22.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Basha videokonferencë me kryeministrin Mitsotakis: Greqia do të ndihmojë për një Shqipëri europiane

Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi sot një videokonferencë me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Gjatë bisedës, kryetari Basha e falenderoi kryeministrin grek për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonalë nga Shqipëria në këto kohë të vështira.

Poa shut, në emër të PD, Basha e falenderoi kryeministrin grek për vullnetin e shprehur për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Postimi i kryetarit Basha

Pata kënaqësinë të zhvilloja një videokonferencë me kryeministrin e Greqisë z. Kyriakos Mitsotakis për të diskutuar situatën e krijuar nga pandemia por dhe masat e ndërmarra për përballimin e saj.

Gjatë bisedës, e falenderova kryeministrin grek për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonalë nga Shqipëria në këto kohë të vështira. Sa më shumë mundësi punësimi për qytetarët shqiptarë aq më mirë është për ekonominë tonë në këtë kohë krize. Shqiptarët në Greqi dhe komuniteti grek në Shqipëri janë ura të rëndësishme lidhëse mes dy popujve tanë.

Në këtë drejtim diskutuam edhe mundësinë e ndihmës për sektorin e turizmit shqiptar për të cilin kryeministri Mitsotakis u shpreh i gatshëm të na vërë në dispozicion strategjinë e tyre të menaxhimit të turizmit në këtë kohë pandemie.

Në emër të PD e falenderova kryeministrin grek për vullnetin e shprehur për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Gjithashtu i shpreha mirënjohjen si kryetar i Nea Demokracia, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane, për mbështetjen e dhënë nga PPE në promovimin e reformave të domosdoshme dhe përmbushjen sa më parë të 15 kushteve për integrimin europian të Shqipërisë.

Nga ana e tij kryeministri Mitsotakis më siguroi se Greqia dëshiron dhe do të ndihmojë për një Shqipëri europiane, demokratike dhe me një ekonomi të zhvilluar.

Çmenduri/ 50% e shqiptarëve pa asnjë ndihmë, Qeveria rriti me 18 milionë euro shpenzimet operative

Të ardhurat e buxhetit të shtetit në muajin prill 2020 ranë me 12 miliardë lekë ose 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënie kjo e shkaktuar nga paraliza ekonomike e imponuar nga koronavirusi i ri dhe masat kundër përhapjes së virusit.

Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ranë me 33% në prill 2020 në krahasim me prillin e vitit të kaluar. Kjo sugjeron se edhe konsumi i shqiptarëve ishte 33% më i ulët. Tatimi mbi fitimin që paguhet nga kompanitë ra me 50% ndërsa të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale ranë me 20%.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, të cilat reflektojnë nivelin e punësimit, ranë me 7.9%.
Në total për periudhën katërmujore janar-prill 2020, rënia e të ardhurave buxhetore në krahasim me një vit më parë është në masën 16 miliardë lekë ose 132 milionë euro.

Shpenzimet e qeverisë gjatë periudhës katërmujore ishin 149 miliardë lekë, me një rritje prej 3% në krahasim me një vit më parë. Ndryshe nga sa pritej, shpenzimet buxhetore nuk kanë shfaqur ndonjë tendencë kursimi edhe në kushtet kur pjesa më e madhe e administratës publike ka qëndruar në shtëpi, gjë që sugjeron ndonjë kursim në zërin e shpenzimeve operative e të mirëmbajtjes. Përkundrazi, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes u rritën me rreth 18 milionë euro në krahasim me një vit më parë.

Shqipëria gjendet në një situatë të vështirë ekonomike të shkaktuar nga pandemia, e cila ka ka bllokuar një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik.

Ekonomia u bllokua nga mesi i marsit deri në mes të majit, kur qeveria autorizoi rihapjen e saj, megjithëse shumë kufizime vijojnë të mbeten.

Megjithatë, rënia e të ardhurave buxhetore pritet të jetë gjithsesi më e ulët në Maj dhe në muajt në vazhdim, ndonëse një pjesë e aktivitetit ekonomik, të tilla si fluturimet ajrore dhe turizmi pritet të mos kthehen në normalitet edhe për shumë kohë./BIRN

E vërteta e betejës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Nga Red VARAKU

Ka një përpjekje për ta kufizuar debatin mbi Teatrin Kombëtar vetëm rreth amortizimit të strukturës së ndërtesës apo materialeve të përdorura për ndërtimin e tij dhe për t’i konsideruar aktivistët që e mbrojnë atë, si militantë të opozitës, me qëllim njollosjen e rezistencës si të motivuar politikisht.

Kjo me qëllim shmangjen nga thelbi i asaj që Lëvizja për Mbrojtjen e Teatrit përfaqësonte, e cila nga një betejë e qytetarëve për mbrojtjen e një godine ishte kthyer në një hapësirë lirie për të sfiduar dhe për t’i rezistuar arrogancës dhe autoritarizmit të pushtetit Ramës.

Kjo ishte dhe arsyeja kryesore, se pse shtypja e kësaj rezistence u bë me një egërsi të pashembullt, duke angazhuar 1000 forca të armatosura policie, të cilët me një epsh të pashpjegueshëm rrahën dhe dhunuan me dhjetra qytetarë të angazhuar, intelektualë, artistë, gazetarë.

Pra, beteja për Teatrin është në thelb një betejë qytetare për të mbrojtur demokracinë e marrë peng nga një njeri. Ajo është një përpjekje për t’i rezistuar instalimit përfundimtar të një regjimi që është një projekt i hershëm i kryeministrit dhe e ka zanafillën tek marrja peng e drejtësisë nëpërmjet një reforme që është qartazi “një kapje e drejtësisë”.

Ky projekt vazhdoi me vjedhjen e zgjedhjeve nëpërmjet ndërtimit të një strukture paramilitare krimi dhe me refuzimin për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja, edhe pasi u kap në përgjime zyrtare të prokurorisë duke i vjedhur ato.

Ai arriti kulmin me vendimin për të bërë zgjedhje monopartiake pa opozitën në 30 qershor, duke rrezikuar një përplasje civile me pasoja të rënda.

