32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Prokurorë dhe hetues nga Italia për tërmetin në Durrës, çfarë pritet të ndodhë me Gjush betonin?

Shtatë ekspertë kanë mbërritur sot nga Italia dhe do të asistojnë Prokurorinë shqiptare për hetimet e termetit, ku vdiqën 51 qytetarë.

Ekspertët italianë kanë ardhur në bazë të një marrëveshje të nënshkruar mes prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane. Ata janë takuar fillimisht me Kryeprokurorin Oslian Çela e më pas do të shkojnë në Prokurorinë e Durrësit.

Burimet thanë se, në ekipin italian janë dhe 2 prokurorë, që kanë hetuar në Itali për pasojat e termetit që ra ne L’Aquila.

Sakaq në njoftimin zyrtar thuhet se “Prokurori i Pergjithshem z Olsian Çela ne kete moment po zhvillon nje takim me nje delegacion ekspertesh italian kryesuar nga dy prokurore, OPGJ si dhe inxhiniere. Ky takim eshte mundesuar nga PAMEKA. Tema e diskutimit eshte asistenca teknike per termetin”.

Në termetin tragjik të 26 nëntorit, u rrëzuan disa objekte në Durrës dhe Thumanë dhe për pasojë humbën jetën 51 njerëz të pafajshëm. Në dosjen hetimore të prokurorisë thuhet se shembja ka ardhur edhe si pasojë e ndërtimeve pa cilësi dhe mosmarrjes së masave nga termeti i parë i 21 shtatorit.

Prokuroria e Durrësit në Dhjetor nxori 17 urdher-arreste për ndërtues dhe zyrtarë, por disa prej tyre u liruan nga gjykata dhe po hetohen në gjendje të lirë. /abcnews.al

Oxfam: 2,153 miliarderë kanë pasuri më shumë se 4.6 miliardë njerëz

“Ekonomitë seksiste” po përkeqësojnë pabarazinë globale të të ardhurave, derisa numri i miliarderëve është dyfishuar në dekadën e fundit, thotë në raportin e ri organizata ndërkombëtare bamirëse Oxfam.

I titulluar “Koha për kujdes”, raporti thotë se 2,153 miliarderët e botës posedojnë më shumë pasuri se 4.6 miliardë njerëz, që përbëjnë 60 për qind të popullsisë së planetit.

“Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve nuk mund të zgjidhet pa politika që luftojnë pabarazinë dhe shumë pak qeveri janë të angazhuara në këtë drejtim”, tha shefi ekzekutiv i Oxfam-it në Indi, Amitabh Behar.

Raporti po ashtu thekson se 22 burrat më të pasur në botë kanë më shumë pasuri sesa të gjitha gratë në Afrikë.

Raporti vjetor i Oxfam-it për pabarazinë globale del zakonisht përpara se të hapet Forumi Botëror Ekonomik, i cili sivjet nis punimet më 21 janar në Davos të Zvicrës.

“Ekonomitë tona të prishura po mbushin xhepat e miliarderëve dhe bizneset e mëdha, në kurriz të burrave dhe grave të rëndomta”, tha Behar, i cili ndodhet në Davos për të përfaqësuar grupin Oxfam të organizatave joqeveritare.

Prokuroria kërkon “arrest me burg” për vëllain e shefit të policisë

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e arrestit me burg për 7 personat e arrestuar në kuadër të një operacioni të zhvilluar në disa qytete të vendit, ku mes tyre është dhe Pajtim Aga, vëllai i Robert Agës, i cili u shkarkua dy ditë më parë nga posti i shefit të qarkullimit rrugor në Dibër.

Personat ndaj të cilëve prokuroria ka kërkuar arrest me burg janë:

Edmond Rajta

Pajtim Aga

Shkëlzen Mazari

Devis Mija

Fatjon (Paulin) Dodaj

Marsida Piperi

Arjet Halilaj

Prokurori Robert Kote tha se prova më e fortë janë përgjimet dhe procesverbali i lëndës narkotike prej 32.5 kg kanabis në forme çokollate, ndërkohë që vendimi për këtë grup do të jepet gjatë ditës së nesërme.

Kujtojmë se Pajtim Aga dhe më herët është arrestuar dhe dënuar për trafikimin e një sasie kokaine, ndërkohë që vëllai i tij, Roberti ishte pjesë e përgjimeve të publikuara nga Bild.

