39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Shkrirja e 12 drejtorive arsimore vendore, reforma një dështim total

Shpërndarja dhe organizimi i shërbimeve që nuk marrin në konsideratë traditën institucionale të vendosjes së institucioneve, për pasojë nuk ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, duke nxitur edhe emigracionin, ka prekur ndër të tjera dhe sistemin arsimor, pas shkrirjes së drejtorive arsimore në rrethe.

Në muajin shkurt të vitit 2019, qeveria miratoi vendimin nr.234 që solli shkrirjen e 12 drejtorive rajonale arsimore të shpërndara në rrethe, duke krijuar katër Drejtori Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP), përkatësisht në: Korçë, Fier, Lezhë dhe Durrës.

Për këtë vendimmarrje, kryeministri Edi Rama do të argumentonte se shkrirja e këtyre institucioneve erdhi pas shumë drejtorive arsimore që më tepër funksiononin si zyra për emërimin e arsimtarëve, sesa për garantimin e cilësisë së mësimdhënies.

Por vendimmarrja e këtyre drejtorive është gjeografikisht e largët me shkollat, zyrat e arsimit dhe mbi të gjitha, është larguar mjaft nga qytetarët që mund të kenë nevoja për këto drejtori.

“Po marrim vetëm rastin e zyrës rajonale të arsimit në Durrës. Kjo zyrë ofron shërbime për Tiranën, Durrësin, Dibrën, Krujën, Kamzën, Klosin, Shijakun, Kavajën, Vorën dhe Rrogozhinën. Qartas duket se njësitë vendore të Qarkut të Dibrës dhe për rrjedhojë qytetarët në këto bashki ndihen jokomod për të marrë shërbime në zyrën e Durrësit. Sigurisht që shërbimet online janë amortizuese në këtë rast, por ata kurrë nuk e zëvendësojnë formën njerëzore të bashkëpunimit dhe shërbimit”, thekson Agron Haxhimali, eksperti për çështjet vendore.

Për ekspertin e çështjeve të arsimit, Prof. As. Dr. Ndriçim Mehmeti, ky riorganizim me qëllim për një funksionim më të mirë ka dështuar, pasi shërbimet e dobishme u vendosën larg qytetarëve, mësuesve, nxënësve dhe prindërve.

“Emigrimi apo më saktë shpopullimi i disa zonave që janë kthyer në fantazmë ka lënë të vetmen shenjë se dikur ka pasur arsim, që janë Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar. Shkurt reforma e vitit 2019 ka dështuar tërësisht dhe pasojat e saj negative, vështirë të rikuperohen për një periudhë 10-vjeçare”, pohon ai.

Z. Mehmeti argumenton se ndarja u bazua mbi interesat elektorale sesa mbi eficiencën e ofrimit të shërbimeve.

“Riorganizimi i Drejtorive Rajonale Arsimore dhe Zyrave Arsimore, të paralajmëruar nga z. Peleshi (pa asnjë konsultim paraprak apo studim serioz), ishte zgjedhje politike. Është e vështirë të kuptohet që kryeqyteti të varet nga Durrësi, apo Shkodra nga Lezha. Po ashtu, Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) u krijuan me këtë filozofi, pra në përputhje me interesat elektorale. Veç funksionit të punësimit të disa militantëve partiakë, ZVAP në disa zona nuk kanë asnjë farë rëndësie. Ka shumë ZVAP, që kanë nxënës më pak se një shkollë e Tiranës, Durrësit apo Shkodrës”.

Ai tha se mënyra e organizimit të DRAP dhe ZVAP po shkakton situata kaotike.

“P.sh., një nxënës i qytetit të Tiranës e merr dëftesën nga Durrësi, një nxënës i Elbasanit e merr dëftesën nga Korça, një nxënës i Konispolit nga Fieri e kështu me radhë. Që të kërkojë apo depozitojë një dokument, një mësuesi i duhet të niset nga Bicaj, apo Shishtaveci i Kukësit e të shkojë në Lezhë, nga Borshi nuk shkon më në Vlorë si dikur, por në Fier, etj.”.

Vështirësi me marrjen e shërbimeve, për shkak të shkrirjes së drejtorive rajonale arsimore po hasin edhe mësuesit, sipas ekspertit të çështjeve arsimore.

