28.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Nga e shtuna në të shtunë në qytetin e lirisë…

Nga Albert AVDULI

Reportazh i cunguar

Të shtunën e dt 7 mars ka qenë dalja e fundit nga Tirana. U ktheva nga Shkodra dhe mbas dy ditësh ndodhi mbyllja e madhe pandemike.

Ironia mer përmasa fantastike po ta mendosh se lirinë e ke humbur mbas vizitës dhe kthimit nga ai qytet, nga qyteti i lirisë, nga porta e Perëndimit tonë.

Nga ujrat detare, liqenore dhe lumore të atij qyteti vinte flladi i perëndimit edhe kur kufijtë ishin betonuar me zinxhira plumbash. Si mentalitet Rome e Vjene ka shërbyer, por edhe si lindje, gjenezë, ekzistencë dhe shpresë për gjithë kombin. Mesa duket, në themelet e kështjellës legjendare, veç mitit të Rozafës atë ditë mbylla dhe lirinë time e të familjes.

Që prej asaj të shtune të marsit, kjo është e shtuna e parë, në të cilën guxova të dal prej Tirane.
Vërtetë që liria e lëvizjes ka ardh e cunguar prej dy a tre javësh, por unë ngurroja të ulesha në sediljen e shoferit.

Ndruhesha se mos kisha humbur reflekset e drejtimit të autoveturës, ndruhesha dhe pyesja veten nëse më lejohet ta kap timonin mbasi timonin ne ja kemi dhuruar “timonierit”.

Ngurroja të dilja sepse mbyllja nuk erdhi vetëm me dekret qeveritar, jo, u shoqërua dhe realizua me flotën e tankeve të ushtrisë dhe automatikët e ushtarëve robotikë. Tirana e atyre ditëve më kujtonte Pragën e pushtuar nga ushtria e kuqe sovjetike, ankthin që përfshin një popull kur sundohet nga të huajt.

Përjetohet me marramendje rikthimi i lirisë, kur të merret në atë mënyrë dhe pastaj e fiton me njoftime të paqarta e kaotike.

Gjithësesi dola pra dhe sot ndodhem në një qytet bregdetar, në resortin ku zakonshëm vija qershorëve në motet pararendëse.

Është ora 09:40′ tani dhe bregdeti ndihet ende i traumatizuar dhe dihat teksa frymon sikur vjen nga një maratonë e lodhëshme. Ulem te tavolina e zakonshme, e vjetër e njohur dhe djali i shërbimit ma sjell kafen në një filxhan të kaltër, aq blu sa duket se do pi detin. Edhe në banak, djem qenkan ata që lëshojnë çaf- çufet e ekspresit. Aha, s’paska vajza të buzëqeshura në shërbim, ndaj ambjenti kafenesë nuk më dukej miqësor si vitet e tjera.

Vëllimi me poezi nga Borges rri pashfletuar në tavolinë. As gjenia e tij nuk më ndihmon ta vendos veten në dimensione të tjera humane e ndonjëherë mbinjerëzore. Po shkruaj mbinjerëzore si humanizëm i përsosur ndjenjash e përjetimesh, jo si mbinjeriu i Niçes.

Në boshin flegmatik mjedisor, çohem dhe qëmtoj detaje nga ambjentet e njohura. Ja, pishina ende nuk është mbushur, ura e drunjtë mbi të, e harkon kot trupin e bukur, asnjë fëmijë nuk e lakmon, nuk hipën mbi kurrizbarkun e bukur. Pinguini qeramik mban kokën e dushit në mënyrë stoike dhe nuk di nëse mund të lëshoj currila uji. Nuk ka as trupa elegant femrash apo lëkurë të nxirë djemësh ku të provohet piskama freskuese e tij.

Ulliri e ka vënë veten midis lulesh si një autoritet midis truprojave. Është aq i bukur ai ulli sa veç me lule mund të shoqërohet e mbrohet. Shëtitorja hesht dhe në vend sa të numërojë nënat e reja me karroca fëmijësh, kthehet e rinumëron palmat e veta. Ndenjëset e shtrira të plazhit dremitin mbi rërën e hirtë dhe mahniten nga bardhësia apo trupi i çeliktë i disa anijeve të cilat presin çastin të futen në portë.