Ai dyshohet se ka pasur rol aktiv në pazaret për blerjen e votave, ndërkohë që iu publikua dhe një bisedë ku i thoshte Saimir Tahirit se ishte ushtari i tij. (lexo edhe ketu lajmin).

I arrestuati Pajtim Aga njihet si biznesmes në qarkun e Dibrës. Sipas disa mediave, Pajtim Aga prej disa vitesh ka hapur një televizion kabllor që shpërndan sinjal të disa stacioneve në vendlindje.

Në shtator 2016, Pajtim Aga u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë.

Më pas në vitin 2018, Mateo Aga, 21 vjeç, djali i Pajtimit, pra nipi i Robertit u zhduk pa lënë gjurmë nga Maqellara. Familjarët e Mateos shprehën dyshimet se ai mund të jetë rrëmbyer.

“Lideri global”: I gatshëm të zgjidh krizën mes Ukrainës dhe Rusisë

Ka marrë pozat e” liderit global” dhe flet si shpëtimtatri që mund të zgjidhë konfliktin mes Ukrainës deh Rusisë. Pikërisht atë konflikt që nuk e kanë zgjidhur dot as Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, “lideri gobal” thotë se mund ta zgjidhë ai vetë.

Kryeministri Edi Rama në cilësinë edhe të kreut të Presidencës së OSBE u shpreh i gatshëm për të zgjidhur krizën në Ukrainë dhe zonat përreth. Gjatë një konferencë të përbashkët me Ministrin e Punëve të Jashtme, Vadym Prystaiko, Rama dhe se duhen ndërmarrë hapa nga kryesia e radhës e Shqipërisë në OSBE për të lehtësuar jetën e popullsisë në të dy anët e kufirit. “

Nuk është rastësi që vizita ime e parë është në Ukrainë. Ajo reflekton rëndësinë e madhe që u kushtoj përpjekjeve për të zgjidhur krizën në Ukrainë dhe përreth saj. Në këndvështrimin tim kjo mbetet sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot.

Do bëjmë maksimumin për të siguruar respektimin dhe parimin e OSBE, do të inkurajojmë zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut duke mbështetur përpjekjet e grupit tripalësh. Ajo çfarë mbetet thelbësore është jeta e njerëzve dhe vështirësitë që të gjitha ata përballen me zonat e prekura nga konflikti.

Ne do të punojmë pareshtur për të garantuar ndalimin e të shtënave dhe një armëpushim i qëndrueshëm është jetik për jetën e njerëzve atje. Ky konflikt vazhdon të prodhojë viktima civilë, kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalë.

Synimi ynë është të sigurojmë një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm. Rifillimi i dialogut të nivelit të lartë dhe rezultatet e samitit të Normandisë janë hapa në drejtimin e duhur. Megjithatë mbetet shumë për tu bërë.

Ne ndajmë bindjen që kontributi që është dhënë nga gratë dhe burrat e përkushtuar të misionit të OSBE është unik dhe thelbësor për të ulur tensionet. Është e nevojshme për të forcuar më shumë me një buxhet solid”, tha Rama

Bild fshin shkrimin e MotherFuck…

Erl KODRA

Shpesh kam menduar se kjo botë është banale. Sidomos në mjetet që përdoren në luftrat e ndyra të propagandës, veçanarisht në epokën tonë të internetit. Si gjithmonë, ndyrësia “triumfon” edhe nga era e rëndë.

Të dielën në mbrëmje, ndyrësia e Kryeministrit Edi Rama ia doli të triumfojë për disa orë; gazeta Bild, më e madhja në Europë, publikoi një artikull të MotherJones (mars 2018), pa autor.

Shkrimi i MotherJones qëndroi vetëm disa orë, për tu fshirë diku pas mesnate. Ndërkohë, adrenalina e motherfuc… në Tiranë, shpërtheu si vullkan qelbi. Ekstazë, emphazë dhe gëlbazë, u hodhën pa hesapë kundër Lulzim Bashës. Vrulli u ndalë disi nga gjumi i mesnatës, për të rifilluar përsëri sot.

Por gazeta më e madhe në Europë, gjermania Bild ua dogji skenarët: shkrimi i Motherfuck.. nuk gjendet më në faqet e saj. Sepse Bild nuk mund të publikojë tekste të paverifikuara, sidomos përkthime, veçanarisht tekste të futura kontrabandë, të paguara. Gazeta Bild nuk është vrasëse me pagesë.

