22.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Në emër të antarësisë!

Nga Besart Logu

Pas vendimit të Lulzim Bashës, atë të 9 shtatorit për pezullimin e përkohshëm të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD deri në zgjidhjen e çështjes së non gratas, Berisha nisi menjëherë lëvizjen politike në funksion të halleve të tij personale të cilën e shiti se po e bën për një parti më të bashkuar, më të hapur, më të fortë, duke e pagëzuar me emrin Levizja për Rithemelimin e PD.

Për tre muaj me rradhë, retorika e përdorur në foltoren lëvizëse ndërqytetase ishte ishte se; nën drejtimin e Lulzim Bashës Partia Demokratike kishte rrëshkitur nga parimet mbi të cilat ishte themeluar.

Sipas tij, vendimet personale të Lulzim Bashës e kishin tkurrur partinë duke e kthyer atë në një alternativë humbëse edhe pse e vërteta flet krejt ndryshe. Në zgjedhjet e 25 prillit PD shënoi rezultatin më të mirë prej 622 mijë vota, rezultat të cilin e kishte parë vetëm në vitin ’96 (rreth 915 mijë vota), nëse do të quhen zgjedhje, në të kundërt vetëm në mars të ’92 kur mori rreth 1.1 milion vota.

Sipas Berishës, antarësia kishte humbur pushtetin në parti për shkak të mungesës së vendimmarrjes nga ana e saj. Mendësi tipike bolshevike që flet shumë për brymosjen e liderit historik të PD. Berisha harron se jetojmë në një sistem demokratik ku pushteti, bashkë me të dhe vendimmarrja, delegohet me anë të votës, ku në rastin e PD delegohet në dy mënyra:

1. Zgjedhja e kryetarit të partisë sipas parimit “një anëtar, një votë”, 2. Zgjedhjet në nivel dege ku krijohen strukrurat lokale të cilat janë njëkohësisht edhe delegatë në kuvend, nga ku votohet Këshilli Kombëtar i cili më pas zgjedh nënkryetarët, kryesinë dhe sekretariatet.

Pra, e gjithë kupola drejtuese e partisë është produkt i votimit të antarësisë të cilët delegojnë pushtet e vendimmarrje përmes votës. Ku është shmangur antarësia?!!

I bindur se funksionimi i PD ka qenë brënda çdo parimi demokratik por që për lëvizjen e tij nuk konvenonte, antarësia duhej të sillej në qendër të vemendjes.

Gjuha bolshevike, me akuza dhe trillime, me ndasi “ne dhe ata”, duke gjetur armiq të brëndshëm e të jashtëm, ishte karburanti i makinerisë propagandastike foltoriste.

E gjitha kjo kulmoi me kuvendin e 11 dhjetorit i cili u mbajt në stadium ku kishte më shumë anëtarë e simpatizantë se sa delegatë. Demonstrim force prej nga nisi edhe artikulimi “shumicë-pakicë”, komunikim publik që të kujton lëvijen politike leniniste ku fraksioni radikal komunist bolshevik (bolshevik në gjuhën ruse do të thotë shumicë) brënda Partisë Ruse Social Demokratike të Punës u shfaq gjatë kongresit të partisë në vitin 1903 pasi u nda me menshevikët si grupim më i moderuar (menshevik në gjuhën ruse do të thotë pakicë).

Primaret, zgjedhja e kandidatëve nga antarësia si rezultat i një gare të brëndshme, ishte zhgënjimi i parë i demokratëve që besuan se kësaj rradhe Sali Berisha e ka seriozisht. Fiksimi nga Tirana i kandidaturës fituese prodhoi një garë fiktive ku shpeshherë u shoqërua me lista të fryra apo të cunguara që sipas rastit penalizonin kandidaturën që gëzonte pëlqimin e antarësisë por jo të parisë.

Provë e gjallë se gjithçka që ishte folur e pretenduar në tre muaj ishte mashtrimi, e njëkohësisht përdorimi, më i madh i antarësisë në 30 vite pluralizëm.

