24.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Albin Kurti reagon ashpër ndaj Ramës: Vuçiçi mund të jetë mik individual i dikujt, por kurrë mik i shqiptarëve!

Lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar nga organet e drejtësisë në Shqipëri që ta lirojnë sa më parë aktivistin e tyre nga Tirana, Boiken Abazi. Sipas LVV-së, me ndalimin e Abazit shpresojmë të mos jetë hakmarrje e ndonjë idhnaku që mban inat për prishjen e pazareve me Vuçiçin.

“Vuçiçi mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson”, thuhet në komunikatë

Postimi i plotë

Lironi mbrojtësit e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. Edhe sot po vazhdojnë të mbahen të burgosur disa nga protestuesit që kundërshtuan rrënimin e Teatrit Kombëtar nga Qeveria dhe Bashkia në Tiranë, mes tyre dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri Boiken Abazi.

Boiken Abazi përveç kontributit të tij si aktivist i rëndësishëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE! shquhet edhe si qytetar i kulturuar e intelektual i angazhuar. Ndalimi i tij shpresojmë të mos jetë hakmarrje e ndonjë idhnaku që mban inat për prishjen e pazareve me Vuçiqin. Vuçiqi mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson.

Ndërtesa e Teatrit ishte vlerë e dashur për qytetarët, shkatërrimi i saj ishte barbari e paqytetëruar. Protestuesit ishin paqësorë, prishja e Teatrit ishte brutale. Ata po mbahen pa arsyetim dhe me urdhër të prerë politik. Përgjegjësit politikë atje duket qartazi se po dëshirojnë ta bllokojnë shprehjen qytetare në formë proteste dhe pjesëmarrjen publike me argumente në kundërshtimin e rrënimit të Teatrit Kombëtar. Mirëpo çdo përpjekje për ta ndaluar protestën qytetare me burgosje është e dëshmuar që vetëm e rrit protestën dhe rezistencën.

Kërkojmë nga organet e drejtësisë së Republikës së Shqipërisë që të ruajnë integritetin duke mos e vijuar më tej këtë burgim politik të protestuesve si dhe të nisin hetimet për rrënuesit e Teatrit Kombëtar dhe ata që ushtruan dhunë mbi protestuesit, për shkelësit e vërtetë të Kushtetutës të ligjeve në fuqi, e të procedurave demokratike dhe transparencës, sa i përket vendimmarrjes.

Duket sikur demokracia mezi po mbahet në Shqipëri. Por demokracia është aftësia e qytetarëve për t’i befasuar pushtetarët, e nuk është spektakli i propagandës së pushtetit, që ua ledhaton mjekrat atyre. Ata që kanë besuar se pushteti i tyre është i pakufishëm, dhe se mund të shkelin e të përjashtojnë grupet shoqërore duke i etiketuar si pakica, përfundojnë të zhgënjyer. Duhet liruar Boiken Abazi, duhen liruar protestuesit dhe të mbahen përgjegjës rrënuesit, që të mos rrënohet e gjitha.
Prishtinë, 20 maj, 2020

Parashikimi i frikshëm i BB: Koronavirusi do të zhysë në varfëri ekstreme 60 milion njerëz

BBC- Kreu i Bankës Botërore, David Malpass, ka dhënë lajmë të këqija përsa i përket pasojave ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi. Sipas tij, masat e marra për për tëluftuar COVID-19, do të shkaktojnë zvogëlimin me 5% të rritjes ekonomike.
Në vendet e varfëra tashmë miliona njerëz kanë humbur punën, ndërsa bizneset janë dëmtuar rëndë.

“Mënyra e jetesës është përkeqësuar dhe sistemet shëndetësore janë në vështirësi të mëdha. Ne vlerësojmë se 60 milion njerëz në mbarë botën do të zhyten në varfëri, duke zhvlerësuar progresin e arritur në 3 vitet e fundit”, u shpreh Malpass.

Banka Botërore ka shpërndarë 160 miliardë dollarë në formën e granteve dhe kredive me interest ë ulët, për të ndihmuar vendet e varfëra të dalin nga kriza. Deri më tani Banka Botërore ka ndihmuar 100 vende, ose thënë ndryshe 70% të popullsisë botërore.
Aktualisht numri i të prekurve nga COVID-19 në botë është 4.9 milion, nga të cilët mbi 320 mijë janë viktima.

