30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

A do të arrihet marrëveshje? Kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore

Opozita dhe maxhoranca do të ulën sërish përballë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Opozita i është bashkuar Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore që e kishte bojkotuar më parë.

Mësohet se pas pak minutash fillon mbledhja e këtij komisioni dhe në të do të marrin pjesë Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI.

Ndërkohë, në komision gjendet edhe opozita parlamentare e përfaqësuar nga Rudina Hajdari.

Tavolina ku do te ulen Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili dhe Rudina Hajdari
Përmes një deklarate për shtyp, Lulzim Basha tha se Reforma Zgjedhore që i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një kusht për integrimin e vendit.

3 kërkesat e përfaqësuesve të opozitës në takim
1. Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.

2. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.
3. Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.

Pjesëmarrja
DAMIAN GJIKNURI
(Bashkekryetar i Komisionit te Posaçem per Reformen Zgjedhore/Perfaqesues i Partise Socialiste)

OERD BYLYKBASHI
(Perfaqesues politik i Partise Demokratike)

RUDINA HAJDARI
(Bashkekryetare e Komisionit te Posaçem per Reformen Zgjedhore/Perfaqesuese e opozites parlamentare)

PETRIT VASILI
(Perfaqesues politik i Levizjes Socialiste per Integrim)

Basha: Reforma zgjedhore duhet të miratohet një orë e më parë për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira

Lideri i Opozuitës së Bashkuar, Lulzim Basha deklaroi pas takimit me drejtuesit e partive opozitare se reforma zgjedhore duhet të miratohet një orë e më parë për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Basha tha se opozita ka mandatuar Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të dakordësuar mekanizmin për ecjen përpara me reformën zgjedhore. Basha theksoi se ky mekanizëm do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

“Miratimi me konsensus jashtë Parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore i një drafti të dakordësuar që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe më pas miratimi në Parlament, pa asnjë ndryshim për draftin e dakordësuar.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza.

Nuk duhet të humbasim asnjë minutë kohë nga miratimi i Reformës Zgjedhore që është hapi i parë për zhvillimin në të njëjtën ditë i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato lokale, që do të çojnë në zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike në vend”, tha Basha.Ai i drejtoi një apel mazhorancës socialiste që të mos humbasë më kohë për të plotësuar pikat e renditura në rezolutën e Bundestagut, ndërsa shprehu një falënderim për mbështetjen e përfaqësuesve të SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për të çuar përpara reformën zgjedhore.

Pjesë nga deklarata e kreut të opozitës, Lulzim Basha

Prej muajit tetor, opozita e bashkuar ka insistuar në një mekanizëm gjithpërfshirës dhe transparent për të përfunduar reformën zgjedhore, që i paraprin procesit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Prej muajit shtator – ky është tashmë dhe një kusht i patejkalueshëm i parlamentit gjerman, i Bundestagut – kanë kaluar katër muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër.

Sot Opozita e Bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të Reformës Zgjedhore dhe mandaton zotin Oerd Bylykbashi dhe zotin Petrit Vasili për të dakortësuar mekanizmin me ecjen përpara me Reformën Zgjedhore dhe miratimin e saj, duke i qëndruar plotësisht të gjitha pikave të parashtruara në tetor.

E para, krijimin e një mekanizmi gjithpërfshirës dhe transparent, me pjesëmarrjen e forcave politike, mundësinë dhe aksesin e çdo faktori tjetër shoqëror, qytetar dhe të grupeve të Interesit.

Së dyti, miratimin me konsensus, jashtë parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore të çdo propozimi për Reformën Zgjedhore.

Së treti, kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus, pa asnjë ndryshim, në seancën plenare dhe me këtë mandat të pandryshueshëm, kemi mandatuar dy zotërinjtë që përmenda për të dakortësuar me palën tjetër në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të mos humbasin më asnjë minutë për të përfunduar një orë e më parë Reformën Zgjedhore dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si rruga e vetme për daljen nga kriza politike.

A besoni ju se jo Reformë Zgjedhore do të na çojë ne drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Basha: Partia Demokratike, Opozita e Bashkuar dhe jam i bindur, shumica dërrmuese e shqiptarëve, duan dhe meritojnë një fund sa më të shpejtë të kësaj krize politike që mund të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore të mbajtura në një ditë.