“Ndonëse shumica e shërbimeve kanë kaluar online, për të bërë një dosje punësimi, apo për kualifikimin e mësuesve, veç dokumenteve që do të ngarkohen në sistem, duhet patjetër dhe një kopje fizike. Nëse mungon një dokument, atëherë duhet që mësuesi ta dorëzojë atë fizikisht, pas kontrollit që i bën DRAP. Kështu kemi rastin e mësuesve nga Saranda dhe Konispoli që për një letër kanë shkuar në Fier, apo nga zona e Kukësit në Lezhë. DRAP, në mënyrën sesi janë strukturuar, janë jashtë funksionit të tyre dhe shumë pak të aksesueshëm, për shkak të largësisë së tyre dhe dublimit të punës. P.sh. në Durrës ka edhe DRAP edhe ZVAP?! Përse duhen të dyja këto institucione”.

Riorganizimi i ri i zyrave arsimore, sipas z. Mehmeti, nuk ka rritur cilësinë në arsimin parauniversitar, madje duke iu referuar rezultateve të PISA-s (Programi i OECD për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve), në rajon Shqipëria lë pas vetëm Kosovën.

“Ne kemi Drejtori të Arsimit në Ministrinë e Arsimit, Drejtori të Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, Drejtori Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyra Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe kemi kaq shumë problematika të mëdha në përditshmërinë e sektorit të arsimit. Madje, shumë herë, institucionet përplasen me njëra-tjetrën. Të gjitha këto institucione kanë dështuar në kontrollin, evidentimin dhe përmirësimin e mirëfunksionim të arsimit parauniversitar. Ngjarjet tragjike, ku në një institucion privat parashkollor në Fier, një fëmijë humbi jetën dhe në Tiranë, ku fëmija (i cili nuk ishte i vetmi rast) u dhuna nga një edukatore, ushtronin veprimtarinë e tyre pa licencë kanë nxjerrë zbuluar faktin që këto institucione kanë qenë tërësisht në gjumë dhe krejtësisht të painformuara mbi ushtrimin e paligjshëm të veprimtarive arsimore edukative të institucioneve në zemër të qyteteve të mëdha”.

Ai rekomandon se për organizimin e zyrave vendore arsimore duhej të shkohej në linjën e studimit të bërë në vitin 2012-2013 nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, e asaj kohe në Ministrinë e Arsimit, që propozoi reduktimin e ZA, duke shkrirë 7 prej tyre.

“P.sh., Tiranës do t’i mjaftonte një drejtori dhe jo dy si dikur, po ashtu mund të ndërhyhej edhe në zvogëlimin e numrit të ZA, duke marrë në konsideratë ndryshimet demografike dhe lëvizjen e njerëzve. P.sh., nuk mundet që Korça të kishte 4 ZVA, pasi nuk justifikohej me numrin e nxënësve dhe mësuesve dhe kosto e mbajtjes së tyre ishte e lartë. Po ashtu, Lushnja duhej bërë Drejtori Arsimore, për shkak se numri i nxënësve dhe mësuesve kalonte tërë Qarkun e Gjirokastrës. Por në vend që të shkohej në linjën e këtij studimi, pas 2013, për çdo bashki u ngrit nga një ZVA, thjesht për të pasur kontrollin e votave dhe për të punësuar njerëz në bazë të kriterit të partishmërisë, jo meritokracisë”.

Problemet me punësimet në zyrat arsimore vijuan edhe pas reformës. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për auditin e veprimtarisë së Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) Durrës, për periudhën 2019 deri në gusht 2020 rezultoi se, 98% e stafit të DRAP dhe 12 ZVAP-ve nën juridiksionin e saj ishin të komanduar, (pra, pa procedura konkurrimi), gjë që nuk siguron kompetencën e stafit për pozicionet në të cilat janë komanduar.

“Në procedurat për zgjedhjen dhe shpalljen fitues të drejtuesve të shkollave parauniversitare u konstatuan problematika të shumta, të cilat kanë cenuar vlefshmërinë e të gjithë procesit, të shkaktuar si rezultat i mosanalizimit nga DPAP dhe DRAP të zbatueshmërisë së kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për drejtor, trajtimit me dy standarde të kandidatëve për drejtor shkolle, planifikimit të dobët të zhvillimit të procedurave, kuadrit ligjor dhe rregullator të paharmonizuar, etj. Gjithashtu, u konstatuan problematika në hartimin dhe realizimin e buxhetit, si dhe në ngritjen e sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm në DRAP Durrës dhe ZVAP-e”, citohet në raportin e KLSH-së./Monitor

Burg për krahun e djathtë të Veliajt, raportonte te Zoto për inceneratorët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës mohoi njohjen me pronarët de fakto të landfillit të Sharrës, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, të zhvilluar në fillim të vitit 2022.

