22.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

I kushtuan Barçës 425 milionë euro, por Dembele, Coutinho dhe Griezmann do të largohen!

Futbollistët në të cilët Barça ka besuar shumë dhe ka investuar më së shumti në histori të klubit, do të largohen. Philippe Coutinho (120 milionë + 40), Ousmane Dembele (120 + 25 milionë) dhe Antoine Griezmann (120 milionë euro), janë futbollistët më të shtrenjtë në histori të Barcelonës. Por, çuditërisht, asnjëri nga ta nuk e ka vendin e sigurt te Barça. Coutinho tashmë është me një këmbë jashtë, pasi është huazuar te Bayerni në Gjermani, Dembele më shumë po qëndron në infermieri sesa në fushë kurse Griezmann thjesht s’po e gjen veten te Barça. Me një fjalë, 425 milionë eurot e shpenzuara ndër vite nuk po i kryen punë Barcelonës që është akuzuar për keq menaxhim dhe kështu, për t’i kthyer gjërat në vend, Barcelona ia ka vënë syrin Lautaro Martinezit dhe Neymarit, dyshja që do t’i zëvendësojnë treshen në “Camp Nou”.

“Humbëm me Realin në finale sepse ishim të rraskapitur, nuk u përleshem”

Giorgio Chiellini ka mohuar një përleshje mes futbollistëve në humbjen 4-1 të Juventusit ndaj Real Madrid në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2017.

Juve po barazonte me Madridin 1-1 në Finalen e Ligës së Kampionëve, por pranuan tre gola në pjesën e dytë, spekulimet ishin se ndodhi diçka në dhomën e zhveshjes gjë që ndikoi në paraqitjen e lojtarëve të “Zonjës së Vjetër”.

Sidoqoftë, mbrojtësi, në një fragment tjetër nga autobiografia e tij e re, ‘Io, Giorgio’, konfirmoi që shokët e tij të skuadrës ishin vetëm ‘të lodhur’.

“Është folur shumë për ndeshjen në Cardiff, për humbjen e famshme në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit”, shkroi 35-vjeçari.

“Epo, asgjë e çuditshme nuk ka ndodhur. Ne ishim vetëm të lodhur. Asgjë nuk ka ndodhur në pushim të pjesës së parë. Askush nuk u përlesh”.

“Ne humbëm sepse ishim të rraskapitur. Finalet gjithmonë vijnë shumë vonë për ne. Ne ishim jashtëzakonisht të lodhur pas pjesës së parë, Mandzukic nuk ishte në gjendje të ecë dhe Pjanic njëjtë”.

“Të dy po i mjekonin gjunjët ndërsa trajneri fliste. Ne ishim pa frymë. Ishte 1-1, por më pas mbaroi në mënyrë dramatike”.

Tre pyetjet e SPAK për tenderin sekret

Janë zbuluar pyetjet që SPAK u ka dërguar doganave lidhur me hetimin për tenderat e materialeve mjekësore. Faxweb.al mëson se pyetjet e SPAK konsistonin në: çfarë materialesh janë zhdoganuar në periudhën e pandemisë? Nga kanë ardhur? Me çfarë cmimi janë zhdoganuar e çfarë sasie?

Kërkesa për te kthyer përgjigje në SPAK brenda kësaj jave. Ndërkohë spak po kryen verifikime dhe në institucione të tjera përfshi deklarimet në tatime nga subjeketet fituese të tenderave si dhe për kontrollet e bëra ne treg nga instutcionet e tjera si KLSH apo autoriteti konkurencës.

Kujtojmë se janë 16 tendera sekretë që po verifikohen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Është kërkuar sekuestrimi i dokumentacionit dhe pritet marrja e dëshmive. PD ka bërë dy kallëzime, hetimet e tjera SPAK i nisi kryesisht.

Struktura e Posaçme e Antikorrupsionit dhe e Krimit të Organizuar (SPAK), ka sekuestruar dokumentacionin e tenderave sekretë të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë, përgjatë periudhës dymujore të karantinës. Ishte Partia Demokratike që e nisi siparin e denoncimeve që në fillim të pandemisë me skandalin e maskave të skaduara dhe më pas me tenderin e ushqimeve të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes.

Denoncimet kanë vijuar më pas me tenderat e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë për blerjen e respiratorëve dhe materialeve të tjera për spitalet dhe veshjet e mjekëve dhe maskat që sipas PD janë blerë me tendera sekretë me çmim disa herë më të lartë se në treg.

Haaland: Nuk i frikësohem Bayernit!

