27.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

“Rama po përgatit “fshesën” në parti”- Lita: Çfarë do të ndodhë në pranverë

Gazetari Lavdrim Lita tha për Euronews Albania se kryeministri Rama po përgatit një skemë të cilën ai do ta përdorë në pranverë për të shkëputur partinë nga drejtorët e administratave.

Sipas Litës, Rama foli për këtë çështje në fjalimin e tij, si edhe dha një mesazh për ndërkombëtarët në lidhje me SPAK-un.

“Ishte dhe fjalimi i shumë pritur i Edi Ramës, i cili ishte një fjalim e para kundër burokracisë së partisë ku fshihej një skemë që ai do e përdorë në pranverë për të çliruar Partinë Socialiste nga klanet e brendshme pasi ai thoshte se drejtorët në amdinistratë nuk kanë pse të jenë anëtarë të asamblesë së përgjithshme dhe të strukturave të PS-së.

Ai do të ndajë partinë nga drejtorët. E dyta ishte mesazhi për SPAK-un dhe drejtësinë. Kur ai thotë ne jemi zot shtëpie dhe jo qiramarrës, këtë mesazh nuk e ka për qytetarët, por për ndërkombëtarët. Të cilëve u thotë nuk mund ta përdorni SPAK-un si gjykatën speciale në Kosovë”,-tha Lavdrim Lita.

Deklarim të rremë të pasurisë, Prokuroria e Durrësit dërgon në gjyq një ish-prokuror

Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-prokurorin P.F. i hetuar për deklarim të rremë të pasurisë

“Në funksion të hetimeve të procedimit penal nr. 2733/2019, në ngarkim të të pandehurit P.F., rezulton se janë përfunduar hetimet lidhur me akuzën “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pgr. 2, i Kodit Penal dhe në datën 05.12.2023 çështja i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për shqyrtim”, shkruhet në njoftim.

Ndër të tjera, ravijëzohet se shtetasi P. F., ka qenë me detyrën e prokurorit dhe në bazë të ligjit iu nënshtrua procesit të rivlerësimit.

Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, raporti me rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ për ish-prokurorin P.F., ku u kërkua të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar.

Ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të tij dhe më pas ka sjellë marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit.

Vrasësi i Liridona Ademajt është dhunuar në burg dhe ka tentuar vetëvrasjen? Dibrani sqaron rrethanat: E pikasi stafi

Detaje të reja janë mësuar pas daljes së lajmit në mediet kosovare se i akuzuari për vrasjen e Lirdona Ademajt, Granit Plava, është dhunuar në burg dhe më vonë ka tentuar vetëvrasjen. Për ngjarjen në fjalë ka reaguar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Ismail Dibrani, i cili ka sqaruar rrethanat se si ka ndodhur ngjarja.

“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit ta sulmojnë, stafi ka reaguar menjëherë dhe e ka parandaluar konfliktin. Nuk ka rrahje. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është dëgjuar, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik. Edhe për këtë tentimm ne do të themelojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, ka thënë Dibrani. Po ashtu, ai mohoi se i dyshuari për vrasjen e 30-vjeçares ka tentuar të bëjë vetëvrasje.

“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi. Sepse këta persona po trajtohen me rrezikshmëri të lartë. Niveli i sigurisë është ngritur”, u shpreh ai.

Drejtori i Shërbimit Korrektues po ashtu deklaroi se mes tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt nuk ka asnjë kontakt, dhe se ata janë të vendosur në dhoma njëshe.

Deri më tani për ngjarjen e rëndë janë arrestuar 4 persona, Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale “vrasje e rëndë”. Gjithashtu disa ditë më parë u arrestua edhe Tomë Dodaj nga Gjakova, i cili dyshohet se i ka siguruar armën e krimit bashkëshortit të Liridonës, Naim Murselit dhe ekzekutuesit të dyshuar Granit Plavës.

Ky shtet do të përgjysmojë numrin e migrantëve që pranon, do ashpërsojë testin e gjuhës

Australia ka thënë se do të përgjysmojë numrin e migrantëve që pranon, teksa tenton të përmirësojë sistemin “e prishur” të imigrimit.