“Mini-Shengen” në Europën Qendrore/ 5 shtete do të hapin kufijtë vetëm për njëri-tjetrin

Pesë vendet e Europës Qendrore, Gjermania, Austria, Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, mund t’i hapin kufijtë mes tyre rreth mesit të qershorit, njoftuan sot përfaqësuesit e tyre, pas dy telekonferencash.

“Ne mendojmë se mund të krijojmë një mini-Shengen duke i lejuar njerëzit të udhëtojnë pa kontrolle kufitare, teste ose karantinë në mes të qershorit”, tha ministri i Jashtëm çek, Tomas Petricek, pas bisedimeve me homologët e tij austriakë dhe sllovakë.

Austria dhe Gjermania kanë njoftuar tashmë se do t’i hapin kufijtë midis tyre më 15 qershor.

“Nëse ata e bëjnë këtë, do të ishte mirë të hapeshin kufijtë me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë dhe, shpresojmë edhe me Sllovakinë, më 15 qershor”, tha kryeministri çek Andrej Babis.

Të pesë vendet, kohët e fundit, kanë lehtësuar kufizimet e brendshme për të frenuar pandeminë.

Punonjës policie dhe vëllai kryebshkiakut të Ramës të përfshirë në trafik droge

Policia e Shtetit ka kryer në orët e fundit një aksion të gjerë në disa qytete të vendit, kundër kultivimit të drogës. Mësohet se aksioni është shtrirë në disa qytete, pas hetimeve që kanë zgjatur për më shumë se një vit. Derimë tani bëhet me dije se janë shoqëruar 40 persona në Tiranë, Shkodër dhe në Kukës.

22 persona janë arrestuar deri më tani në Kukës, gjatë një operacioni anti kanabis. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se mes të arrestuarve është edhe vëllai i Fran Tucit, kreut të Bashkisë së Fushë Arrëzit, Arben Tuci.

22 personat e arrestuar janë: Kreshnik Murataj, Beqir Murataj, Shkëlqim Skacaj, Sali Kovaçi, Arben Tuci, Zamir Myftari, Floriand Myftaraj, Pal Pergjergji, Ramiz Cenaj, Naim Kadiu, Akil Buna, Arben Bejko, Durim Vata, Besart Dreni, Tarzan Veseli, Besnik Coka, Petrit Pashku, Benard Kordhaku, Shpëtim Topuzi, Zejnel Mece, Ardiatik Hoxha dhe Rezart Tahiri.

Operacioni anti-kanabis po zhvillohet edhe në qytete të tjera të vendimit. Uniformat blu kanë më shumë se dy vite që po hetojnë dhe sot është zhvilluar operacioni blic. Prej ditësh forcat e rendit kanë nisur një operacion kundër drogës, pasi ka shumë informacioneve që ka nisur kultivimi i kanabisit në masë. Edhe më herët Policia ka njoftuar për aksione anti-kanabis në Krujë dhe Durrës, ku nuk kanë munguar as arrestimet. Vetëm pak ditë më parë u sekuestruan mijëra fara kanabisi, të cilat ishin nisur nga Spanja dhe do mbilleshin në Shqipëri.

Artistët reagojnë të irrituar kundër mashtrimeve të Ramës, kërkoi të na përdorë paturpësisht

Edi Rama gjatë këtyre dy viteve të fundit ka udhëhequr personalisht një fushatë të paprecedentë publike, për të bindur opinionin publik se plani i tij për shembjen e Teatrit kishte përkrahjen e shumicës së artistëve.

Nuk po përmendim akuzat që vijnë nga vetë artistët për “ për shitje-blerje” mes radhëve të tyre, nga njerëzit e ngarkuar prej kryeministrit e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj; as për presionet dhe shantazhet me familjarë të artistëve që kanë një lidhje me shtetin.

Po ndalemi vetëm te disa raste flagrante kur kryeministri ka mashtruar publikisht, duke keqpërdorë emrin dhe deklarata të paqena të shumë artistëve të shquar.