Pasi kapi drejtësinë dhe realizoi zgjedhje pa opozitën me ndihmën dhe mbështetjen e disa ndërkombëtarëve të korruptuar, ai çdo vendim që ka marrë e ka realizuar me një arrogancë të pashembullt.

Me këtë arrogancë, ai kërcënoi Perëndimin pas bllokimit të integrimit , me krijimin e një federate pro-ruse nëpërmjet Jugosllavisë së re, ku me të njëjtin mllef që shembi Teatrin, shiti dhe gjakun e derdhur për Kosovën.

Këtë arrogancë me anë të së cilës dhunoi banorët e Unazës së Re dhe Bregut të Lumit, nuk e përmbajti as në ditët më fatkeqe të këtij vendi, pas tërmetit dhe gjatë pandemisë. Pas tërmetit shfaqej dhunshëm, me tezbih në dorë, si i dërguari i Zotit në dyert e familjeve shqiptare të gjunjëzuara nga mjerimi dhe katastrofa.

Ndërsa pandeminë e shfrytëzoi maksimalisht për tu paraqitur si babai i kombit, kur në fakt me sjelljen e tij i trajtoi shqiptarët si njerëz me të meta mendore dhe tregoi që është dhe do të mbetet përdhunuesi më i madh i tij, sepse për shkak të paaftësisë së tij BERZH parashikon që Shqipëria të renditet e fundit në Europë, për sa i përket regresit ekonomik me minus nëntë përqind.

Pra, besoj është e qartë, që përveç se një aferë korruptive më shumë, kemi të bëjmë me përpjekjen e një diktatoruci, të një autokrati tipik populist, për të instaluar një regjim. Një diktatoruc, që nuk njeh më asnjë skrupull.

Është e qartë, që ai ka degraduar dhe nuk dëgjon më askënd dhe ashtu si udhëheqësi i tij shpirtëror, është gati të shesë jo vetëm Kosovën, por të gjithë kombin shqiptar për të mbrojtur pushtetin e tij. Ai nuk është tjetër vetëm se një narciz i sëmurë me një fjalor laviresh, i cili është i mahnitur me veten dhe e urren popullin e tij.

Ndaj, përballë një rreziku të tillë nuk duhet të ketë më asnjë tolerim. Shqipëria duhet të zbresë shesheve dhe rrugëve në një përballje finale kundër tiranisë së krimit dhe korrupsionit, sepse çdo minutë e tij më shumë në pushtet nuk rrezikon vetëm pasurinë tonë, por edhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Ndryshe, nëse nuk e ndalim sot, dhuna dhe psikopatia e këtij njeriu, do të na zërë të gjithëve poshtë shumë shpejt.

Basha i përgjigjet Ramës: Je peng i krimit dhe sillesh si kriminel me njerëzit

Kryetari i opozitës, Basha i është kundërpërgjigjur nga twittter deklaratave të Ramës për opozitën duke e konsideruar atë si “peng të krimit”. “Rama nuk e sheh më vizën e korrupsionit dhe as vizën e dhunës. Ai është peng i krimit dhe sillet si kriminel me njerëzit.

Eshtë peng i oligarkëve dhe punon vetëm për ta. Ai vjedh përditë, shkatërron dhe varfëron shqiptarët”, shkruan Basha në reagimin në rrjetet sociale.

Në një twitter të dytë, Basha thotë se “Shqipëria do të shpëtojë prej këtij hajduti ordiner”. “Ai e shfrytëzon edhe pandeminë për të vjedhur, për të shkatërruar Teatrin, për të grabitur pasuritë publike dhe i la njerëzit pa asnjë ndihmë.

Prandaj Shqipëria do të shpëtojë prej këtij hajduti ordiner që bën vetëm keq. Të gjithë njerëzit e ndershëm ja kanë hequr vizën”, shkruan Basha.

Shkatërrim i historisë dhe shenjë e instalimit të diktaturës

Edmond HOXHA

Qindra qytetarë, artistë dhe aktivistë, vazhduan protestën e tyre kundër shembjes së teatrit Kombëtar të dielën, deri në orët e pasdites, duke e cilësuar këtë iniciativë të Bashkisë së Tiranës si të paligjshme dhe vjedhje të pronës publike.

Ata u përplasën në mënyrë të përsëritur me forcat e policisë duke bërë thirrje kundër diktaturës. “Poshtë diktatura! Turp!”, ishin thirrjet e protestuesve të cilët u kërkonin punonjësve të policisë të hiqnin kapelet dhe të bashkoheshin me ta.

“Jemi popull. Unë kam dalë vetëm në protestën e dhjetorit 1990 dhe tani për teatrin”, tha një prej protestuesve, pak minuta pas një tentative për të çarë kordonin e forcave të policisë.

Shkatërrimi i historisë

Paolo Topalli, inxhinier ndërtimi, shprehet se qyteti i Tiranës ka rreth 30 vepra arkitektonike që vlejnë të ruhen. “Ndoshta nuk janë të bukura dhe të krahasueshme me trashëgiminë që ka Europa, por këto janë ato që ka Tirana. Janë ministritë; Muzeu Historik Kombëtar; universiteti; Pallati Kongreseve e Piramida. Këto vepra përbëjnë edhe trashëgimi historike në vetvete, pasi u përkasin periudhave të ndryshme si: arkitekturës së periudhës parafashiste, asaj fashiste dhe disa atij monist”, shpjegon Topalli. Ai shton se Aleanca për Mbrojtjen e teatrit tashmë duhet të kthehej në një lëvizje për mbrojtjen e vendit.

“Jam këtu se po më përdhoset historia e qytetit. Po prishet struktura e folesë së artit. Nuk është vetëm godina, por ka shumë histori aty brenda, se janë bërë edhe gjyqet komuniste aty. Ka histori… . Unë jam ‘qytetari’”, shprehet një prej protestuesve që nuk preferon të identifikohet.