Ky vend mëton të pranojë 250.000 njerëz shifër në përputhje me nivelet para pandemisë së koronavirusit deri në qershor të vitit 2025. Rregullat për viza, për studentët ndërkombëtarë, dhe punëtorët e pakualifikuar, do të ashpërsohen, po ashtu, sipas planit të ri.

Migrimi është rritur në nivele rekorde në Australi, duke e shtuar presionin në fushën e strehimit dhe infrastrukturës. Në anën tjetër, Australia ka nevojë për punëtorë të kualifikuar, dhe tenton të tërheqë sa më shumë të tillë.

Video/ Berishës i kanë mbetur vetëm shokët dhe shoqet e stafit, Floriana Garo i pëshpërit në vesh: Është shoqja ime kjo doktor!

Foltorja nr.2, (E para për nongratë), e Sali Berishës në qytetin e Fierit, ishte një dështim spektakolarë.

Jo vetëm që braktisja ishte aq e madhe sa që nuk mbushën dot sallën as në gjysmën e saj edhe pse shoqëruesit e shumtë të doktorit nga Tirana u detyruan të përziheshin me ata pak fierakë, por edhe cilësia e pjesëmarrësve ishte skandaloze.

Kishte nga ata që i kujtonin Berishës edhe shpërndarjen e pabarabartë të ndihmave të operacionit “Pelikan” mbi 30 vite më parë, kurse një tjetër e krahasoj atë vetë me bukën e sapo dalë nga furra!

Një moment pikant ishte kur foli një zonjë arsimtare e cila i bëri aq shumë elozhe Berishës, sa që ky i fundit u shkri nga kënaqësia.

Dhe pikërisht në këtë moment, Floriana Garo pasi i thotë me mikrofon “bravo”, i afrohet te veshi Berishës dhe e ngazëlluar i thotë plot mburrje: Është shoqja ime kjo doktor…

Video më poshtë nuk do shumë koment për të treguar se Sali Berishës i kanë mbetur vetëm shokët dhe shoqet e stafit, që mban me pagesa të majme.

Rindërtimi përtej 2024, ku po shkojnë 115 milionë eurot e buxhetit të rishikuar 2023

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një përgjigje zyrtare për “Monitor”, pohoi se vlera prej 7 miliardë lekësh që është parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme për të mbyllur financiarisht nevojat e projekteve që janë ende në vijim.

“Referuar projekteve të investimeve në kuadër të procesit të rindërtimit, të cilat janë vijimësi, fondeve të miratuara dhe fondeve të akorduara deri më tani, nevojat për fonde për mbylljen financiarisht të këtyre projekteve, shkojnë përtej fondit të rindërtimit, prej 7 miliardë lekësh, të parashikuar për t’u miratuar për vitin 2024” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pak javë më parë, me një akt normativ, qeveria ndryshoi buxhetin e vitit 2023, duke rialokuar për programin e rindërtimit edhe 12 miliardë lekë të tjera të cilat duket se kanë shkuar thuajse tek të gjithë njësitë vendore të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Bëhet fjalë për projekte të miratuara më herët në vite, por të pafinancuara.

“Referuar nenit 7 të ligjit nr. 84, datë 24.11.2022 “ Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, fondi i rindërtimit, i miratuar për vitin 2023, është përdorur për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara të viteve të mëparshme.

Kanë përfituar nga fondi i rindërtimit, i miratuar për vitin 2023, të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore të cilat janë prekur nga fatkeqësia natyrore, tërmeti i datë 26.11.2019, konkretisht bashkitë Tiranë, Kamzë, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, Durrës, Krujë, Shijak, Lezhë, Kurbin, Mirditë, si dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Ministria e Brendshme, në cilësinë e njësisë zbatuese” nënvizon MIE.

