Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka kërkuar rishikim të tarifave të shpërndarjes së energjisë, në bazë të tensionit, ku janë të lidhur klientët. Nga aplikimi i OSHEE kuptohet se kjo ka të bëjë kryesisht me biznesin dhe prek si ata të lidhur në 35 kilovolt edhe ata të lidhur në 0.4 kilovolt.
Në dokumentin e saj kompania publike e shpërndarjes së energjisë argumenton se rritja e kostove te blerjes së energjisë për shkak të mungesës së prodhimit vendas si dhe për shkak të ndryshimit të strukturës së blerjes ka krijuar një të ardhur të munguar, që llogaritet në 12.44 miliardë lekë për periudhën 2015-2019 e cila duhet të kompensohet duke korrigjuar të ardhurat e kërkuara ne çmimin e shitjes së energjisë.
“Në përllogaritjet e vitit 2020 është propozuar që kompensimi të kryhet nga tarifa e shpërndarjes, duke pasur parasysh faktin se shërbimi i shpërndarjes ka krijuar pjesën më të madhe të humbjeve të trashëguara pjesë e kapitalit negativ të OSHEE në periudhën 2012 – 2014 për rreth 52 miliard Lekë.
Për të kompensuar kapitalin negativ të trashëguar, në aplikimin për tarifë, është propozuar që 3 miliard Lekë për 4 vitet e ardhshme t’i shtohen tarifës së shpërndarjes për çdo vit. Nga përllogaritjet si më poshtë kërkesa për të ardhura për Operatorin e Shpërndarjes në vitin 2020 kap shifrën e rreth 31 miliardë Lekë” thuhet në aplikimin e OSHEE.
I njëjti nënvizon se nevoja që ka OSSH për të ardhura në vitin 2020 llogaritet 31 miliardë lekë.
Tarifat që propozon OSHEE në bazë tensioni
Por cili është aplikimi konkret i OSSH. Propozimi për tarifat në bazë tensioni i paraqitur në ERE është i tillë: a) Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 35 kv – 3.32 Lekë/Kwh
b) Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 0.6-20 kv – 4.32 Lekë/Kwh
c) Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 0.4 kv – 6.35 Lekë/Kwh.
Këto tarifa sipas OSHEE janë rezultat i projeksioneve dhe përllogaritjeve të një studimi të vitit 2018.
Në atë kohë referuar aplikimit të bërë nga OSHEE rezultonte se tarifa mesatare e shpërndarjes ishte 5.16 lekë. Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 35 kv – 2.36 Lekë/Kwh
b) Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 0.6-20 kv – 3.81 Lekë/Kwh
c) Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 0.4 kv – 5.51 Lekë/Kwh.