Do të fokusoheni vetëm tek rekomandimet e ODIHR? Çështja e sistemit do të preket apo jo?

Basha: PD dhe aleatët kanë folur dhe janë të qartë në qëndrimet tona. Në emër të Opozitës së Bashkuar dua të rikonfirmoj atë që kam thënë gjithmonë: jemi dhe mbetemi të hapur për të diskutuar në mënyrë gjithpërfshirëse dhe transparente me të gjithë qytetarët shqiptarë, çfarëdo sistemi ata dëshirojnë të aplikojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por praktika e shtatë viteve të fundit ka treguar qartë se problemi kryesor i zgjedhjeve shqiptare ka qënë shitblerja e votës, përdorimi i parave të pista, bashkëpunimi me krimin dhe mosndëshkimi i krimeve elektorale.

Ndaj përgjegjësia jonë para shqiptarëve ëhstë të mos hedhim hi syve se me një palë këpucë të tjera do të shkojmë në një drejtim tjetër, por së bashku me këto ndryshime esenciale dhe vullnetin politik për t’i zbatuar, t’u japim shqiptarëve mundësinë të shprehen për cilindo sistem zgjedhor që ata dëshirojnë.

Shifrat e çmendura që arkëtojnë çdo vit klubet e futbollit, kryeson Barcelona me…

Luhet në fushë, por edhe në financa. “Trofeu” në këtë garë eksluzive për klubet më të mëdhenj dhe më të pasur të futbollit europian shkon për Barcelonën.

Kampionët spanjollë krysojnë renditjen e publikuar nga “Deloitt Football Money League”, sa i përket të ardhurave që kanë arkëtuar klubet gjatë vitit të fundit. Barcelona mban vendin e parë për të dytin vit radhazi, teksa ka përfituar 840.8 milion euro.

Një rekord më vete, pasi për herë të parë në histori, një klub kalon shifrën 800 milion euro. Këtu llogariten të ardhurat komerciale, të drejtat televizive, ato nga biletat si dhe ato nga rrjetet sociale.

Në vendin e dytë renditet Real Madrid me 757.3 milion euro arkëtime vetëm gjatë vitit të fundit. Edhe madrilenët kanë një rritje të konsiderueshme në të ardhurat e tyre, duke lënë pas Manchester United.

Pavarësisht se rezultate nuk kanë qenë të shkëlqyera në fushë, marka e klubit anglez vazhdon të sjellë të ardhura të konsiderueshme. Pesëshja e parë plotësohet me Bayern Munich dhe Paris SG, që në vitet e fundit ka rritur ndjeshëm përfitimet e tij.

Sa I përket Ligave, kampionati anglez është më i pasuri në Europë, pasi tetë klube të tij bëjnë pjesë në 20 vendet e para të renditjes.

Raporti i “Deloitt Football Money League” tregon se sa e rëndësishme është pjesmarrja në turnetë ndërkombëtarë, por edhe prania e yjeve të fubollit në skuadër.

Një konfirmim për këtë vjen nga Juventus, që pas transferimit të Cristiano Ronaldo ka rritur në mënyrë progresive të ardhurat komerciale dhe ato nga rrjetet sociale.

Cila është data e republikës?!

Nga Artan FUGA

Cila është data e republikës?!

Historianë, juristë, konstitucionalistë – nuk e di nëse ka vërtetë të tillë – shoh se janë zhytur në një debat sa të kotë, aq budalla, edhe dogmatik.

A është 11 janari dita e republikës dhe a duhet mbajtur si e tillë?

O Zot! Pak probleme ka Shqipëria sa të merremi me të tilla çilimillëqe? !

Ngatërrohen logjikisht dy probleme të ndryshme që as një gjimnazist nuk do të duhej t’i ngatërronte. I ngatërron sepse mësimi i historisë, filozofisë, logjikës në shkollë të mesme është për ibret!

Por çfarë faji do të kishin kalamjtë kur mjekroshat ngatërrohen si çiliminj!

O njerëz qendroni në dy parime metodologjike dhe pushoni se na turpëruat!