Dhe vijmë sot, në kuvendin e 2 dhjetorit, moment ku sulmi ndaj institucioneve të drejtësisë është shtuar ndjeshëm për shkak të pozitës penale të Berishës si person nën hetim i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim dhe me një marzh dënimi 4-12 vite burgim. Pozitë e cila ka shtuar frikën e burgimit si dhe paranojën se të gjithë i’a kanë me hile. Rrethana që imponojnë të shikojë për trashëgimtarin e PD së Rithemeluar.

Prandaj, kandidatura e mundshme si njeriu më i afërt, më besnik dhe pa ndonjë rrezik se mund t’i cënojë para kohe pozitat e pretenduara të liderit të opozitës, padiskutim do të ishte familjar, mundësisht me lidhje gjaku.

Dalja e bijës së tij dy herë brënda një muaji, që për dekada tjera ka qenë pothuaj e distancuar dhe pa interes për zhvillimet politike, aq më tepër ato partiake, flet se Rithemelimi po përgatitet të bëjë Çeljen e Trashëgimisë.

Kuvendi i 2 dhjetorit kishte një rend dite që çuditërisht nuk u diskutua shumë rreth tij! Përveç votimit për konfimimin e kreut të partisë, kuvendi miratoi rezolutën anti SPAK si dhe ndryshimin e nenit 63 të statutit të Rithemelimit.

Sipas këtij amendimi, Këshillit Kombëtar i shtohet kompetenca për të ndryshuar statutin. Pra, aktin themeltar të partisë, që miratohet me 2/3 e votave të Kuvendit, organi më i lartë vendimmarrës, tashmë mund ta ndryshojë edhe një grusht njerëzish. Dhe kjo, vetëm për nevoja emergjente me kushtin që të ratifikohet në kuvendin e parë të rradhës.

Po çfarë mund të cilësohet nevojë emergjente për një parti tashmë të rithemeluar, që i është rikthyer parimeve mbi të cilat u themelua, që nuk ka më në gjirin e saj besprerë, që kanë të qartë strategjinë opozitare dhe se kë kanë kundërshtar politik, për më tepër, ku për çdo vendimmarrje pyetet antarësia?!!!

Nevojë emergjente është zgjedhja e kryetarit të ri të partisë në mes të natës, në kushtet kur asnjëri që e rrethon, edhe pse besnik i sprovuar, nuk shihet si trashëgimtar i mundshëm.

Kuvendi i 2 dhjetorit ishte mbyllja ideale e fabulës me demokraci e pluralizëm, shkruar nga Ramiz Alia dhe interpretuar nga treshja Berisha-Meta-Rama.

Antarësia nuk u pyet kurrë edhe pse çdo vendim është marrë në emër të saj, siç mori shoku Enver vendime në emër të popullit për 45 vjet dhe që në grahmat e fundit, politike e biologjike, vendosën familjarët dhe jo populli se cila do të ishte trashëgimia e partisë.

“I shërben vetëm dy vetëve”, Dashamir Shehi: Situata në Kuvend ushqehet nga Rama. I leverdis të ketë Berishën përballë

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është shprehur se situata në Kuvend ushqehet nga Edi Rama.

Në një intervistë në Report TV, Shehi u shpreh se kjo situatë praktikisht i shërben dy vetëve, Edi Ramës dhe Sali Berishës, sepse të dyve u intereson mbajtja e kësaj gjendjeje.