Rindërtimi, 730 milionë euro nga 2020 deri në nëntor 2023

Prej fillimit të vitit 2020 e deri në nëntor 2023, shpenzimet faktike për rindërtimin, programin më të madh që ka zbatuar ndonjëherë një qeveri në vendin tonë, ishin rreth 80 miliardë lekë ( 730 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Ky program nisi në funksion të rikuperimit të pasojave që shkaktoi tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 dhe ende vijon me kantiere të hapura dhe mijëra familje vijojnë të mbeten në banesa me qira në pritje të shtëpisë së premtuar.

Rindërtimi pati kontraste edhe në zbatim, ku projektet që u menaxhuan nga donatorët përfunduan ndërsa projektet me mbështetjen e buxhetit vijojnë. Në këtë kontekst, krahasimi është i thjeshtë.

Turqia, që u angazhua me një projekt të madh në Laç, përfundoi në kohë rekord ndërtimin e mbi 500 apartamenteve që u kaluan më pas qytetarëve. Më shpejt përfundoi edhe Thumana, ku u ndërtuan 278 apartamente dhe 155 njësi individuale.

Pak më shumë se 500 njësi individuale banimi janë përfunduar që vitin e kaluar edhe në rrethinat e Tiranës në zona si Vaqarri, Zall Herri, Ndroqi.

Dy lagjet e reja që po ngrihen në kryeqytet lidhur me rindërtimin, siç është “5 Maji” dhe “KombinArt” janë ende në proces. Në Durrës, deri më tani, kanë marrë një banesë të re 331 familje, por më të shumtë janë ata që ende nuk e kanë marrë një të tillë dhe që pritet të transferohen në Spitallë, ku punimet vijojnë./MONITOR

Inceneratori i Tiranës, aktivistë dhe qytetarë në protestë: SPAK të shkojë edhe te vendimmarrësit, jo vetëm te vendimzbatuesit

Sot para Gjykatës së Posaçme dalin 12 të ndaluarit për aferën me inceneratorin e Tiranës, ku do të njihen me masën e sigurisë ndaj tyre.

Para GJKKO, aktivistë dhe qytetarë po protestojnë dhe bëjnë thirrje që SPAK të shkojë më tej me hetimet, duke arrestuar vendimmarësit, jo vetëm vendimzbatuesit.

“Hetimet në lidhje me inceneratorit, të vërë para përgjegjësisë personat realë. Të arrestuarit mund të jenë pjesë e abuzimit me detyrën, por SPAK duhet të shkojë më lart, te vendimmarrës, jo te vendimzbatuesit. SPAK të shkojë te koka e korrupsionit në bashkinë e Tiranës”, tha një qytetar.

Në protestë është parë dhe nënë Liza, banore e 5 Majit, e cila thotë se prej 2 vitesh ka mbetur pa çati, ndërsa u bëri thirrje ndërkombëtarëve për ndihmë.

“Të vijë Erion Veliaj te 5 Maj, të shoh se si është rruga. Dua shtëpinë, jam 80 vjeçe, nuk kam ku mbledh fëmijët e mi, jemi 14 veta. Erion Veliaj, Edi Rama do festojnë vitin e ri, unë jo. Kam një llaf për kryeparlamentarët, flasin për veten jo për ne. Unë jam jashtë, nuk kam ku rri. Më 12 janar bëhen 2 vjet. Unë i bëj thirrje ndërkombëtarëve të na ndihmojë”, tha nënë Liza.

Seanca në GJKKO për 15 urdhërarrestet e SPAK:

Dy ditë pasi SPAK lëshoi 15 urdhërarreste në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, sot në GJKKO zhvillohet seanca për masat e sigurisë.

Kujtojme arrest në burg është kërkuar për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj.

Ndërsa është kërkuar arrest shtëpie për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

SKEMA E ABUZIMIT

Sipas SPAK, nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe në gjatë fazës së zbatimit të kontratës koncesionare me vlerë mbi 128 milionë lekë të lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV”, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke renditur shtatë shkelje të kryera gjatë këtij procesi.

Prokuroria e Posaçme informon se nga hetimet ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ndodhen në arrati, janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”.