Më trishton kjo gjendje dhe e ndjej se qytetet tona, ekonomia jonë, do ta kenë vështirë të mbyllin plagët e kësaj sëmundje të rëndë. Tepër mund do harxhojnë sepse nuk u mjekuan, u lanë të vetëm në lëngatën e tyre natyrore. Dhimbem nga ky mendim, por sidoqoftë, mbas disa muajsh izoluar në Tiranë, sot po ndihem më mirë, më me shpresë. E paskam patur kaq të nevojshme shkëputjen nga qyteti i kullave dhe betoniereve, largimin nga ekranet ku çdo çast shfaqen disa personazhe, të cilat më shumë sesa administrator, qeveritarë, mjek, analistë apo psikologë i kam perceptuar si kasandra ngarkuar me lajme të këqia.

Lëvizja, deti, natyra, mali, lumi, pylli janë ilaçi për të rimbledhur fuqinë, por unë e di se nëse thyem dekretin e burgosjes tashmë po përballemi me pengesa më të rënda.

Prangat e reja janë pamundësia ekonomike dhe kjo na privon nga liria, nga rreshti i atyre çfarë shënova më sipër.

Kaq optimizëm më lejon e shtuna e parë jashtë Tirane.

Rritja e rasteve me Covid-19, Mali i Zi mbyll kufirin me Shqipërinë

Mali i Zi ditën e sotme ka vedndosur  mbylljen e kufirit me Shqipërinë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se Njësia Operacionale e Krizës së Qeverisë së Malit të Zi ka vendosur sot të rishikojë listën e vendeve që do të lejohen të hyjnë në territorin e tij në kuadër të luftës kundër pandemisë COVID-19.

Duke u nisur nga shifrat në rritje të të prekurve me koronavirus  në vendin tonë ku numri i të infektuarve aktiv e kalon numrin 700, (limit ky i vendosur më parë nga autoritetet malazeze dhe që e kalon shifrën 25 të infektuar për 100.000 banorë), autoritetet malazeze kanë vendosur të mbyllin kufijtë tokesorë me Shqipërinë dhe të lejojnë hyrjen tranzit në territorin malazez vetëm për shtetasit që prezantojnë në kufi dokumentin e testimit negativ ndaj COVID-19, të bërë brenda 48 orëve.

Nga ky kufizim përjashtohen udhëtarët që kanë një funksion/nevojë thelbësore, si:

– profesionistët shëndetësorë, kërkuesit mjekësorë;

– personeli i angazhuar me transportin e mallrave dhe çdo personel tjetër transporti;

– diplomatët, stafi i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjës të ndihmës humanitare gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre;

– Kategori të veçanta pasagjerësh në tranzit;

– Personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në Malin e Zi, ose për arsye të tjera humanitare.

Ky regjim fillon prej mesnatës të së dielës, datë 21 qershor 2020, dhe është i vlefshëm deri në një vendim të dytë të Njësisë Operacionale të Krizës në Podgoricë.

53 raste të reja me Covid-19, humb jetën një tjetër paciente te Infektivi!

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë zbuluar 53 raste të reja me Covid-19, ndërsa ka ndërruar jetë një 70 vjeçare nga Durrësi, e prekur nga Covid 19 dhe me sëmundje të tjera shoqëruese, e cila ishte e shtruar prej disa ditësh në spitalin Infektiv.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Shëndetësisë 63 pacientë ndodhen të shtruar në Infektiv, mes tyre dhe mosha të reja. Numri i personave që kanë humbur jetën në vendin tonë që prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 43.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me shenja të lehta apo asimptomatikë të respektojnë karantinën dhe të qëndrojnë të vëtëizoluar. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Që në fillim të këtij komunikimi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo qytetari, të tregojë kujdes të shtuar në çdo ambient, në ambientet e punës apo ku ofrohen shërbime, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangien e kontakteve dhe vendosjen e maskave kur nuk është e mundur të ruhet distanca.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo biznesi apo sipërmarrje të bashkëpunojë në kufizimin e përhapjes së Covid19, duke respektuar protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Ju njohim më të dhënat e 24 orëve të fundit dhe situatën epidemiologjike në vend.
Në 24 orët e fundit një 70 vjeçare nga Durrësi ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë mjekimin intensiv dhe përkujdesin e mjekëve. 70 vjeçarja e prekur nga Covid19, vuante nga një formë e rëndë e leukozës. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerës.

Vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, duke përfshirë dhe moshat e reja 30-40 vjeç. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 63 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 jane te intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 320 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 53 raste positive, kryesisht raste të reja si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 12 qytetarë, duke e çuar në 1126 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 26 të prekur në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Krujë, 4 në Vlorë, nga 3 raste në Fier dhe Pogradec, nga 2 raste në Kukës dhe Lezhë, nga 1 rast në Durrës dhe Përmet.

Në vendin tonë janë aktualisht 722 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me shenja të lehta apo asimptomatikë të respektojnë karantinën dhe të qëndrojnë të vëtëizoluar deri në shërimin e tyre të plotë. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar thyerjen e karantines. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur. Shmangni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit.

Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me Covid19, qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127.

Pse duhet inkurajuar PS të heshtë për qëndrimet antiperëndimore të Ramës?

Nga Red VARAKU

Nuk ka se si mos ta mbash të qeshurën kur shikon një dordolec politik të degraduar si Rama, që bën sikur nuk “do t’ia dijë” për vendimin e Parlamentit Europian, institucioni më lartë vendimmarrës i BE, i cili i vendosi atij 15 kushte të ashpra, ku praktikisht i kërkon atij tashmë dhe ligjërisht, të arrestojë bashkëpunëtorët e tij më të afërt, elitën drejtuese të rilindjes dhe më pas të dorëzojë pushtetin.

Kjo jo dhe aq për pamjen e lodhur të tij këto ditë se sa për përpjekjen e tij për t’i dhënë zemër edhe atyre mbështetësve të fundit të tij që akoma nuk e kanë kuptuar që anija e rilndjes po fut ujë nga të gjitha anët.

Ai e ka të qartë që vendimi për bllokimin e integrimit është njëkohësisht dhe dështimi i tij më i madh. Kjo sepse ky vendim lidhet me ëndrrën më të madhe të shqiptarëve që është ribashkimi me Europën dhe Perëndimin.

Siç e ka të qartë se si e ka fundin ai që guxon të mos i marrë seriozisht kushtet e perëndimit, jo aq nga perëndimi se sa nga vetë shqiptarët, për të cilët kushdo që tenton ta kthejë kursin e rrugëtimit të tyre, përfundon në koshin e plehrave të historisë së këtij vendi edhe fizikisht.

Pra, vendimi i Parlamentit Europian e ekspozon Ramën plotësisht jo vetëm si të paaftë për shkak se fqinji ynë Maqedonia, i cili ishte shume larg nesh në procesin e integrimit, i hapi negociatat, por edhe si tradhtar të çështjes më të rëndësishme shqiptare.

Ajo që bën më shumë përshtypje është heshtja dhe mosreagimi i PS për këtë dështim. Kjo sepse kur vjen puna për qëndrime të tilla ata duhet të shprehen qartë nëse janë me Ramën, apo me popullin shqiptar, SHBA-në dhe vendet perëndimore.

Sepse, duke injoruar totalisht kushtet e Perëndimit për integrimin e Shqipërisë, ai duket se ka vendosur ta marrë peng Partinë Socialiste dhe ta degdisë në fund të historisë.