Më poshtë deklarata e plotë e deputetit Dashamir Shehi: 

Kujt i shërben kjo? Kjo i shërben praktikisht dy vetëve Edi Ramës dhe Sali Berishës. Sepse njëri thotë që ky është kundërshtari im, shifeni dhe ju dhe bota, ky është një figurë tani që mban peshën e presionit ndërkombëtar, por mban dhe peshën e situatave të brendshme. Kështu që ky është një personazh vurnerabël tani dhe e Edi Rama e di shumë mirë që ky nuk mund të mbërij kurrë 50% e famshëm për të rrëzuar Edi Ramën. Kështu që këtij i leverdis që ky të jetë, siç e kemi provuar në zgjedhjet e fundit. Edhe Berishës i leverdis kjo lloj situate sepse mirë keq, kjo principata e vet opozitare është e imja thotë dhe s’ka lojtarë të tjerë në mes. Domethënë këtyre të dyjave u duhet që midis Ramës dhe Berishës është një hapësirë bosh. Është një limbo politike që nuk prodhon kurgjë. Kur në fakt ne themi, ne kemi nevojë të provohen personazhe të reja, ide të reja, fytyra të reja, sinergji e re. Ndërsa këtyre nuk u leverdis kjo punë dhe ta thash, në një farë mënyre këta kanë një… Po e them që e gjithë situatë po i shërben Edi Ramës dhe unë kam të gjithë bindjen absolute që e ushqen Edi Rama sepse treçerekun e mediave e kontrollon Edi Rama dhe përditë kemi atë Berishën, grupin e Berishës, s’ka më asgjë tjetër.

Kryebashkiaku i Rithemelimit të Berishës, letër Ramës: I strehojmë ne emigrantët afrikanë, është momenti të tregojmë mikpritjen

Kryetari i bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj i ka bërë një letër kryeministrit Edi Rama, me anë të së cilës kërkon që një pjesë të emigrantëve afrikanë ti strehojë në Memaliaj.

Malaj është zgjedhur kryetar i bashkisë nga koalicioni Metaj-Berisha në zgjedhjet e 14 majit.

Ai ka zgjedhur kështu të jetë pro ardhjes së emigratëve në Shqipëri, madje ju bën ftesë të shkojnë në bashkinë që drejton ai.

“Bazuar në marreveshjen e lidhur mes Kryeministrit te Shqiperise me Kryeministrin e Italise, ne te cilen ështe dakortsuar per sjelljen e emigranteve dhe azilkerkuesve afrikan nga Italia në kampe te vendosura ne Shiperi, eshte momenti te tregojme mikpritjen tone nisur nga perjetimi dhe mikpritja qe ne per shume vite si emigrante e kemi gjetur ne shtetet europiane.

Bashkia Memaliaj shpreh gatishmerine e saj per te strehuar nje pjese te emigranteve nisur dhe nga eksperienca e fituar ne vitin 98 duke strehuar dhe treguar traditen e mikpritjes ndaj vellezerve tane te Kosoves, mbeshtetur ne dakortesimin e komunitetit i cili eshte i gatshem per te dhene kontribut pozitiv në jetesen e emigranteve, zoterimi i hapesirave dhe ambjenteve te pershtatshme akomoduese, si dhe pozicionimi i favorshem i territorit te bashkise ne afersi te portit te Vlores dhe Sarandes.

Mbështetur edhe ne eksperiencen time profesionale si nje ish ushtarak, i kualifikuar per menaxhimin e krizave te refugjateve ne misionet e ngarkuara jashte Shiperise jam i pergatitur dhe i gatshem per te siguruar miremenaxhimin dhe mbarvatjen e procesit te strehimit t emigranteve te huaj dhe ne Bashkine Memaliaj”, shkruan në letër ndër të tjera.

Në bazë të marrëveshjes, Italia do të financojë dy qendra për të menaxhuar emigrantët pa leje qendrimi.

Këto struktura fillimisht do të presin jo më shumë se 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil.

Do të qarkullojnë në vit deri në 36 mijë persona, natyrisht jo njëkohësisht, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave do të mbetet deri në 3000 persona në muaj.

