19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Kreu i FRPD rrëfen dhunën e policëve te Teatri: Më kapën për fyti, kam pamjet filmike

Në studion e Abc News kreu i FRPD, Belind Këlliçi foli për dhunën e ushtruar nga policia ndaj këtij të fundit, mëngjesin e 17 majit kur nisi aksioni për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Këlliçi, i cili ka pësuar dëmtime në njërin krah, rrëfen në një intervistë me Endri Xhafon atë që ndodhi atë mëngjes. Ai shprehet se është dhunuar nga policët, në momentin që ishte duke qëndruar në këmbë. Sipa stij efektivët e policisë e kanë kapur për fyti dhe e kanë shoqëruar.

Këlliçi shprehet se ka bërë kallëzim penal, dhe si provë ka pamjet filmike të dhunës që ka ndodhur.

“Jam me fat që është filmuar e gjitha skena. Edhe sot që flasim nuk e di as vetë çfarë ka ndodhur. Ka qene absurde. Shoqërimi im është marrë duke ndenjur në këmbë. Kishim shkuar për të ndihmuar disa zonja që ishin rrëzuar. Më kanë marrë fillimisht 5 policë, më kanë kapur për fyti. Jam mbajtur në një dhomë për 6 orë me 9 persona të tjerë. Kam qenë me 10 persona në një qeli.

Kur mësuam se unë do bëja një kallëzim penal më kanë dhunuar. Për fatin tim kanë dalë pamjet filmike dje dhe do i dorëzoj në prokurori. Unë e kam personale me ata policë. Realisht fytyra e policit ka fytyrën e Sandër Lleshajt.

Na kanë marrë pa numër identifikimi me skafandra, në një ditë kur mua më është hequr 2 herë patenta. Na kanë keqtrajtuar me fjalorin më banal.

Në vend që policia t jetë në mbrojtje të qytetarëve ka bërë atë akt brutal, që është i denjë vetëm për Korenë e Veriut. E kam të vështirë të gëlltis këto 48 orët e fundit. Unë kam qenë me kurriz, jam marrë prej fyti. I thoja policit ndalo se vij vetë. E gjithë arsyeja është se këta nuk shkëputem dot nga metodat e dhunës”, u shpreh ai.

Presidenti apel qytetarëve: Zgjohuni, jemi në diktaturë! Shembja e Teatrit nuk amnistohet

Presidenti Ilir Meta u është drejtuar me një apel të fortë shqiptarëve, për tu zgjuar, pasi një popull që fle në demokraci, zghohet në diktaturë.

“Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë!

Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë.

Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua.

Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.

Në vijim, Presidenti thekson se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.

“Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët.

Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme.

Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë.

Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë.

A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?”, shkruan Meta.

‘Il Fatto Quotidiano’: Shteti italian të ndërhyjë për shembjen e Teatrit në Tiranë

Ndërtesa, e ndërtuar më 1938, ishte një nga shembujt më të mirë të arkitekturës italiane. Manifestuesit patrulluan në zonë për gjithë natën, duke denoncuar “metodat që i kishin parë më herët gjatë regjimit”, por me ardhjen e agimit nisi edhe ndërhyrja-blic. Në vend të tij do të ngrihet një kompleks ndërtimor me qendra tregtare, hotele e shërbime.

Nga Tiziana Colluto (Il Fatto Quotidiano)

“Monument kulture, mbrohet nga populli” – për 27 muaj me radhë rezistoi si “monument kulture që mbrohej nga njerëzit”. Por të dielën në agim, teatri u shemb nga goditjet e rruspave. Modeli i shquar i arkitekturës italiane të viteve ’30 duhet t’i lërë vendin një mega-strukture futuriste, mbi të cilën qysh tani bien dyshime të forta se po ndërtohet për interesa të ndërtuesve spekullantë. Ajo çka ishte për një kohë të gjatë një pushtim i kryer për të mbrojtur interesin publik në Shqipëri, i kryer jo nga opozita, por nga shoqëria civile, rrezikon të shndërrohet në një bumerang për kryeministrin Rama.