E para, në historinë e një vend, sikurse të Shqipërisë nuk është themeluar një, por më shumë se një republika, ndoshta tre a katër me shkeputje kohe mes tyre, dhe ndoshta nja dhjetë pak a shumë si nënvariante të tipologjive kryesore. Prandaj nuk ka vetëm një datë themelimi republike, por ka data të ndryshme themelimi republikash të ndryshme, pavarësisht nëse janë quajtur kështu ose jo!

E dyta republika e 11 janarit 1946 është themeluar atë ditë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Kush do t’a festojë ta festojë, të hajë bakllava, mish me oriz, të bëjë si ta mendojë. Mirëpo 11 janari 1946 është data e themelimit të asaj Republike, që sot dikush e do dhe dikush e urren. Natyrisht dhe natyrshëm! Por ajo nuk është data e kësaj republikës ku jetojmë sot!

Ajo quhej republikë popullore dhe kishte tipologjinë vet, kurse kjo e sotmja është republikë formalo-juridike që ka tipologjinë vet. Pavarësisht se sipas librit tim “Shoqëria Piramidale”, të dyja përfunduan në tirani!

Por janë dy republika të ndryshme. Nuk mund të mbahet 11 janari 1946 si data e një republike të themeluar në 1991, as të hiqet 11 janari meqë nuk është data e themelimit të republikës që na ka rënë në kokë sot!

Por mua sot po të më pyesësh se kush është më e mirë : Republika apo Monarkia, unë do të përgjigjesha që varet nga konteksti. Ka shumë të ngjarë që në shumë raste republika të duket thjesht si një lloj zdërhalljeje, zallamaije kaotike, zgjyre, para monarkive. Nuk besoni? Ja a mund të krahasohet republika jonë tiranike e sotme te ne me mbretërinë e Belgjikës, po me atë të Anglisë, po me atë të Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, etj?

Problemi te ne nuk është monarkia, problemi është se ne nuk kemi mbret! Nuk kemi individin që ta fronëzojmë!

Ne kemi më shumë se mbret, me radhë janë kryetarët e partive që kanë pasur pushtetin!

Ne jemi mbretëri në republikë dhe republikë në mbretëri, mbretëri jokushtetonjëse, sepse pa kushtetutë, dhe ky është më i keqi nga rregjimet e mundshme politike!

Dhe thonë pastaj se nuk e ka fajin sistemi, por vetëm individi!!!:

Kjo është sikur të kemi një makinë rrotaxhile, pa shasi, pa frena, pa timon, dhe me shofer pa patentë, dhe ata që e shohin që ka rënë në kanal apo bën zigazake duke rrezikuar udhëtarët dhe kalimtarët, të pyesin dehshëm:

E ka fajin makina – sistemi – apo e ka fajin shoferi?! O ju hangsha pyetjen !!!

Barcelona shkarkon trajnerin Valverde, ja kush emërohet në vend të tij

Ernesto Valverde i ka ndarë rrugët me Barcelonën dhe Quique Setien është trajneri i ri i ekipit të Lionel Messi.

Ish trajneri i Real Betisit është lidhur me Blaugranan disa herë viteve të fundit pasi që ai ka të njëjtën filozofi të futbollit që ka skuadra katalunase.

“Barcelona dhe Quique Setien kanë arritur marrëveshje që të jetë trajner i skuadrës së parë deri më 30 qershor 2022”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.

Setien ka shprehur admirimin e tij për atë që prezanton Barcelona, që fokusohet në stilin e tyre sulmues në futboll.

Karriera e tij si trajner ka filluar më 2001 në Racing Santander, ku ai udhëhoqi skuadrën për promovim në La Liga.

Nga aty ai shkoi në Poli Ejido dhe pastaj ishte trajner i Guinesë Ekuatoriale, para se të merrte timonin e Logrones më 2007.m.

Ai qëndroi aty për një vit, para se ti bashkohet Lugos ku ishte për gjashtë sezone, duke i ndihmuar ata që të arrin në ligën e dytë spanjolle.

Nga 2015 ai ishte për herë të parë trajner në La Liga pasi që kaloi në Las Palmas, pastaj dy vite ishte trajner i Betisit.

Në sezonin e parë për skuadrën andaluziane ai u kualifikua në Europa Ligë dhe arriti në gjysmëfinale të Copa del Rey në vitin e dytë. Pas kësaj u keqësuan marrëdhëniet me bordin dhe ai e prishi kontratën, pavarësisht se kishte tri vite marrëveshje.