“U prishën kinematë; kinema ‘Republika’ dhe ‘17 Nëntori’, të njëjtin fat pësoi edhe teatri. Mendoja se nuk do binte, por ra”, pohon protestuesi Dritan Gjana.

Frika nga diktatura

Një tjetër protestuese druhet se shembja e teatrit është shenjë e instalimit të diktaturës. “Jemi për të bërë detyrën tonë qytetare. Duhet të jemi këtu se duhet tu bëjmë rezistencë këtyre akteve fashiste. Duhet të dalin sa më shumë si ne, ndryshe do të instalohet një rend diktatorial…, më i keq se i pari, pasi është i veshur me propagandë fine. Teatri ishte grahma e fundit e demokracisë”, pohon protestuesja Arsita Mati.

“Tani jemi për të bërë sehir, se për atë që luftuam dy vjet, u shemb. Tani s’mund të bëjmë asgjë…, mori fund! Këtu është instaluar diktatura. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të shembet teatri. Është populli më indiferent. Nuk ishte një kauzë politike. Vazhdimin e shikoj bardh e zi, mos te them se zi. Ka më shumë polica se protestues”, pohon Denis Baxhaku.

Arben Zajmi, 67 vjeçar thotë se nga ajo që përjeton, i ngjan me diktaturën. “Veprojnë si në diktaturë. E prishi historinë. Luftuam për demokraci dhe dolëm në diktaturë. E përdori pandeminë vetëm për të prishur teatrin. Është skandal, nuk di ç’të them”, pohon ai.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Emiljano Çela e shikon shembjen e teatrit si pikënisjen e një lëvizje më të madhe. “Kemi qenë gjithmonë kundër prishjes, jo vetëm si godinë, për historinë dhe periudhën që përfaqëson, por edhe si një përfaqësuese e kulturës dhe e artit shqiptar. Kjo na ka bërë që të jemi gjatë gjithë kohës, nga fillimi deri më sot, kur e patëm të pamundur të mbronin shembjen e teatrit, por edhe të një pjese të rëndësishme të memories së kulturës dhe artit shqiptar. Përfundimisht, sot u dëshmua se kushdo që vjen dhe është në pushtet mendon që historinë ta fillojë nga vetja, duke mos marrë parasysh asnjë trashëgimi të historisë së këtij populli. Por me shembjen e teatrit nuk do mbarojë kjo qëndresë. Mendoj se do zhvillohet më fuqishëm se sa kaq. Në qoftë se nuk vazhdojmë të reagojmë, atëherë fati unë është i parashkruar të ulim kokën dhe të durojmë pushtetin që rëndon vertikalisht”, tha Çela.

Artistët dhe aktivistët thirrje për protesta

Artistët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtën e Teatrit, e quajtën shembjen e Teatrit Kombëtar si një pikënisje të diktaturës dhe u bënë thirrje qytetarëve t’u bashkohen në protesta të tjera.

Regjisori dhe aktori i mirënjohur bëri thirrje për mosbindje civile.

“I kërkojmë qytetarëve të Shqipërisë të bëjmë mosbindje civile. Të thyejnë karantinën, të bashkohen të gjithë në protesta të vazhdueshme. Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës të shpërndajë parlamentin ilegjitim. …Ne tashmë jemi kthyer në diktaturë dhe e kuptoni se në ç’ gjendje jemi. Ky ishte akti i fundit, këtu u varros demokracia. Të gjithë së bashku, qytetarët e Shqipërisë, të bashkohemi të gjithë së bashku në mosbindje civile deri në rrëzimin e kësaj qeveriet ë paligjshme. Partitë politike, në daç’ ti bashkohen lëvizjes qytetare, nëse nuk duan në diell të venë. Qytetarët do ta mbrojnë demokracinë në këtë vend. Shembulli i teatrit është një shembull qytetarie që nuk do të vdesë asnjëherë, prandaj të gjithë së bashku të vazhdojmë protestat deri në rrëzimin e qeverisë”, pohoi Budina.

Edhe aktivistë të Aleancës e cilësuan shembjen e Teatrit Kombëtar si pikënisje të diktaturës.

“Sot Edi Rama ka shpallur diktaturën. Atë që ne e kemi folur me kohë, në fakt sot ai është vetëshpallur diktator dhe ka shpallur diktaturën. Por, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, qytetarët dhe artistët, që prej dy vitesh e ca kanë mbrojtur historinë e kulturën, trashëgiminë. Të ndërtojnë një sistem të ri, sistemin aq shumë të munguar, demokracinë”, tha një prej aktivisteve të AMT duke theksuar se kauza e tyre do të zgjerohet më tej në të ardhmen, në Aleancën për Mbrojtjen e Shqipërisë.

Një tjetër aktiviste bëri thirrje për lirimin e artistëve dhe protestuesve të tjerë të ndaluar nga policia mëngjesin e të dielës. “Ata kanë filluar të godasin me fadroma kur në ambientet e teatrit kishte ende njerëz brenda. Kanë filluar të godasin pa ju interesuar fare nëse do vdisnin njerëzit”, shtoi ajo.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia shqiptare rrethoi zonën e Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës ndërsa fadromat shembën ndërtesat historike, duke shënuar fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë mes bashkisë e qeverisë nga njëra anë dhe një pjese të artistëve dhe aktivistë të shoqërisë civile nga ana tjetër. Kryeministri Edi Rama mori vetë përgjegjësinë për shembjen duke deklaruar në orët e para të mëngjesit se, kjo po bëhet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri ndërsa shau mbrojtësit e trashëgimisë kulturore si njerëz që nuk e duan zhvillimin.

Shembja e kryer në mes të natës është bërë dukshëm pa një vendim të ligjshëm dhe të vlefshëm, duke ngritur pikëpyetje nëse Shqipëria vijon të jetë një vend i sundimin e ligjit. Këshilli Bashkiak i Tiranës raportohet se mori një vendim për shembje të enjten e kaluar, por vendimet e këshilleve bashkiake hyjnë në fuqi dhjetë ditë pas publikimit dhe jo menjëherë.