Në qershor të vitit 2018, regjisori dhe aktori Pirro Mani ishte në krye të listës me 65 emra të tjerë artistësh, e cila iu dorëzua krerëve të shtetit në formë kërkese për shembjen e Teatrit dhe ndërtimin e një të riu. Fill më pas, vjen deklarata e bashkëshortes Pavlina Mani e cila tregon se zoti Mani prej 10 vitesh jeton në Amerikë për shkak të gjendjes shëndetësore dhe se nuk ka firmosur asnjë dokument, që lidhet me prishjen e godinës. Të dy ata dëshirojnë të ndërtohet një teatër i ri, por pa u prekur Teatri ekzistuar Kombëtar.

Reagimi i plotë i Pavlina Manit
“Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s’ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë vënë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë. Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë.

Ne nuk merremi me këto gjëra, atje në plan të parë, nuk është fare çështja tek ndërtimi i Teatrit, atje bëhet luftë politike dhe ne jemi kundër politikës, me asnjë parti nuk jemi. Si Pirro, si unë! Ne jemi artistë, nuk jemi politikanë!

Edhe përderisa në këtë punë ka futur hundët politika, ne nuk prononcohemi për asnjë gjë. Ne nuk jemi, as për prishjen e Teatrit. Ne jemi për teatër, të ekzistojë teatri, të ekzistojë dhe një teatër i ri, një godinë e re, të ekzistojnë 2-3 teatro për Tiranën, se e meriton ai vend të ketë teatro siç ka e gjithë bota“.

Në datën 25 korrik, 2018, kryeministri Rama shpërndan në rrjetin social Facebook deklaratën e aktores Rajmonda Bulku, ku sipas asaj deklarate godina duhet shembur sepse kushtet janë mizerabël dhe ndërtesa të tjera që i dedikohen artistëve duhet të ketë edhe në zona, si Kombinati apo Lapraka.

Në po atë ditë, zonja Bulku përgënjeshtron postimin e kryeministrit dhe kërkon, që të ruhet historia e kultura.

Tre ditë më pas, kryeministri Rama poston në llogarinë e tij në Facebook deklaratën e regjisorit Mihallaq Luarasit, i cili është ndarë nga jeta para dy vitesh. Sipas Ramës, amaneti i Luarasit ishte ndërtimi i një teatri të ri dhe jo rikonstruktimi i godinës aktuale.

Menjëherë pas kësaj ka ardhur reagimi dhe mohimi i asaj deklarate nga djali i tij, Eldon Luarasi: “Mos i trazoni të vdekurit z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë”.

Kështu nis postimi i djalit të regjisorit të shquar, i cili dëshmon gjithashtu se askush nuk e di më mirë se ai, se cili është amaneti i babait të vet.

Reagimi i plotë i Eldon Luarasi
“Mos i trazoni të vdekurit Z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë. Në emër të tim eti, njeriut që i kushtoi jetën Teatrit, po ju bëj me dije se unë i biri, amanetin e tij mbi Teatrin Kombëtar e njoh më mirë se kushdo tjetër. Në një nga librat e tij, im atë ka shkruar: ‘Varrmihësit nuk dëgjojnë se nuk duan të dëgjojnë. Ata duan të hedhin lopatat e fundit të dheut mbi arkivolin e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar nuk mund të vritet, sepse këtë krim mund ta bëjë vetëm një armik i jashtëm, një pushtues që shtie për të vrarë kombin tonë. Sot për sot ne nuk jemi të pushtuar (dhe asnjëherë mos qofshim), prandaj kjo gjëmë është e pamundur’. Që prej një viti e gjysmë jam pjesë e protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, fillimisht si qytetar dhe më pas si artist, me bindjen se demokracia e vërtetë mbart vlera të padiskutueshme”, përfundon Eldon Luarasi.

10 ditë pas kundërpërgjigjes së Eldon Luarasit, kryeministri shpërndan në Facebook një pasazh të shkëputur nga Marjana Kondi, e cila tregon se gjendja fizike e Teatrit Kombëtar çon në nevojën e ndërtimit të një godine të re dhe bashkëkohore.

Edhe kësaj radhe, zoti Rama është përballur me mohimin e deklaratës, nga vetë aktorja e cituar. Marjana Kondi reagoi ndaj postimit të mësipërm duke informuar publikun, se fjalët i janëë nxjerrë nga konteksti dhe se është cituar në mënyrë të cungët.