Pra, përpjekja e Edi Ramës për ta marrë peng PS në rrugëtimin e tij antiperëndimor është e qartë, por ajo që habit është heshtja e PS. Kjo heshtje është një miratim I qëndrimit publik të Edi Ramës, i cili e kompletoi skenarin e tij antiperëndimor në çdo detaj, deri tek kërcënimi për t’iu bashkuar projektit rus të Jugosllavisë së re.

Jo se heshtja e partisë që i mbajti shqiptarët me dhunë të ndarë nga perëndimi është ndonjë çudi, por çudi është fakti që ata kanë vendosur të heshtin edhe kur shohin që timonieri i tyre ka vendosur ta përplasë anijen e tyre me një zemërim, që mund ta fundosë atë përfundimisht, duke hedhur në det të gjitha investimet e tyre politike. Ky nuk do të ishte vetëm fundi i Ramës, por dhe fundi i tyre politik.

Socialistët duhet ta ndajnë menjëherë këtë histori dhe nuk ka pse lidhin fatin e tyre vetëm me Edi Ramën, sepse Edi Rama pas vendimit të PE jo vetëm që është i mbaruar, por rrezikon qelinë. Ama PS rrezikon të kthehet në një sekt jo vetëm të diskretituar, por të pafuqishëm për tu rikthyer shpejt në pushtet.

Ndaj, kjo nuk është më një betejë për tu distancuar nga Edi Rama pasi ai nuk përfaqëson më asgjë në Shqipëri. Kjo është një betejë për të ruajtur dinjitetin, orientimin perëndimor dhe për të çrrënjosur celulën më të rrezikshme antiperëndimore në Shqipëri.

Ky nuk është më një rast për ta justifikuar Edi Ramën. Nuk është as rasti të relativizojmë të keqen. Njeriu që ka shtatë vjet që terrorizon shqiptarët me kamzhik në dorë nuk mund të tolerohet kur çmendet dhe hidhet në luftë kundër Perëndimit vetëm, sepse ky i fundit ia ka përplasur derën turinjve dhe ka vendosur ta largojë.

Jo se një karagjoz i lodhur dhe qesharak do të mund t’ia dalë, por rrezikon ta fundosë përfundimisht PS, dhe në këtë rast të gjithë jemi në mbështetje të tij.

Parlamenti Europian: Qeveria Rama duhet të përmbushë 15 kushtet e BE para Konferencës Ndërqeveritare

Parlamenti Europian shpalli mbrëmë vonë rezultatet e votimeve në tërësi për vendinet e tij, ku bën pjesë dhe rezoluta “Ballkani Perëndimor“. Një pjesë e saj lodhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë, ku theksohet se Qeveria Rama duhet të përmbushë 15 kushtet e Bashkimit Europian para konferencës ndërqeveritare dhe para fillimit të negociatave.

Rezoluta mori edhe më shumë vota, sesa kur u miratua në parim. Rezoluta kaloi me 532 vota pro, 70 vota kundra dhe 63 abstenime.

Shumica prej 76% tregon një konsensus të gjerë në Parlamentin Europian për zgjerimin në Ballkan, por edhe për kushtet që duhet të përmbushë qeveria Rama përpara konferencës së parë mdërqeveritare për nisjen e bisedimeve.

Kryeministri Rama dje mohoi sërish se Shqipëria ka 15 kushte për të përmbushur për nisjen e negociatave, por amendamenti i miratuar është i qartë.

Ai thotë “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare”. Kushtet u vendosën nga Këshilli Europian me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës dhe Spanjës në mars të këtij viti.

Kushtet janë si më poshtë:

15 kushtet që duhen përmbushur nga qeveria, përpara nisjes së konferencës së parë ndërqeveritare janë si më poshtë:

1- Miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR

2- Financim transparent i partive politike dhe i fushatave elektorale, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë në konsideratë, ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë opinionin e Komisionit të Venecias.

3- Finalizimi i ngritjes së strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

4-Forcimi më tej i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

5- Trajtimi i fenomenit të azilkërkimit të pabazë dhe riatdhesimet.

6- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias

7- Nisja e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar vetingun

8- Nisja e procedimeve penale kundër atyre që janë akuzuar për blerjen e votës.

