31.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Profili i Melania Trump, e para Zonjë e Parë që flet 5 gjuhë të huaja në Shtëpinë e Bardhë

Melania Trump, Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, ishte modele para se të martohej me presidentin Donald Trump para 15 vjetësh. Ajo është imigrante nga Sllovenia dhe zakonisht u shmanget daljeve publike, përveç rasteve kur flet në emër të kauzave që mbështet, që përqendrohen përgjithësisht tek mirëqenia e fëmijëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti përmbledh disa nga tiparet më të spikatura që e dallojnë Melania Trump si Zonjë e Parë.

Zonja e Parë Melania Trump, gjithmonë elegante dhe e veshur bukur.

Një imigrante që u rrit në Slloveni, një ish-republikë jugosllave me një popullsi prej dy milionësh, ku ende jetojnë miqtë e saj të fëmijërisë.

“Ishte shumë njeri pozitiv. I pëlqente të lexonte. I pëlqente gjithashtu të stilonte, të bënte rroba të reja nga ato të vjetrat”, thotë Mirjana Jelançiç. shoqe fëmijërie e Melanias.

Ai pasion për t’u veshur bukur e ndihmoi të siguronte punën e parë si modele, përmes së cilës ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara.

“Është e para Zonjë e Parë imigrante që pas gruas së Presidentit John Quincy Adams, Louisa në shekullin e 19-të”, thotë gazetarja e revistës People, Michelle Tauber.

Melania dhe presidenti Donald Trump me një diferencë prej 24 vjetësh, u takuan në një festë dhe u martuan në vitin 2005.

Barron Trump lindi një vit më pas dhe është djali në moshë më të vogël i një presidenti, pas atij të presidentit Kennedy, John F. Kennedy, Junior, në vitin 1963.

“Ajo është një mama e mrekullueshme dhe e do shumë djalin e saj,Barron”, thotë Presidenti Donald Trump.

“Atij i pëlqen shkolla dhe sporti. Është atlet i zoti. Dhe dua ta ruaj nga vëmendja e tepruar tani për tani”, thotë Melania për të birin.

Ajo vetë i shmanget syrit të publikut, përveç ndonjë paraqitjeje për kauzat të saj.

Fushata e saj “BE BEST” është e përqendruar tek mirëqenia e fëmijëve. Në korrik ajo shpërndau ushqime në një qendër për nënat e pastreha. Fushata e saj është gjithashtu kundër bulizmit në mediat sociale.

“Teknologjia u mundëson njerëzve një mburojë digjitale për t’u fshehur dhe anonimiteti shpesh zëvendëson kujdesin dhe përgjegjësinë, që mund t’i bëjë edhe fëmijët dhe të rriturit të jenë më të guximshëm për të qenë të egër”, shprehet Melania.

Ajo nuk ka folur publikisht për mesazhet e të shoqit në Twitter, që shpesh i trajton ashpër kundërshtarët. Kur ai u tall me veprimtaren ambjentaliste, Greta Thunberg, zyra e saj nxorri një deklaratë ku thuhej: “Nuk është sekret që Presidenti dhe Zonja e Parë, shpesh komunikojnë ndryshe, si shumë çifte”.

Ndonjëherë ajo vetë është vënë në shënjestër. Kur Presidenti Trump fitoi zgjedhjet, sllovenët vendosën një statujë për nder të saj, me veshjen e ditës së inaugurimit.

Por më 4 korrik të këtij viti, dita e Pavarësisë amerikane, vandalët i vunë zjarrin dhe statuja u hoq.

“Është një detyrë shumë e vështirë. Është më e lehtë për zonjat e para që kanë luajtur një rol të ngjashëm më pare, por për dikë që nuk ka qenë kurrë më parë në qeveri, është një punë e vështirë”, është shprehur analistja Cokie Roberts, e cila nuk jeton më.

Melania Trump është katolike, e para Zonjë e Parë katolike, që pas Jacqueline Kennedy. Është e vetmja Zonjë e Parë që flet pesë gjuhë të huaja.