Marrëdhënia e Messit me trajnerin e ri

Quique Setien dhe Lionel Messi do të punojnë së bashku në Barcelonës, pasi trajneri spanjoll do ta zëvendësojë Ernesto Valverden e shkarkuar në postin e trajnerit të klubit katalonas.

Megjithatë, kjo s’do të jetë hera e parë që dyshja Setien-Messi do të takohet.

E ardhmja e Valverdes në Camp Nou kishte qenë e pasigurt që një kohë, por presioni u shtua pas eliminimit të Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës. Tani, ai është zëvendësuar me Quique Setien, i cili nënshkroi kontratë deri më 2022.

Tani, Setien do ta stërvitë kapitenin Lionel Messi në seancat stërvitore. Mirëpo, hera e parë që këta të dy ishin takuar kishte qenë gjatë kohës sa Pep Guardiola ishte ende në drejtim të Barcelonës.
“Një ditë, i ftuar nga Guardiola, unë e pata mundësinë ta shikoj Messin duke u stërvitur nga anash fushës”, Setien kishte treguar për El Pais.

“Unë shkova te ai dhe i thashë të vazhdonte të luajë derisa t’i mbushja 60 vjet, ose edhe më mirë derisa të vdisja”.

Setien dhe Messi më vonë u takuan sërish në vitin 2016, kur Barcelona e vizitoi Las Palmas.
Neymari kishte qenë ylli i asaj ndeshjeje, të cilën Barcelona e kishte fituar me rezultat 4:1 në Estadio de Gran Canario, mirëpo Setien i kishte kushtuar vëmendje dikujt tjetër.

Ai dhe Messi u përqafuan dhe biseduan në fushë pas ndeshjes, para se të shkonin drejt tunelit së bashku.

LDK njofton se pranoi ofertën e VV për Qeverinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar sot pranimin e një oferte të fundit nga VV gjatë mbrëmjes së djeshme duke mos konfirmuar ndërkohë se për çfarë bëhet fjalë.

Përmes një komunikate për mediat, LDK nuk jep detaje por thotë se propozimi është shumë i ngjashëm me atë të paraqitur në takimin e fundit mes liderëve.

“Dje nga LVV-ja kemi pranuar një propozim shumë të ngjashëm me atë të paraqitur nga ta në takimin e fundit të javës së kaluar, me disa ndryshime të vogla, të cilat do të shqyrtohen në ditët në vijim”, ka bërë të ditur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Sot në media është duke qarkulluar një ofertë e re sipas të cilës Kurti i ka bërë Mustafës. Sipas këtij versioni, Kurti ka kërkuar shtimin e ministrive.

“Kush na nxiti të hidhnim në erë bustin e Stalinit”, flet organizatori i demonstratës së 14 janarit ‘90

Publikohet historia e panjohur e ndodhur në qytetin e Shkodrës nga data 11 deri më 14 janar të vitit 1990-të, kur një grup djemsh të këtij qyteti me në krye: Rin Monajkën, Flamur Elbasanin, Dedë Kasnecin, Gjergj Livadhin, Viktor Martinin, etj., u organizuan në fshehtësi dhe vendosën të bënin një demonstratë proteste në qëndër të qytetit, ku ishte busti i Stalinit, duke kërkuar heqjen e tij.

Dëshmia e Gjergj Livadhit, njërit prej protagonistëve dhe organizatorëve kryesorë të asaj demonstrate që tronditi rëndë regjimin komunist të Tiranës dhe u përcoll nga disa prej mediave më të rëndësishme të botës, si Reuters, Rai, Zëti i Amerikës, etj., kush ishin dy ideatorët e hedhjes në erë të bustit të Stalinit, përse Dom Simon Jubani s’pranoi të mbante fjalën e rastit kur do të mbahej demonstrata, kush ishte djaloshi shkrodran Kolec Kublina që e morri përsipër këtë akt, çfarë i tha ambasadori gjerman Rin Monajkës në takimin disa sekondash në qëndër të qytetit të Shkodrës dhe si i arrestoi Sigurimi i Shtetit me në krye Zylyftar Ramizin dhe Forcat Speciale të ardhura nga Tirana të gjithë organizatorët e asaj proteste një natë para se të mbahej ajo…?!

