Opozita s’do të njohë ‘Rama 2’, ilegjitime

Lulzim Basha ka bërë deklaratën më të fortë politike pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të 25 qershorit. Basha ka deklaruar se qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e manipuluara dhe të blera me paratë e drogës është ilegjitime dhe ajo nuk do të ketë asnjë shans që të qeverisë në mënyrë të ligjshme shqiptarët.
“Ndonëse 18 maji legjitimoi kauzën e zgjedhjeve të lira, Edi Rama minoi terrenin elektoral me projektin e tij politik për të blerë votën e shqiptarëve duke përdorur paratë e drogës, korrupsionin e parave publike dhe bandat”, tha Basha.
Deklarata e Bashës paralajmëron një betejë të ashpër politike gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Delegjitimimi i zgjedhjeve të 25 qershorit nga pozita, e bazuar në fakte të plota të manipulimit dhe blerjes së votave do të kërkojë herët apo një vonë një zgjidhje të re politike.
Deklaratat e Bashës vijnë edhe pas raportit mjaft kritik të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, të cilët po ashtu konfirmonin manipulimin e zgjedhjeve nga Rama dhe blerjen e votave, si dhe kërcënimet e votuesve.
Takimi me demokratët e Tiranës në zonën e Vorës, Kombinatit, Kasharit, Dajtit e Farkës ka qenë ndalesa e radhës e kryedemokratit Lulzim Basha, si pjesë e turit të fushatës për kreun e PD.
Basha tha se mazhoranca e zgjedhjeve të 25 qershorit është fiktive dhe reflekton vetëm shitblerjen masive të votës së shqiptarëve dhe si e tillë nuk do të mund të qeverisë.
“E vetmja forcë politike që nuk u angazhua në këtë proces imoral ishte Partia Demokratike. E vetmja forcë politike që u ofroi një alternativë shqiptarëve ishim ne. Kjo që ka dalë nga këto zgjedhje është një mazhorancë fiktive që reflekton vetëm shtrembërimin e votës. Kjo që ka dalë nga këto zgjedhje kurrsesi s’mund të jetë një qeveri legjitime dhe nuk ka shansin të qeverisë në mënyrë legjitime dhe të drejtë.
Jo vetëm sepse vjen me një deficit demokratik pa votën e vërtetë të qytetarëve, pa vullnetin e vërtetë të qytetarëve, por se ardhja pa plan e pa vizion po duket që këto orë, ditë e javë të para. E keni parë që s’kanë para të paguajnë rrogat e mësuesve. Ekonomia është në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje. Financat publike janë në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje”, tha Basha.
Ndonëse 18 maji legjitimoi kauzën e zgjedhjeve të lira, tha Basha, Edi Rama minoi terrenin elektoral me projektin e tij politik për të blerë votën e shqiptarëve duke përdorur paratë e drogës, korrupsionin e parave publike dhe bandat.
“Përkulem me respektin më të thellë, me mirënjohje time të përjetshme për sakrificën tuaj në Çadrën e Lirisë për 90 ditë e 90 netë me radhë, e cila u dha shqiptarëve jo vetëm kauzën e drejtë për zgjedhje të lira, por edhe shpresën për një të nesërme ndryshe. Një raport tjetër midis qeverisë dhe qytetarit. Dhe ky është pikërisht programi i Partisë Demokratike. Ky është programi ynë, një qeveri për qytetarët.
Ne e dinim se çfarë gatuhej nga qeveria që erdhi në pushtet me ndihmën e krimit. Droga që mbuloi Shqipërinë ishte dhe është një projekt politik i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Por siç e dimë fare mirë, ndonëse 18 maji legjitimoi kauzën tonë të drejtë para çdo shqiptari dhe para komunitetit ndërkombëtar, nuk arriti as ta frenojë dhe as ta shkatërrojë mekanizmin që ishte vënë në lëvizje. Këtë e dini fare mirë ju. E dinë gjithë demokratët, e dinë gjithë qytetarët. E di unë, e di i madh dhe i vogël se me çfarë u përballëm që javën e parë pas kësaj marrëveshje politike.
Me një kundërshtar politik që tashmë kishte minuar tërësisht terrenin elektoral, me shpërndarjen masive të parave të pista të drogës dhe përqindjen e tenderave dhe koncesioneve korruptivë, për të detyruar qytetarët të tjetërsojnë vullnetin e tyre apo duke mbledhur kartat e identitetit. Me angazhimin e plotë të makinës shtetërore në favor të partive të pushtetit dhe natyrisht si gjithmonë shoqëruar nga bandat dhe narkotrafikantët. Në këtë terren u zhvilluan fushata dhe zgjedhjet e 25 qershorit”, tha Basha.