“Është nder për mua dhe një kënaqësi e madhe që jam këtu para jush, si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara”, tha ajo në një rast.

Megjithëse ajo i ka kaluar katër vitet e fundit kryesisht larg kamerave, ekspertët thonë se Melania Trump do të jetë më shumë e pranishme publikisht, ndërsa përpiqet të jetë zonjë e parë edhe për një mandat tjetër.

“Vetëvendosje” denoncon Ramën: Lofra të pafytyra të tij për të blinduar pushtetin autokratik

Lëvizja Vetëvendosje dega Tiranë ka dënuar sot me një reagim zyrtar votimin e djeshëm në Parlament të ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjet.

Lexo më tej: Votimi në Kuvend/ Çfarë duhet të dini mbi ndryshimet kushtetuese

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, votimi i djeshëm vërtetoi edhe një herë se Edi Rama ka kontroll të plotë mbi parlamentin dhe se po i ngjason edhe më tepër Gjukanoviçit, Thaçit e Vuçiçit në kapjen e pushtetit.

Listat e hapura kjo lëvzije i quan një mënyrë tjetër për të mashtruar votuesit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri e denoncon lojën e pafytyrë që po bëhet me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, e cila synon ta blindojë në një pushtet autokratik Edi Ramën për të pamundësuar ndryshimin.” – thuhet mes të tjerash në reagim.

Reagimi

Denoncojmë votimin e Kuvendit për ndryshimet kushtetuese

Me votimin e “ndryshimeve kushtetuese” në datën 30 korrik 2020, Edi Rama vërtetoi edhe një herë se ka vënë nën kontroll të plotë institucionin që do të duhej të ishte mishërim i demokracisë dhe sovranitetit popullor, Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e shumicës i binden pa ia kthyer fjalën, e shumë prej atyre të pakicës, një surrogatë e opozitës, po përdoren prej Ramës që të shtrojë rrugën drejt kapjes së fortë dhe afatgjatë të pushtetit, sipas shembujve të Gjukanoviçit, Thaçit e Vuçiçit. Ngjashmëria e disa metodave dhe synimeve të politikës së brendshme të Ramës me ato të Vuçiçit ka prodhuar në Shqipëri, sikurse në Serbi, një qeverisje pa opozitë. Tri dekada në Shqipëri nuk mjaftuan që pluralizmi programor e politik të shndërrohej në vlerë të mirëfilltë, por po rrëshkitet drejt autokracisë së konsoliduar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka mospajtime e kritika përmbajtësore e formale ndaj “ndryshimeve kushtetuese”. Listat e hapura, pjesërisht apo jo, nuk do të kenë asnjë efekt pozitiv nëse paraprakisht nuk shndërrohet e gjithë Shqipëria në një zonë, me një prag të arsyeshëm. Kështu siç po bëhen, listat e hapura do të jenë një mjet më shumë për të mashtruar votuesin. Hapja e listave po paraqitet si kërkesë popullore dhe si hap drejt demokratizimit, por kështu siç qëndrojnë punët me partitë e mëdha në Shqipëri, e siç po bëhen këto ndryshime, listat e hapura nuk do të kenë asnjë efekt demokratizues, as brenda partive e as jashtë tyre.

Brenda partive listat e hapura do të prodhojnë realitetin ku strukturat partiake do të vihen në funksion të dirigjimit të votës te persona të paracaktuar. Do të nisë fushata e brendshme, gara për vota brenda listës, e cila do të fitohet në masë të madhe prej personave që mbështeten prej grupeve të fuqishme mediatike e biznesore, apo prej personave me shumë ndikim në parti. Për pasojë, fenomenit të blerjes së votave jashtë partisë, tashmë do t’i shtohet edhe fenomeni i blerjes së votave brenda partisë. Servilizmi i kandidatëve ndaj personave me ndikime ekonomike e mediatike, e sidomos ndaj kryetarit të partisë do të jetë edhe më i madh. Parlamenti edhe më shumë mund të mbushet me milionerë, kryesisht injorantë të politikës, dhe do të forcohet edhe më shumë figura e kryetarit të partisë. Këto nuk janë parashikime në tym, por efekte të studiuara të hapjes së listave në shumë vende.