Dy vjet kundërshtim i organizuar dhe i motivuar, me lidhje në gjysmën e Evropës, nuk mund të anulohen brenda disa minutash, ata zënë rrënjë. Dhe ata ringrejnë protestën: dje pasdite, u kthyem për të demonstruar jo më shumë ose jo vetëm “për” teatrin e anuluar, por mbi të gjitha “kundër kthimit të diktaturës”. Fjalë të forta, të cilat nuk përdoren rastësisht: 64 persona u arrestuan të dielën nga policia dhe ajo që artistët dhe aktivistët denoncojnë është rifillimi i metodave që tashmë janë parë gjatë regjimit, nga të cilat, 30 vjet më vonë, kujtesa është e gjallë në çdo cep të vendit. Me pak fjalë, kjo nuk është “vetëm” një çështje kulturore dhe përfshihen gjithashtu institucionet italiane, nga të cilat pritej një pozicionim i fortë që nuk erdhi kurrë, për dallim nga ai gjerman, për shembull.

Operacioni blic dhe arrestimet

Në agim të dielën, sulmi, në urgjencë të plotë Covid. Një veprim i shpejtë rrufe, i zbatuar në 15 minuta. Zërat për një ndërhyrje menjëherë në karantinë dhe kufizime ishin bërë më këmbëngulëse ditëve të fundit: buldozerët pritej të arrinin nga dy në mëngjes të dielën dhe deri në 4 të mëngjesit një mijë njerëz ishin në shesh. Pastaj, kur protestuesit u kthyen në shtëpi, mbi një mijë oficerë nga departamente të ndryshme të policisë arritën në orën 4.30 të mëngjesit. Shembja filloi kur aktorët Neritan Liçaj dhe Julinda Emiri dhe regjisori Robert Budina ishin akoma brenda, dhe u morën me vete nga policët, të cilët rrethuan zonën për të lejuar mjetet për të shembur teatrin italian, saktësisht mbrapa sheshit Skënderberj. Gjatë gjithë ditës, protestat u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët dhe Kombit ’, pavarësisht nga ndalesat për demonstrime publike dhe tubime të vendosura nga legjislacioni Covid, nga i cili, sipas protestuesve, shteti përfitoi.

Akuza të ndërsjellta mes manifestuesve dhe forcave të rendit

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit, e përbërë nga artistë e qytetarë, të cilët dy vitet e fundit janë rreshtuar fort në llogoren që kundërshton shkatërrimin, kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve që mbahen nëpër komisariate. Nga ana tjetër, Policia, në një komunikatë zyrtare, lëshuar para disa orësh, bëri të ditur se ndërhyu me kërkesë të Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë Tiranë, për të mundësuar zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak, domethënë për të mundësuar shembjen e ndërtesës së Teatrit dhe çeljen rrugë të rikonstruksionit.

Mes kundërshtarëve të shembjes dhe forcave të rendit vijoi gjithë kohën një shkëmbim akuzash. Të parët denoncuan sjelljen e papranueshme të policisë si dhe e klasifikojnë ndërhyrjen të kryer pa një vendim gjykate, ndërkohë që të dytët thonë se “në mes protestuesve, shumë syresh goditën kohë pas kohe forcat e rendit me shkopinj e objekte të forta, duke plagosur 7 efektivë, gjithsesi jo në gjendje të rëndë.

64 veta u ndaluan dhe u shoqëruan në komisariate, shtatë 30-vjeçarë u arrestuan me akuzën e kundërshtimit me forcë të forcave të policisë dhe për “grumbullim të paligjshëm”. Për akuzën e grumbullimit të paligjshëm do të përgjigjen edhe 21 të tjerë, ndërkohë që për 36 veta rëndon akuza e shkeljes së masave kufizuese të vendosura për shkak të epidemisë Covid.

“Ne jemi të zhgënjyer nga Italia, është koha për të ndërmarrë veprime”

“Ne ende presim maksimumin” – thonë ata për ilfattoquotidiano.it nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit – nje reagim energjik. Një krim ligjor dhe moral u krye të dielën. Përkundër faktit se në këto 27 muaj ambasadori italian (Alberto Cutillo, tetorin e kaluar) ka ndërhyrë vetëm një herë në prishje, në një intervistë për gazetën Panorama; përkundër faktit se muajt e fundit as Instituti Kulturor Italian nuk ka ndërhyrë, megjithëse zyra e tij është 300 metra larg Teatrit, është e rëndësishme që Shteti Italian të ndërhyjë. Nëse Shqipëria ka ende vlerë për Italinë, është koha për të reaguar. Zhgënjimi ynë është tashmë i madh “.