Erling Haaland thotë se nuk është i shqetësuar nga përballja e së martës kundër një skuadre plot yje të Bayern Munichut – ndeshje kjo që mund të jetë më e madhja në karrierën e tij deri më tani.

Dortmundi do ta presë Bayern Munichun të martën, në një përballje të rëndësishme për garën për titulli, pasi që skuadra e Lucien Favre dëshiron ta zvogëlojë diferencën prej katër pikësh me Bayernin në krye të tabelës.

Në një intervistë të dhënë para “Klassiker”, Haalandit iu theksua që në skuadrën e Bayernit ka lojtarë si Manuel Neuer, Jerome Boateng dhe Benjamin Pavard, të cilët do të duhet t’i mposhtë për të shënuar.

Mirëpo, para këtij derbi të rëndësishëm, pas së cilit skuadrat i kanë vetëm edhe nga gjashtë ndeshje, Haalandi s’po e ndien presionin.

“Jo, presioni s’më brengos mua. Mua më pëlqen të luaj në ndeshje të këtilla dhe, që të jem i sinqertë, këto janë ndeshjet të cilat më pëlqejnë më së shumti”, ka thënë Haaland.

“Unë mezi po e pres këtë ndeshje kundër një skuadre shumë të mirë të Bayernit. Unë tentoj të jem sa më i qetë që të jetë e mundur dhe të mos mendoj shumë për ndeshjen. Ata kanë fitues të Kupës së Botës në skuadër, por edhe ne kemi”.

“Unë e di se ne e kemi një skuadër shumë të mirë, por edhe Bayerni e ka një skuadër të mirë, kështu që do të jetë një ndeshje interesante. Unë e shoh çdo bashkëlojtar timin në stërvitje dhe e shoh se sa të mirë janë dhe ne duam t’i arrijmë synimet tona, kështu që mezi po e pres këtë ndeshje”.

Portieri i Argjentinës: Si u kërcënova pas gabimit në Kupën e Botës

Willy Caballero ka zbuluar se ai kishte marrë letra kërcënuese pasi e kishte bërë një gabim gjatë ndeshjes së Argjentinës kundër Kroacisë në Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Pas pasi kishte nisur pjesa e dytë e ndeshjes së Argjentinës kundër Kroacisë, gjatë fazës së grupeve të Kupës së Botës, Caballero e kishte gabuar një pasim dhe ia kishte falur topin sulmuesin kroat Ante Rebiç.

Rebic kishte reaguar menjëherë pasi e kishte vjedhur topin nga skuadra e Argjentinës dhe e kishte kaluar Kroacinë në epërsi në ndeshjen që në fund kroatët e fituan me rezultat 3:0, në rrugëtimin e tyre deri në finale, ku në fund u mposhtën nga Franca.

“Me gabimin që e bëra në ndeshjen kundër Kroacisë… Unë desha ta pasoj topin te Toto Salvio, mirëpo para se ta goditja topin, e godita fushën”, ka sqaruar Caballero për TNT Sports.

“Topi e mori një kthesë të papritur dhe shkoi te Rebici. Të gjithë mendonin se unë kisha dashur ta bëja ndonjë trik, por nuk ishte ashtu. Unë kurrë në jetë s’e kam goditur topin në atë mënyrë”.

“Ditën vijuese pas atij gabimi në Kupën e Botës, të gjithë e kishin numrin tim të telefonit. Unë nuk kalova aspak mirë”.

“Disa mesazhe tejet ekstreme m’u dërguan, përfshirë këtu disa kërcënuese. Ata më bënë shumë të mendoj për familjen time dhe për të ardhmen time”.

Pas gabimin, Cabalerro e humbi vendin si portier i parë në ekipin kombëtar të Argjentinës, pasi që trajneri Jorge Sampaoli ia besoi këtë pozitë Franco Armanit.

Zgjedhjet e reja në Tetor apo në Prill?

Zgjedhjet e reja mund të mbahen në Tetor ose në Prillin e vitit të ardhshëm. Këshilli teknik ka përcaktuar në parim kohën e zgjedhjeve, ndërsa vullneti politik pritet të përcaktohet nëse zgjedhjet do të mbahen në Tetorin e këtij viti apo në Prillin e vitit të ardhshëm. Opozita kërkon me forcë që zgjedhjet të bëhen në Tetorin e këtij viti në një kohë që shumë Bashki janë ende pa Kryetarë.

Tym i bardhë nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore, të oaktën për një nga propozimet e opozitës. Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se tryeza e reformës zgjedhore pranon propozimin e opozitës për shkurtimin e periudhave zgjedhore.