Shembulli i Kosovës dëshmon se listat e hapura për mbi një dekadë nuk kanë prodhuar demokratizim të partive, rritje të cilësisë së përfaqësimit në Kuvend dhe as zvogëlim të rolit të kryetarit, përkundrazi. I vetmi përjashtim është Lëvizja VETËVENDOSJE!, e ajo jo për shkak të listave të hapura, por për shkak se kishte programin, idealet, organizimin dhe udhëheqës që punuan, pasi Lëvizja hyri në Kuvendin e Kosovës, për të hartuar e miratuar një statut me mekanizma demokratikë të brendshëm, të cilët po zhvillohen me gjithë sfidat e shumta dhe sulmet ndaj Lëvizjes.

Jashtë partive, “ndryshimet kushtetuese” kështu siç u bënë, do të prodhojnë vështirësi edhe më të mëdha për subjektet e reja. Ruajtja e sistemit proporcional rajonal, sipas qarqeve, është e dëmshme në një vend të vogël si Shqipëria, dhe imponimi i pragut të dyfishtë, rajonal e kombëtar, i dyfishon pengesat për grupe shoqërore që kanë nevojë për përfaqësim jashtë partive të vjetra. Përveç kësaj, këto ndryshime nuk e prekën formulën “D’Hondt” për alokimin e mandateve, formulë e cila me këtë sistem favorizon partitë e vjetra kundër subjekteve të reja dhe favorizon partinë e parë duke diskriminuar gjithë votuesit e partive të tjera. Atyre që e mbrojnë këtë formulë me argumentin se ajo “prodhon stabilitet”, u themi se qytetarët janë ngopur me “stabilitete” të tilla që prodhojnë despotë. Stabiliteti i sundimit mbi padrejtësi e varfëri nuk i duhet vendit. Stabiliteti që sjell zhvillim, drejtësi e demokraci, është ai për të cilin kemi nevojë si popull.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri e denoncon lojën e pafytyrë që po bëhet me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, e cila synon ta blindojë në një pushtet autokratik Edi Ramën për të pamundësuar ndryshimin. Megjithatë, dija dhe përvoja na tregojnë se zullumi këputet kur trashet. Sa më të vështirë ta bëjnë ndryshimin, aq më të domosdoshme do të na e bëjnë punën organizative dhe vetëdijësimin krah për krah me qytetarët.

Tiranë, 31 korrik 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Vrasësit tradicional të dijes…

Nuk harrojnë asgjë nga e kaluara e tyre social- komunistët, të cilët pas vitit 2013 e kanë “thirrur” veten me emrin rilindas.

Nuk harrojnë të urrejnë dhe të shkatërrojnë me çfarë të mundin kulturën,historinë, dijen, mirëqenien, traditën dhe të pamundësojnë të ardhmen dhe zhvillimin!

Nuk hezitojnë të fshijnë nga kujtesa vepra të mira njerëzore, përvojë dhe kontribute të rëndësishme që nga kohët më të vështira dhe deri sot!
Kur duan të godasin fort, i kthehen përvojës së partisë mëmë (PKSH- PPSH) e cila pas 1949 bëri vetëm vepra vandaliteti në kulturën kombëtare.

Pak kohë më parë, një lajm i trishtë (si lajm mortorë), një lajm i rëndë, madje i dhimbshëm është shpërndarë rrufe në të gjithë Dibrën; kudo ka qytetarë nga Gryka e Madhe, veçmas nga Zerqani, ku njoftohet për mbylljen e shkollës 9 vjeçare dhe gjimnazit të kryeqendës historike të Grykës së Madhe (Zerqanit), të cilat nuk do të jenë më të hapura për fëmijët e Zerqanit dhe fshatrave përreth pas kësaj vere. Ata duhet të gjejnë shkolla të tjera ku të mësojnë.
Është një lajm i kobshëm, që mund ta japin vetëm bijtë e etërve, rilindasit e sotëm, oligarkët e Surrelit dhe PS-së Bulqizë.