Por, të dhënat e siguruara nga Prokuroria e Posaçme SPAK kanë zbuluar se njëri prej drejtorëve më të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha, raportonte tek Klodian Zoto.

Tusha nuk është rastësor në historinë e inceneratorëve. Ai ishte emëruar nga Veliaj si anëtar i Komisionit për Dhënien e Koncesionit të Sharrës.

Prokuroria e Posaçme deklaron në dokumentat hetimorë se ka zbuluar një e-mail, që drejtori Tusha ia dërgonte Klodian Zotos.

Bashkëlidhur me atë e-mail ishte edhe plani për përdorimin e fondeve nga buxheti i shtetit në favor të bashkive të qarkut Tiranë për përmbushjen e detyrimeve që rridhnin nga kontrata koncesionare për landfillin e Sharrës, e cila ishte firmosur disa muaj më përpara.

E-maili i Tushas në adresë të Klodian Zotos mban datën 21 maj 2018. Ndërkohë, 10 ditë më vonë, në 31 maj 2018, Këshilli i Ministrave miraton propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës për përdorimin e fondeve nga buxheti i shtetit në favor të bashkive të qarkut Tiranë për pagesën e tarifave të mbetjeve.

Pra, ishte saktësisht i njëjti projekt, të cilin drejtori i Veliajt ia kishte dorëzuar Zotos 10 ditë më parë, duke e informuar bosin e mbeturinave në kohë reale për zhvillimet në institucionet qeveritare.Burg për krahun e djathtë të Veliajt, raportonte te Zoto për

BE arrin marrëveshjen historike, Inteligjenca Artificiale do të rregullohet me ligj

Shtetet anëtare të Unionit dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje paraprake mbi Aktin e Inteligjencës Artificiale.

Kjo është tentativa e parë në botë për të rregulluar teknologjinë që po zhvillohet në mënyrë të shpejtë, në një mënyrë gjithëpërfshirëse, të bazuar në etikë.

Marrëveshja u arrit në nivel politik të premten mbrëma pas bisedimeve që vijuan gjatë gjithë ditës dhe pasuan një maratonë të pasuksesshme mes të mërkurës dhe të enjtes pasdite.

Në total, bisedimet zgjatën mbi 35 orë. Marrëveshja u arrit pas lobimit intensiv nga kompanitë e teknologjisë të të gjitha madhësive, paralajmërimeve të rrepta nga shoqëria civile dhe shqyrtimit intensiv të medias pasi legjislacioni nga Brukseli mund të ndikojë për mirë në përpjekjet e ngjashme rregullatore në të gjithë botën.

Kjo është historike! BE bëhet kontinenti i parë që vendos rregulla të qarta për përdorimin e AI,” tha Thierry Breton, Komisioneri Evropian për tregun e brendshëm që mori pjesë në debat.

“Akti i AI është shumë më tepër se një libër rregullash, është një pikënisje për startup-et dhe kërkuesit studimorë të BE-së për të udhëhequr garën globale të AI,” shtoi ai.

Marrëveshja e vendos BE-në përpara SHBA-së, Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar në garën për të rregulluar inteligjencën artificiale dhe për të mbrojtur publikun nga rreziqet që përfshijnë kërcënimin e mundshëm për jetën, që shumë druhen se teknologjia me zhvillim të shpejtë e mbart.

Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Jupi: Mbështetja ndaj SPAK-ut , Veting-u në politikë, lufta ndaj korrupsionit, prioritete të PD-së

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, anëtarja e kryesisë së PD-së, Taulanda Jupi, thotë se korrupsioni është një ndër faktorët kryesorë që kërcënojnë demokracinë.

“Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, mbështetje ndaj organeve të drejtësisë, mbështetje ndaj SPAK-ut, ndëshkimi i kujtdo që ka abuzuar me pushtetin dhe besimin e qytetarëve, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, është sfida më e madhe kemi sot.” – shkruan Jupin në reagimin e saj.

Zyrtarja demokrate thotë se “Veting-u i politikanëve është domosdoshmëri sot, për të ardhmen që duam nesër”.

Më poshtë reagimi i plotë i Taulanda Jupit:

Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit  e gjen

Shqipërinë të renditur si një nga shtetet më të korruptuara në Europë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.