9- Prova të vazhdueshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve kundër zyrtarëve të lartë publikë dhe politikanëve.

10- Progres i prekshëm, në lidhje me reformën në administratën publike

11- Zbatimi i reformës zgjedhore

12- Vendim final për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019.

13- Progres i mëtejshëm për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e minoriteteve.

14- Adoptimi i logjit për censusin e popullatës në përpjthje me rekomandimet e Këshillit të Europës

15- Avancimi me procesin e regjistrimit të pronave.

Veliaj shkel ligjin me grumbullime masive, Vokshi: Me Edi Ramën ligji zbatohet ndryshe për qytetarin e ndryshe për pushtetarin!

Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi ka reaguar ndaj manifestimeve të fuqishme të kryebashkiakut Erion Veliaj, me takime masive, duke publikuar në rrjetet sociale foto dhe video, për gjoja popullaritetin e madh që gëzon. E gjitha kjo, në një kohë kur kryeministri Rama kërcënon për ndalimin dhe ndëshkimin e atyre që mblidhen për të protestuar.

Vokshi shkruan në reagimin e saj se, me Edi Ramën, ligji në Shqipëri zbatohet ndryshe për qytetarin e ndryshe për pushtetarin!

Reagimi i plotë

Pak ditë më parë, Edi Rama i kërcënoi qytetarët me kthimin e karantinës, me gjobitje e me mbyllje biznesi, nëse nuk zbatojnë masat antiCOVID. Por ligji nuk funksionon për Erion Velinë, duke e nxjerrë zbuluar policinë politike të Edi Ramës.

Erion Veliaj ka shpërndarë me dhjetëra foto me grumbullime të mëdha fëmijësh. Aty ka vetëm propagandë, por nuk ka asnjë distancim social e fizik, nuk është zbatuar asnjë masë anti COVID për të cilat flet Edi Rama.

Kryeministri gënjeshtar duhet t’u thotë shqiptarëve pse arreston dhe gjobit nxënësit, studentët, qytetarët, opozitën që kërkojnë të drejtat, duke mos i lejuar me pretekstin e virusit, ndërsa Erion Veliaj që abuzon me fëmijët, nuk ndëshkohet?

Edi Rama duhet të shpjegojë pse ligji nuk ka fuqi mbi Erion Velinë ose të heshtë dhe të ndalë kërcënimet për kthimin e karantinës dhe vendosjen e gjobave për qytetarët!

Pompeo: Mbështesim Kosovën, njohje nga Serbia

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sot i ka dërguar letër kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, duke e përgëzuar për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe duke i premtuar mbështetjen amerikane në dialogun me Beogradin deri në njohjen reciproke.

Siç citohet letra në komunikatën e zyrës për media të kryeministrisë, Pompeo ka thënë se njohja e ndërsjellë është jetike për Kosovën sa i përket integrimit global dhe forcimit si shtet.

Në letrën e Sekretarit Pompeo thuhet:

I nderuar Kryeministër,

Dëshiroj të uroj Kosovën për procesin paqësor dhe demokratik të formimit të qeverisë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lart miqësinë me Kosovën, si dhe mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit SHBA-Kosovë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Jam i bindur se mund të punojmë së bashku për promovimin e prosperitetit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë.

E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut. Kosova duhet të jetë e gatshme të rifillojë negociatat me Serbinë sa më parë që është e mundshme.

Gjithashtu, e mirëpres zotimin tuaj për të luftuar korrupsionin si prioritet i lartë i qeverisë tuaj. Ne do vazhdojmë mbështetjen tonë për përpjekjet kundër korrupsionit, si dhe për iniciativat e tjera që synojnë të rrisin sundimin e ligjit dhe të forcojnë institucionet demokratike që mund të sigurojnë trajtim dhe drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Së bashku do të tejkalojmë pandeminë COVID-19 dhe do të ndërtojmë një shteg për realizim të potencialit ekonomik të Kosovës.