Një protestues i protestave të vitit 1990 dhe sot.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa objekti historik po rrafshohej, një numër qytetarësh shtynë forcat e shumta policore duke sfiduar rrezikun e koronavirusit.

Policia njoftoi se me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit mbështetën aksionin e nisur që në orët e para të mëngjesit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Sipas policisë, gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

“Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politike, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19”, citohet në njoftim ku raportohej se gjatë përplasjes janë dëmtuar edhe dy punonjës policie.

Mes të shoqëruarve ishin edhe artistë e gazetarë, aktori Neritan Liçaj, gazetari Alfred Lela dhe artistë të tjerë.

Nëpërmjet një njoftimi të mëvonshëm policia justifikoi shoqërimin e gazetarit Lela, duke u shprehur se shoqërimi nuk ishte kryer kur ai ishte në detyrë.

“Për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë janë shoqëruar sipas ligjit dhe u janë marrë deklarime 37 personave, në përputhje të plotë me procedurën përkatëse. Asnjë prej të shoqëruarve, nuk është shoqëruar si gazetar në detyrë. Gazetari A. Lela është shoqëruar pas thyerjes së paligjshme të kordonit të Policisë dhe i është marrë deklarimi si gjithë të tjerëve”, thuhet në njoftim.

“Reporter.al”

Mediat gjermane: Mllef dhe protesta kundër shembjes së Teatrit

Një grumbull rrënojash është gjithë ꞔfarë ka mbetur nga godina kryesore e kompleksit 70-vjeꞔar të Teatrit Kombëtar, pas shembjes së saj në orët e para të mengjesit të sotëm (17.05.2020).

Lëvizja “Aleanca për Teatrin” e aktorëve për ta ristrukturuar dhe jo shembur nuk ia doli mbanë. Edhe pse anëtarët e saj deklaruan se fandromat do të kalonin më parë në trupat e tyre, policia i nxorri ata me forcë jashtë mjediseve të teatrit, ku për 27 muaj ata kundërshtuan opsionin e qeverisë për ta shembur kompleksin e vjetër dhe ndërtuar në vend të tij një teatër të ri.

Ata u bënë pjesë e protestës së qytetarëve dhe opozitës jashtë parlamentare që vazhdoi deri në orët e para të mesditës. Policia arrestoi eksponentët më aktivë të lëvizjes dhe përdori dhunë për t’i shpërndarë protestuesit që shembjen e Teatrit e konsiderojnë si “instalim të diktaturës” nga qeveria Rama, ndaj të cilës bënë thirrje për ta rrëzuar.

Albanien Nationaltheater in Tirana gilt nach 70 Jahren als europäisches Kulturerbe (DW/A. Ruci)
Opozita e bashkuar jashtë parlamentit, që e ka mbështeur lëvizjen”Aleanca për Teatrin” paralajmëroi sot, përmes liderit të saj Lulzim Basha, fillimin e protestave mbarëpopullore për të rrëzuar qeverinë Rama. Sipas saj, shembja e Teatrit Kombëtar është “flijimi i lirive dhe të drejtave elementare të çdo qytetari”.

Trashëgimi kulturore, teatër modern, aferë korruptive e mafias në pushtet?

Aktori dhe regjizori Edmond Budina, një nga pjesëmarrësit më të vendosur në lëvizjen ” Aleanca për Teatrin” është i shokuar. Ai pati besim deri në minutën e fundit që Teatri nuk do të shembej. Besimi i tij mbështetej tek denoncimi në SPAK, adresimi i ꞔështjes nga Presidenti Meta në Gjykatën Kushtetuese për të vendosur shembjen ose jo të Teatrit, përkrahjen e forumit ” Europa Nostra”, që e shpalli Teatrin Kombëtar në Tiranë një nga 7 objektet e trashëgimisë së rrezikuara kulturore të Europës. Disa orë para aksionit të policisë, në mjediset e jashtme të Teatrit Kombëtar, Edmond Budina tregoi për DW, arësyet e qëndresës kundër shembjes.

“E ruajmë Teatrin edhe natën që prej 10 muajsh, kur morëm sinjale se policia do vinte ta shembte për të ndërtuar kulla dhe në katin e parë të njërës prej tyre Teatrin. Kundërshtimi ynë solli heqjen dorë nga kullat në territorin e teatrit. Vijojmë ta mbrojmë nga mafia e ndërtimit.

A i shikon këto pisha të larta në oborrin e brendshëm të Teatrit? Secila ka emrin e korifejve të artit dramatik kombëtar si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Violeta Maniushi etj etj.. që nuk janë më por kanë luajtur në skenën e tij kryevepra dramaturgjike. Nuk është njëlloj për brezat që vijnë të shohin skenën e teatrit ku ata kanë interpretuar dhe në vend të saj një pllakë përkujtimore” tha ai për DW.

Shembja ndodhi ndryshe nga sa besonte ai pak orë më parë në bisedë me DW. Tani ai thotë që “nxitimi për ta shembur tregon se ka një “aferrë korruptive”, se është kryer një “akt kriminal dhe është vendosur diktatura”.

“Aleanca për Teatrin” do vijojë kundërshtimin dhe do t’i bëjë thirrje poullit për mosbindje civile”, tha Edmond Budina.

Arben Kola, protestues, që nuk është pjesëtar i Lëvizjës ” Aleanca për Teatrin ” mbron të njëjtën pikpamje. ”Po vendoset diktatura, jam këtu për të protrestuar kundër saj dhe do të jem edhe në vijim. Nuk jam mbështetës i opozitës, nuk më intereson politika, por nuk dua të jetoj në diktaturë” thotë ai për DW.

Meta: “Krim kushtetues…”

Presidenti Meta e quajti sot shembjen e Teatrit Kombëtar një “krim kushtetues, ligjor , moral i pa amnistueshëm, vepër e mafies në pushtet.”

Forumi ” Europa Nostra” e quan ditën e sotme ” të trishtuar për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe Europës, një ditë të trishtuar për demokracinë dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri.”

Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë akuzat për aferë korruptive. Ai ka mbrojtur prej më shumë se dy dekadash, që në vitin 1998 kur ishte Ministër i Kuturës, projektin e shembjes dhe ndërtimin e një teatri modern. Ai tha se “nuk është i pagabueshëm”, pas kritikave të faktorit ndërkombëtar për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj aktorëve dhe protestuesve.

Gjermania – thirrje për dialog dhe vetëpërmbajtje

Shembja e Teatrit Kombëtar dhe dhuna e shtruar nga policia ndaj protestuesve janë pritur me shqetësim nga institucionet e BE dhe kryediplomatët e vendeve të tij anëtare.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingrad, në një deklaratë në median sociale u bëri e thirrje, “të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”.

“Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas”, theksoi ambasadori gjerma Zingraf në mesazhi e tij.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, David Lega, i bëri thirrje sot kryemnistrit Rama “të ndalë shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar, të ndalojë dhunën ndaj artistëve e aktivistëve, të angazhohet në dialog me të gjithë grupet e interesuara përfshirë Europa Nostra dhe Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve të cilat mbështeten nga Komisioni Evropian dhe janë të gatshme për të ndihmuar”.

Ai i solli në vëmendje qeverisë Rama “15 kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të filluar negociatat, ku shteti ligjor është primar”.

Një mandat i pestë për Angela Merkel?

Christoph Strack

Ngacmohen dy vetë që nuk e duan gjithmonë njëri-tjetrin. Kur Angela Merkeli tejkaloi kufirin kohor prej një minute për një përgjigje të mërkurën gjatë interpelancës me deputetët në Bundestag, Presidenti i Bundestagut Wolfgang Schäuble e regjistroi. “Kancelares i dhamë tani pak më shumë kohë, sepse asaj iu desh të përgjigjet edhe për grupin parlamentar të CDU / CSU,” tha ai. Dhe Merkeli u përgjigj: “Anëtare e të cilit është kancelarja”.

Në procesverbalin e Bundestagut lexon “hare dhe duartrokitje nga CDU / CSU”. Ishte një duartrokitje krenare. Sipas parimit: njëra nga ne. Merkeli e ktheu kohën e pyetjes gati 70-minutëshe në shfaqje të një personi. Ajo dukej e qetë dhe mendjemprehtë, si gjithmonë shumë e përgatitur për lëndën, dhe me siguri jo e lodhur nga posti.

Lidërship në krizën e Coronas

Merkeli ndodhet ndoshta në krizën më të madhe gjatë mandatit të saj, kriza mbase më e madhe që nga themelimi i Republikës Federale. Dhe qoftë brenda apo jashtë vendit: deri tani ajo është lëvduar për kursin e saj në krizën e Coronas, është brohoritur si përfaqësuese e multilateralizmit. E cila lufton tani për Evropën e tronditur dhe kërkon për të mbështetje në grupin parlamentar unionist.

Ishte Horst Seehoferi, Ministri i saj Federal i Brendshëm dhe nga 2015 deri në 2018, kritiku më i betuar i saj, i cili e ngriti fare zyrtarisht çështjen e mandatit të pestë të Merkelit si kancelare. Ai “nuk mund ta mohojë, që këtë ide e ka dëgjuar më shpesh kohët e fundit”, tha njeriu i CSU-së në fillim të majit të “Bild am Sonntag”.

Spekulimet janë kaq të mrekullueshme. Dhe ajo që më parë diskutohej nga gazetarët dhe prapaskenat e spektakleve mediatike tani vjen nga ministri, i cili nuk përmbahet dot pa lëvduar “punën e shkëlqyer në ekip” dhe “udhëheqjen strategjike” të Merkelit.

Pension në moshën 67 vjeçare?

Vetëm se: Merkeli ka thënë prej kohësh se së shpejti do t’i japë fund. Pas zgjedhjeve paraprirëse zhgënjyese për partitë unioniste në Bavari dhe në Hessen, për të cilat shumë fajësuan kancelaren, 65-vjeçarja tërhoqi rripin e hapjes së parashutës dhe në tetor 2018 njoftoi dorëheqjen e saj nga kryesia e partisë. Sidoqoftë, ajo dëshironte të mbetej kancelare deri në fund të periudhës legjislative dhe të përfundonte veprimtarinë e saj politike me zgjedhjet federale në vjeshtë 2021. Pra pension në moshën 67 vjeçare.

Shumë lëvdata nga grupi parlamentar

Sidoqoftë, kur flet me shumë anëtare të grupit unionist parlamentar, të gjithë janë plot lëvdata dhe respekt për Merkelin në epokën e re të Coronas. Por askush nuk të thotë gjë që – përtej pyetjes se si do të përfundojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare – do të të bënte të spekuloje për një mandat tjetër legjislativ për kancelaren Merkel.

“Kancelarja ka një pozicion të jashtëzakonshëm si ndërkombëtar, ashtu edhe kombëtar. Midis politikanëve, vendimmarrësve, njerëzve”, thotë Marco Wanderwitz, deputet i Bundestagut në Saksoni, për Deutsche Welle-n.

Deputeti i CDU-së, Marco Wanderwitz, komisioneri për Lindjen në qeverinë federale që nga shkurti thotë se këto ditë ai është “shumë i lumtur që e kemi”. Një kolege theksoi se ajo e kishte udhëhequr vendin përmes krizës së Corona “në mënyrë të shkëlqyeshme dhe me kompetencë të madhe dhe duke marrë parasysh interesat konfliktuale”. Të gjithë në grup ndjenin nivelin e përkushtimit të saj për të zgjidhur problemin aktual evropian, thotë një tjetër.

Disa i argëton, të tjerë i irriton debati i ri. Shumë vetëve u kujtohen ditët e fillimit të shkurtit, kur kryetarja e CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer njoftoi tërheqjen nga udhëheqja e partisë. Në qarqet gazetareske në Berlin ato ditë dëgjoje vetëm Merz-Laschet-Röttgen ose Laschet-Röttgen-Merz. Një fiksim që nuk e përjetonin kurrë të tillë në bazën e partisë.