Reagimi i plotë i Marjana Kondit
“Unë vlej! Jam aktorja dhe punonjësja e parë e cila në vitin 2014 reformoi Teatrin Kombëtar duke më larguar nga puna ( arsyet e së cilës i di vetëm drejtuesi i institucionit) Jam aktorja që Shteti Shqiptar dëmshpërbleu me XX000000 lekë për largimin tim të padrejtë nga puna. Jam aktorja që sot Kryeministri i Shqipërisë më dedikon një status në faqen e tij.

Jam aktorja që konsiderohem nga një Kryeministër Artist si një ndër artistet që ka mbledhur më shumë duartrokitje në skenën e Teatrit Kombëtar. Shoh që jam cituar por jo plotësisht, zakon i vjetër i politikës që në rastin më të mirë e thotë të vërtetën përgjysmë dhe kjo e bën atë të gënjeshtërt. Kryeministri apo çdo palë politike duhet t’i citojë dhe referojë artistët në gjithë të vërtetën e tyre dhe e vërteta ime është që pasi kam kërkuar kushte, më kanë larguar nga puna në teatrin kombëtar, pikërisht unë që Kryeministri thotë që jam duartrokitur shumë. Jam distancuar nga debati për teatrin dhe do të përfshihem kur të shoh që mendimi i artistit vërtetë vlen për teatrin dhe jo për përdorim politik. Unë vlej! Vlej sa gjithë duartrokitjet e publikut tim”.

Pa kaluar java nga përgënjeshtrimi i mësipërm, me datë 25 gusht 2019, sërish në llogarinë e Facebook-ut, kryeministri Rama, vijon me deklaratat e artistëve që shprehen pro ndërtimit të një teatri të ri. Këtë herë radhën e ka artistja nga Kosova Ilire Vinca. Ajo në po të njëjtin postim të Ramës e ka përgënjeshtruar, duke i thënë se fjalët që ai i ka vendosur në gojën e saj, “nuk i atribuohet Teatrit Kombëtar”, por janë nxjerrë nga një kontekst tjetër.

Vinca i kërkon gjithashtu që të sqarohet njëherë e mirë kjo gjë, pasi ky keqpërdorim ka ndodhur edhe më parë.
Pas kësaj kryeministri i është përgjigjur aktores Vinca duke shkruar, se është në të drejtën e saj të ndryshojë mendim dhe se deklarata e mësipërme nuk është nxjerrë nga konteksti.

Këta janë të gjithë të rrjedhur! Mazniku: Selia e PS ka më shumë vlera se Teatri Kombëtar

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka befasuar jo pak me një deklaratë të dhënë mbrëmjen e së martës në emisionin “Opinion”. Teksa u pyet nga moderatori Fevziu se si ka mundësi që godina e selisë së PS-së është në listën e monumenteve të kulturës si ndërtesë “me vlerë” dhe Teatri Kombëtar monument “pa vlerë”, ai pohoi duke thënë: Po, patjetër!

Ai u përpoq të justifikonte shembjen e godinës së Teatrit duke thënë se ka pasur probleme në lidhje me strukturën, mirëpo këtu ndërhyri Gjergj Bojaxhi, i cili i tha se nuk ka struktura të pariparueshme.

Pjesë nga debati

Fevziu: Selia e Partisë Socialiste, monument kulture, ndërtesë me vlerë. Teatri Kombëtar monument pa vlerë. Selia e PS e ka ndërruar fasadën rreth 15 herë. Selia e Partisë Socialiste, e cila e mund të jetë më me vlerë se Teatri Kombëtar?

Mazniku: Po, patjetër! Që në vitin ’58…Objekti i Teatrit ka pasur probleme në lidhje me strukturën.

Fevziu: Ka shumë godina historike që mund të kenë probleme me strukturën. Mund të kenë probleme të pariparueshme.

Gjergj Bojaxhi: Nuk ka struktura të pariparueshme!

Mazniku: Patjetër që nuk ka gjë të pariparueshme. Mund ta bëjmë nga fillimi.

Koha për shkuljen nga zyra të Veliajt, dorës së zgjatur të Ramës dhe…

Nga Bujar LLAPAJ
Dirigjent

Unë nuk jam tip që prekem shpejt dhe mposhtem nga emocionet si negative apo pozitive ja lë skenës këtë pjesë, por natën e 16 majit duke zbardhur 17-ta, nuk munda t’i mbaja lotët në momentin kur po shembej Teatri Kombëtar. Ishte dhimbja për humbjen e një simboli të identitetit tim, por edhe fundi i një rezistence 27-mujore të miqve të mi!