Gjermania Bild nuk mund të bëjë luftën e ndyrë të Edi Ramës. Në të vërtetë, ajo është në luftë me vet Edi Ramën. Teksti i gazetarit Peter Tiede për krimet e bandës Edi Rama gjendet online, bashkë me përgjimet e krimeve të tyre. Prova është tronditëse, asgjësuese. Por, me sa duket derrat duan plumba të kalibrave të rëndë. Dhe do t’i kenë!

Bashkia Pukë shton ushtrinë e “rilindasve” që paguhen pa qënë asnjë ditë në punë

Një denoncim i fuqishëm ka ardhur nga strukturat e degës së PD Pukë, ndaj kreut të bashkisë Gjon Gjonaj, duke e akuzuar për fiktivitetin e numrit të punonjësve në strukturën dhe organikën e bashkisë, përmes së cilës organizohet një skemë e pastër korruptive duke paguar individë që nuk paraqiten asnjë ditë në punë dhe që nuk ofrojnë asnjë shërbim ndaj qytetarëve.

Në profilin e tij Facebook, një nga drejtuesit e seksioneve të PD në qytet, ka dhënë “alarmin” ndaj këtij fenomeni, duke e akuzuar publikisht kryebashkiakun Gjonaj, për përfshirje në borderotë e pagesave të disa individëve që nuk paraqiten asnjë ditë në punë.

Nisur nga ky denoncim publik, si dhe nga disa zëra të brendshëm në bashkinë e Pukës, të konfirmuar dhe nga një grup këshilltarësh, kemi prirjen të besojmë se në listëpagesat e kësaj bashkie janë një numër i konsiderueshëm individësh, me lidhje klienteliste, nepotike dhe militanteske, të cilët, paguhen me taksat e qytetarëve pukjanë pa u paraqitur asnjë ditë pranë mjediseve të tyre të punës.

Skandali shkon dhe përtej, pasi “zërat” pohojnë se këta individë që paguhen, janë fëmijët e disa drejtuesve të institucioneve lokale që praktikisht ndodhen me studime “full time” apo dhe të disa të tjerëve që janë të punësuar në sipërmarrje të tjera.

Këto denoncime të bëra publike përmes rrjeteve sociale, vijnë në një kontekst të debatit të gjerë mbi kapjen e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor të Pukës nga kryebashkiaku Gjonaj, por nisur nga kjo premisë, dega lokale e PD-së, shumë shpejt do të publikojë nismën e saj për adresimin në SPAK të shumë çështjeve që kanë të bëjnë me aktivitetin e bashkisë dhe të kreut të saj Gjon Gjonaj. /InfoPressAlbania/

Berisha-Ramës: Nuk mbulohet tradhëtia me vargje të Kuranit, o kryetradhëtar i kombit!

Ish-Kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, kryetradhetari i kombit, sot për të mbuluar aktin e lartë të tradhëtisë kombëtare thikën e tmerrshme që i futi pas shpine.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Nuk mbulohet tradhetia kombetare me syre dhe vargje te Kuranit o kryetradhetar i kombit.
Miq, sot per te mbuluar aktin e larte te tradhetise kombetare thiken e tmerrshme qe i futi pas shpine Kosoves dhe kombin ka perdhosur edhe Kuranin duke vendosur ne Facebook vargjet e tij! Sb

“O ju qe keni besuar nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u ka sjell një lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e godisni ndokënd pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”, shkruhet në këto fjalë të zgjedhura.

ps: Edhe terroristet qe kryejne krime monstruoze kur jane vrare jane gjetur me Kurane ne gji duke menduar se mund ti mbroje nga krimet e tyre.

Bomba e BERZH: Shqipëria e rrezikuar nga koncesionet

Flet Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri: Është më e rëndësishme, sipas mendimit tim, t’i kushtohet vëmendje qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, veçanërisht në ecurinë e sektorëve kryesorë që mund të gjenerojnë vlerë të shtuar dhe punësim afatgjatë, siç janë turizmi dhe agrobiznesi

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që rritja ekonomike të përshpejtohet në 3.5% këtë vit, nga 2.8% që është vlerësimi për 2019-n. Z. Matteo Colangeli, kreu i BERZH në Shqipëri thotë se ka hapësira për të siguruar rritje pozitive si lufta ndaj informalitetit, investimet në infrastrukturë, diversifikimi i burimeve të energjisë.