Për cilindo që di historinë e Zerqanit, kontributin, zërin e fortë që kjo ‘nyjë historike’ i ka dhënë kohës, për asnjë arsye nuk do të besonte, se ky akt barbar do të ndodhte në Zerqan, sepse:

– Zerqani është kryeqendra e dijes, jo vetëm për krahinën, por Dibrën dhe më gjerë.

-Zerqani është vendi i burrave atdhetarë e patriotë, të cilët në ngjarjet më madhore dhe më delikate bashkuan mendjen, shpirtin dhe fuqinë e tyre me forcën, fuqinë dhe vlerën kombëtare, që nga Sheh Mustafa,
Sheh Sula etj.

-Zerqani është një nga vatrat e arsimit shqiptarë, që nga viti 1893, vit, ku me kontributin e madh të Sheh Sulës u hap shkolla e parë, e që për më shumë se një shekull, kjo vatër dije, i dha krahinës, Dibrës, Tiranës dhe Shqipërisë, kohë pas kohe, njerëz të dijes, shkencës, arsimit, mjeksisë, ekonomisë, kulturës, aq shumë, sa është është vështirë të mendohet, se mund ta kishte bërë dhe një shkollë qytetase.

– Zerqani, i cili ishte një qendër e rëndësishme për veri- lindjen, vend që në vitin 1927 ishte nënprefektura, e cila kishte nën kujdes 49 fshatra dhe rreth 19261 banorë në një hapësirë të konsiderueshme gjeografike, do të mbetet një referencë dije dhe kulture arsimdashëse.

Që nga dita e parë e shkollës së parë shqipe, shkolla e Zerqanit ishte vatër dijeje, ku shërbyen mësues dhe drejtues, të cilët e njihnin mirë dhe e donin arsimin si burim zhvillimi dhe progresi. Nga dyert e shkollës së mesme Bujqësore dhe veçmas gjimnazi i Zerqanit, kanë dalë nxënës të shkëlqyer, të cilët në auditoret universitare të vendit kanë shpërblyer dhe kanë vazhduar traditën e familjeve arsimdashëse të Zerqanit, të dhjetra e qindra intelektualëve, pedagogëve, mjekëve, punonjësish shkencorë me vokacion kombëtar.

Pas ditëve të sotme, në Zerqan nuk do të ketë më as shkollë 9 vjeçare dhe as gjimnaz; do të jetë një shkollë fillore, me gjasë, nën regjimin e Edi Ramës dhe kastës së tij, dhe ajo mund të mbyllet shpejt.

Kjo është hakmarrje ndaj një krahine të njohur për lëvizjen demokratike, për diskretitimin, që tradicionalisht i kanë bërë regjimit diktatorial.

Partia Demokratike (dega Bulqizë), e quan këtë veprim një atentat ndaj kulturës dhe arsimit, e quan një veprim të dhunshëm dhe barbar mbi traditën dhe aktualitetin e një qendre të njohur historike, lidhur me kulturën dhe dijen.

Ne e konsiderojmë themelin e patjetërsueshëm të demokracisë, të lirisë dhe të ardhmes shkollën dhe kulturën, prandaj, që ditën e parë të pushtetit të Partisë Demokratike, çështja e shkollës së Zerqanit do të jetë objekti i parë i punës sonë.

Sado barbari të ushtrojë Edi Rama dhe Rilindja, dhe ndaj një qendre historike me traditë dhe kulturë si Zerqani, të cilin Rilindja e kishte përfshirë në 100 fshatrat e zgjedhur të Shqipërisë, tradita dhe shpirti arsimdashës i zerqanasve dhe banorëve të Grykës së Madhe, nuk rrënohet dot.

