Ndërkohë që në politikë ka akuza dhe kundërakuza, kryeministri i vendit, Edi Rama, nuk është mjaftuar me përgjigjet publike ndaj kreut të PD-së, Basha, por e ka çuar çështjen për ta zgjidhur në gjykatë, duke e akuzuar atë për “shpifje” dhe duke i kërkuar përgënjeshtrim të akuzës dhe një dëmshërblim pasuror prej 1 milion lekësh.
Më konkretisht, bëhet fjalë për një reagim të vitit 2018 të kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili ka akuzuar, nëpërmjet një statusi në facebook, Edi Ramën, i cili, sipas kreut demokrat, “siç mbronte dje Tahirin dhe kupolën e trafikut të drogës në polici, mbron sot Xhafën dhe Veliun. Rama, Xhafa, Balla, Prela, duhet të ishin sot nën hetim dhe Ardi Veliu nën arrest për fabrikimin e provave dhe pengimin e drejtësisë për të mbrojtur narkotrafikantin Agron Xhafaj”.
Ky publikim është bërë shkak që kryeminsitri Rama të ngrejë një padi nëpërmjet avokates Enkelejda Muçaj, ndërsa Basha është mbrojtur në gjykatë nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, avokati Indrit Sefa.
Pas shqyrtimit të provave dhe fakteve dhe interpretimit ligjor, gjykata ka vendosur rrëzimin e padisë së Edi Ramës ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke i ngarkuar palës paditëse edhe shpenzimet gjyqësore.
Ndonëse ndaj Ramës ka një mori akuzash të ndryshme, kjo padi e tij ndaj Lulzim Bashës, me sa duket, është në vazhdën e veprimeve të tij siç ishte bashkëpunimi i faktuar, tashmë, me McGonigalin për ta dëmtuar dhe djegur politikisht Bashën, ndonëse edhe kësaj radhe nuk ia ka mundur t’ia dalë me sukses, për shkak se edhe një gjykatë nën trysni si kjo shqiptare ka arritur të japë vendim të drejtë dhe të mbështetur në fakte dhe në prova./Alfapress.al