Z. Colangeli shton se ka ende shumë më tepër për të bërë për të mbushur hendekun që do të mbetet nga përfundimi i projekteve të TAP dhe hidrocentralit të Devollit. E rëndësishme është që Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese. Edhe situata politike vitin e kaluar nuk e ndihmoi klimën e investimeve.

Për projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP), kreu i BERZH pohon se ka mospërputhjen që vihet re mes madhësisë së disa prej projekteve dhe të investitorëve që i kanë kërkuar e më pas i kanë fituar këto PPP. Ai propozon që të përdoret modeli me propozime të kërkuara, ku është pala publike që përgatit projektin dhe organizon një tender të hapur konkurrues, ka shumë më shumë të ngjarë të japë rezultate optimale.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë gjatë vitit 2019?
Parashikimi ynë për rritjen e PBB-së gjatë vitit 2019 është 2.8%, çka paraqet dukshëm një ngadalësim krahasuar me vitet e fundit. Megjithatë, duhet parë përtej kësaj shifre, veçanërisht kur pjesa më e madhe e ndryshimit nga viti në vit vjen nga ndryshimet në sasinë e reshjeve dhe prodhimi i energjisë hidrike lidhur me to.

Është më e rëndësishme, sipas mendimit tim, t’i kushtohet vëmendje qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, veçanërisht në ecurinë e sektorëve kryesorë që mund të gjenerojnë vlerë të shtuar dhe punësim afatgjatë, siç janë turizmi dhe agrobiznesi. I pari vijoi të ketë një ecuri pozitive në vitin 2019, të paktën për sa tregojnë numrat e vizitorëve.

I dyti shënoi një vit të ngadaltë në drejtim të investimeve, pjesërisht sepse bizneset prisnin rezultatet e aplikimeve të tyre për grante IPARD. Pati disa arritje në tërheqjen e investimeve të huaja, e çka është e rëndësishme, edhe në sektorin e prodhimit.

Sidoqoftë, ka ende shumë më tepër për të bërë për të mbushur hendekun që do të mbetet nga përfundimi i projekteve të TAP dhe hidrocentralit të Devollit. Situata politike vitin e kaluar nuk e ndihmoi klimën e investimeve.

Si është parashikimi juaj për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2020? Cilët janë faktorët (vendas dhe të jashtëm) që mund të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht në ecurinë e ekonomisë shqiptare? Veçanërisht, cili do të jetë ndikimi i tërmetit në ekonominë shqiptare?

Ne parashikojmë që rritja e PBB-së të përshpejtohet deri në 3.5% këtë vit. Një sërë faktorësh të jashtëm dhe kryesisht të pakontrollueshëm do të kenë ndikime thelbësore, përfshirë zhvillimet ekonomike në partnerët kryesorë tregtarë të BE-së, dinamikat e tregut global për mallrat e eksportit si nafta dhe kromi / ferrokromi, si edhe, sigurisht, reshjet e shirave dhe prodhimi i energjisë hidrike.

Megjithatë, ka disa sfera të rëndësishme, ku mund të ndërmerren masa për të siguruar ecuri pozitive. Së pari dhe më e rëndësishmja, duhen vijuar përpjekjet për të zvogëluar informalitetin, përfshirë edhe në turizëm ku vëmendja duhet të shtohet edhe për rritjen e të ardhurave për vizitor (përtej thjesht numrit të vizitorëve) dhe të cilësisë përgjatë të gjithë eksperiencës së ofruar.

Së dyti, kryerja e investimeve në infrastrukturë duhet të përshpejtohet duke u dhënë përparësi atyre që adresojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë pengesat për zhvillimin ekonomik. Së treti, është e rëndësishme të ecet përpara me shpejtësi drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, veçanërisht me energjinë diellore.

Në lidhje me tërmetin, unë mendoj se do të ketë më shumë qartësi rreth ndikimit të tij në ekonominë shqiptare pasi të përfundojë vlerësimi i nevojave që po kryhet aktualisht me mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare në mënyrë që të sigurojnë fondet për rindërtim, pas pasojave shkatërruese të tërmetit?
Rezultatet nga procesi i vlerësimit të nevojave duhet të ofrojnë informacionin e nevojshëm për organizimin e një reagimi të strukturuar ndaj shkatërrimit të shkaktuar nga tërmetet.