Korrupsioni është një ndër faktorët kryesorë që kërcënojnë demokracinë, një ndër shkaktarët e situatës së vështirë ekonomike, paqendrueshmërisë social -politike në vend, është shkaktari kryesor i mungesës së shpresës, prespektivës së qartë për të ardhmen dhe më e rënda i largimit masiv të të rinjve.

Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit,

mbështetje ndaj organeve të drejtësisë,  mbështetje ndaj SPAK-ut, ndëshkimi i kujtdo që ka abuzuar me pushtetin dhe besimin e qytetarëve duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, është sfida më e madhe kemi sot.

Shqipëria mund të bëhet dhe do të bëhet!

Kjo kërkon forcë dhe vullnet.Për fat të keq ky vullnet nuk gjendet tek ata që korrupsionin dhe krimin  e kanë kthyer në mjetin e vetëm me të cilin dominojnë apo sundojnë realitetin politik në Shqipëri.

E pikërisht për të dalë nga ky rreth vicioz ku rrotullohemi pambarimisht prej 32 vitesh,  krahas mbështetjes pa kushte ndaj SPAK-ut, VETTING-u i politikanëve është domosdoshmëri SOT, për të ardhmen që duam nesër! VETTING!

FOTOT: Këta janë drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe zyrtarët që u arrestuan nga SPAK

Pesëmbëdhjetë urdhër-arreste janë firmosur nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK për inceneratorin fantazmë të Tiranës. Edhe përse kjo vepër nuk ekziston, taksapaguesit i kanë paguar biznesmenëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto 100 milionë euro.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e ka sekuestruar muaj më parë Inceneratorin e Tiranës. Në të paktën një rast, Zoto dhe Mërtiri Zoto, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara 4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për këtë incenerator.

  1. Lefter Koka – I dënuar për dy incenratorët e Fierit dhe Elbasanit, i shtohet dhe akuza për Tiranën
  2. Alqi Bllako- I dënuar për dy incenratorët e Fierit dhe Elbasanit, i shtohet dhe akuza për Tiranën
  3. Mirel Mërtiri – I dënuar për dy incenratorët e Fierit dhe Elbasanit, i shtohet dhe akuza për Tiranën
Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Mirel Mertiri
Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Mirel Mertiri

Sipas njoftimit të SPAK mësohet se gjatë hetimit ka rezultuar, se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

  1. Klodian Zoto – I dënuar për dy incenratorët e Fierit dhe Elbasanit, i shtohet dhe akuza për Tiranën
  2. Alba Thoma – “Truri” i inceneratorëve dhe ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit
  3. Bledar Karoli – Ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë
Klodian Zoto, Alba Thoma dhe Bledar Karoli
Klodian Zoto, Alba Thoma dhe Bledar Karoli
  1. Taulant Tusha – Drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës
  2. Pëllumb Abeshi – Kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Ministria e Mjedisit
  3. Valbona Ballgjini – Ish-anëtare e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës

Nga provat e siguruara ka rezultuar se dy shtetasit e shpallur në kërkim Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiti kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se Zoto, në bashkëpunim me Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 lekë. Klodian Zoto, raportohet se është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services”, si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy”.

Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar perfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1,000,000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit.

Taulant Tushe, Pellumb Abeshi dhe Valbona Ballgjini
Taulant Tushe, Pellumb Abeshi dhe Valbona Ballgjini
  1. Namik Simixhiu – Ish-anëtar i Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës
  2. Etleva Kondi – Ish-anëtare e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës
Namik Simixhiu dhe Etleva Kondi
Namik Simixhiu dhe Etleva Kondi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë po heton në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 143/3 dhe 25, 248, 260 të Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 287/ gërma “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragari 2 i Kodit Penal.

  1. Lefter Kokën – Aktualisht në burg
  2. Alqi Bllako – Aktualisht në burg
  3. Pëllumb Abeshi – Aktualisht në burg
  4. Mirel Mërtiri – Në kërkim ndërkombëtar
  5. Klodian Zoto – Në kërkim ndërkombëtar
  6. Erjon Murataj – Në kërkim kombëtar
  7. Taulant Tusha – I arrestuar
  8. Bledar Karoli – I arrestuar
  9. Namik Simixhiu – I arrestuar
  10. Jetmir Llapaj – I arrestuar
  11. Alba Thoma – Arrest në shtëpi
  12. Valbona Ballgjini – Arrest në shtëpi
  13. Sidita Kopliku – Arrest në shtëpi
  14. Etleva Kondi – Arrest në shtëpi
  15. Sidita Tola – Arrest në shtëpi.