“Është e drejtë të pyesim se çfarë bëjnë Ambasada Italiane dhe Instituti Kulturor i lidhur me të në këto raste. A nuk duhet të jetë detyra e tyre të ruajnë trashëgiminë artistike dhe arkitekturore italiane në Shqipëri?” Një grup arkitektësh dhe pedagogë nga Universiteti La Sapienza i Romës – Marco Petreschi, Nilda Valentin dhe Antonino Saggio – dhe nga Universiteti i Barit, Profesor Anna Bruna Menghini, të gjithë njohës të thellë të arkitekturës shqiptare dhe me përvojë të mësimdhënie në universitetet e Tokës së Shqiponjave. Ata nënshkruan një dokument shumë kritik: “Njëqindvjetori i lindjes së Tiranës Kryeqytet mund të ishte festuar në një mënyrë më të denjë. Kjo prishje – shkruan ata – shkon prapa në kohë, kur kishat dhe xhamitë u shkatërruan me dhunën politike të një regjimi diktatorial, duke anuluar ashpër çdo përpjekje për kundërshtim. Çfarë ndryshimi ka sot me demokracinë e pretenduar shqiptare, e cila vepron me të njëjtat metoda duke shembur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë? Kjo ishte një vepër e njohur botërisht e përsosmërisë arkitektonike italiane, e admiruar dhe e botuar në shumë libra shkencorë dhe revista shkencore, si një nga shembujt e parë në Evropë të parafabrikatave të bëra në Milano dhe të montuar, me patentë ekskluzive, në 1938 në Tiranë në kohë shumë të shkurtër. Çfarë ndryshimi ka me regjimin e shekullit të kaluar kur edhe intelektualët që kanë kundërshtuar këtë masakër përfundojnë duke u zhvlerësuar dhe denigruar?”

Qëndrimi gjerman

Përballë heshtjes institucionale italiane, merr një peshë të madhe deklarata plot shqetësim e ambasadorit gjerman Peter Zingraf. “Shembja e teatrit Kombëtar në Tiranë, në agim, në atë formë që e pamë të gjithë, është e vështirë të kuptohet” shkruan ai, duke bërë thirrje për dialog dhe transparencë. Pritet të mbajë një qendrim edhe Bashkimi Evropian. Komisionerja për Kulturën, Marija Ivanova Gabriel ka shfaqur interes për çështjen, po ashtu edhe sekretarja e përgjithshme e “Europa Nostra”, si dhe Federata Pan-Evropiane e Trashëgimisë Kulturore, drejtuar nga Placido Domingo. Qysh në mars, kjo organizatë joqeveritare, në bashkëpunim të ngushtë me UNESCO-n e shpalli Teatrin Kombëtar të Shqipërisë në listën e 7 godinave më të rrezikuara në Evropë, sipas një seleksionimi që merr parasysh vlerën arkitektonike, mbrojtjen qytetare si dhe vlerat kulturore që përfaqëson. Prania në këtë listë parathoshte dy gjëra: njohjen publike që mungonte nga institucionet e vendit, dhe mbi të gjitha, ndihmë konkrete në investime për restaurimin.

Kompleksi i ri ndërtimor; qendra tregtare, hotele dhe një teatër të ri

Në vetëm pak orë u spastrua një pjeë e historisë e në vend të saj pritet të lindë “fluturaku” i projektuar nga studioja daneze Big, me një teatër të ri në brendësi të një kompleksi masiv me 4 kulla të destinuara për qendra tregtare, hotele dhe shërbime. Vlera e investimit mendohet të jetë 30 milionë euro. “Dua t’ju siguroj se teatri i ri kombëtar do të ketë nesër konsensusin e të gjithëve” komentoi kryeministri Rama, duke sulmuar ata që ai i quan “protestues profesionistë”, që kishin tentuar edhe më herët të prishnin ngritjen e kantiereve të projekteve të reja. “Edhe për këtë projekt, që në fakt është vonuar me dekada, thotë Rama, do të flasë vetë puna, kur të jetë mbaruar i tëri e kur t’i japë Tiranës e komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që s’e ka pasur asnjëherë”.