Në paraditen e datës 14 janar të vitit 1990-të, me mijëra banorë të qytetit të Shkodrës u grumbulluan në qendër të qytetit dhe për disa orë zhvilluan një tubim proteste në heshtje, i cili synonte rrëzimin e monumentit të Stalinit që ndodhej në një nga lulishtet e shesheve kryesore të atij qyteti. Ajo demostratë masive e cila shënonte dhe protestën e parë antikomuniste pas më shumë se gjysmëshekulli të sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, alarmoi regjimin dhe gjithashtu bëri bujë të madhe brënda e jashtë vëndit, duke u komentuar edhe nga shumë stacione të huaja televizive nga më të njohurit, si Reuters, Rai, Zëti i Amerikës, BBC etj.

Po kështu demonstrata e 14 janarit të vitit 1990-të, tundi nga themelet udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë dhe personalisht Ramiz Alinë, i cili ia “faturoi” atë shërbimeve të huaja dhe kryesisht UDB-së jugosllave. Përveç organeve të diktaturës që Ramiz Alia vuri në përdorim për shtypjen e asaj demostrate, ai mobilizoi edhe gjithë arsenalin e mjeteve të propagandës që dispononte regjimi i asaj kohe, dhe në një nga fjalimet e tij pikërisht për atë ngjarje, ai artikuloi shprehjen: “Nuk tundet Taraboshi nga era”.

Po kush ishin organizatorët kryesorë të asaj demostrate dhe kur u hodh për herë të parë ideja për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër? Kush ishte personi që u takua me ambasadorin gjerman në paraditen e 11 janarit në qendër të qytetit të Shkodrës dhe çfarë u bisedua në mes tyre në lidhje me demostratën e rrëzimin e bustit? Kush ishin intelektualët shkodranë të cilëve iu kërkua të mbanin një fjalë rasti para demostratës dhe cila ishte përgjigjia e Dom Simon Jubanit?

Si e mësoi Sigurimi i Shtetit të vërtetën për zhvillimin e demostratës dhe si i arrestoi të gjithë organizatorët e saj në orët e vona të natës së 13 janarit? Si u torturuan ata në zyrën e Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi në praninë e zv/Ministrit dhe Drejtorit të Sigurimit, Zylyftar Ramizi? Çfarë i’u kërkohej atyre gjatë hetuesisë dhe përse Kryetari i Gjyqit në Tiranë, Sh. M., dha dënime tepër të rënda për dhjetë organizatorët e asaj demonstrate?

Përse ata të dhjetë organizatorët dhe protagonistët kryesorë të asaj demonstrate ishin të fundit që u liruan nga burgjet e regjimit komunist në marsin e 1991-it dhe cila është e vërteta e vdekjes në Austri, të personit që ishte takuar dhe biseduar me ambasadorin gjerman, tre ditë para demostratës në 11 janarin e vitit 1990?

Pse e rrëzuan Ramën si kryesues të radhës të OSBE

Nga Sali BERISHA

Një poshtërim më i madh se sa me rastin e Maqedonisë së Veriut!

Miq, per here te pare ne ekzistencen e OSBE nje vend detyrohet te emeroje de facto nje minister te jashtem te vecante si kryesues radhe pasi ministri kushtetues i vendit refuzohet, nuk pranohet nga vendet anetare per shkak te mos kalimit te vetingut nderkombetar nga ana e tij. Edvin Mafine e rrezuan si kryesues te radhes te OSBE, nje dhurate kjo 100% e qeverise se meparshme sipas nje vendimi unanim te kesaj organizate te vitit 2006, per shkak te lidhjeve te tij me krimin, drogen, vjedhjet etj etj.

Miq, ky vendim eshte akti me poshterues qe eshte marre ndonjehere ndaj ndonje ministri te jashtem ne historine e OSBE. Sigurisht qe kjo eshte nje damke e madhe edhe per Shqiperine, delen e zeze te Europes. Ne te vertet ky eshte nje poshterim edhe me i madh se sa ndeshkimi i M V per te mos e lene vetem Shqiperine pa hapjen e negociatave.