Më herët SPAK ka vendosur sekuestro ndaj inceneratorit të Tiranës, pasi nga hetimi paraprak zbuloi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.

PD, Kulluri: Mbështesim SPAK-un për Inceneratorin e Tiranës. Të zbardhet përgjegjësia e Erjon Velisë në këtë aferë korruptive

“Partia Demokratike e Shqipërisë vlerëson thellimin e hetimeve nga SPAK, lidhur me rolin e Bashkisë Tiranë në skandalin e Inceneratorëve.” – kështu është shprehur sot në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Edvin Kulluri.

Njëkohësisht Kulluri ka kërkuar që të sqarohet përgjegjësia e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe funksionarëve të tjerë të lartë të kësaj bashkie.

Më poshtë deklarata e plotë e Edvin Kullurit:

Partia Demokratike e Shqipërisë vlerëson thellimin e hetimeve nga SPAK, lidhur me rolin e Bashkisë Tiranë në skandalin e Inceneratorëve.

Njëkohësisht opnioni publik pret nxjerrjen e përgjegjësive ligjore të funskionarëve më të lartë të Bashkisë, si Kryetarin dhe Administratorin e Përgjithshëm për këto arsye:

1) Kryetari i Bashkisë Tiranë është angazhuar personalisht me shkrim përmes anekseve të marrëveshjes me Ministrinë e Mjedisit, se merr përgjegjësinë e plotë për detyrimet financiare sipas kontratës për Landifilin e Sharrës, për një shërbim që nuk u ofrua kurrë;

2) Kryetari i Bashkisë Tiranë përfaqëson autoritetin më të lartë ligjor në marrëdhënie më palët e treta, konkretisht kompaninë që nuk e ofroi as edhe një ditë djegien e mbetjeve;

3) Menaxhimi I Mbetjeve Urbane është kompetncë eksluzive e njësive të qeverisjes vendore, konkretisht Bashkisë Tiranë;

4) Administratori I Përgjithshëm është përsoni përgjegjës sipas ligjit për Buxhetin e Shtetit për të ardhurat dhe shpenzimet e institucionit.
Sa më lart, inkurajojmë SPAK dhe GJKKO që të vijojnë dhe thellojnë hetimet jo vetëm për Bashkinë Tiranë, por të gjitha bashkitë që kanë ekzekutuar këtë grabitje të parave të taksave të shqiptarëve.

Partia Demokratike përsërit përpjekjet e institucioneve të drejtësisë për hetim dhe gjykim të paanshëm dhe barazi para ligjit për cdo zyrtar dhe qytetar të Repubklikës së Shqipërisë.

Çfarë u bë me atë heqjen “non grata” nga Britania e Madhe për Sali Berishën?

Para disa javësh, për disa ditë me radhë, në mediat e familjes Berisha, u dha një lajm se Britania e Madhe do t’i heqë “non grata”-n Sali Berisha.

Dhe dilnin këta analistët e familjes Berisha dhe flisnin për rëndësinë e këtij vendimi.

E kishin bërë fakt të kryer, duke thënë se është çështje ditësh.

Por ditët kaluan dhe asgjë nuk ndodhi.

Ata që trumbetonin me të madhe vendimin për heqjen e “non grata”-s nuk flasin më.

Ndërsa vetë ambasadori britanik në Tiranë, një nga personat më të sulmuar nga Berisha, tha në një intervistë një ditë më parë, se në fakt do te ketë të tjerë “non grata”.

“Ne mbështesim tërësisht sistemin gjyqësor të Shqipërisë, në veçanti institucione si SPAK. Nuk komentojmë rastet individuale, por ajo që mund të them është se jemi të angazhuar të pengojmë lidhjet mes kriminalitetit, korrupsionit dhe politikës. Do të marrim masa kur ta konsiderojmë të përshtatshme”, – deklaroi ambasadori Alastair King-Smith, kur u pyet për rastin e Sali Berishës.