Por prishja e Teatrit Kombëtar rrezikon të provokojë të tjera krisje brenda fibrës kulturore shqiptare, duke hedhur kështu hije mbi imazhin miqësor që qeveria po përpiqet të ngrejë në sytë e Evropës.
Përgatiti në shqip Syri.net

Analisti amerikan: Shembja e Teatrit ishte një turp i madh! Qeveria nuk respekton shtetin ligjor

??????????

Një analist amerikan thotë se mënyra se si u shemb Teatri Kombëtar në Shqipëri, ishte e turpshme. Profesori David Phillips i Universitetit të Kolumbias tha për Zërin e Amerikës se çështja e vërtetë është mungesa e vullnetit të qeverisë për të respektuar shtetin ligjor, përçmimi për shoqërinë civile dhe shtysa e brendshme për të refuzuar kompromisin.

Në një intervistë me kolegen Keida Kostreci, Prof Phillips foli edhe për bashkimin e opozitës me protestuesit dhe tha se ajo po tregohet oportuniste dhe se do të kishte qenë më mirë që opozita ta luante rolin e saj në parlament.

Zëri i Amerikës: Prof. Phillips, cili është reagimi juaj për shkatërrimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë mëngjesin e së dielës, dhe zhvillimet që pasuan?

Prof. David Phillips: I gjithë incidenti ishte një turp i madh. Qeveria nuk respektoi shtetin ligjor. Injoroi këshillat e Këshillit të Evropës. Shkeli interest e shoqërisë civile. Më vjen keq të them që është në vazhdën e prirjes së qeverisë Rama, që të veprojë i vetëm, pa marrë parasysh të mirën e përgjithshme, por në një regjim gjysmëautoritar si ai i Shqipërisë, nuk pres ndonjë gjë të ndryshme nga qeveria.

Zëri i Amerikës: Ky veprim u ndërmor në mes të një pandemie globale. Si e ndryshon kjo ekuacionin?

Prof. David Phillips: Nuk besoj se kjo e ndryshon ekuacionin. Është thjesht edhe një provë më shumë se Edi Rama po u shërben interesave të tij politike, në vend që të mendojë për interesat më të gjera të shoqërisë, veçanërisht në një kohë sfide të shëndetit publik, që po kalon Shqipëria dhe vende të tjera. Është e rëndësishme të kemi dialog, që të ketë kompromis, që populli dhe qeveria të punojnë së bashku. Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar në mes të natës është krejtësisht i papajtueshëm me objektivat që ne shpresojmë të arrijë Shqipëria si demokraci dhe si një vend evropian.

Zëri i Amerikës: Një nga kritikat nga evropianët dhe të tjerë, ishte përdorimi i forcës, i konsideruar i panevojshëm dhe joproporcional. Cili është mendimi juaj?

Prof. David Phillips: A është ndonjëherë i nevojshëm përdorimi i forcës? Unë e vizitova Teatrin Kombëtar në maj të vitit të kaluar, u takova me shumë nga artistët dhe demonstruesit. Ishin paqësorë. Donin të kishin dialog. Pikëpamjet e tyre ishin të qarta. Nuk e di se pse qeveria vendosi të provokonte një konfrontim, veçanërisht në kontekstin më të gjerë të asaj që po ndodh në Shqipëri dhe rajon, pandemia që ka prekur në Shqipërinë dhe vendet e tjera.

Zëri i Amerikës: Çfarë do t’i thonit qeverisë, autoriteteve dhe të tjerëve që mbështesin ndërtimin e teatrit të ri dhe që thonë se godina ishte e vjetër, nuk ishte funksionale dhe për këtë arsye duhet teatri i ri dhe që shumë artistë e mbështesin idenë e teatrit të ri?

