Pacienti dergjet i shtrirë në hyrje të spitalit, asnjë mjek nuk ia hedh sytë

Nuk dihet përse një person sëmurë është lënë i braktisur në barelë në hyrje të Spitalit të Elbasanit, siç tregojnë edhe pamjet më poshtë. Ndoshta ai mund të mos jetë në rrezik për jetën, ndoshta nuk ka pasur të afërm të interesohen për të, ndoshta dhomat e spitalit kanë qenë të tejmbushura me pacientë që kanë pasur nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, por në të gjitha rastet, indiferenca e mjekëve dhe infermierëve, që ecin dhe bisedojnë indiferentë për njeriun që dergjet i pavetëdijshëm pranë tyre, është çnjerëzore. Askush nuk i jep ndihmën e parë, megjithëse burri qëndron i pavetëdijshëm në korridor, si dëshmia e radhës e degradimit të sistemit shëndetësor.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar me video kushtet e këqija dhe trajtimin që u bëhet pacienteve në Spitalin e Elbasanit. Në videon e postuar në faqen e tij në ‘Facebook’ shihet një person i shtrirë në tokë dhe i mbështjellë me batanije në korridorin e spitalit, teksa askush nuk i vjen në ndihmë. “Një mirëdita në vend të mirëmëngjesit për Noriegën nga Spitali i Elbasanit, ndiqeni videon!”, shkruan Berisha.
Nuk dihet ende nëse pacienti sapo ka mbërritur në spital dhe nuk ka vend në dhoma për të marrë trajtimin mjekësor, apo personeli nuk dëshiron ta shtrojë për shkaqe të tjera.

Exit mobile version