Partia Demokratike/ Dega Bulqizë, Kryetari Defrim Fiku

Analisti pranë Ramës: Opozita i fiton zgjedhjet edhe me ndryshimet e pazakonta kushtetuese nga Rama

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 deklaroi se ndryshimet kushtetuese u bënë nga qeveria Rama me qëllim që PS-ja të maksimizojë votat në zgjedhje dhe të dalë forcë e parë.

Ai tha se në këtë pikë ku ndodhemi është e pamundur që kundërshtitë e opozitës të ndërkombëtarizohen, pra të marrin mbështetjen e të gjitha kancelarive europiane.

“Shqipëria ka një Kushtetutë që ndryshon që po bëhet gjithnjë e më e hollësishme, e shoh të vështirë që kodifikimi të modifikojë thelbin kushtetues. Ndryshimet kushtetuese prishin statusquo-në e mënyrës se si ndahen plaçkat e luftës, në këtë rast votat. Rama nuk ka pasur këtë shqetësim, ai do të përmirësojë pozitën e PS në këto zgjedhje duke synuar të jetë partia e parë.

Kodifikimi që pritet të bëhet në Këshillin Politik e shoh të vështirë që të ndryshojë thelbin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, që bëhen në mënyrë të njëanshme, është e pazakontë. Kjo do shndërrohet në temë, por e shoh të vështirë që kauza e opozitës të ndërkombëtarizohet. Pra nuk mund të shndërrohet në një qëndrim unanim të gjithë kancelarive botërore.

Në këto kushte, Nazarko tha se opozita duhet të jetë më konstruktive pasi ka shanse të sjellë rotacion në zgjedhjet e vitit 2021.

“Ndryshimet kushtetuese nuk cenojnë ndonjë të drejtë themelore të individëve, rrisin barazinë e votës kështu që opozita duhet të përpiqet që nëpërmjet kodifikimit të modifikojë diçka ndonëse statusquo-ja është prishur. Kjo bën që partitë e vogla të humbin shanse për vota.

Opozita duhet të demonstrojë besim. Objektivi i çeljes së negociatave është interes kombëtar dhe çdo lloj destabilizimi si protestat janë mjete të provuara tashmë nuk besoj se ndryshojnë diçka në tavolinë. Besoj se duke ndjekur linjën konstruktive, pozitiviste do ketë më shumë benefite. Mund të fitojë edhe me këto ndryshime. Rotacioni është i mundur”,- tha ai.

Përparim Kabo shpërthen kundër Ramës: Ikni një orë e më parë, nuk ju voton më njeri, ky popull ju ka duruar shumë

Profesor Përparim Kabo, bëri një apel të gjatë kundër politikës aktuale në Shqipëri. Sipas tij, sferës aktuale politike në vendin tonë i ka ardhur fundi.

“Lëreni politikën dhe fjalët, mos bëni sikur nxeheni, sikur keni probleme të mëdha parimore me njëri-tjetrin. Ju jeni njësoj, një prerje jeni. Madje këtë e keni provuar vetë me aleancat dhe marrëveshjet që keni bërë.

Keni kërcyer nga e majta në të djathtë dhe nga e djathta në të djathtë pa ju dridhur qerpiku. Po nga ndryshon programi juaj, si qenka, një herë i majtë një herë i djathtë? Kjo tregon që partitë politike udhëhiqen nga interesa, jo nga vlera, jo nga parime.

Mendoj se jo vetëm qytetarët shqiptar, që tanimë e kanë humbur durimin, por të gjithë shqiptarët kudo që janë në të gjithë botën, duhet të përfshihen në votimin në Shqipëri. Zoti Majko në një studio televizive tha, tani mandatin e tretë do ta marrim për inerci, se njerëzit do të na votojnë prapë ne. Jo mor jo, ty të ka ikur koha me kohë, s’të voton më njeri ty.

Për çfarë do të votojë ty? Ty edhe shokët e tu për çfarë duhet të votojë? Për borxhin e madh? Për deficitin buxhetor? Për çfarë duhet të votojë? Ikni një orë një sahat e më parë, misioni juaj mbaroi.

