që minoi zgjedhjet e 25 qershorit. Para, kërcënime dhe votime për të tjerë, janë këto shqetësimet që ngre Misioni i OSBE në lidhje me monitorimin e vëzhguesve të tyre në zgjedhjet e 25 qershorit. Raporti i Misionit nxjerr në pah probleme në administrimin e zgjedhjeve, si dhe probleme në zbatimin e ligjit. Disa prej problemeve kryesore sipas misionit janë: “politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet”, “akuzat për blerje votash” dhe “presioni ndaj zgjedhësve”. Raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e së dielës, publikuar së fundmi, flet për presion mbi votuesit e punësuar në shtet dhe privat, votim për persona të tjerë dhe firma të ngjashme në 5% të vrojtimeve. Raporti thekson faktin se, gjatë fushatës pati “akuza të gjithpërhapura dhe të ndërsjella për blerje votash, shqetësime mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presion në vendin e punës mbi votuesit, rrethana që minuan besimin publik te procesi zgjedhor”. Në lidhje me blerjen e votave, raporti vëren se një aktivist i të drejtave të njeriut se, militantët e PDIU në Fier po kontaktonin votuesit mes komunitetit rom derë më derë, duke i ofruar 10 mijë lekë në shkëmbim të kartave të identitetit, karta që do t’i ktheheshin në afërsi të qendrës së votimit atyre votuesve që premtonin të tregonin një foto të votës së vet. “Në katër për qind të qendrave të votimit të vrojtuara kishte tension dhe kryengritje. Grupet e militantëve partiakë në afërsi të qendrave të votimit u vërejtën, të cilët shpesh u shfaqën duke i instruktuar votuesit se për kë duhet të votonin”, thuhet në raport. Vëzhguesit e OSBE vërejtën shumë raste kur militantët partiakë mbanin shënim se kush votoi duke regjistruar numrat e tyre siç qenë shënuar në listën e votuesve. Ky proces u ndihmua nga komisionerët, të cilët lexonin me zë të lartë numrin e identifikimit të votuesit, thuhet në raport. Regjistrimi i votuesve në ditën e votimit nga makineritë partiake të menaxhimit të zgjedhjeve shërben për të mbajtur bilanc se kush ka votuar e kush jo dhe për të kryer telefonata lutjeje, të cilat në shumë raste mund të kthehen në presion mbi votuesit e pavendosur. Raporti përmend gjithashtu akuzat se, “bashkëshortja e një kandidati të LSI në Gjirokastër përdori fondet për subvencionimet e bujqësisë për të tërhequr vota”, si dhe faktin se kryeministri Edi Rama bëri thirrje gjatë fushatës që policët të bënin aktivitet politik për partinë e tij, pavarësisht se kërkoi falje më vonë.

Votuesit u kërcënuan, vota humbi fshehtësinë e saj

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR renditi një numër të lartë parregullsish dhe shkeljesh të standardeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit, me akuza që rëndojnë mbi të gjitha palët politike pjesëmarrëse në zgjedhje, si dhe me kritika për median dhe për transmetimin e materialeve të prodhuara nga partitë politike dhe të servirura si “lajme” të pavarura. Raporti, i publikuar së fundmi në faqen e internetit të OSBE, vëren se në të paktën 5 për qind të vrojtimeve të saj rastisi votim për persona të tjerë dhe moskontroll të rregullt të lyerjes së gishtit apo moslyerje të gishtit, si dhe faktin se rreth 5 për qind e firmave të hedhura në listat me emrat e votuesve dukej se qenë hedhur nga e njëjta dorë.
Raporti vëren gjithashtu se një përfaqësues partiak i kishte thënë vëzhguesve se kryebashkiaku i Fierit i ka bërë thirrje kompanive publike e private të pushonin nga puna simpatizantët e Partisë Demokratike. Në Delvinë, nënvijëzon raporti, Partia Socialiste ushtroi presion mbi punonjësit publikë të merrnin pjesë në fushatë, si dhe mbajtën shënim emrat e pjesëmarrësve. “Ekziston një shqetësim se në kushtet e institucioneve të politizuara zgjedhjet elektorale të punonjësve të sektorit publik, një segment i shoqërisë vulnerabël ndaj presioneve, mund të ketë pasoja për kushtet e jetesës, si dhe për të ardhmen e punësimit”, vëren raporti. Shqipëria ka aktualisht mbi 166 mijë të punësuar në sektorin publik, të punësuar që shpesh punësohen dhe shkarkohen nga puna për bindje politike apo që janë vazhdimisht nën presion për të votuar partinë që i siguron vendin e punës. Raporti vlerëson gjithashtu negativisht procesin e numërimit të votave, duke vërejtur se numëruesit, të cilët duhet të vendosin votën para një kamere për ta paraqitur në një ekran të madh, nuk e bënë ose nuk e lanë në mënyrë të mjaftueshme sa ajo të lexohej nga kamera, duke e ulur transparencën e procesit të numërimit.

Exit mobile version