Shënim/ Foltorja premtoi demokracinë, por më 2 dhjetor ligjëroi trashëgiminë familjare

Kuvendi i Foltores i mbajtur më 2 dhjetor përveç votëbesimit të Sali Berishës shtatë muaj pas humbjes së zgjedhjeve lokale, rezolutës anti SPAK (lexo: antiamerikane), kaloi edhe një vendim, i cili nuk u komentua, madje u mbajt qëllimisht i fshehtë.

Bëhet fjalë për një ndryshim në Statutin e Rithemelimit, që ka të bëjë me mospasjen nevojë për të mbledhur Kuvendin e Partisë për të bërë ndryshime statuore.

Tashmë, ato mund të bëhen vetëm me votat e 2/3 të Këshillit Kombëtar të “Foltores”.

Një ndër kritikat dhe premtimet e Berishës ndaj rivalëve të tij politik, ka qenë pikërisht mungesa e demokracisë dhe pjesëmarrja e demokratëve në vendimmarrje.

Madje, me këtë tezë brodhi lart e poshtë nëpër Shqipëri në “Foltoren” e Parë anti Basha.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Berisha, si përherë, “harroi” zanafillën e lëvizjes së tij dhe, përveçse u nxori të bijën për t’ua paraqitur formalisht si pasardhësen në krye të “Rithemelimit”, njëkohësisht e ligjëroi një gjë të tillë me ndryshime statuore.

Kështu është në rregull edhe me “letra” kur të vijë koha e tyre.

Pra, tani nuk është e nevojshme të mblidhen demokratët e “Foltores” për të marrë vendime, por ato mund t’i marrin anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, të cilët në pjesë të madhe kanë lidhje krahinore, fisnore, familjare dhe nepotike me familjen Berisha, gjë që do të thotë se për të trashëguar zonja Malltezi-Berisha partinë nuk është e nevojshme vota e demokratëve të Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Beratit, Durrësit apo Tiranës, por vetëm një pjesë e votave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar së bashku me votat e Vokshit, Pekës, Strazimirit, Bylykbashit e ndonjë tjetri.

Demokratët që i ndjekin nga pas për më shumë demokraci në parti, duhet ta dinë se prej 2 dhjetorit një grusht i vogël mbështetësish të ish-liderit demokrat do marrin çdo vendim, duke e quajtur legjitim.

Të paktën, ta dinë se as formalisht s’do pyeten, pa realisht nuk është se i ka pyetur kush deri më sot.

Është e qartë se po përgatiet “dorëzimi” i stafetës së “Foltores” te familja Berisha, me akte, gjoja, të miratuara në Kuvendin e saj.

Kuvendi i 2 Dhjetorit si Akti i Trashëgimisë së partisë te Noteri

Nga Sidi Hasanaj

Pronar Sali Berisha, Trashëngon: Argita Malltezi!

Të shpenzosh më energji dhe kohë me Sali Berishën, është tashmë e tepërt.
Atij i ka humbur verbi politik, aktet dinake dhe të forta, i ka humbur totalish morali politik por edhe pragmatizmi dhe nuhatja. Rrezonon vetëm vjetërsi, dobësi, cektësi, gjuhë të dhunshme e të ngarkuar me urrejtje e mallkine por në gojën e një entiteti politik tepër të pafuqishëm, e si pasojë është gjuhë që tingëllon me kujet e plakave histerike.

Berisha është tashmë i mundur, dhe është hera e parë që në Shqipëri një politikanë është shkatërruar vetë, është mundur vetë.

Kartën Morale e sakrifikoi vetë, e këmbeu me 2 qindarka paburrërie siç është aleanca me Bardhin/Salianjin.
Partinë e tij, Rithemelimin, e mishëroi vetë në subjekt të injorantëve dhe servilëve… se detyroi askush, i zgjodhi vetë në shumicë figurat groteske të spikatura për injorancën dhe servilizmin e tyre.