“Do të shpallim ‘non grata’ të tjerë”- Paralajmërimi i ambasadorit britanik: Jemi të angazhuar të pengojmë lidhjet mes kriminalitetit, korrupsionit dhe politikës

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith ishte i ftuari i radhës në podkastin “Inside Albania” nga gazetarja Alice Taylor. Diplomati britanik zbuloi një sërë projektesh në të cilat ambasada është e përfshirë për të ndihmuar ekonomikisht zonat veriore të Shqipërisë, ku fenomeni i largimit të të rinjve, sidomos drejt Mbretërisë së Bashkuar, është më i theksuar.

“Kemi ngritur disa qendra sipërmarrjeje për të rinjtë. Kemi hapur një në Kukës, do të ketë edhe të tjera, në Dibër. Do të nisim programe me shkollat. Sigurojmë gjithashtu grante për bizneset e vogla, që individët të hapin biznese dhe të marrin njerëz në punë”, – tha ai. Ambasadori komentoi shifrat e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Krahasuar me 2022, niveli i tyre gjatë këtij viti ka rënë me 90%.

“Apeli im për çdo të ri që mendon të ikë ilegalisht është të mos e bëjnë. Ka mënyra të ligjshme për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kemi hapur një qendër aplikimesh për viza në veri për të lehtësuar ikjen dhe për të treguar se jemi të hapur për punë”, – deklaroi ambasadori britanik, Alastair King-Smith.

Ambasadori ndau disa detaje nga dokumentet e rëndësishme që ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi në Londër, pas takimit me homologun britanik, James Cleverly. “Është një pjesë shumë e rëndësishme e marrëveshjes tonë, brenda kontekstit të Komunikatës së Përbashkët që dy kryeministrat tanë nënshkruan vitin e kaluar. Deklarata e bashkëpunimit nënkupton se do të ketë shkëmbime, operacione policore, do të intensifikojmë atë që bëjmë përmes task forcës së emigracionit, do të shohim si mund të mbështesim transformimin brenda Policisë. Ne tashmë e shohim Policinë e Shtetit si një partner të mirë për të bashkëpunuar”, – tha ai.

Në fund, King-Smith sqaroi arsyet përse Mbretëria e Bashkuar vendosi të shpallë “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa paralajmëroi se do të ketë masa të ngjashme edhe në të ardhmen. “Ne mbështesim tërësisht sistemin gjyqësor të Shqipërisë, në veçanti institucione si SPAK. Nuk komentojmë rastet individuale, por ajo që mund të them është se jemi të angazhuar të pengojmë lidhjet mes kriminalitetit, korrupsionit dhe politikës. Do të marrim masa kur ta konsiderojmë të përshtatshme”, – deklaroi Alastair King-Smith.

Britania e Madhe do të sjellë një valë të dytë shpalljesh “non grata” politikanësh, biznesmenësh dhe të gjithë ata që minojnë sundimin e ligjit në Shqipëri. Këtë paralajmërim ambasadori britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith e bëri edhe me 13 gusht të këtij viti, i cili në një intervistë për TCH tha se shpalljet “non grata” do të vijnë deri në fund të vitit. Diplomati i lartë u shpreh se veprime të ngjashme do të ndërmerren, por emrat tha ai nuk bëhen publikë për disa arsye ligjore.

“Kërkohet kohë për të arritur disa standarde e më pas mbërritur në vendimmarrje. Këto lloj ndalesash ndërmerren nga Sekretarja e Punëve të Brendshme, ndërsa sanksionet antikorrupsion nga sekretari Punëve të Jashtme dhe më gjerësisht për ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë nga prokurorë të pavarur. Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pandëshkueshmërisë”, – tha ndër të tjera ambasadori.

Më 22 korrik, ishkryeministri Sali Berisha njoftoi vetë se është shpallur “non grata” nga Britania e Madhe. Në një deklaratë për mediat, kreu i Partisë Demokratike theksoi se ky lajm i është bërë e ditur përmes një letre “Home Secretary”, ku theksohet se ky vendim është marrë për “lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsionin”.