Zgjedhjet do të mbahen në periudhat nga 15 prill-15 maj dhe nga 15 tetori – 15 nëntor. Ndryshe nga varianti aktual ku Presidenti detyrohet të caktojë datën në një nga 2 të dielat e fundit të periudhës, tani presidenti nuk ka kufizim. Ai mund të dekretojë zgjedhjet në secilën nga të dielat brenda periudhës së re të miratuar. Opozita propozoi shkurtimin e periudhave në mënyrë që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës.

PROPOZIMET E OPOZITËS
1. Financimi i partive

Opozita propozon një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe eliminon korrupsionin
Ligji i propozuar nga opozita forcon rregullat e transparencës, verifikimit të financimit dhe sanksionet. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike. Në këtë mënyrë eleminohet mundësia e favorizimit të tyre të paligjshëm.
Opozita propozon që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti. Aktualisht, partitë lejohen të shpenzojnë sa 10 herë shuma e financimit publik. Psh. Kur ajo merr nga buxheti 30 milionë lekë, financimi privat do të jetë 15 milionë lekë dhe jo 300 milionë, siç është aktialisht. Ligji shton mekanizmat shtetërorë e kontrollit të shpenzimeve në fushatë, me qëllim eleminimin e përdorimit të parave të pista në zgjedhje. Propozimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

2. Kuota gjinore
Në mënyrë që të zbatohet realisht përfaqësimi në lista të jo më pak se 30% gra dhe 1 ndër 3 emrat e parë të listës të jetë grua, opozita propozon që partitë apo koalicionet të kenë aq kandidatë sa numri i mandateve në qark. Asnje kandidat më shumë të mos pranohet. Aktualisht, lista e pakufizuar dhe vendosja e grave në fund të listës e bën joefektive kuotën 30%. Sanksioni për shkeljen e kuotës gjinore nuk është më gjoba, por refuzimi i regjistrimit të listës për qarkun përkatës.

3. Periudha zgjedhore
Opozita kërkon shkurtimin e periudhës zgjedhore në të dy sezonet e parashikuar aktualë. Nga 3 muaj kërkohet që të bëhet 1 muaj. Opozita propozon që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Periudhat e zgjedhjeve të propozuara nga opozita janë 15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor – 15 Nëntor.

 

Basha takon biznese dhe qytetarë në Tiranë: Qeveria Rama e la biznesin e vogël pa mbështetje

Sot mijëra biznese përballen me rënien e fuqisë blerëse, pamundësinë për të paguar qiratë edhe për muajt e izolimit, ndërsa xhiroja e tyre është në nivele minimale, faturat afrofe të energjisë janë më të larta edhe se një vit më parë ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të energjisë e po kështu edhe për faturat e ujit. Këto së bashku me tatimet dhe taksat rrënuan ekonominë e po çojnë drejt falimentimit në masë të biznesit të vogël.

Ky është shqetësimi që dëgjova sot nga të gjithë bizneset e vogla në njësinë 5 në Tiranë. Mungesa e mbështetjes për ta dhe për konsumatorët nga qeveria po i çon drejt mbylljes shumë biznese familjare.

Kjo gjendje është kudo në Shqipëri.

Varfëria është ulur këmbëkryq në familjet shqiptare. RAMAVIRUSI ka prekur çdo degë të ekonomisë, pasiguria e papunësia po prek çdo pjesë të shoqërisë.

Refuzimi për të financuar biznesin nga falimentimi sjell rritje të të infektuarve në vend

Nga Bardh SPAHIA

25 të infektuar të rinj me Covid-19 të publikuar sot janë ilustrimi kokëfortë i dështimit të qeverisë në marrjen e masave për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Shumica e tyre, 15, janë të rinj që punojnë në call center. Është e njëjta vatër e rrezikshme si fasonët, që u lanë të hapura vetëm e vetëm që qeveria të mos mbulonte asnjë qindarkë pagat e tyre.

Ne e kemi thënë me zë të lartë që në fillim se fasonët dhe call centers janë 2 vatra të mëdha rreziku, pasi infektimi përcillet masivisht tek familjarët e të njohurit! Ato nuk u ndihmuan me asnjë qindarkë nga qeveria, duke i lënë në vështirësi serioze financiare e sidomos duke rrezikuar shëndetin!

Kjo nuk është thjesht papërgjegjëshmëri, pasi vatra të tilla janë kthyer në fakt kokëfortë të politikës kriminale në një situatë pandemie, ku shëndeti i qytetarëve duhet të jetë i pari.

Edi Rama do të mbetet në histori si inividi që shfrytëzoi një pandemi për të fituar përmes tenderash sekretë e me cmime stratosferike, që dha fare pak lëmoshë si kompensim për shkatërrimin ekonomik që i solli biznesit e familjeve shqiptare, e sidomos me makutërinë për të mos kompensuar sipërmarrje si call centerat apo fasonët, që u kthyen në vatra të rrezikshme infektimi me Covid-19.