Është e rëndësishme të sigurohet bashkërendimi me partnerët ndërkombëtarë dhe të shfrytëzohet sa më mirë mbështetja e ofruar, si në aspektin e asistencës teknike për përgatitjen e projekteve ashtu edhe në aspektin e financimit të tyre.

Konferenca e ardhshme e donatorëve do të jetë një pikë referimi e rëndësishme në këtë drejtim. Një orientim që mund të meritojë vëmendje do të ishte edhe ai ndaj rishikimit të programeve me partnerët ndërkombëtarë, si programet ekzistuese ashtu edhe ato në një fazë të përparuar të përgatitjes, për të shqyrtuar mundësinë e maksimizimit të ndikimit të tyre në zonat më të prekura nga tërmeti.

Raporti i fundit i BERZH (Prospekti Ekonomik Rajonal) ishte shumë kritik për programet e partneritetit publik-privat të qeverisë shqiptare. Pse, dhe cilat janë rreziqet e këtyre projekteve dhe si mund të shmangen këto rreziqe?

Rreziqet lidhen kryesisht me natyrën e pa kërkuar të propozimeve të këtyre PPP-ve, çka nënkupton që është investitori ai që kryen përgatitjen teknike të projekteve. Kjo sjell rrezikun që tenderët të mos jenë konkurrues, pasi investitori që ‘kërkon’ një PPP natyrisht do të ketë një avantazh të rëndësishëm informacioni ndaj palëve të tjera të interesuara.

Një çështje tjetër e rëndësishme lidhet me mospërputhjen që vihet re mes madhësisë së disa prej projekteve dhe të investitorëve që i kanë kërkuar e më pas i kanë fituar këto PPP. Kjo krijon rreziqe lidhur me aftësinë e këtyre investitorëve për të siguruar burimet e nevojshme, përfshirë financimin, për të realizuar zbatimin e projektit.

Unë besoj se në shumë raste PPP-të mund të jenë mjeti më efikas për ndërtimin e infrastrukturës publike, veçanërisht kur financimi mund të strukturohet sipas fluksit të parave që burojnë nga projekti (si për shembull në rastin e një rruge me pagesë).

Megjithatë, modeli me propozime të kërkuara, ku është pala publike që përgatit projektin dhe organizon një tender të hapur konkurrues, ka shumë më shumë të ngjarë të japë rezultate optimale. Për më tepër, kështu qeveria do të ketë edhe më shumë mundësi të sigurojë që projektet zgjidhen sipas përparësisë së duhur dhe janë në përputhje me strategjinë e saj të infrastrukturës.

Ndërkohë që dy investime të mëdha, TAP dhe Hidrocentrali i Devollit, po përfundojnë, cilët janë sektorët (me vlerë të lartë të shtuar) që do të nxisin rritjen në të ardhmen? Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të mbështetur këta sektorë?

Burimet natyrore dhe energjia janë pasuri të rëndësishme dhe do të vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në ekonominë e vendit. Është e rëndësishme që ato të shfrytëzohen duke pasur konsideratën e duhur ndaj mjedisit dhe ndaj ndikimit që ato mund të kenë në sektorët e tjerë me potencial për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm.

Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese, të tilla si turizmi, agrobiznesi, prodhimi fason dhe shërbimet e nënkontraktuara të biznesit. Natyrisht, janë disa faktorë të ndërthurur që mundësojnë sa më sipër: si investimi në infrastrukturë dhe aftësi, luftimi i informalitetit dhe korrupsionit, si dhe adresimi i problemeve me të drejtën mbi pronën.

Një element specifik që kërkon vëmendje është nevoja për të mundësuar shtimin e kompanive të mesme në një mjedis biznesi i cili karakterizohet nga një pakicë kompanish të mëdha dhe një shumicë ndërmarrjesh mikro. Mbështetja për rritjen e disa prej këtyre bizneseve të vogla, formalizimi dhe rritja e aftësisë së tyre për konkurrueshmëri do të jenë thelbësore për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Sektorët
Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese, të tilla si turizmi, agrobiznesi, prodhimi fason dhe shërbimet e nënkontraktuara të biznesit. Natyrisht, janë disa faktorë të ndërthurur që mundësojnë sa më sipër: si investimi në infrastrukturë dhe aftësi, luftimi i informalitetit dhe korrupsionit, si dhe adresimi i problemeve me të drejtën mbi pronën.

