Nga Pirro Guremani
Reforma në Drejtësi u votua dhe në një formë a në një tjetër kemi në dorë një kopertinë të zbukuruar me ngjyra ylberi pa fjalë. Por një kopertinë që nuk ka të shkruar emrin e autorit, por ka një shkëlqim që më shumë duket si fasadat e pallateve të bojatisura nga një dorë piktori të rremë që t’u merr mendjen kureshtarëve. Nuk dimë akoma se faqet e këtij libri të mbuluar nga kjo kopertinë do të jetë funksionale dhe për “popullin” siç don ta cilësojë kryeministri që ka veshur kostumin e suksesit, por që në fytyrë i lexohet humbja dhe poshtërimi, pabesia dhe tinzaria.
E gjithë kjo ndodh, sepse ky kryeministër është kryepushtetari i një pushteti që ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për drejtësi se për vetëm tre vite është zhytur në zullumet e një qeverisjeje që nuk ka libër drejtësie që t’ia falë gjynahet e mëkatet e bëra. Me çdo mjet dhe me të gjitha bateritë e mafiozitetit të një pushteti të kapur nga padrejtësitë e gangsterëve që po i trokasin në derë për t’i kërkuar haraçin e ardhjes në pushtet dhe mbajtjes në këmbë të një pushteti që e kanë kapur skandalet pas skandalesh.
Ka një shprehje që thuhet se “çfarë të të kujtojë moj hudhër, të qelburën apo të djegurën”, që do t’i shkonte për shtat ekskluzivisht Edi Ramës që ka krijuar rrethin e një oxhaku që nxjerr vetëm tymin e zi të një zjarri që e ka ndezur vetë, e ka shpërndarë vetë në çdo vatër shqiptare dhe në çdo kokë ministrash të korruptuar dhe sharlatanë. Nëse për një çast do të mendojmë se si një ambasador i një shteti të madh shkon në vatrën e këtij zjarri, detyrimisht që do të zërë koka nga tymi i zi i një zjarri që di të ndezë vetëm një njeri si kryeministri i rilindjes së zezë.
Në një reformë që u votua për herë të parë me 140 vota, kjo do të mbahet mend si dita e një konsensusi të madh shqiptar të një parlamenti që ka humbur legjitimitetin e tij të djegur nga zjarri i një oxhaku që nuk nxjerr tym tjetër veçse të zi. Edhe pse një konsensus i detyruar për hatër të një momenti të veçantë, kuptohet se në këtë vend mungon çdo lloj konsensusi politik dhe njerëzor që parapëlqen më së shumti një njeri si kryeministri i punëve të zeza në një Shqipëri të nxirë nga droga dhe vjedhja, të nxirë nga korrupsioni dhe padrejtësia administrative për popullin, të nxirë nga mungesa e së vërtetës dhe sinqeritetit të një pushteti që po konsiderohet i rritur si “dushkë në hije”, që bën veçse tym të zi dhe asnjëherë nuk bën zjarr për të ngrohur shqiptaët.
Zhvillimet politike në Shqipëri, tanimë pas miratimit të Reformës në Drejtësi, do marrin një trajektore vrastare jo thjesht në dëm të interesave të një pale politike siç kërkon ta orientojë pushteti në fuqi. Më shumë se kaq. Kemi një trajektore vrastare të një drejtësie që mund të thuhet se nuk është e mirë në dëm të interesave të një populli që e ka vuajtur mungesën e drejtësisë që nga diktatura me luftën e klasave dhe me gjykatat popullore e deri në kapjen e drejtësisë nga mafia e duarve të pista.
Hapja e syve të institucioneve ndërkombëtare se çfarë po ndodh në këtë vend dhe me një kryeministër që bën gjithçka të ligë dhe asgjë me ligj dhe nga ana tjetër kërkonte të kapte reformën për interesat e veta të pushtetit, duke mashtruar edhe partnerët me metodat e Sigurimit të Shtetit, me njerëzit e nomenklaturës të një Fatmir Xhafe që ishte i lumtur kur i jepte lule Enver Hoxhës dhe me një staf njerëzish që bëjnë siç urdhëron kreu i pushtetit dhe jo sipas ligjit të shkruar qoftë edhe të kësaj reforme të miratuar.
Sipas parimeve më të mbrapshta që mund të ketë njohur politika shqiptare dhe që po e përdor kryeministri Edi Rama, janë dëshmia e një hipokriti që kërkon të tallet dhe të vërë në lojë edhe ndërkombëtarët dhe partnerët strategjikë. Por di që nuk ka re që të zerë përgjithmonë dritën e diellit se nuk mund të ketë një Edi Ramë dhe ca lakenj të tij që të mashtrojnë në emër të shqiptarëve edhe ndërkombëtarët si pjesë e strategjisë e të hedhurit hi syve. Edi Rama e ideoi dhe e luajti vetë tragjikomedinë e reformës që do të jetë gjykatësi më i madh i një pushteti që meriton ndëshkim të pamëshirshëm.
Nëse një reformë në drejtësi ka rëndësinë e vet parësore, çdokush mendon se zbatimi i kësaj reforme, ligjet e hartuara dhe funksionaliteti i saj janë domethënie që e bën një reformë të vërtetë. Në fakt, ai që shprehet më së shumti se u fitua një reformë e rëndësishme, koha do të provojë se ai do të jetë edhe moszbatuesi më i madh i asaj që ai vetë e ka gatuar dhe e ka votuar.
Një klimë me shira dhe furtuna po paralajmërohet nga sinoptika ndërkombëtare që mund të ndodhë në këtë Shqipërinë tonë, ku kryeministri bisedon me popullin si një tallës ordiner, që flet me ministrat si me kobure në kokë. Sinoptika politike shqiptare ka një armik të madh mungesën e lirisë dhe të drejtësisë për zgjedhje të lira dhe të drejta. Pa këtë askush nuk mund të flasë më për të kritikuar pushtetin. E dini përse ? Sepse i del përpara një Arturo Ui me gjatësi 2 metra që të merr erzin që nuk del më para gazetarëve në televizione, që nuk ka më buzëqeshjen e rilindjes së fillimit, që po rri në një pauz prononcimesh se po i plasin njëra pas tjetrës skandalet dhe nuk di se për kë duhet të japë ndonjë mendim a të bëjë ndonjë mbrojtje allaRama.
Pushteti i padrejtësisë është domosdoshmëri për t’u drejtuar kah një reforme që meriton vëmendjen dhe vetingun e duhur tashmë të miratuar.