Shtatorin e kaluar, një natë para se të largohesha nga Tirana u takova me Profesor Aurel Plasari, një euridit dhe mbështetës jo thjesht të godinës së Teatrit, por mbrojtës i ditur (jo folklorik apo patetik) i kulturës, historisë dhe trashëgimisë kombëtare.

Kësaj kategorie të rrallë në hapësirat shqiptare i trembet dhe mundohet ta shmangë pushteti dhe mediokriteti me anë të populizmit dhe nxitjes së “heroizmit” apo protagonizmit për të degjeneruar çdo lëvizje civile, qytetare që lind jashtë poleve politikë.

Profesor Plasari i dëshpëruar më tha: Teatri do të shembet dhe nga gjithë kjo do të mbetet një histori rezistence! Nuk desha ta besoja, por profecitë janë produkt i euriditëve që studiojnë pa emocion shoqëritë dhe lëvizjet shoqërore.
Pa u zgjatur dua të përshëndes të gjithë mbështetësit e kauzës së Teatrit, siç thonin Rilindasit e Vërtetë: Për Mëmëdhenë me pushkë dhe me penë! Është normale që ju të kërkoni ringritjen e Teatrit aty ku ka qenë dhe ashtu siç ka qenë, por unë mendoj se nuk është kjo primare për momentin.

As përleshja me policinë, as humbje kohe dhe vëmendje për të denigruar firmëtarët pro prishjes së Teatrit. Është koha të riorganizoheni në një formacion qytetar, ku fillimisht të drejtoni gjithë energjitë tuaja në shkuljen nga zyra të eskavatoristit Erjon Veliaj, dora e zgjatur e Edi Ramës dhe mafies së ndërtimit – e cila nuk ka për të lënë asnjë shenjë të ish-Tiranës.

Që një lëvizje qytetare të ketë besueshmëri dhe përkrahje kërkon disa kushte dhe ‘sakrifica’: Bashkim pa kushte (mundësisht nëpërmjet një falje reciproke) të gjithë anëtarëve të AMT. Ndryshimin e misionit dhe emrit të AMT (Aleanca për Mbrojtjen e Tiranës).

Ftesa për anëtarësim të personaliteteve jashtë formacioneve politike, studiues, gazetarë, qytetarë. Zgjedhjen e një kryesie të re (apartiake) ku për votim të ftohen edhe mbështetës që nuk janë anëtarë por kanë qenë përkrah jush në këtë betejë. Etj. Mendoj se tani misioni juaj qytetar duhet të jetë rivendosja e demokracisë, drejtësisë, ruajtja e pronës private dhe publike nga gllabërimi apo tjetërsimi i çdo pushteti.

Qëllimi i sinqertë do t’ju tregojë rrugën si duhet të vazhdoni të kontribuoni jo vetëm për Teatrin por për shoqërinë shqiptare. Zoti ju bekoftë dhe ndriçoftë shpirtin, mendjen dhe rrugën!
Miku juaj, Bujar Llapaj

Mjekët e Durrësit në protestë, vetëm të preferuarit e qeverisë kanë marrë shpërblim

Përfaqësues dhe mjekë të repartit të epidemiologjisë në qytetin e Durrësit kanë protestuar ditën e sotme pasi nuk kanë marrë shpërblimin e premtuar të qeverisë për mjekët e vijës së parë në përballjen me Covid-19.

Ata kërkojnë që qeveria të mbajë premtimin për shpërblimin por edhe pagesën për punën e kryer të shtunave dhe të dielave, ditë për të cilat kanë punuar gjatë 3 muajve të fundit.

Kryetari i Konfederatës së mjekëve në qytetin e Durrësit, Zija Alhysa tha për ABC Neës se urdhrat e ministres dhe të qeverisë nuk zbatohen për më tepër nga ana e drejtuesve të drejtorisë së Spitalit të Durrësit ka përgjigje me arrogancë dhe nuk ka transparencë.