Prof. David Phillips: Unë nuk kam parë ndonjë anketë të opinionit publik, kështuqë nuk mund të komentoj për këtë. Po, ndërtesa mund të rinovohej dhe përmirësohej. Nuk kishte pse të shkatërrohej. Ka një pyetje më të gjerë: kush përfiton nga shkatërrimi, çfarë kontratash po jepen për rindërtimin? Kush përfiton nga këto kontrata dhe pronat e lidhura me to. Kush do t’i përdorë ato prona? A është kjo pjesë e një skeme më të gjerë korrupsioni nga qeveria e Edi Ramës, apo shembja u ndërmor në favor të arstistëve? Duke pasur parasysh historinë ndjekjes së interesave të veta dhe korrupsionit të Edi Ramës, ka pikëpyetje serioze për motivin e tij, si edhe për sjelljen e qeverisë.

Zëri i Amerikës: Opozita po mbështet ata që kundërshtonin shkatërrimin dhe po proteston me ta. A po përdoret kjo çështje për përfitim politik sipas jush?

Prof. David Phillips: Është vonë për të protestuar. Ndërtesa është shkatërruar. Momenti për të mobilizuar indinjatën e publikur ishte para se të shkatërrohej ndërtesa.

Opozita po tregohet oportuniste. Çështja e vërtetë këtu nuk është aq shumë ndërtesa ose teatri. Çështja e vërtetë është mungesa e vullnetit të qeverisë që të respektojë shtetin ligjor, përçmimi për shoqërinë civile, shtysa e brendshme për të refuzuar kompromisin. Asnjë nga këto (veprime) nuk ishte i nevojshëm, sidomos në këtë moment. Mund të ishte mbajtur një qëndrim më i matur dhe i duruar, që të mos arrinim në këtë polemikë ku jemi tani.

Zëri i Amerikës: Pas shembjes dhe ngjarjeve që pasuan, pati reagime evropiane përfshirë Komisionin Evropian, por jo nga Shtetet e Bashkuara. A do të donit të shihnit një reagim amerikan?

Prof. David Phillips: Sigurisht qeveria (amerikane) duhet t’i shprehë pikëpamjet e veta. Nëse ndjehet e indinjuar nga masat e marra nga qeveria Rama, duhet të flasë. Sapo mora vesh se ç’po ndodhte, unë kontaktova ambasadoren në Tiranë, për ta pyetur nëse ambasada kishte nxjerrë ndonjë deklaratë. Deri në momentin e kësaj interviste (të hënën në mbrëmje me kohën e Shqipërisë), nuk kam marrë përgjigje. Kjo më bën të shtroj pyetjen nëse qeveria amerikane ishte informuar paraprakisht dhe nëse po, çfarë sinjali i dërguan Edi Ramës. Sinjali që duhej të ishte dërguar, duhet të ishte ai i negociimit të mosmarrëveshjeve, i zgjidhjes paqësisht të tyre dhe i bashkëpunimit mes qeverisë dhe shoqërisë civile. Nuk e di nëse qeveria amerikane e ka përçuar atë mesazh, por unë dua që ta përcjell këtë mesazh tek shikuesit tuaj. Është koha për bashkëpunim, jo konfrontim.

Po ashtu, kur flasim për Shqipërinë, qeveria amerikane duhet të udhëheqës. Ne duhet të përcaktojmë axhendën dhe vendet evropiane të ndjekin. Ne nuk duhet të jemi të fundit që të shprehim qëndrimin tonë. Ne duhet të jemi në krye, duke bërë thirrje për demokraci më të fortë dhe për dialog. Ky është nga ato lloj incidentesh ku zëri i Amerikës duhet të dëgjohet.

Zëri i Amerikës: Raporti i fundit i organizatës Freedom House për Vendet në Tranzicion, shprehu shqetësimin për rënien e demokracicë në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqpërinë. Bëhej fjalë për zhvillimet e vitit 2019, por a i shihni ngjarjet e fundit si vazhdimësi e kësaj prirjeje?