Duke perfunduar, shtoj se duhen falenderuar vendet anetare per zgjidhjen e pashembullt qe i dhane problemit duke i menderosur kredencialet e ministrit te jashtem Edvin Kristaq Hajdutit dhe goditur ate fatalisht para 57 vendeve anetare te OSBE dhe emerimin de facto te nje ministri ad hoc te jashtem nga Shqiperia per te kryesuar OSBE! sb

Shkodër/ 30 vjet nga demonstrata e parë që tronditi themelet e regjimit

Më 14 janar të vitit 1990, me mijëra të rinj dhe qytetar të Shkodrës u grumbulluan në sheshin ku ishte vendosur statuja e diktatorit Stalin dhe kërkuan heqjen e saj.

Protestës i kishte paraprirë shpërndarja e trakteve kundër Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe regjimit komunist. Protestuesit tentuan disa herë që të rrëzojnë monumentin e Stalinit, por reagimi i policisë dhe Sigurimit të Shtetit ishte i egër.

Pas kësaj dhjetëra demonstrues u arrestuan dhe u torturuan në zyrat e policisë dhe sigurimit.

Sipas dëshmive të protagonistëve, demonstrata e 14 janarit nuk ishte diçka spontane, por ishte organizuar në detaje prej një grupi të rinjsh, si Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rini Monajkës, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, etj.

Atë mëngjes të ftohtë dimri qindra e qindra të rinj vërshuan prej lagjeve Skanderbeg, Serreq, Rus, Parrucë, Ballabane, Arra e Madhe dhe në heshtje mbushën qendrën e qytetit, duke u vendosur pikërisht te lulishtja ku gjendej monumenti i Stalinit.

Forca të shumta të policisë dhe disa dhjetëra `sambist` të mbërritur urgjentisht nga Tirana, ndërhynë me dhunë të pa parë.

Sipas dëshmitarëve okularë, brenda mikrobusëve me dyer të hapura shiheshin arkat me municione dhe automatikët e gatshëm të policëve, të ardhur prej të gjithë rretheve të vendit.

Pas shpërndarjes së dhunshme, në qytetin e Shkodrës nisën reprezaljet dhe arrestimet e shumta. Brenda pak javësh u kapën të gjithë organizatorët, prej të cilëve Rini Monajka u torturua në mënyrën më ç’njerëzore prej policëve dhe `sambistëve` nën drejtimin personal të ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Zylyftar Ramizi.

Në fund të prillit 1990 grupi i Shkodrës që kishte organizuar demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit, doli para trupit gjykues të kryesuar prej Shefqet Muçit në Gjykatën e Lartë. Gjykimi në atë shkallë u hiqte atyre të drejtën e apelimit dhe de facto e kthente dënimin në formën e prerë.

E gjithë Shkodra, po i ndoqi me ankth ato ditë.

Akuza mbështetej tek nenet 55/1+13 e 57 e të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e një organizate kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryerjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen të pushtetit popullor me dhunë. Dënimet për këto nene mund të shkonin deri në pushkatim, por kohët kishin ndryshuar dhe regjimi ishte në panik.

Dedë Kasneci, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi debatuan me trupën gjykuese duke i qëndruar hapur kauzës së tyre antikomuniste. Ndërsa Rini Monajka ishte i tjetërsuar prej torturave dhe nuk mund të shqiptonte pothuajse asnjë fjalë, në mbrojtje të vetes.

Dënimet që u dhanë ishin të ashpra me burg, por meqenëse kishte nisur era e shndërrimeve politike në Europën Lindore, ngjarjet në Rumani etj, Rami Alina u detyrua që të shmangte pushkatimin.

Të dënuarit u shpërndanë në burgjet e ndryshme në vend deri në Qaf Bar në Sarandë, prej nga u liruan në janar e në mars të vitit 1991.

Sot shënjohet 30 vjetori 14 janarit, ditë kur në Shqipëri u organizua në Shkodër revolta e parë anti-komuniste, e cila i dha shtysë të gjitha ngjarjeve të tjera që rrodhën më pas, deri në rrëzimin e sistemit pas një viti.

Aksident i rëndë në zemër të Tiranës, plagoset shoferja (Foto)

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Siç shihet nga pamjet e siguaruara nga abcnews.al, një makinë shihet teksa është kthyer përmbys në mes të rrugës.

Si pasojë e aksidentit, mësohet se ka mbetur e plagosur drejtuesja e mjetit, e cila është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur pranë Fakultetit të Drejtësisë, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.