Rama pazar me ndërkombëtarët për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, reagojnë ashpër Paloka e Mediu

Pas publikimit mbrëmë në emisionin “Opinion” te Blendi Fevziut të sms-ve të një diplomati të rëndësishëm ndërkombëtar që i kërkon Presidentit të Shqipërisë “marrëveshje-pazar” për të kaluar Arta Vorpsin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi e do Edi Rama, dhe se anëtaren tjetër Marsida Xhaferllarin ta firmosë herën tjetër sepse ka rënë dakord kryeministri Rama, tregon hapur se si ka përfunduar Reforma në Drejtësi.

Një skandal i madh ku janë përfshirë diplomatë, ambasadorë dhe kryeministri Rama, që po të ketë shtet normal dhe drejtësi duhej hetim urgjent nga SPAK si dhe largim të diplomatëve të huaj nga Shqipëria.

Të gjithë e duam Reformën në Drejtësi, të gjithë kërkojnë drejtësi e ndëshkim korrupsionit dhe krimit të organizuar, por jo një drejtësi e përcaktuar në zyrat e qeverisë

Në lidhje me këtë skandal iu drejtuam Edi Palokës nënkryetar i PD dhe Fatmir Mediut, kryetar i PR me pyetjen:

Si e komentoni sms në anglisht të publikuar mbrëmë nga Presidenti Meta ku ndërkombetaret i kërkojnë Presidentit të tërhiqet për Arta Vorpsin sepse Kryeministri Rama ka ra dakort se Marsida Xhaferllarin do ta kalojë  radhën tjetër! 

Pra pazar! 

Si komentoni rolin e disa ndërkombëtarëve te Reforma në Drejtësi?

Edi Paloka, nënkryetar i PD:
PD e ka deklaruar prej kohësh se Rama po e përdor Reformën në Drejtësi për të kapur gjithë institucionet e drejtësisë. Ka qenë PD dhe Komisioni i Venecias që nuk lejuan që kjo “kapje” të sanksionohej dhe në Kushtetutë siç po kërkonte Rama të bënte.

Pas ndryshimeve kushtetuese, të miratuara me konsensus, Rama shkeli mbi gjithçka për të arritur qëllimin e tij që ishte vetëm një; kapja e drejtësisë. E filloi me miratimin e 7 ligjeve antikushtetues, vazhdoi me emërimin po antikushtetues të Prokurores, më pas shkatërroi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Kështu vazhdoi duke e bllokuar dhe zbatimin e ligjeve që kishte miratuar vetë, sa herë i duhej të luante lojërat e tij politike në kurriz të reformës.

Për fat të keq në këtë lojë u keqpërdoren deri në abuzim dhe disa burokratë të huaj, të cilëve Rama ua përdorte emrin sa herë i duheshin njësoj sikur ti kishte militantë partie.
PD e ka bërë të qartë më se njëherë pozicionin e saj lidhur me reformën në drejtësi si një reformë e domosdoshme që duhet rikthyer në shinat e saj kushtetuese larg kapjes politike për t’ju dhënë shqiptarëve institucione drejtësie funksionale të pavarura e që në fund të fundit japin drejtësi!

Jam i bindur që dhe partnerët e miqtë tanë kërkojnë të njëjtën gjë e do të na ndihmojnë për ta arritur pavarësisht shtrembërimeve dhe bllokimeve të qëllimshme që i ka bërë kësaj reforme Edvin Rama, personi më i interesuar për të mos pasur një drejtësi të bazuar mbi vlerat dhe parimet e demokracive perëndimore në Shqipëri!

Fatmir Mediu, kryetar i PR:

Respektimi i kushtetutës, pa pazare, është e vetmja rrugë për të garantuar pushtetin gjyqësor të pavarur. Për fatin e keq veprimi i njëanshëm i Ramës në miratimin e ligjeve dhe vonesa e opozitës në përzgjedhjen e njerëzve që bëjnë vettingun ka sjellë probleme të mëdha. Ka sjellë mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si dhe ndikim të Partisë Socialiste në këtë proces

Protesta për Teatrin, sot në Burrel në orën 17:00

Në orën 17.00, Sot, në #Burrel, për të firmosur #peticionin për rindërtimin e Teatrit Kombëtar ashtu sic ishte, atje ku ishte.

Në orën 17.00, para Pallatit të Kulturës, Burrel Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit organizon protestën e rradhës.

Eja, Firmose edhe ti!

#UnëJamTeatri