 

Shifra që do trondisnin çdo qeveri dhe opozitë…

Zef Ndreka

Do përpiqemi të ofrojmë disa shifra që janë pasqyruar zyrtarisht në Shqipëri në lidhje me numrin e mjekëve dhe infermiereve të ikur vetëm vitet e fundit nga vendi ynë.
Janë më shumë se 1500 mjekë të specialitetëve të ndryshme si kardiologë, kirurgë, ortopedë, okulistë, dermatologë, otorino-laringologë etj. që kanë furnizuar spitale e klinika private kudo në Europë, kryesisht në Gjermani, në Itali, Francë, ShBA, Angli etj.
Sigurisht, numrin më të madh e ka Gjermania, e cila realisht i ka hapur dyert shumë profesioneve të tjera, si infermier, inxhinier mekanik , inxh.elektrik, inxh.ndërtimi etj, si dhe profesioneve të tjera si tornitor, mekanik, hidraulik, ndërtues, elektriçist, elektoaut etj.
Janë mbi 16 000 infermier që vetëm vitet e fundin Janë larguar nga Shqipëria, edhe këto në shumicë drejt Europës e SHBA-ve. Gjermania, sigurisht ka thithur numrin me të madh dhe përsëri është e pa ngopur.

Lindin pyetjet:

– Përse gjithë kjo ikje masive e mjekëve, infermierëve, specialisteve, punëtorëve të thjeshtë, rinisë?
– A nuk ka vende pune në Shqipëri, apo ikin për rrogë më të lartë?
– Apo ikin për shkak të kushteve të punës?
– Apo ikin për shkak të pasigurisë në punë?

Mbase janë të gjitha bashkë këto arësye.
Por kryesore për një shtet, për një qeveri është të vlerësohet saktë diagnoza e ikjeve masive.
Të përpiqemi të japin disa fakte.
Në programin financiar të e qeverisë, vetëm 2% e buxhetit shkon për sistemin e shëndetësisë, që krahasuar me % e vendeve të tjera prej mbi 6% është shifër shumë e ulët.
Madje nga ky fond i aneksuar për shëndetësinë, 88% e tij mbahet në Tiranë, ndërsa vetëm 12% e tij mbetët për pjesën tjetër në gjithë vendin.
Pagat e ulëta të punonjësve të sistemit të shëndetësisë janë realisht një tjetër arësye e ikjeve masive të këtij lloj specialiteti.
Por më kryesorja mbetën kushtet e punës. Të pa mbrojtur si në anën profesionale, si në siguri, me mjete të pa mjaftueshme shërbimesh spitalore, pa sistemet e ngrohjes e të ftohjes, pa mediakamente që shpesh herë ose përherë blihen nga pacienti, janë arësyet reale të kësaj hemoragjie në ikje.
Kur ikin mjekët, infermierët, inxhinieret, specialiste të profesioneve të ndryshme, studentë të sapo diplomuar, si mund të qëndrojë rinia e cila e ka zbrazur vendin me mbi 500 mijë vetëm këto vitet e fundit, duke plakur shumë popullsinë që jeton në Shqipëri.
Sot, numërohen rreth 50% e popullsinë mbi moshën 60-vjeçare.
Duke mbetur në këto nivele ikjesh, pas 5 vitësh, në Shqipëri do të ketë me shumë pensionistë në raport me popullsinë.
Pastaj, do lindin probleme të tjera që lidhën me pensionet dhe sigurinë e tyre, me fondet nga do sigurohen ato, etj.
Pa u zgjatur, këto janë disa nga problemet që duhet të alarmojnë çdo qeveri por edhe opozitë.
Dhe jo të jemi të shqetësuar per revolucione imagjinare, apo djegie karrigesh të parlamentarëve, apo hallet përsonale të disa individeve që e kanë siguruar vetën dhe familjen me para për 300 breza…

EMRAT/ Urdhërarrestet e SPAK për inceneratorin e Tiranës, bien në pranga 4 persona

Pas 15 urdhërarresteve të lëshuara nga SPAK një ditë më parë lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës, janë arrestuar Taulant Tushe, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Jetmir Llapaj.