Prof. David Phillips: Po. Dhe kam shkruar për vdekjen e demokracisë në Shqipëri nën udhëheqjen e Edi Ramës, jo vetëm lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, por edhe masat shtypëse të qeverisë ndaj medias, lirisë së shprehjes pas tërmetit. Është alarmuese. Tani është koha kur njerëzit duhet të reflektojnë dhe të gjejnë emërues të përbashkët. Përkundrazi Edi Rama duhket se po shfrytëzon mosmarrëveshjet, Shqiptarët duhet të bashkohen dhe të punojnë së bashku. Por nuk mendoj se është në AND-në e Edi Ramës që të dëgjojë shqetësimet e të tjerëve. Ai vepron në mënyrë impulsive dhe agresive. Kjo nuk është në interesin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Shumica qeveritare mund të thotë se ka mbështetjen e popullit që e zgjodhi…

Prof. David Phillips: A ishin ato zgjedhje të lira dhe të drejta dhe transparente. A ndjehen shumica e shqiptarëve të përfaqësuar në mënyrë demokratike nga kjo qeveri? Mendoj se duhet të ketë një reflektim serioz dhe të shtrohen pyetje. Dhe nëse zbulojmë se qeveria ishte e motivuar nga synime korruptive, atëherë duhen marrë masa ndaj qeverisë për të forcuar shtetin ligjor dhe për të mbrojtur interesat e popullit të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se situata do të kishte qenë e ndryshme nëse opozita nuk do të kishte braktisur parlamentin dhe do të kishte luajtur rolin e vet në parlament, në vend që të nxitonte të bashkohej me protestuesit tani?

Prof. David Phillips: Sigurisht që do të kishte qenë më mirë, nëse opozita do të ishte në parlament. Tërheqja ishte gabim. Ishte një gabim tjetër bojkotimi i zgjedhjeve vendore. Në një demokraci ka vend për shprehjen e mendimeve të ndryshme, përveçse nëse nuk je i ulur në tryezë. Dhe opozita, Partia Demokratike duhet të vlerësojë rolin e vet. Duhet të riorganizohet. Duhet një ligj elektoral që të mundësojë zgjedhjet, forcimin e qeverisjes demokratike. Tani nuk është koha për të fituar pikë politikisht, është koha për t’u organizuar, mobilizuar dhe votuar, kur të paraqitet mundësuia për ndryshimin e pushtetit, që gjendja a vendit të përmirësohet dhe të ketë më shumë përfaqësim.

Zëri i Amerikës: Meqë po flasim për reformën zgjedhore, opozita vendosi të mos marrë pjesë në takimin për këtë çështje, mesa duket në shenjë proteste ndaj zhvillimeve për teatrin. Cili është mendimi juaj?

Prof. David Phillips: Është qesharake. Nëse opozita do që të ketë një zë, duhet të ngrejë zërin për zgjedhjet. Nëse debate është për reformën elektorale, atëherë opozita duhet të bashkohet dhe të ketë një qëndrim të përbashkët. Gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri në pranverë, pata një takim me krerët e partive politike të opozitës. Të gjithë donin një ligj të ri elektoral dhe të gjithë duan të marri pjesë politikisht. Asgjë nuk duhet t’i pengojë, përfshirë udhëheqjen e vet. Është koha që shqiptarët të votojnë dhe vota e tyre të ketë vlerë. Nëse nuk janë mundësitë që kjo të bëhet, atëherë opozita nuk është më pjesë e zgjidhjes por bëhet pjesë e problemit. Prandaj duhet t’i futemi punës, të zgjidhim se si vendi do të qeveriset në të ardhmen dhe kur dhe si mund të mbahen zgjedhjet./VOA

Akademiku i njohur: Shembja e Teatrit veprim antikombëtar, sëmundje mendore e atij që veproi

Akademiku Emin Riza, si specialist i trashëgimisë dhe një nga restauratorët më në zë në vend ndaj kauzës së godinës së Teatrit Kombëtar, kur mendohej se debati mund të shmangte shembjen, nuk qëndroi indiferent.

Ai u shpreh qartazi se ajo godinë duhej shpallur Monument i Kategorisë së Dytë, “si përfaqësuese e një periudhe të caktuar e për sa i përket zhvillimit shoqëror dhe ndërtimor”. Tani që synimi i qeverisë u arrit dhe godina u shemb, ndjen dhimbje, si njeri i fushës dhe si qytetar.

“Kam menduar se nuk do të ndodhte kurrë shkatërrimi i kësaj vepre, sepse shkatërrimi i monumenteve, pazgjidhshmërisht, zhduk çdo vlerë të pazëvendësueshme.