Nuk ua bën jetën të lumtur as vila as jahti, as luksi, as çantat gjashtë mijë euro të fëmijëve tuaj që s’kanë punuar asnjë ditë, nuk jua bëjnë jetën të lumtur. Mund t’jua bëjnë më luksoze por më të lumtur jo. Ky është një popull fisnik, që ka duruar shumë, por s’ka për të duruar më.

E ardhmja është e tij, sepse demokracia është mënyrë e organizimit të shtetit, ku populli në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të lirë përfaqësohet përmes delegimit të sovranitetit. Demokracia nuk është vjedhje e sovranitetit për të pasur ti pushtetin autokratik, koha juaj ka mbaruar”, tha ai për Top Talk.

Të shtëna me armë në një parking në Tiranë, autori largohet me Fuoristradë

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar këtë mbrëmje në Mullet. Personi i cili ka qëlluar mësohet se është larguar me një fuoristradë.

Identiteti i tij ende nuk bëhet me dije por mësohet se nga ngjarja nuk ka persona të lënduar.

Raportohet se personi në fjalë, ka qëlluar në një parking automjetesh.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa autoritetet janë vënë në ndjekje të autorit.

Njoftimi i Policisë

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 18:45, është njoftuar salla operative se në Mullet një shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe është larguar me shpejtësi me një mjeti tip “Foristradë”.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si edhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Paloka tërbon ‘nafijen e partisë’: Kur Edi Rama të të sjellë gati tekstin e sulmit për ndonjë mik tjetër të Shqipërisë, kërkoji…

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka reaguar pas akuzave të Elisa Spiropalit, drejtuar zëdhënësit të Partive Popullore Europiane, Michael Gahler.

Paloka shkruan se, Gahler dhe PPE janë miqtë të Shqipërisë që e kanë ndihmuar vendin në rrugën drejt BE-së.

Reagim i nënkryetarit të PD, Edi Paloka

Sulmi i qeverisë ndaj zëdhënësit të Partisë Popullore Europiane, Michael Gahler, është një turp për Edi Ramën. Michael Gahler është një mik shumë i mirë i Shqipërisë.

Është një nga shumë miqtë e PPE-së në Parlamentin Europian, i cili ka ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit, sa herë ka patur nevojë. Këtë rrugë Edi Rama po e bën shumë të vështirë, e ka bllokuar prej gati 7 vjetësh, vetëm për interesin personal.

Është e pandershme që qeveria ta trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën:

Me ndryshimet e njënashme kushtetuese marrëveshja e arritur me opozitën u zhbë, partnerët nga BE dhe vendet anëtare nuk u dëgjuan, rregullat e lojës për zgjedhje u ndryshuan në mënyrë të njëanshme.

Fyes për shqiptarët është të mashtrosh partnerët, është t’u premtosh marrëveshje dhe pastaj ta grisësh atë.

Tradhti ndaj interesave të shqiptarëve është të shpërfillësh paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe të izolosh vendin.

Fyes dhe kriminal është përdorimi i disa deputetëve pa mandat si fasadë për llogaritë e Ramës kundër interesit të shqiptarëve.

Dhe një sqarim të fundit vetëm për ‘nafijen e partisë’, Elisa Spiropalin. Kur Edi Rama të të sjellë gati tekstin e sulmit për ndonjë mik tjetër të Shqipërisë, kërkoji foton e saktë. Ky që të kanë dhënë, nuk është Michael Gahler.

Doris Pack: Edi Rama po luan një lojë të keqe dhe të rrezikshme për Shqipërinë

Doris Pack, kryetarja e Forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane (PPE), ka reaguar ashpër për votimin e njënashëm të ndryshimeve Kushtetuese nga Parlamenti i Shqipërisë, ditën e djeshme.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Pack shprehet se kryeministri Edi Rama po luan një lojë të keqe dhe të rrezikshme për Shqipërinë.