Ndërkohë është shpallur në kërkim Erjon Murataj, i cili mësohet se ndodhet jashtë vendit. Po ashru janë ekzekutuar edhe masat me arrest shtëpie për për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Lajmi konfirmohet nga gazetarja Klodiana Lala.

Ndërkohë sërish rëndojnë akuzat ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, të dënuar për korrupsionin në inceneratorin e Fierit, të cilëve u është komunikuar masa në qeli.

GJKKO ka dhënë dje masat e arrestit në burg për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj.

Ndërsa është vendosur masa e “Arrestit në shtëpi” për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Kujtojmë së më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Zjarr në një spital në Itali, 4 të vdekur

Katër pacientë vdiqën nga një zjarr i madh që shpërtheu gjatë natës në spitalin San Giovanni Evangelista në Tivoli, në Itali.

Flakët, kanë shpërthyer në disa dhoma në katin -2.

Më pas zjarri ka mbërritur në urgjencë dhe në reanimacion .

Mbi njëqind e tridhjetë pacientë u evakuuan nga spitale.

Sipas mediave italiane, viktimat janë dy burra të moshës 76 dhe 86 vjeç dhe dy gra të moshës 84 dhe 86 vjeç.

“Morën 20 mijë € në lokal”/ Lala: Babai i Liridonës më tha do dalin krime të mëdha…

Gazetarja Klodjana Lala tha në një intervistë për Euronews Albania se Prokuroria e Kosovës duhet të hetojë burimin e pasurisë së Naim Murselit, njeriu që porositi vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës.

Ajo zbuloi se gjatë intervistës që i kishte marrë babait të Liridonës, ky i fundit i kishte thënë se prokuroria duhet të hetojë aktivitetin e Naim Murselit dhe Kushtrim Kokallës pas të cilit sipas tij mund të zbulohet krime të mëdha.

“Babai i tij më tha një fjali që askush s’e ka vënë re, ai më tha që duhej që prokuroria të hetojë Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën për një shumë prej 20 mijë eurosh që kanë marrë në një lokal disa ditë para ngjarjes se unë kam bindje se nëse do të hetohet aktiviteti i tij mund të dalin në skenë krime shumë të rënda. Kjo do të thotë që babai ka pasur të tjera dyshime ndaj Naim Murselit.

Unë kam bindjen që Kushtrim Kokalla mund të jetë kutia e Pandorës në këtë histori, duke qenë pjesëtar i FSK dhe njëri shumë i afërt me Murselin”, tha Lala

Inceneratori i Tiranës/ PD, Bejko: Mbështesim SPAK dhe gjyqësorin. Rrjetës së drejtësisë nuk duhet t’i shpëtojnë peshkaqenët e mëdhenj

Lidhur me goditjen e fundit të SPAK për inceneratorin e Tiranës, ka reaguar në një postim në rrjetin social facebook ish-kandidati i PD për bashkinë Tiranë, njëkohësisht nënkryetar i kësaj force politike, Roland Bejko.

Bejko shprehet se PD është plotësisht në mbështetje të SPAK-ut dhe inkurajon prokurorët, gjyqtarët dhe ekipet e tyre të vazhdojnë me guxim dhe vendosmëri punën e tyre.

“Partia Demokratike ka qenë dhe është plotësisht në mbështetje të SPAK dhe drejtësisë së re. Ajo e ka përshëndetur atë vazhdimisht për aksionet e saj me objektiv luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne i inkurajojmë prokurorët, gjyqtarët, dhe ekipet e tyre që të vazhdojnë me guxim dhe vendosmëri të çojnë para togave të zeza këdo nga ofiqarët dhe bashkëpunëtorët e tyre, pavarësisht pozicionit që mbajnë në hierarkinë shtetërore, për të dhënë llogari për abuzimet e mundshme që kanë bërë me pushtetin, fondet publike, dhe me besimin që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë.”
– shkruan Bejko.

“Goditja që ka marrë banda e incerenatorëve të bashkisë Tiranë, – vijon më tej ai, – është dëshmia më e mirë se SPAK e meriton mbështetjen e deritanishme.”

Bejko e mbyll reagimin e tij duke thënë se “kemi arsye të besojmë se rrjetës së drejtësisë nuk do t’i shpëtojë askush nga peshkaqenët e mëdhenj të pushtetit në megaskandalin e inceneratorëve dhe më tej, me qëllim që veç të tjerash, besimi ynë dhe shpresa e publikut shqiptar te drejtësia e re, të mos meritojë të mbetet thjesht një ëndër e bukur”.