“Kemi urdhrin e ministres dhe të qeverisë të cilat nuk zbatohen fare. Deri tan i asnjë person nuk ka marrë asnjë shpërblim të premtuar. Kemi bërë nga 60 orë në javë dhe asgjë s’kemi marrë. Ky është muaji i tretë që punojmë në këtë situatë, dhe kanë marrë vetëm miqtë e drejtoreshës. Ne kishim lajmëruar për protestë por personeli ka frikë dhe kanë presion se i pushojnë nga puna. Edhe shefi i epidemiologjisë nuk ka dalë këtu se i bëjnë presion. Ne kemi lënë afat për 3 ditë që të na japin përgjigje dhe më pas do ndërpresim punën, nuk kemi ku shkojmë tjetër”, tha Alhysa.

Duket sikur qeveria e ka alokuar fondin por po keqmenaxhohet nga institucionet. Duke akuzuar drejtoreshën e spitalit znj. Aurora Hyka, Alhysa tha se është ç’organizuar puna.

“Kemi kërkuar transparencë dhe na janë përgjigjur me arrogancë dhe mospërfillje. Unë e di detyrën time, kur ka situatë epidemie dhe vatra infeksioni duhet të jemi në krye edhe pa qenë drejtoresha fare por drejtoresha e ka ç’organizuar punën” deklaroi ai.

Përdhosje Identiteti

Dr. Sonila DAIU

Shqiptarë mos e harroni këtë datë. Ashtu si shumë ditë të zeza nga ky ferr politik.Të shënojmë në kujtesën tonë kolektive datën 17 maj 2020. Vetëm një ditë para rihapjes së shkollave, ku fokusi duhet të jetë shëndeti, plotësimi i infrastrukturës, masat e qarta, mbrojtja e nxënësve dhe mësuesve, program i qartë për maturantët, kjo qeveri dhe nomenklatura e saj, po i japin ardhmërisë së kombit kulturë shembjeje, prishje dhe autoritariteti diktatorial.

Një dramë teatrale politike!Bota një gur dhe e ka të shenjtë, jo më një godinë me histori dhe kulturë brenda. Humbet identitetin dhe historinë në delirin e dy njerëzve autokratë.

Pse natën?Pse në pabesi? Pse në kohën e pandemisë?Pse kur Tirana vazhdon të jetë zonë e kuqe?

Liria po lëngon, liria jonë po vdes. Sot nuk flasim dot për teatrin, dje nuk flisnim dot për shëndetësinë, nesër nuk do mund të flasim dot për arsimin. Po më vonë? Çdo bëhet me ne? Kush po drejton fatin tonë, kush po merr në dorë frenat e vendit tonë, të jetëve tona?! A po katandisemi si tek ‘‘Ferma e Kafshëve’’?! Atje ku gëlon propaganda dhe nënshtrimi.Mos vallë ‘‘kafshët’’ po marrin urdhëra për zbatimin e vendimeve të Ramës, se në të kundërt çdo mëdyshje apo çdo mosveprim do përballet me egërsinë e tij?!

Sot ka frikë të reagoj polici se e heqin nga puna, sot ka frikë mjeku të thotë që nuk ka pajisje se ikën nga puna, sot farmacisti nuk flet dot për cilësinë e barnave që shet, sot mësuesi nuk flet dot për keqtrajtimin e tij. A do të vazhdojmë të kemi frikë dhe të groposim të ardhmen tonë?Po këta njerëz me uniformë që po i japin fuqi Ramës dhe i binden verbërisht dhe nuk i bashkohen thirrjes së turmës për hedhjen e kapeleve dhe bashkimin me popullin.Mos vallë dhe këta policë janë përzgjedhur bazuar në kritere kriminale dhe trashëgimi komuniste. Në analogji me ushtarët nazist të Hitlerit që se kundërshtuan kurrë atë,dhe përzgjedhja ishte bërë midis kriminelëve nazistë.

Këta njërëz harrojnë që po bëhën pjesëtarë dhe bashkëpunëtorë të përdhosjes sëidentitetit kulturor, pjesë e pabesisë dhe nuk di të them cfarë do ti tregojnë fëmijës së tyre që në shkolla studion trashëgiminë kulturore dhe e njeh atë. Vallë a do të kenë një përgjigje?!

Kjo duhet të ishte kohë për të rimarrë forcë, shërim ekonomik e social,kohë për të marrë shëndetësinë në kontroll, investimesh në shëndetësi, kohë për ngritje morali të njerëzve.Turp për Ministrinë pavlera të Kulturës, duhet të quhet Ministria e Anti Kulturës. Ministra pa zë, kukulla e marioneta,asgjë më shumë.