Shqipëria nisi vitin e kaluar një proces konkurrues tenderimi për të dhënë një kontratë për ndërtimin e një impianti PV diellore prej 50 MW në Akerni. I gjithë procesi u mbështet nga BERZH. Kompania fituese ishte India Power Corporation Ltd, por nënshkrimi i kontratës u vonua. Si po shkon procesi tani?

Ne nuk kemi qenë të përfshirë në procesin e tenderimit konkurrues lidhur me projektin në Akernia. Në një moment të mëvonshëm ne përgatitëm një program të rëndësishëm asistence teknike, i cili është duke u zbatuar aktualisht, për të mbështetur Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës në zhvillimin e sektorit të energjisë diellore në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë edhe këshillimin për përgatitjen në të ardhmen të tenderave konkurrues për shpërndarjen e kapaciteteve prodhuese. Ne besojmë fuqimisht në potencialin e energjisë diellore në Shqipëri dhe jemi të interesuar të financojmë projekte në këtë sektor sapo ato të hyjnë në fazën e zbatimit.

BERZH ka pasur një fokus në sektorin hekurudhor dhe një nga projektet është rehabilitimi i hekurudhës ekzistuese dhe seksioni i ri Durrës-Tirane-Rinas. U zhvillua një proces prokurimi ku të paktën 24 kompani shprehën interes. A mund të kemi ndonjë detaj kur do të zgjidhet fituesi dhe kur është afati për fillimin dhe përfundimin e punëve civile?

Unë besoj se kjo është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e infrastrukturës, që mund të kontribuojë ndjeshëm në rimëkëmbjen ekonomike të zonave të goditura nga tërmetet e fundit. Ne jemi duke e financuar këtë projekt së bashku me një grant të vënë në dispozicion nga BE.

Informacioni mbi procesin e prokurimit ndërkombëtar me dy faza, që është duke u zhvilluar, është në dispozicion të publikut dhe afati i synuar për mbylljen e tij është muaji Mars. Pasi të vendoset dhe nënshkruhet kontrata, punimet pritet të përfundojnë përafërsisht brenda dy vjetësh e gjysmë.

Si e vlerësoni ecurinë e portofolit të kredisë të BERZH-it në Shqipëri? Cilat janë planet për projekte të reja?
2019-a ka qenë një vit rekord për sa i përket projekteve të reja të realizuara (13) për një total investimi prej pothuajse 150 milionë euro, duke e rritur portofolin tonë në mbi 720 milionë euro; niveli më i lartë që nga fillimi i operacioneve tona në Shqipëri.

2020-a do të jetë një vit i rëndësishëm për ne. Strategjia jonë e re për vendin, për periudhën 5 vjeçare deri në vitin 2025, është aktualisht në fazën e konsultimit publik. Ne do të përqendrohemi në mbështetjen për përmirësimin e qeverisjes në të gjithë ekonominë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe gjithë përfshirjen e sektorit privat, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe ekonominë e gjelbër.

Për këtë vit kemi në plan investime në infrastrukturë për të zhbllokuar potencialin turistik të vendit. Jemi gjithashtu duke punuar për një instrument financimi të mbështetur nga grante të BE-së për bizneset që operojnë në zinxhirin e vlerës së turizmit. Energjia diellore do të jetë një tjetër përparësi kryesore. Do të vazhdojmë, gjithashtu, të forcojmë partneritetin tonë për ndarjen e rrezikut me bankat vendase për të rritur kreditimin e tyre ndaj ekonomisë.

Monitor.al

Familjet shqiptare me shpenzimet më të larta në Europë vetëm për tu ushqyer

Familjet shqiptare shpenzojnë më shumë për t’u ushqyer jo vetëm në raport me gjithë vendet e tjera të Europës, por edhe me rajonin.

Mesatarisht, 44% e shpenzimeve shkojnë për ushqime e pije jo alkoolike, sipas INSTAT, gati 4 herë më e lartë se mesatarja europiane. Referuar INSTAT, vlonjatët renditen të parët për peshën e lartë të shpenzimeve për ushqime, e pas tyre Elbasani, Durrësi, Shkodra, ndërsa Tirana mban vendin e 10-të. Pasi sigurojnë ushqimin, dritat, ujin, qiratë, veshjet, mobilimin, familjeve u mbeten më pak para se fqinjët për të udhëtuar, argëtuar, për pushime etj.