Selami: PD do të dalë e bashkuar dhe e ringritur nga ky proces

Në takimet me strukturat e Qarkut të Tiranës, kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Eduard Selami, ka theksuar se platforma e tij synon të rikthejë të djathtën në identitet. Partia Demokratike, tha ai, po shkon nga humbja në humbje, pasi ka braktisur shtyllat kryesore, nga çështja e pronave deri tek të përndjekurit.
“Po vazhdojmë të humbasim se kemi braktisur demokratët, kemi braktisur strukturat, kemi braktisur demokracinë dhe do të rikthehemi më të fuqishëm vetëm kur të vendosim këto themele, më të forta se i kemi pasur”, tha Selami.
Selami kërkon një analizë të sinqertë, pasi siç u shpreh ai, asgjë nuk zgjidhet duke dalë në dritare dhe gjetur gabimet tek të tjerët.
“Është koha për një analizë të sinqertë dhe t’i shikojmë gjërat në sy. Nuk mjafton të shohim ça bën kundërshtari,  kundërshtari atë punë ka. I përkas atij grupi që kur diçka nuk shkon, gabimin e gjej te vetja. Njerëzit që shikojnë në dritare për të fajësuar të tjerët, nuk janë ata që ecin përpara dhe kanë sukses”, tha Selami.
Ai thotë se në këto zgjedhje do të fitojë modeli bashkëkohor i lidershipit, që sipas tij fatkeqësisht Shqipëria nuk e ka. Por si më të rëndësishëm, Selami, sheh që nga ky proces, Partia Demokratike të dalë e bashkuar dhe të gjejë rrugën e ringritjes.
“Unë jam i bindur që në këto zgjedhje do të fitojë modeli bashkëkohor i lidershipit që fatkeqësisht Shqipëria e ka humbur. Po kaq ka rëndësi që nga ky proces të dalim të bashkuar, të ringrihemi, kundërshtari nuk është mes nesh”, tha Selami.
Garën, Selami e cilëson të pabarabartë, por thotë se është futur me qëllim për të përmirësuar dhe për të dhënë eksperiencën e tij për ringritjen e Partisë Demokratike.

Listat dhe peticionet rrëzohen nga firmëtarë të rremë

Një fushatë skandaloze me qëllim demotivimit e bazës demokratëve në kohën kur po zhvillohet fushata për zgjedhjet e kreut të PD ka nisur në disa qarqe të vendit. Një peticion me emrat dhe firmat e anëtarëve të Partisë Demokratike në Korçë u publikua një ditë më parë në media. Në peticion kërkohej të “anulohej procedura farsë që ka nisur Lulzim Basha për votimin për kryetar”. Por, dega e Partisë Demokratike në Korçë, bën me dije se janë kontaktuar disa persona që e kanë emrin në peticion, të cilët kanë thënë se nuk kanë djeni për këtë dhe se nuk kanë firmosur asnjë peticion. PD Korçë, njofton se: Duke ju referuar komunikimit të drejtpërdrejtë me anëtarë që figurojnë pjesë e listës, konfirmon se shumë nga këta persona nuk kanë idenë më të vogël se emri i tyre ndodhet në këtë listë dhe të tjerë që pranojnë se janë telefonuar, por që nuk kanë lexuar asnjë resht të shkruar. Ka gjithashtu edhe raste kur emri, mbiemri dhe firma nuk korrespondojnë fare, pra një ‘fake news’ i vërtetë! “Zgjedhjet për Kryetar të PDSH-së do të mbahen më 22 korrik 2017 dhe Kryesia e Degës Korçë, me vendimin e saj të datës 09/07/2017, mori përsipër përgjegjësinë e organizimit të këtyre zgjedhjeve në rajonin tonë, duke përcaktuar vendin e votimit si dhe komisionin zgjedhor. Vendimi i Kryesisë së Degës u mor në përputhje të plotë me Udhëzimin nr. 1 dt 4 korrik 2017, Udhëzimit nr. 2 datë 7 korrik 2017 dhe Shkresës nr. 61 datë 07 korrik 2017 të PDSH-së”, sqaron PD e Korçës. Skandali thellohet edhe më tej kur një prej personave që kishte emrin në këtë peticion pretendon për falsifikim. Erin Shaholli thekson se nuk ka firmosur asnjë peticion dhe se shkrimi në letër nuk është i tiji. Ai shprehet se ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e PD. “Sot u ndjeva shumë keq kur pashë të botuar në portale të tjera, një të ashtuquajtur peticion te Partia Demokratike Dega Korçë dhe ku paraqitej edhe emri im! Kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam vendosur emrin tim në asnjë fletë apo peticion. Për më tepër, sqaroj se shkrimi i përdorur në emrin tim, nuk është i imi. Për të vërtetuar këtë, po postoj dy foto ku figuron emri im, por në foton e marrë nga portali shkrimi nuk është i imi dhe në foton e dytë, ku është vetëm emri im është i shkruar nga unë! Diferenca e shkrimeve është e dukshme! Nuk më vjen mirë që njerëz të ndryshëm për interesa të tyre po përdorin emrin tim! Atë që unë mund të deklaroj përpara kujdo është e thjeshtë: kam qenë dhe jam me PD-në”, thotë Shaholli. Po dje, një listë tjetër nga qyteti i Vlorës ka mbërritur në adresë të redaksive të medias. Ajo çka e bën këtë listë qesharake është fakti se aty dukshëm vërehet se e njëjta dorë ka firmosur për të gjithë. Pa shumë kujdes vëren se jo pak herë kaligrafia e emrave është e njëjtë çka të bën të dyshosh se e njëjta dorë ka firmosur për disa vetë. Bie në sy edhe përsëritja e të njëjtit mbiemër 3, 4 apo 5 herë, çka e bën listën një ‘aferë fisnore’. Nuk mungojnë as emrat e sajuar. Më pikanti ndër ta është ai i ‘demokratit të paepur, trim dhe që ka dhënë shumë për PD-në e Vlorës’, Meladin Askushaj.

Enton DACI

Exit mobile version