Sa herë ka hyrë në gara elektorale vetëm ka humbur, fitorja e fundit e një partie nën drejtimin e Berishës është 2005 e largët, në 2009 morri barazim, pra ka plot 19vjet (pa pak javë) gati 2dekada që nuk e ka shijuar kurrë fitoren.
Madje nëse në 2013 humbi në forëm plebishitare, por ruajti disa simbole ai Shkodra, Kukësi e Tropoja, sot humbet thellësisht edhe këto simbole!

Dinjitetin e humbi vetë, humb Kukësi ku Rama e mund thujse me dyfishin e votave, dhe justifikohet duke thënë se “u shitën burrat e Kukësit”.
Edhe kur humbet humbet padinjitet, duke u fshehur para fakteve dhe akuzuar burrat e që votuan për 13 vjet.

Ashtu si dhe “patriotizmin” e shiti si në rastin Beleri të Agimit të Artë, me të cilin bëri aleancë ku flamuri Shqipëtarë u ul dhe nl shtabin elektoral të Rithemelimit Himarë u ngrit flamuri i VorioEpirit Ksenofob Grek.

Linear me gjithë degradimin e Berishës, ishte dhe kuvendi i dy Dhjetorit.
Berisha aty hapi “letrat” e partisë së tij para Shqipëtarëve, letrat e mbyllura në kasafortën e Palokës. Tregoi se ajo parti është pronë private e tij, ka Tapi dhe tapia e saj shkruan “pronar: S.Berisha”, ndërkohë që noteri ose oborrtarët e tijë lexuan dhe noterizuan njëzëri aktin e trashëgimisë:

Kur pronarit i vjen fundi (politik), shtëpinë e trashëgon fëmija… jo miku, dhe pronën private të Berishës me trashëgoi vajza e tijë.

Me një fjalim mediokër dhe që ngjallte veçse hilaritet kur e konsideronte veten “shtresë të mesme”, luftëtare që ka sjell dikur kapitalizmin në vend apo si dikush që drejtësia i kishte akuzuar burrin me pa të drejtë falë urdhërave të po atij që i kishte firmosur 20leje ndërtimi; Malltezi morri aktin e trashëgimisë. Morri në pronësi oborrin politikë-ekonomikë të të atit të saj.

Problemi nuk qëndron te faza terminale, te pjesa ku e bija trashëgoi pronën e të atit, por te gjithë mënyra se si ka operuar kjo pronë, ky aset:
Ka qenë gjithnjë me oborrtarë, kushërinj, nipër e mbesa, nënpunës servilë e lakmitarë për plaçkë të një personi.

Ndaj firmëtarët e famshëm të mbajtur sekret te kasaforta e Palokës, nuk u treguan kurrë… se ata ishin nipër, mbesa, fëmijë, funksionarë të korruptuar e të skllavëruar të padronit Sali Berisha.

Ndaj Sali Berisha u nda nga Partia Demokratike, sepse Partia Demokratike vendosi të shkojë “right” në zemrat e Shqipëtarëve, të shtresave simbol të së djathtës dhe në Perëndim.
Berisha me PD ka pasur kontratë pasuri dhe pushteti, jo kontratë për të shkuar “Right”, ndaj edhe ndarjen e kreu vetë me akt turpi si ai i 8janarit.

“Kam besuar se Rama do ishte ndryshe, por ky e prishi krejt. Duhet të ikë, njejtë si Sali Berisha dhe Ilir Meta”

Nga Osman Stafa

Ramazan si je?

I dëshpëruar!!!

Pse?

Sytë po më lënë.

Ke bërë ndonje vizitë për sytë?

Kam bërë para 2 vitesh.

Dhe?

Më thanë të bleja syze 90 mijë lekë.

Pse si bleve?

Unë të kisha 90 mijë lekë, kisha blerë shtëpi.

Po këtë në dorë, çe ke?

E kam blerë në rrugë. Më ndihmon të shikoj e lexoj.

Lexon me lupë?

Po. Me këtë lexoj.

Çfarë po lexon sot?

Një gazetë.

Si duket situata e Shqipërisë nëpër gazeta?

Keq. Shumë keq.

Pse kështu?