Aq më tepër në një rast si Shqipëria, që në krahasim me popujt e tjerë europianë, për arsye specifike dhe historike, nuk është shquar për ndonjë zhvillim të spikatur kulturor. Ekzistenca e një teatri të vetëm historik në kryeqytet ishte minimumi i minimumeve”, thotë ai për “Panoramën”.

E ka të vështirë të pajtohet me vendimin e aktin e rrënimit, të asaj që për të qe një vlerë trashëgimie. “Shkatërrimin e asaj godine nuk arrij ta kuptoj… mund ta quaj një sëmundje mendore të atij apo atyre që kanë vepruar. Nuk mund ta konceptoj dhe nuk mund t’i gjej asnjë justifikim këtij veprimi antikulturor dhe antikombëtar, jo vetëm për truallin e shtetit, të popullit shqiptar, por edhe më gjerë, atyre ballkanikë…”, shton më tej akademiku.

Akoma më e pakonceptueshme për të është fakti se një nga 60 këshilltarët bashkiakë që firmosi shembjen e godinës, është edhe Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, e cila duhet të ishte në mbrojtje të tij.

“Fakti që ajo ka firmosur, përbën një skandal”, thotë. Për shpërfilljen e zërit të tij në këtë çështje e të specialistëve të tjerë, arkitektë, historianë, studiues, duket i indinjuar.

“Sot vlerësohen vetëm ata që krijojnë mundësi për përvetësim parash, edhe për shpërndarjen e këtyre parave. Nuk vlerësohet profesionalizmi këtu te ne… ndaj këtë sistem, vetëm demokraci nuk mund ta quash. Ne u gëzuam kur ra diktatura edhe erdhi demokracia, por, në fakt, demokracia, për të cilën flasim, s’është tjetër, veçse një mashtrim”.

I ardhur nga një sistem, që me familjen e tij ka treguar kthetrat, e me dekada të tëra pune e studimi, e pohon zhgënjimin. “Jam shumë i zhgënjyer, sepse këtu vendosin vetëm qeveritarët. Kuptimin e demokracisë e thotë vetë fjala: demos-popull, kraci-sundim. Sundimi i popullit është etimologjikisht. Por, në fakt, te ne ndihet vetëm tringëllima e tij”.

Sa u përket reklamave të teatrit “urë” dhe mundësisë që ai të zëvendësojë për nga vlerat godinën e Teatrit Kombëtar, profesor Riza përgjigjet: “Absolutisht që jo! Duhet ta ruanin Teatrin dhe të bënin një tjetër. Ajo godinë mbetet vlerë e pazëvendësueshme”.

Megjithatë, te rezistenca dhe evidentimi i gjithë ngjarjes që tronditi mëngjesin e së dielës mbarë vendin, ai shprehet: Besoj se çdo e keqe ka një të mirë, pasi gjithë sa ndodhi do të ngrejë influencën e popullsisë, për t’iu kundërvënë vendimeve të tilla të kësaj qeverie, që s’meriton të konsiderohet si e tillë. /Panorama/

Pse duhet të protestojmë…

Nga Mimoza REXHVELAJ

Do ia nis nga shpirti i lirë.

Një njeri që ka njohur qoftë edhe një herë të vetme lirin, që e ka shijuar atë, e ka të pamundur të “burgoset”

Unë personalisht i kam dhënë fjalën vetes që të mbështes çdo kauzë që më duket e drejtë.

Kur padrejtësia bëhet ligj, mosbindja është detyrë!

Si të mos protestosh kur shemben monumentet e kulturës, teatri nuk është një objekt koti, ajo simbolizon qytetrimin e vendit tim, është deshmi se para nesh kanë jetuar qytetar artdashtes dhe jo barbar të pafe, që ushqehen me kërma.

Ndoshta një shitësi fiqësh nuk i intereson arti sepse për të ka rëndësi “pazari” i duhet tefteri dhe mbushja e hambarit… se kaq horizont ka, po e mirëkuptoj se ajo që bëri është thjesht “kontrata” që i mundëson të mbushi llogarin.