Respekt përartistët e protestuesit, për shpirtin e lirë, për lirinë e fjalës e të menduarit ndryshe. Një kast aktorësh të mëdhenj nuk mund te fyhen nën tërheqjen apo konfrontimin fizik.Ata meritojnë respekt e mirënjohje, tani dhe jo pas vdekjeje, siç rëndomtë ndodh në Shqipëri.

Kur Notre Dame u dogj qau e gjithë bota. Rama dërgoi edhe lekë madje, po sot ç’po bën? Ç’i ndodh? Nuk i lë makuteria për të ndërtuar kullat e oligarkëve dhe prish objekte të rëndësisë kombëtare me qëllim realizimin e pazareve.Turp! Në ç’mjerim kemi rënë?!

Kur dora e shtetit godet kulturën,trashëgiminë dhe ardhmërinë e identitetit të një kombi!Nuk ka ndalje për vendime të një ‘çrregullimi’ të vetëm është shumë therrëse. Sa dhimbje ka përcjell sot gjithë kjo situatë e helmtë dhe pabesie.

Stop autoritarizmit, stop shkatërrimit, stop përdhosjes, stop pangopësisë e makutërisë.
Dhemb,dhemb shumë!Dhe shpirti klith.Klith me ofshama zhgënjimi e poshtërimi!Instalimi total i diktaturës po merr formë çdo ditë e më shumë.
Zgjohuni nga gjumi letargjik që ju ka kaptuar,o njerëz!
Zgjohuni, ju lutem ka ardhur ora e së vërtetës!

Aktori i njohur Çun Lajçi i përgjigjet Ramës për Teatrin: Dëshiroj të jesh aq i çmèndur, që të…

Aktori i njohur Çun Lajçi është përfshirë në debatin e madh të ditëve të fundit, atë për shembjen e Teatrit. Aktori ndër të tjera thotë se ajo godinë vërtetë nuk shërbente si teatër po kurrsesi nuk duhej shembur, aq më pak nga një artist si Edi Rama. Nuk kam dashur të mbaj anën e asnjërës palë thotë aktori por ai teatër nuk duhej shembur edhe pse e di se Rama do e ndërtoje të riun por nuk do ketë atë vlerë si ai që u shemb.

Aktori shkruan

(Une shkrova se n’çfarë gjendje ishte ai teatër, e s’i dola krah pushtetit, as Edit, as nuk thashë “rrenojeni”. Lexojeni siç shkrova, jo siç doni Ju)
Për çka po protestoni?

S’deshta,

o s’deshta me shkrua,

se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin! O dashtë e kam ma shum se ju, betohem, dhe e dini pse? Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell,

– ju e kishit aty, unë veç n’andërra e kisha!

S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61″ me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi….Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për deshtoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjët që brenin kostumet! Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije! Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashêrit, e sa e sa të tjerëve!

Ju pelqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938 n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!

Kjo asht turp!

Unë shkrova poezi për kolloset e tij, e mija rrole n’at skenë, jo për teatrin, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa i mjerë ishte, dhe s’mund t’i dënoj artistet e rinjë me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!

Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo mbetet histori që nuk rrenohet me nji godinë! Ju betohem ma shumë se ju dashtë e kam, se dy vite emnin e Kosovë e mbajti, por pse protestoni tani, kur s’asht ma? Pse, kur 20 vjet iket nga ajo godinë!
Pse e politizoni? Për çka?

Për Shqipërinë? Për Kosovën? Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriot, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiç e Rama banin minishengene!

Teatri na duhet, e teatri besoj se do t’bahet, mija herë ma i mirë se ç’ishte. Edi asht i çmendun, por çmenduria e tij, ndoshta do t’nae sjell edhe nji teatër si ate të Shkupit! Duhet pritë e duhet pa!

Mos bani politikë me nji ngrehinë që kishte mbetë si fantazmë, e nuk e shikonit fare, se po dukeni vërtetë qesharak”.!

Në kundër përgjigje të këtij reagimi Edi Rama me anë të një statusi në Facebook shkruan se edhe pse nuk e njeh personalisht thotë se “aktori ka postuar me një vrazhdësi kaq të kthjellët, mbi këtë sherrnajën vulgare për një godinë të gabuar që u shemb me një vonesë dhjetra e dhjetra vjeçare!