Familja Kusi në kryeqytet është e përbërë nga 3 pjesëtarë të rritur në marrëdhënie pune me të ardhura mujore të konsiderueshme. Kryefamiljarja, Elmira, thotë për “Monitor Ekonomi”, emisioni që transmetohet çdo të hënë në “News 24”, se gati gjysma e të ardhurave mujore shkojnë për ushqime.

“Shuma e të të ardhurave të të treve shkon deri në një 120 mijë lekë në muaj. Nga këto, 60 mijë lekë shkojnë vetëm për të ngrënë. Shpenzohet shumë për ushqimin, pasi çmimet këtu tek ne nuk janë asnjëherë stabël, por një ditë janë më ulëta e të nesërmen ndryshojnë prapë. Po na duhet të kemi dhe diçka për shtëpi, ose ndonjë lek për raste festash, ose në rast sëmundjeje. Energjia elektrike luhatet sipas sezonit, por ka raste në dimër që shkonin 12 mijë lekë. Uji ka arritur kulmin, 3 mijë lekë.”

Ky raport i shpenzimeve, ndryshon shumë, në krahasim me vendet fqinje. Referuar shifrave zyrtare të institucioneve statistikore përkatëse, në Kosovë 36.8% e totalit të të ardhurave dhe në Maqedoni 34.8% i dedikohen ushqimeve, ndërkohë që edhe shpenzimet e tjera të detyrueshme janë më të ulëta. ‘Monitor Ekonomi’ iu drejtua Prishtinës dhe Shkupit për të sjellë një pasqyrë të zërave të shpenzimeve të familjeve atje.

Visar Ballovci kryefamiljar në Kosovë thotë se të ardhurat e tij personale janë 600 euro, ndërsa të ardhurat totale të familjes arrijnë rreth 1000 euro.

“Dritat i paguajmë gjatë verës 25 euro, ndërsa në dimër shkojnë edhe 45 euro. Ujësjellësin e paguajmë 10 euro. Ushqimet ne i blejmë një herë në muaj dhe shpenzojmë deri në 150 euro. Duke bërë një përmbledhje të të gjitha këtyre ne familjarisht detyrime paguajmë deri në 300 euro, pjesën tjetër e kursejmë. Duhet të them që një familje këtu në Prishtinë me të ardhura 600 euro ia del që të jetojë mirë”.

Në lagjen Dizhon në Shkup apo lagjen e shqiptarëve, na pret ish mësuesi Bedri Bela në familjen e përbërë nga 7 anëtarë. Të ardhurat e tij janë 16 mijë dinar ose 250 euro. Totali i të ardhurave familjare, me djalin që tregton dhe bashkëshorten që merret me shërbime shtëpiake arrijnë në rreth 600 euro. Ai thotë se duhen mesatarisht 400 euro për të plotësuar nevojat mujore, përfshirë detyrimet.

“Më pak se gjysma e këtyre shkojnë për ushqime, për dritat paguajmë deri në 50 euro. Arrijmë t’ia dalim kështu por, do përdorja një shprehje që thotë se këmbët duhet t’i shtrijmë sa kemi jorganin”.

Familjet europiane shpenzojnë mesatarisht për ushqime 12,2% të buxhetit, sipas Eurostat. Për të gjithë Ballkanin, shtetet shqip-folëse mbajnë shifrat më të larta dedikuar për këtë kategori. Referuar Shqipërisë, dhe duke bërë krahasimin me Shkupin e Prishtinën çmimet për ushqimet e shportës janë shumë më të larta, po ashtu edhe detyrimet mujore për energji apo ujë.Leverdia e kostos më të ulët te fqinjët është shfrytëzuar nga qytetarët e Kukësit. Ata thonë se tani që euro ka pësuar ulje dhe rruga është e shtruar, është më e përshtatshme të bëjnë pazaret atje. Po ashtu një arsye tjetër është edhe karburanti më i lirë, si edhe larmia e produkteve krahasuar me Kukësin.

INSTAT raportoi se në vitin 2018, Kukësi, ndonëse rajoni më i varfër për të ardhurat, është prefektura që shpenzoi më pak për t’u ushqyer.

Por nga ana tjetër, ka një rritje të shpenzimeve për karburant si pasojë e lëvizjeve të shpeshta. Por sërish për ta është më e leverdisshme, pasi një litër naftë në Kosovë e blejnë afro 1.1 euro (130-135 lekë) , ndërsa në Shqipëri deri në 180 lekë.