Deri sa erdhi Corona dhe solli pyetje shumë serioze faktike. Deri sa erdhi Corona dhe shkaktoi spekulime të reja në qarqet mediatike “Ajo dëshiron të qëndrojë, ajo do të largohet” ose “Ajo do të largohet, ajo dëshiron të qëndrojë”. Jo, thotë një anëtar i grupit parlamentar, “pas një mandati të përmbushur dhe të menaxhuar mirë” ajo “do të largohet nga skena politike” me kokën lart.

Deklarata e mashtruesit: Nuk ka pasur njerëz të armatosur në protestën e Teatrit

Shikoni ne foto njerezit e armatosur kunder artisteve dhe qytetareve mengjesin e shkaterrimit te Tetarit dhe lexoni deklaraten e mashtruesit qe thote se nuk ka pasur njerez te armatosur tek Teatri.

Deklarata e mashtruesit
Rama ka mohuar kategorikisht lajmin se në protestën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar ka pasur policë të armatosur.

Në një intervistë për ‘News24’ gazetarja Nisida Tufa teksa pyeste kryeministrin ka pyetur këtë të fundit në lidhje me një foto ku shiheshin disa policë me armë. Ky i fundit theksoi se bëhej fjalë për një trupë policësh që dilnin nga ministria e Brendshme. Po ashtu ai theksoi se në godinën e teatrit kombëtar nuk ishte futur asnjë polic me armë.

“Kush është tejkalim i kompetencave të policit kur njerëz i hakërrehen dhe i futen në territor. Bilanci i kësaj dhune në fund të ditësh ishte fakti se 2 policë kanë përfunduar në spital. Nuk di që të ketë pasur artistë që ka përfunduar në spital.

Keni parë ju në ndonjë protestë jashtë kur të flitet për dhunë dhe në spital të shkojnë policët, ose më saktë vetëm ata. Aty nuk ka pasur dhunë policore. Keni parë policë me armë? Ku? Të armatosur ku? E rëndësishme është që të mos harroni një gjë se fakti që kërkoni qime në veze, flet për standardin demokratik.”, tha Rama.

Gazetarja: A janë armë këto zoti Rama?
Rama: Ko është një trup që po del dhe po ikën nga ministria e Brendshme. Këtu nuk shoh ndonjë marrëdhënie mes kësaj trupe dhe protestuesve. U tha se policia ka qenë e armatosur kur ka nxjerrë njerëzit nga godina. Policia nuk ka pasur asnjë pajisje kur ka hyrë për të nxjerrë njerëz. Nëse ju më ndërhyni dhe përgjigjeni, e kaloj në formë debati.

Rama: Nuk e kemi vendosur akoma sa do të jetë fatura e Teatrit të ri

Rama tha se Bashkia Tiranës do të përdorë garancinë sovrane të qeverisë për të financuar ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Në një intervistë televizive, kreu i qeverisë tha se vendimi për prishjen e teatrit ishte i vonuar me dhjetëra vite dhe nuk mund të bëheshin hapa mbrapa. Sa i përket kostos së projektit, duke marrë parasysh edhe goditjen ekonomike që ka pësuar vendi, Rama tha se ata kanë përgaititur një plan për zhvillimin ekonomik ku vetëfinancimi i ndërtimit të godinës së teatrit do të bëhet duket përdorur garancinë sovrane nga ana e Bashkisë

“Procedurë e vonuar me dhjetëra vite. Kthimi i mënyrës së financimit të projektit, ishte koha për të bërë edhe këtë veprim. Këtu nuk bëhet fjalë nuk kishim para edhe na duhej ppp, këtu bëhet fjalë ppër një nisëm dhe për një vepër që si rodhën ngjarjet edhe mori për ters edhe me ndihmën e mediave që kaluan pa filtër shumë baltë, nuk kishte asnjë mundësi që ne të shkikoim mbrapa. Po shikojmë një plan tërësor zhvillimi ekonomik siç e kam paralajmëruar, dhe ristrukturimi të të gjithë instrumentave të vetëfinancimit për të përballuar edhe goditjen nga COVID, ne e shohim plotësisht të mundtur që Bashkia e Tiranës të marri përsipër këtë proces dhe të investohet për këtë vepër me garancinë sovrane të qeverisë”, tha Rama.

Qeveria aktualisht ka miratuar 2 garanci sovrane për bizneset e mëdha në mënyrë që ato të kenë mundësi të paguajnë pagat e punonjësve të tyre gjatë periudhës së COVID-19. Përfshirja e Bashkisë së Tiraës në këtë garanci ende nuk dihet nëse do të sjellë ndryshime të skemës së financimit apo miratimin e një garancie të re.

Duhet rikujtuar se aktualisht shteti paguan normën e interesit të garancisë sovrane një herë në tre muaj. Pra sipas modelit aktual të garancisë sovrane me taksat e qytetarëve të Shqipërisë do të paguhen interesat e projektit të Bashkisë së Tiranës, i cili duhet nënvizuar se nuk është ende gati me një faturë përfundimtare. /

Basha me Ambasadorët: Zgjidhja e krizës me zgjedhje të lira, 7 në 10 familje janë në varfëri

Kryetari i opozitës Basha ka deklaruar sot se kriza politike zgjidhet vetëm me zgjedhje të lira. Gjatë një takimni me ambasadorët e vendeve të BE, Basha ka shprehur shqetësim për situatën politike dhe ekonomike në vend duke kujtuar se qeveria nuk po bën asgjë për përmbushjen e 15 kushteve të vendosura nga Brukseli si detyrim për hapjen e negociatave.

Pikat kryesore të deklaratës së Bashës

· Në vend të plotësimit të 15 kushteve për hapjen e negociatave dhe nxjerrjen e vendit nga kriza, Shqipëria po bën hapa mbrapa. Për shkak të Edi Ramës kriza po thellohet, Shqipëria po largohet edhe më shumë nga Europa.

· Opozita mbetet e përkushtuar për ecjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe në plotësimin e 15 kushteve. Kërkova nga ambasadorët ndihmën e BE, që Shqipëria të përballojë ndihmën politike, ekonomike, sociale.