Mbetem i përkushtuar për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve tona.

Replikat me Grenell, Carmon: Gjermania do liberalizojë vizat e Kosovës me vendet e BE

Fillimi i normalizimit të transportit ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, ishin në fokus të agjendës së të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Richard Grenell.

Në të tri qëllimet, Grenell ia ka arritur që t’i marrë nënshkrimet e Prishtinës dhe Beogradit dhe vlerësimet se u arritën marrëveshje historike.

Por ndaj Administratës Trump dhe të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka hedhur akuza Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Ajo në Twitter, kishte pyetur nëse marrëveshjet në fjalë mes Kosovës dhe Serbisë, kishin ndonjë rezultat, njofton Telegrafi.

“Interesante. A kishte ndonjë rezultat nga “marrëveshjet” e tij të fundit #lufthansa #railëay #aviation? Nuk gjeta dot”, ka shkruar Carmon.

E ndaj saj ka reaguar Richard Grenell.

Përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se Viola Von Cramon, është duke u ankuar që 20 vjet dhe nuk po bën asgjë.

Ai ka pyetur Carmon pse nuk janë liberalizuar vizat për kosovarët, ndërkaq ka lavdëruar punën e Donald Trump që po bën për Kosovën e Serbinë.

“Viola, Administrata Trump në vend që të kritikojë, bën gjithçka për të ndihmuar në normalizimin e ekonomive të Kosovës dhe Serbisë. Pse nuk përqendroheni në të vetmen gjë që ju është dashur të bëni: liberalizimin e vizave për Kosovën. Ju jeni duke u ankuar për të tjerët për 20 vjet. Bëni pjesën tuaj”, ka shkruar Grenell.

Së fundi në lidhje me liberalizimin e vizave është lajmëruar edhe eurodeputetja gjermane dhe raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon,

Ndërkaq, Carmon kishte deklaruar se nga korriku Gjermania do të merr presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian dhe e ky ndryshim i Presidencën mund të jetë në të mirën e kosovarëve për t’iu liberalizuar vizat.

“Shpresoj që me marrjen e Presidencës nga Gjermana t’u jepen vizat kosovarëve. Është diskriminim dhe ne nuk mund të premtojmë atë që s’mund të bëjmë. Ky frustrim ndjehet edhe nga shumë kolegë të mi në Parlament, në veçanti në Berlin, por edhe në shumë kryeqytete të tjera. Jam mjaft optimist që presidenca gjermane ta pranojë këtë situatë”, kishte thënë Cramon. /Telegrafi/

Ndarja e Kosovës/ Berisha publikon videon: Ja çfarë bisedoi Zografi Bis me John Bolton!

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili përmes një postimi në Facebook, shkruan se, kryeministri Edi Rama ka biseduar me ish-këshilltarin për Sigurinë të Donald Trump, John Bolton lidhur me planin për ndarjen e Kosovës.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Ja çfar bisedoi Zografi Bis me John Bolton!

Miq, Zografi Bis, argati i Beogradit bisedoi me John Bolton, ish Keshilltar i Presidentit Trump per Sigurine Kombetare, kundershtar i njohur i pavarsise se Kosoves, per marrveshjen Kosove-Serbi me çvendosje kufinjsh!

Sot Ambasadori Richard Grenell deklaroi ne media se Bolton ishte per ndryshime te kufijve. Bolton e shkarkua nga Presidenti Trump, Zografi bis duhet te hidhet nga shqiptaret ne koshin e plehrave te historise aty ku e kane vendin tradhtaret e kombit! sb

Ja çfar bisedoi Zografi Bis me John Bolton!Miq, Zografi Bis, argati i Beogradit bisedoi me John Bolton, ish Keshilltar i Presidentit Trump per Sigurine Kombetare, kundershtar i njohur i pavarsise se Kosoves, per marrveshjen Kosove-Serbi me çvendosje kufinjsh!Sot Ambasadori Richard Grenell deklaroi ne media se Bolton ishte per ndryshime te kufijve. Bolton e shkarkua nga Presidenti Trump, Zografi bis duhet te hidhet nga shqiptaret ne koshin e plehrave te historise aty ku e kane vendin tradhtaret e kombit! sb