Pack shprehet se, ‘janë shumë për të ardhur keq dhe të diskutueshme qëllimet e vërteta të socialistëve në pushtet që thyen konsensusin e arritur me opozitën, bashkë me ndërkombëtarët. Dje u ndryshua në mënyrë të njëanshme Kushtetuta’.

Ish-eurodeputetja e njohur u bënë thirrje vendeve dhe institucioneve të BE-së që të zgjohen dhe të reagojnë. Mesazhi i Pack vjen pas disa deklaratave kontradiktore të deputetëve të PE, ku votimi i djeshëm vlerësohet si pozitiv. Në fakt, një pjesë e tyre ose nuk kanë informacion për ndryshimet kushtetuese ose janë pjesë e lobimeve të PS-së.

DEA amerikane kap 70 kg kokainë në kontenierin me banane, do kalonte në Durrës

Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe Forcat Speciale të rojës bregdetare, sekuestruan një sasi prej 70 kg kokaine e pastër.

Lënda narkotike ishte vendosur në 60 pako në një konteiner me banane që ishte ngarkuar në Panama, me destinacion Durrësin, për tu transportuar më pas në Bosnje Hercegovinë.

Konteineri ndodhej në port prej disa ditësh, në pritje për tu ringarkuar në anije me destinacion portin e Durrësit.

Për gjetjen e sasisë së drogës, u përdorën qentë e trajnuar për narkotikë.

E premtja e zezë/ 4 persona mbyten në lumenjtë e Shqipërisë, i fundit një 18-vjeçar

Pasditen e sotme një i ri i moshës 18-vjeçare doli i pajetë nga ujërat e lumit Drin i Zi në Dibër, ndërsa mësohet se ai është Edison Zuna, nga qyteti i Peshkopisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 kur tre të rinj të moshës rreth 18 vjeç kanë qenë duke lundruar në lumë me një varkë me ajër ndërsa adoleshenti ka rënë nga varka dhe ka humbur jetën.

Dyshohet se të rinjtë janë nisur nga ura e Topojanit dhe kur kanë mbërritur tek ura e Telit poshtë fshatit Gradec mund të ketë rënë nga varka për shkak se lumi bëhet i rrëmbyeshëm. Trupi i viktimës është gjetur dhe është nxjerrë rreth 5-6 km më poshtë në fshatin Selane nga disa pushues.

Pak minuta para raportimit të kësaj ngjarje një tjetër person u raportua i mbytur në ujërat e lumit të Vjosës në Fier. Një 31 vjeçar është mbytur teksa është futur për tu larë në ujrat e lumit Vjosë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se 31 vjeçari Armando Begaj është nga fshati Gorishovë njësia administrative Cakran. 31-vjeçari ishte i martuar dhe me një vajzë. Ai kishte shkuar për t’u larë në lumin Vjosë që kalon pranë fshatit Selishtë.

Ai ka qënë së bashku me dy shokët e tij. Kur ai ka kërkuar ndihmë shokët kanë kujtuar se ai po tallej, dhe kur kanë parë se trupi po fundosej dhe e mori rrjedha e lumit kanë kërkuar ndihmë, por e kanë pasur të pamundur që ta shpëtojnë.

Trupi i tij është parë nga bashkëfshatarë të tij që kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar menjeherë në vendin e ngjarjes, por nuk kanë bërë të mundur nxjerrjen e kufomës nga ujrat e ftohta të lumit Vjosë. Pritet shkuarja e polumbarëve për të gjetur trupin e të riut.

Mëngjesin e sotëm, një 39-vjeçar dhe një 14-vjeçar janë gjetur të mbytur në lumin Buna, në afërsi të fshatit Derragjat. Burime bëjnë me dije se personat janë mbytur gjatë ditës së djeshme teksa ishin futur për tu larë në lumë, në fshatin Darragjat të njësisë administrative të Dajçit. Burime bëjnë me dije se kanë humbur jetën dy shtetasit, Dhurim Arra nga fshati Darragjat, 39 vjeç, dhe F.Pëllumbaj 14 vjeç.