· Për shkak të vendimeve korruptive të Edi Ramës për t’i çuar paratë tek një grusht oligarkësh dhe jo tek njerëzit në nevojë, gjendja është rënduar. Nga 50% të njerëzve në kushte varfërie para pandemisë, tani 7 në 10 familje shqiptare, janë në varfëri.

· Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një nga pikat e angazhimit tonë edhe në kontratën me artistët. Do të bëjmë gjithçka që shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit një orë e më parë për t’i dhënë fund krizës politike dhe ekonomike.

· Bëmë të qartë që ne e kemi imperativë zgjidhjen e krizës përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, një orë e më parë ta çlirojmë vendin nga kjo zgjedhë, që ka ardhur si rezultat i zgjedhjeve të vjedhura nga krimi, nga oligarkët dhe nga ky pushtet.

· Ne kemi treguar vullnetin tonë me propozimet tona, nga ana tjetër nuk ka pasur vullnet, ka patur vetëm një përdorim si fasadë të procesit, ndaj e kemi bërë të qartë që opozita nuk mund të jetë fasadë. Përgjegjësia për çusrjen përpara të reformës zgjedhore sipas afateve është e PS. Fasadë nuk mund të jemi.

· Opozita do të jetë në krah të çdo proteste. Përshëndes konsensusin e gjerë që po krijohet se shpëtimi i Shqipërisë vjen vetëm duke e larguar këtë keqbërësin Edi Rama, që është e keqja e Shqipërisë. Pak rëndësi ka, nëse kjo vjen nga goja e një artisti, e një profesori apo e një opozitari.

Pyetje: Z.Basha keni patur një takim me ambasadorët e Bashkimit Europian. A mund të na shpjegoni pak çështjet që janë trajtuar në këtë bisedë?

Lulzim Basha: Në vend që të ecej në drejtim të plotësimit të 15 kushteve për hapjen e negociatave, që janë edhe hapa për të dalë nga kriza në vend, Shqipëria po bën hapa mbrapa. Për shkak të Edi Ramës kriza po thellohet, veprimet e javës së fundit dhe veprimet e javëve të fundit po e thellojnë edhe më shumë krizën politike, po e largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga Europa. Opozita mbetet e përkushtuar për ecjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe në plotësimin e 15 kushteve sepse kjo është mënyra e vetme për t’iu shërbyer njerëzve. Ndaj sot kam kërkuar nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE ndihën e vendeve anëtare që Shqipëria të mund të plotësojë kushtet për integrimin, që Shqipëria të mund të hapë negociatat, që Shqipëria të mund të ketë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare që ka sot nevojë më shumë se kurrë për të përballuar situatën krejtësisht në krizë, në krizë politike, në krizë sociale, në krizë ekonomike dhe e ka edhe më të nevojshme për shkak të pasojave shkatërruese COVID-it.

Çështja e dytë ka qenë çështja e ekonomisë, ku Shqipëria për shkak të vendimeve të Edi Ramës për t’i çuar paratë edhe në kohë pandemie te një grusht oligarkësh me afera korruptive dhe jo tek njerëzit në nevojë, si rezultati i kësaj shumica dërrmuese e shqiptarëve gjenden në kushte pamundësie ekstreme.

50% e popullsisë para pandemisë ishte në kushte varfërie, tani kjo përqindja ka shkuar pothuajse 7 në 10 familje shqiptare të cilët e shohin veten e tyre në zgrip, në humnerën ekonomike. Me fundin e majit nuk do të ketë asnjë mbështetje ekonomike simbolike për ata që arritën të merrnin një mbështetje simbolike. Në tërësi situata e familjeve, e njerëzve është shumë e vështirë që nga nevojat bazë ushqimore, tek biznesi i cili vazhdon të falimentojë, të mbyllet, biznesi i vogël, biznesi i mesëm por tashmë edhe bizneset e mëdha, bizneset prodhuese po vihen në vështirësi të mëdha; vështirësi likuiditeti, pamundësi për të paguar punonjësit. Nga ana tjetër me ardhjen e sezonit të verës fermerët ndodhën në vitin e tyre më të vështirë në një dekadë dhe e dimë të gjithë që edhe sektori i bujqësisë dhe i blegtorisë ka pasur një dekadë të vështirë, ky vit është edhe më i vështirë.

Në këtë kuadër duke i falënderuar për atë ndihmë që i kanë rezervuar Shqipërisë në kuadër të gjithë solidaritetit për Ballkanin Perëndimor, kam kërkuar që pranë qeverive të tyre të bëjnë apel që të shikojnë mundësinë e rritjes së mbështetjes ekonomike për vendin.

Këto pra kanë qenë dy shqetësimet kryesore që kam ndarë me ta. E para, faktin që ky kryeministër dhe kjo qeveri jo vetëm që nuk po ndihmojnë por po e pengojnë integrimin, ku i kam siguruar se unë personalisht, Partia Demokratike dhe gjithë koalicioni opozitar do të bëjmë gjithçka për të ecur përpara për procesin e integrimit sepse është një proces jetik për vendin.

Dhe së dyti, katastrofa ekonomike në të cilën ndodhet vendi dhe domosdoshmërinë që sëbashku me Bashkimin Europian të farkëtojmë një plan jo vetëm për të dalë nga kjo situatë, por një plan aftmesëm dhe afatgjatë masash për të mbështetur njerëzit, për të mbështetur familjet shqiptare në veçanti sa i përket situatës shumë të vështirë ekonomike, krizës së thellë ekonomike, gjendjes së tyre të, të familjes së tyre dhe të punësimit që po kthehet në një plagë edhe më të madhe sesa ishte para pandemisë.

Pyetje: Në emër të integrimit iu kërkuan ndërkombëtarët, Bashkimi Europian që të riktheheni në tryezën për reformën zgjedhore?