Kam besuar se Rama do ishte ndryshe, por ky e prishi krejt. Duhet të ikë, njejtë si Sali Berisha dhe Ilir Meta. Na kanë lodhur.

Po libra lexon?

Dua, por s’kam.

Çfarë libri do të lexosh?

Dua të lexoj librin e Blendi Fevziut për komunizmin.

E njeh Fevziun?

Jo nuk e njoh.

Po ku ke dëgjuar për të?

Kam lexuar nëpër gazeta për librin e tij për komunizmin, para ca vitesh. Dua ta lexoj.

Do të ta sjell unë. Dhe bashkë do bëjmë një vizitë për sytë dhe do blejmë edhe syzet.

Jo, mos u mundo. Janë shumë lekë. Sytë e mi nuk vlejnë aq.

Ramazan, e kam vendos. Nuk ma kthen më mendjen.

Mirë pra, të uroj të bëhesh 100 vjeç.

Ku të të gjej këto ditë?

Këtu tek Xhamia e Madhe.

Pse qëndron këtu?

Po pres të çelet Xhamia.

Pse ç’ne ti me Xhaminë?

Dua të falem për Zotin.

Po ti jeton në rrugë, pse do t’i falesh Zotit?

Që më ka dhënë shëndet dhe se ka më keq sesa jam unë. Por më duket se më shpejt do vdes unë sesa do hapet kjo xhami.

Si ti jesh mirënjohës Zotit, duke qënë një endacak?

Kjo është sprova ime.

Ramazan, do takohemi përsëri.

Do të të pres.

Njihuni me qytetin më i ftohtë i banuar në Tokë, temperatura minus 52 gradë celsius

Temperaturat nën minus 50 gradë Celsius janë matur sot në tri rajone të Yakutia në Siberinë lindore, njoftoi shërbimi hidrometeorologjik.

Minus 53 gradë Celsius rezultoi temperatura në Verkhojansk, dhe minus 52 gradë Celsius në Oymyakon, transmeton “RIA Novosti”.

Yakutia është entiteti më i madh territorial përbërës i Federatës Ruse me statusin e një republike dhe zë të gjithë zonën e Siberisë Lindore.

Kryeqyteti i Yakutsk në dimër është më i ftohti nga të gjitha qytetet kryesore në botë, dhe Oymyakon njihet si vendi më i ftohtë i banuar në Tokë.

Kryeministri i Izraelit akuzohet për korrupsion, rifillon në kohë lufte gjyqi kundër Netanyahu

Në kulmin e luftës kundër Hamasit, gjyqi për korrupsion kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka rifilluar në Jerusalem, rreth dy muaj pas pezullimit të tij për shkak të sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit.

Benjamin Netanyahu, 74 vjeç, dyshohet se ka marrë sasi të mëdha ‘dhuratash’ me vlerë rreth 176 mijë euro nga personalitete të pasura. Këto ryshfete janë purot, shishet e shampanjës dhe bizhuteritë e shpërndara midis viteve 2007 dhe 2016.

Midis dashamirësve të tij të supozuar, manjati izraelit i Hollivudit, Arnon Milchan, producent i “Brazil”, “JFK”, “Pretty woman” dhe “Natural Killers”, dyshohet se ka promovuar një masë tatimore në këmbim që Milchanit mund t’i kishte fituar miliona dollarë. Ministria e Financave megjithatë vuri veton ndaj saj.

Netanyahu pretendon se ka pranuar vetëm dhurata nga miqtë, pa i kërkuar ato dhe e konsideron veten viktimë të një gjueti shtrigash. Kryeministri nuk do të thirret menjëherë në qëndrimin e dëshmitarit, por mund të dëshmojë pas disa muajsh, sipas shtypit izraelit. Gjyqi i tij, i hapur në vitin 2020, është i pari në Izrael për një kryeministër në detyrë.