Gepostet von Sali Berisha am Freitag, 19. Juni 2020

Reagimi i fortë i regjisorit ndaj Ramës: Ju tentuat të na vrisnit, e sot paturpësisht thoni se Ju vjen keq…

Nga Edmon BUDINA

Së pari dua të siguroj gjithë miqtë, shokët, të afërmit e simpatizantët, që më kanë bombarduar me mesazhe e telefonata, se gëzoj shëndet të plotë. Nuk kam as edhe një prej shenjave tipike të Covid-19, gjithsesi nuk kam të drejtë të paragjykoj rezultatin e testit, sepse mund të jem edhe bartës pa asnjë shenjë. Ajo që më bën të dyshoj, është fakti i këmbënguljes nga ana e Institutit të Shëndetit Publik, për të bërë testin edhe pse nuk kisha shenja të dukshme, ndërkohë, që të tjerë persona pranë nesh, edhe pse me shenja të dukshme (temperaturë të lartë) që kërkonin të bënin testin, ju refuzohej me justifikime nga më të ndryshmet.

Ata të gjithë, më pas, kanë dalë negativë. Përmes të afërmish të përbashkët i kam dërguar fjalë dr. Silva Binos, që pavarësisht prej rezultatit të testit, negativ ose pozitiv, emri im dhe i Bertit të mos bëhej publik. Më garantuan që jo. Testin e kam bërë dje rreth orës 18.40. Sot në orën 08:51 më telefonojnë për të më pohuar se unë e Berti jemi pozitivë. Pa kaluar as edhe një orë të gjitha mediat shpërndanë lajmin e infektimit tonë. Më e rënda është, që edhe Kryeministri Edi Rama, që duhet të jetë i pari në respektimin e Kushtetutës së vendit që drejton, bëri publikë emrat tanë. Ai ka detyrimin që publikisht të informojë opinionin se prej kujt e ka marrë lajmin. Prej institucioneve apo medias. Këtë çështje, unë do ta ndjek në rrugë ligjore, sepse ka të bëjë me shkeljen e të drejtave e lirive të njeriut.

Refuzoj në mënyrë kategorike hipokrizinë e atë keqardhje të shtirur, që gjoja i vjen keq e na uron shërim të shpejtë. Së pari, do ta besoja po të qe bërë privatisht. Së dyti, infektimi edhe nëse është i vërtetë e ka zanafillën në QSUT, ku halla jonë ishte e shtruar e për këtë fajin e ka kjo qeveri me këtë kryeministër. Së treti, dua të kujtoj 17 majin kur u dha urdhëri e filloi shembja e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që njerëzit ishin ende brenda, mes tyre edhe im vëlla, Roberti. Ju tentuat t’i vrisnit e sot paturpësisht, thoni se Ju vjen keq e na uroni shërim të shpejtë!

Pasi u përpoqët të na përçani me lloj-lloj intrigash e shpifjesh, tani kërkoni të na izoloni me histori sëmundjesh. Përpara se të kërkoni respektimin e rregullave dhe ligjeve nga qytetarët, zbatojini vetë i pari. E gjithë kjo ka vetëm një shpjegim; kjo qeveri, tashmë e ndërgjegjësuar dhe e frikësuar për krimin monstruoz, që ka kryer me shembjen e Teatrit Kombëtar, kërkon të frikësojë njerëzit dhe t’i ndalojë ata të protestojnë. Mbështetja për kauzën e teatrit sa vjen e rritet. Pakënaqësia ndaj kësaj qeverisjeje, ku interesat e një grushti njerëzish të lidhur me mafien, janë mbi interesat kombëtare, është në vlim. Prandaj të gjithë kundërshtarë e opozitarë të këtij sekti duhet të bëhemi bashkë. Ne nuk e ulim kokën. Është koha për të reaguar e protestuar.