Lulzim Basha: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një nga pikat e angazhimit tonë edhe me artistët. Po të shikoni edhe kontratën që kemi firmosur me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, ku padiskutim ndër pikat kryesore është rindërtimi i Teatrit dhe çuarja para drejtësisë së atyre që bënë këtë krim barbar, një pikë tjetër është edhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prandaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të garantuar një proces zgjedhor ku shqiptarët të mund të shprehin vullnetin e tyre dhe një orë e më parë t’u drejtohen kutive të votimit për t’i dhënë fund kësaj krize politike dhe krizës ekonomike që ka shkaktuar një qeveri e falimentuar, e dështuar dhe një kryeministër i babëzitur, një kryeministër i cili edhe në kohën e pandemisë e ka mendjen të vjedhë të batërdisë dhe të sillet si një kriminel ordiner.

Pyetje: ZotiBasha do të riktheni në tryezë?

Lulzim Basha: Kjo nuk varet nga ne. Ne nuk mund të jemi fasadë e procesit.

Pyetje: Dje, zoti DamianGjiknuri në përfundim të mbledhjes ku u prit për pak kohë opozita dhe më pas u mbyll takimi tha që do të kërkohet deri në fund, ishte në komunikim të vazhdueshëm me opozitën jashtëparlamentare për t’u rikthyer. Në një farë mënyre shprehu vullnetin që ju keni përsëri z.Basha?

Lulzim Basha: Vullneti nuk mund të shprehet me fjalë, vullneti shprehet me vepra. Dhe veprat e javës së kaluar tregojnë se kjo qeveri nuk ka asnjë vullnet për reformën zgjedhore. Kurrë më shumë se sot topi nuk ka qenë në derën e Partisë Socialiste, ajo është përgjegjëse për refuzimin e propozimeve tona deri tani; ajo është përgjegjëse për krijimin e një klime penguese për reformën zgjedhore. Ne nga ana jonë do të bëjmë gjithçka që t’i japim shqiptarëve një orë e më parë, ashtu siç e kemi premtuar, kushtet më të mira për zgjedhje dhe rastin më të parë për t’iu drejtuar kutive të votimit.

Pyetje: Z. Basha ka një kërkesë ditën e djeshme nga Presidenti i Republikës për hetim ndërkombëtar për çështjen e Teatrit. Ka qenë ky element pjesë e diskutimit sot, kishte një qëndrim nga ambasadorët për këtë?

Lulzim Basha: Hetimi dhe vënia para përgjegjësisë e atyre që bënë këtë krim makabër jo vetëm kundër Teatrit por kundër medias, kundër artistëve, kundër aktivistëve, kundër opozitës, kundër qytetarëve të pafajshëm. Hetimi i tyre është një kusht i patjetërsueshëm dhe një zotim i imi i cili do të bëhet realitet vetëm atëherë kur vendi të mos ketë një qeveri që kontrollon prokurorinë dhe kontrollon drejtësinë. Për hetimin ndërkombëtarqë ka kërkuar presidenti absolutisht nuk kam ndonjë kundërshtim, nuk e di se sa i mundur do të jetë në këto kushte. Do të kishte besueshmëri dhe do të sillte besueshmëri, por një gjëështë e sigurt që me këtë qeveri ky krim as nuk mund të hetohet dhe fajtorët nuk mund të dënohen sepse fajtorët janë vetë qeveria, është vetë kryeministri.

Pyetje: Zoti Basha, një sqarim. A do të kthehet PD te këshilli politik për reformën zgjedhore?

Lulzim Basha: E bëmë të qartë që ne e kemi imperativë zgjidhjen e krizës përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, një orë e më parë ta çlirojmë vendin nga kjo zgjedhë e cila ka ardhur si rezultat i zgjedhjeve të vjedhura nga krimi, nga oligarkët dhe nga ky pushtet. Ne kemi treguar vullnetin tonë me propozimet tona, nga ana tjetër nuk ka pasur vullnet, ka patur vetëm një përdorim si fasadë të procesit, ndaj e kemi bërë të qartë që opozita nuk mund të jetë fasadë. Ne kemi investuar kredon tonë morale dhe politike dhe përgjegjësia për mbarëvajtjen e reformës zgjedhore dhe për çuarjen e saj deri në fund, në veçanti sipas afateve që u shpallën para një jave, është tërësisht e Partisë Socialiste. Fasadë nuk mund të jemi.

Pyetje: Nesër ka një tjetër protestë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, do të jenë jo vetëm strukturat e PD, po ju vetë do të jeni më?

Lulzim Basha: Opozita do të jetë në krah të çdo proteste. Natyrisht do të jemi në krah edhe të protestës së nesërme.

Pyetje: Dje janë bërë thirrje gjatë protestës për të mos pasur politizim, si i lexoni këto thirrje?

Lulzim Basha: Shiko, thirrjet dje në protestë kanë qenë shumë të qarta, kanë qenë thirrje për ndëshkimin e krimit, kanë qenë thirrje për largimin e ErjonVeliajt, kanë qenë thirrje për largimin e Edi Ramës. Këto thirrje nuk kanë ardhur nga opozita ndonëse janë objektiva të qarta të opozitës, kështu që unë përshëndes konsensusin e gjerë që po krijohet, që shkon përtej radhëve politike, pastaj i quani thirrje politike është çështje definicioni. E rëndësishme është që qytetarët po e kuptojnë që shpëtimi vjen vetëm duke e larguar këtë keqbërës që ky është e keqja e Shqipërisë. Ky shkatërroi teatrin, ky po shkatërron Shqipërinë. Siç shkatërroi Teatrin ka shkatërruar ekonominë. Siç shkatërroi Teatrin po shkatërron shëndetësinë, po shkatërron vendet e punës. Ka shkaktuar mjerim ekonomik kudo, mjerimi ekonomik po thellohet. Shqiptarët e kanë kuptuar dhe janë të qartë më shumë se kurrë se largimi i kësaj të keqe, largimi i Edi Ramës është shpëtimi i shqiptarëve, është shpëtimi i Shqipërisë dhe për mua pak rëndësi ka nëse kjo vjen nga goja e një artisti, nga goja e një profesori apo nga goja e një opozitari.