Si mund ta justifikoj këtë të vetpagëzuarin artist, që është veç një “artisti dështak” që me taksat e shqiptarëve sponcorizon “zhgarravinat” e tij, nuk i tereson teatri, nuk i intereson arti, nuk i intereson shpirti i ndjeshëm i artistit, por si bir i dejtë i të atit në pamundësi për t’i varur sheshesh, i shkeli, i dhunoi trotuaresh dhe shtëpin jua shëmbi mbi koka…

Çfarë duhet të na bëjnë tjetër që të quhemi protestues të ligjshëm?

Apo të presim të na marrin dinjitetin, nderin, të na shkelin familjet dhe pastaj ndoshta “diplomacia” do na jap të drejtë…

Unë protestoj dhe dënoj me forcë shembjen e Teatrit dhe dhunimin e artistëve, protestuesve në mënyrën më ç’njerzore që ka parë ky vend…

Pyetja e fortë e titullarit të grupit të PPE: Shkatërrimi i Teatrit nga Rama, a është shkatërrim i shanseve të Shqipërisë për negociata?

Një pyetje ‘bombë’ u bë nga titullari i grupit të PPE në Parlamentin Europian, Michael Gahler për Komisionerin e Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

“Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar nga kryeministri Edi Rama, a është për ju edhe shkatërrim i shanseve të Shqipërisë për negociata dhe për t’ju bashkuar Europës?”

Kjo pyetje u bë sot pasdite në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, ndërsa diskutohej për Buxhetin e Partneritetin Lindor.

Michael Gahler është eurodeputet (PPE, Gjermani) koordinator për çështjet e jashtme e të zgjerimit i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane e koordinator i tij në Komisionin e Jashtëm.

Komisioneri Varhelyi në përgjigjen e tij theksoi se vërtet çdo shtet vendos vetë për teatrot e monumentet, por jo duke përjashtuar aktorët e rëndësishëm, por duke i përfshirë të gjithë grupet e interesit në konsultim e vendimmarrje.

“I thashë Ramës në telefon se duhej ta kishte evituar konfrontimin dhe të kishte shmangur veprime të tilla”, tha ai.

Rama nuk e sheh më vizën e korrupsionit dhe as vizën e dhunës. Ai është peng i krimit, dhe sillet si kriminel me njerëzit

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama.

Basha shkruan në një postim në Tëitter se, Rama është peng i oligarkëve dhe punon vetëm për ta. Ai vjedh përditë, shkatërron dhe varfëron shqiptarët

Reagimi i plotë

Rama nuk e sheh më vizën e korrupsionit dhe as vizën e dhunës. Ai është peng i krimit, dhe sillet si kriminel me njerëzit.

Është peng i oligarkëve dhe punon vetëm për ta. Ai vjedh përditë, shkatërron dhe varfëron shqiptarët.

Ai shfrytëzoi edhe pandeminë për të vjedhur, për të shkaterruar teatrin, për të grabitur pasuritë publike dhe i la njerëzit pa asnjë ndihmë.

Prandaj, Shqipëria do të shpëtojë prej këtij hajduti ordiner që bën vetëm keq: gjithë njerëzit e ndershëm ia kanë hequr vizën!

Komisioneri Europian për Zgjerimin: Kërkuam dialog për Teatrin, ka pasur përdorim të forcës

Zëdhënësja e Komisionerit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka reaguar ashpër ndaj shembjes që Edi Rama dhe Erion Veliaj i bënë Teatrit Kombëtar.

‘Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merret një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk është ndjekur nga institucionet përkatëse kombëtare dhe lokale.

• Kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet në terren, duke vërejtur gjithashtu se ka pasur përdorim të forcës. Kjo gjithmonë duhet të mbetet proporcionale me rrethanat. Ne vazhdojmë t’u bëjme thirrje të gjitha palëve qe të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin.

• E rëndësishme është që masat emergjente të mos jenë në kurriz të parimeve dhe vlerave tona themelore siç përcaktohen në Traktatet e BE-së dhe ato duhet të jenë subjekt i një kontrolli të rregullt.

• Liria e shprehjes është një nga themelet esenciale të një shoqërie demokratike dhe një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian. Prandaj është një element thelbësor për procesin e pranimit në BE.