Maqedonia e Veriut merr 20 herë më shumë fonde se qeveria Rama nga BE

Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se Maqedonia e Veriut ka marrë rreth 20 herë më shumë fonde indirekte nga programi i Instrumentit të Parazgjerimit(IPA) të Bashkimit Evropian.

Duke qenë në kushte të ngjashme si vende kandidate për anëtarësimin në BE, me një vlerë fondi pothuajse të njëjtë të planifikuar për t’iu alokuar gjatë periudhës 2014 – 2020, grupi i auditimit identifikoi fondet e përthithura për menaxhim indirekt nga Maqedonia e Veriut.

Nga grafiku i mësipërm vërehet se megjithëse në kushte të ngjashme, strukturat e ngritura në Maqedoninë e Veriut kanë arritur të menaxhojnë ndër vite në mënyrë të decentralizuar, disa herë më shumë fonde sesa vendi ynë. Grupi i auditimit të KLSH ka realizuar një analizë të ngjashme edhe me Serbinë, ku identifikohet se vetëm në 2014 janë menaxhuar në mënyrë indirekte 65,4 milion euro.

Shqipëria mer 650 milionë euro për 2014-2020
Sikurse parashikohet në Dokumentin Strategjik IPA II, ndihma financiare që do t’i ofrohet vendit tonë nga BE përgjatë periudhës 2014-2020, do të arrijë vlerën 649 milionë euro.

Nga përpunimi i të dhënave vërehet se Demokracia dhe Sundimi i Ligji janë dy fushat të cilat Komisioni Evropian vlerëson se kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Në mbështetje të tyre do të alokohet 50% e fondit total të asistencës IPA për vendin tonë.

Ndërsa zhvillimi socio-ekonomik, bujqësia, punësimi, etj., janë disa prej fushave të tjera, të cilat gjithashtu do të financohen nëpërmjet këtij programi, përgjatë periudhës 2014-2020.

Fondet e dedikuara Shqipërisë nëpërmjet IPA II, do të menaxhohen kryesisht në dy forma: Menaxhim Direkt, i cili kryhet nga KE dhe ai Indirekt, i cili i besohet palës shqiptare. Nga dokumentacioni i shqyrtuar nga G.A rezulton se përgjithësisht IPA I është menaxhuar në mënyrë të centralizuar nga BE, ndërsa për IPA II synohet rritja e menaxhimit të decentralizuar të fondeve.

Menaxhimi i decentralizuar i fondeve IPA përgatit vendet kandidate për menaxhimin e fondeve Strukturore13, pasi ato të bëhen shtet anëtar. Një ndër kriteret14 vendimtare të përdorura nga BE për dhënien e besimit për menaxhimin indirekt të fondeve është aftësia menaxhuese e strukturave të vendit përfitues.

Menaxhimi indirekt i fondeve të BE-së ka një rëndësi thelbësore, pasi inkurajon dhe përshpejton procesin e pranimit në Union. Menaxhimi i decentralizuar i fondeve konsolidon institucionet shqiptare në aspekte të tilla, si përgjegjshmëria dhe rrit besueshmërinë e Komisionit Evropian se këto institucione janë të afta për të vetëmenaxhuar fondet e BE21, pasi Shqipëria të bëhet Vend Anëtar. Më poshtë paraqiten fondet e besuara palës shqiptare për t’u menaxhuar dhe monitoruar në mënyrë të decentralizuar, përgjatë periudhës 2014-2018, sipas sektorëve specifikë.

Nga krahasimi i tabelave të mësipërme vërehet se shumica e fondeve të asistencës IPA II për vendin tonë, përgjatë periudhës 2014-2018, është menaxhuar sërish në mënyrë të centralizuar nga KE. Gjithashtu, vërehet se fondet e besuara palës shqiptare për t’u menaxhuar vit pas viti, kanë pësuar një rënie të ndjeshme, ku në 2016 dhe në 2018 Shqipëria ka menaxhuar vetëm fonde të planifikuara për shpenzimet “entry tickets” në projektet e Unionit.

Nga auditimi i dy projekteve të asistencës per Instat dhe Integrimin Evropian, KLSH ka vënë re probleme të keqmenaxhimit dhe përplasje mes Njësisë së Menaxhimit të Projekteve ne Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe delegacionit të Komisionit Evropian të cilat kanë çuar deri në anullimin e projekteve dhe detyrimin për rimbursim nga buxheti shtetit.(monitor do vijojë publikimin e projekteve konkrete).