Spotify drejt pushimit nga puna të 17 për qind punonjësve të tij

Kompania suedeze Spotify ka njoftuar se, në përpjekje për të ulur kostot, do të pushojë nga puna 17 për qind të fuqisë punëtore, ose rreth 1500 punonjës.

Në një shënim mbi ndryshimet organizative të publikuar në faqen e internetit të Spotify, CEO Daniel Ek shkroi se duhej të merrte një vendim të vështirë sepse “rritja ekonomike është ngadalësuar në mënyrë drastike dhe kapitali është rritur në çmim“.

“Për të lidhur Spotify me qëllimet tona të ardhshme dhe për t’u siguruar që kemi madhësinë e duhur për sfidat përpara, kam marrë vendimin e vështirë për të reduktuar numrin total të punonjësve me rreth 17 për qind në të gjithë kompaninë,” shkroi Ek.

Ai shtoi se e kupton se si vendimi do të ndikojë në shumë individë që kanë kontribuar shumë në kompaninë, e cila aktualisht ka rreth 9000 punëtorë.

Sipas të dhënave më të fundit, kompania ka realizuar një fitim prej 65 milionë eurosh në tre muajt e shtatorit, që është hera e parë që ka një fitim tremujor në më shumë se një vit duke rritur çmimet e shërbimeve, ndërkohë që është rritur numri i abonentëve.

Që kur Spotify lançoi shërbimin e transmetimit audio, ka shpenzuar shumë para për rritjen e biznesit dhe ofrimin e përmbajtjes ekskluzive si podkaste të organizuara nga ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe gruaja e tij Michelle.

Gjithashtu, marrëveshja që bëri kompania me Princin Harry të Britanisë dhe gruan e tij Meghan Markle i kushtoi Spotify-it 25 milionë dollarë për vetëm 12 episode podkaste për dy vjet e gjysmë, duke bërë që ajo të përfundojë në qershor.

Spotify është një kompani e transmetimit audio e themeluar më 23 prill 2006 nga Daniel Ek dhe Martin Lorencon. Sakaq, është një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve të transmetimit të muzikës, me mbi 590 milionë përdorues aktivë mujorë, përfshirë 226 milionë abonentë, që nga shtatori 2023.

Dëmtimi i stadiumit ‘Air Albania’ nga tifozët në derbin Tirana-Partizani, 4 në pranga dhe 2 në kërkim

Policia ka arrestuar 4 persona për hedhjen e flakadanëve në derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas. Në kërkim u shpallën një 27 vjeçar dhe një 18 vjeçar.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në lidhje me ndeshjen mes ekipeve Tirana dhe Partizani, të zhvilluar ditën e djeshme, në stadiumin “Air Albania”, Policia e Tiranës, për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, mori një sërë masash duke koordinuar punën me Federatën, ekipet dhe grupimet e tifozërive.

Gjatë kësaj ndeshjeje është konstatuar se janë hedhur lëndë piroteknike, nga dy tifozëritë. Në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar, gjatë dhe pas kësaj ndeshjeje, janë identifikuar dhe shoqëruar në komisariatet e Policisë, shtetasit që dyshohet se kanë hedhur flakadanë në fushë dhe që kanë ushtruar veprime të dhunshme.

Deri tani janë arrestuar 4 shtetas: D. A., 21 vjeç, R. M., 35 vjeç, Q. C., 19 vjeç dhe E. D., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas, njëri prej tyre 14 vjeç, dhe R. B., 26 vjeç, G. X., 24 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit J. S., 27 vjeç, dhe M. B., 18 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e plotë të veprime të kundërligjshme të ndodhura gjatë këtij aktivitetit sportiv.

Policia e Tiranës kërkon bashkëpunimin e Federatës, klubeve sportive, tifozërive dhe pavarsisht nga incidentet e ndodhura, është e vendosur të marrë masa dhe të garantojë rendin dhe sigurinë, për çdo aktivitet sportiv, dhe të ndëshkojë çdo paligjshmëri.