Uroj ta takoj Çunin e Bjeshkëve të Namuna kur si dy “të çmendun” mes plot normalësh, të hapim dyert e Teatrit të Ri Kombëtar”, shkruan Rama.

Postimi i Ramës

ÇUN LAJÇIN e njoh si Çuni i Plisit të Bardhë e i një “grushti dhé”, ai që lidhi me një fill emocionesh unike diasporën shqiptare me tokën amë që digjej nga lufta andej bjeshkëve dhe u kthye përmes artit të tij, në ikonën shpirtërore të popullit gjatë asaj kohe të mallkuar… Po ta njihja personalisht apo po të mos më kishte thumbuar edhe mua në rreshtat bashkëlidhur, nuk do ta postoja këtu çka ai ka postuar me një vrazhdësi kaq të kthjellët, mbi këtë sherrnajën vulgare për një godinë të gabuar që u shemb me një vonesë dhjetra e dhjetra vjeçare!

Uroj ta takoj Çunin e Bjeshkëve të Namuna kur si dy “të çmendun” mes plot normalësh, të hapim dyert e Teatrit të Ri Kombëtar, i cili nuk do të jetë si ai i Shkupit nga forma neoklasike e zgjedhur për arsye ideologjike, por padiskutim do të jetë një Teatër Kombëtar që do të hyjë në listën e teatrove më të bukur europianë të ndërtuar në kohët moderne” .

Duket se aktori nuk e ka lënë me aq reagimin e tij i cili mbrëmjen e sotme i është përgjigjur kryeministrit në koment në statusin për të njëjtën temë ku shkruan:

Komenti i Lajçit

Zoti Rama.
Me vjen mirë që e paskeni postua letrën time, për t’vetmën arësye:Se ne të dy, kurrë përshendet s’jemi, e vërtetë s’nifemi!Por unë, edhe pse s’deshta me shkrua( sepse e dija se do t’shahem) e mora mundin të mos rrejë, dhe jo t’ua bëj qejfin artistëve, opozitës por as Ty. Shkrova përshtypjet e mia, t’vitit 1972, kur u ngjitëm me “Ervehenë” për herë t’parë në atë skenë!

Me muaj, kur jemi kthye n’Prishtinë, kemi folë për kushtet e vêshtira t’atij teatri. Dhe kur jam ngjitë me “Pasardhësin” e Kadaresë, para 4 vitësh, jam dëshpërua n’palcë. Vetës i kamë thënë: Si mund t’i thuesh nji artisti, krijo n’mujsh me krijua n’kushtet e teatrit të 1938-tës, tue jetua n’shekullin 21!

E kam ditë, se s’do t’pëlqejë as Ty, kur t’quejta të”çmendur” sepse kështu po t’quejnë e gjithë Tirana, por e kisha qëllimin t’iu them, se edhe ai n’çmendurinë e vet, e din se ç’asht arti, dhe do ta ndërtoi nji tjetër, mija herë ma t’mirë! M’shanë edhe n’letren e sotit, dhe iu drejtova: Atdhe, a ti shajë a ti nemi, këta që bëjnë gjumë, e kur zgjohën, i bashkangjitën t’parit që bërtet, pa e ditur pse?

Por, po ta them n’katër sy: Ajo godinë s’ishte kurrë teatër, por megjithate, ti si artist, asht dashtë ta restaurosh në mënyrën ma përfekte t’mundshme, e nga brenda t’krijosh kushte luksi, vetëm e vetëm, qe shpirtnat e atyne që u rropatën atyne dërrasave, t’mos lëkunden nga ajo skenë! Unë jam i bindun se do ta ndertoni tjetrin, por ai fatkeqësisht s’do t’jetë aty, me pa madhështinë e artit n’teatrin modern!

Dhe përfund. Mjerë ata që edhe artin e politizojnë, sepse tregojnë, sa shumë t’varfër shpirtërisht janë.

Ta shkrove me t’thanë se s’kam tituj si aktorët tuaj, por kam zemër me thanë t’vërtetën! Dëshiroj t’jeshë aç i çmendur, që ta ndërtosh nji teatër aç modern, me ballinën e njetë të t’vjetrit, që t’çmendemi edhe ne artistët me bukurinë e artit!

Qofsh i nderuem prej Çunit t’Bjeshkëve t’nemuna, i nemun edhe vet, që e flas të vërtetën!